Nga Leonard
Veizi
Që nga ky çast
ai do kthehet në legjendë, dhe heronjtë e legjendave nuk janë kurrë të gjallë.
Sepse në të gjallë ata janë thjesht punëtorë, ndërsa vdekja, ajo i çon në Apogje...
...Nuk
mund të përcillej aq thjeshtë e aq pa zhurmë për në banesën e fundit. “Është
shumë më e bukur, shumë më njerëzore kaq thjeshtë”, do të shprehej mes
ngashërimit Marjeta. Dhe ndoshta kishte të drejtë. Sepse dhe një ceremoni
madhështore, me homazhe të lodhshme e bandë që luan marshe funebër, nuk do të
sillte asgjë më shumë tek emocionet njerëzore. Në fund të fundit, ai iku të
takojë Krijuesin, por në celuloid vepra e tij mbeti e plotë.
Rikard
Ljarja ishte 77 vjeç. Dhe i mbushi veç pak ditë në parë, në 1 prill. Sepse në 1
prill kishte lindur, në vitin 1943, pikërisht në Shkodër, vendin e kulturës që
nxori jo pak aktorë të talentuar ashtu si dhe artistë të tjerë.
Me
një repertor për t’u pasur zili, Rikardi do të mishëronte të paktën 27 role në
kinema. Dhe si i tillë, ai ishte vazhdimisht i pranishëm në ekranin e madh, por
dhe në televizione, filmat e të cilit transmetohen në vazhdimësi. Ai ishte
Dritan Shkabaj që hapte shkollat në Mirditën e pas luftës, fillrojtësi modest
me emrin Ded, Lluka apo Naimi, si teknicien e burokrat, apo dhe Kujtimi një
mekanik arrogant. Dhe këto janë aq pak në jetën e tij filmike.
Rikardin
e gjen kudo në filmin shqiptar, ai aktor, regjisor dhe në dy raste edhe si
skenarist. Në këtë mënyrë mund të thuhet se ai e plotësoi tërësisht egon e tij
profesionale, për më tepër kur këtyre u shtoi dhe botimin e katër librave, tre
prej të cilave romane. Pra ishte një artist shumëdimensional, dhe i tillë do të
mbetet tanimë.
I
martuar me Marjetën, gjithashtu aktore emblematike, ai do të luante në dy filma
me të: “Në pyjet me borë ka jetë” dhe “Rrethi i kujtesës”.
Ishte 53 vjeç kur luajti në filmin e fundit, dhe padyshim, do të
mund të ishte po aq aktiv në vitet e mëpasme, si aktor e regjisor. Por nuk
ishte e lehtë në një Shqipëri të trazuar, ku filmi ashtu si dhe shumë arte të
tjera, për një kohë të gjatë nuk patën dot frymëmarrjen e duhur.
Rikard
Ljarja nuk do të jetë më prezent në tavolina miqsh e aktivitete kulturore. Por
ai do të ketë vazhdimisht ndikim tek brezat, sepse gama e gjerë e roleve të tij
i jep mundësinë kujtdo të gjejë diçka nga vetja tek një personazh.
Ai
u përcoll në vendlindjen e tij në Shkodër për të çuar në vend amanetin e tij.
Dhe jo vetëm se lindi në këtë qytet, por se i pas diplomimit në Shkollën e
Lartë të Aktrimit “A. Moisiu”, Tiranë, tetë vite me radhë kontribuoi si aktor i
teatrit në Teatrin “Migjeni”.
Por
ceremonia e varrimit të tij është diktuar nga rregullat e pandemisë. Me maska
në fytyrë, por dhe me lot në sy, njerëzit e mbledhur poshtë banesës e kanë
përcjellë mjeshtrin e madh drejt banesës së fundit me duartrokitje. Dhe
kurrsesi, nuk mund të jenë duartrokitjet e fundit për të...
No comments:
Post a Comment