Showing posts with label Tregime. Show all posts
Showing posts with label Tregime. Show all posts

Monday, July 9, 2018

Libri i fundit i Kliton Nesturit, tetë tregime ose një leksion therës mbi jetën dhe vdekjen

 Nga Leonard Veizi

Çfarë është jeta? Po vdekja? Po ndeshja e përhershme e tyre çfarë përfaqëson në perceptimin e afërt apo dhe në projeksionin e largët e të pakapshëm? Mund të duhet të marrësh një leksion 90 minutësh në auditor për të ngopur kureshtinë tënde, ose të tërheqësh nga biblioteka një material letrar me detaje krejt jetësore. Kuptohet, nëse këtë material letrar e ke në bibliotekën tënde. Në të kundërt do të duhet t'i drejtohesh librarisë.
Dhe mundi nuk do të të shkojë kot.
Një titull i ri sapo është vendosur në raftin me etiketimin: “Letërsi shqipe”. Në kopertinë dominon e bardha, por në brendësi kemi një gri të thellë, ku hera-herës shpërthejnë dhe plot ngjyra të ngrohta.
Është një sfidë e madhe, ndonjëherë dhe krejt absurde, t’i kushtohesh letërsisë dhe rrëfimeve fiksionale, në të njëjtën kohë kur informacioni i shkurtuar e gjysmak, i shpejtë dhe i vrazhdë që merret nëpërmjet një celulari apo kompjuteri portativ, të zë pjesën më të çmuar të kohës. Ndërsa ai vjen sërish me një vëllim tjetër me tregime, duke konfirmuar edhe një herë se po lundron i sigurt në oqeanin e thellë të prozës.
“Në katin e tretë nuk troket askush”, është një libër me 8 tregime, shkruar nga Kliton Nesturi e botuar në vijimësi nga prestigjiozja “Omsca-1” . Në korpusin e tij letrar prej 8 titujsh, Nesturi ka të shkruara një vëllim poetik, një ese monografike, një dramë, një roman dhe katër vëllime, në përbërje të të cilave janë 36 fabula të ndryshme. Parë në këtë këndvështrim, krijimtaria e tij është fort e larmishme. Dhe siç ndodh në përgjithësi, që vëllimi pasardhës është më i mirë se ai paraardhës, mund të dalim në përfundimin e shpejtë se “Në katin e tretë nuk troket askush”, ka kapur kulmin e krijimtarisë letrare të deritanishme të autorit në fjalë.
Tregimi i parë i vëllimit: “E diel. Ora 5 pasdite” fillon me togfjalëshin ekstrem “Riku vdiq”. I largohemi disi vdekjes në dy tregimet pasardhëse “Pianoja” dhe “Manastiri”, për t’u rikthyer sërish tek një tjetër vdekje e trishtueshme. “Krisula” është tregimi i katërt i vëllimit, shkruar me një dashuri të veçantë, ku personazhi kryesor edhe pse mbulohet nga mirësia shkon drejt një fundi fatal. “Kjo është jeta”! Kjo është edhe sentenca me të cilën kemi rënë dakord, të pafuqishëm për të ndryshuar diçka nga një fat i parathënë apo i paracaktuar.
Në tregimin pasardhës “Në katin e tretë nuk troket askush”, edhe pse personazhi kryesor, Lorana, nuk arrin të vdesë deri në fjalinë e fundit të narracionit, sërish e paralajmëron vdekjen e saj të afërt. Ai pasohet nga “Njeriu me dy varre” një sagë sa letrare aq dhe historike, e cila një pjesë të mesazhit e jep nëpërmjet titullit. Vëllimi mbyllet me tregimet “Syujku” dhe “Tregim për Ana Belën”, ku edhe pse nuk zë vend vdekja si proces fizik, trishtimi dhe aludimet rreth saj janë po aq të pranishme sa dhe në tregimet paraardhëse.
Në tregimet e tij autori kërkon të përçojë me ngulm tek lexuesi, fuqinë e dashurisë. A e arrin ai një gjë të tillë? Mendoj se po. Dhe dashuria, si një proces më shumë platonik se sa fizik, është një çelës që ashtu siç hap dyer të panumërta, ngecet pa lëvizur në shumë të tjera. Sepse, sipas autorit dhe asaj çka ai lë të shkruar, gjithçka vjen nëpërmjet një dyzimi të madh e të pazakontë, që e mundon narratorin për të dalë nga rrethi vicioz, ku herë futet me dashjen e vetë dhe herë e fusin vetë personazhet e ndërtuara prej tij. Dhe këtu kemi të bëjmë me një kurth letrar, ku herë e ngre çarkun autori për të kapur personazhet, por ndodh dhe e kundërta, që personazhet bëhen aq të fuqishëm sa janë në gjendje të ngrenë një kurth për të kapur autorin dhe për ta drejtuar atë t'u japë një zgjidhje siç e kërkojnë ata. Por, duket se për autorin nuk ka rëndësi se si dashuria vjen në faqet e tregimeve të tij, butësisht dhe e pafajshme apo nëpërmjet një intrige që krijon dhe një pështjellim të vazhdueshëm ndjenjash gjatë komunikimit që vendos lexuesi me personazhet e veprës. Në logjikën e tij të ftohtë, por dhe në nënndërgjegje me siguri, autori kërkon të vendosë në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm përballjen e jetës me vdekjen, por dhe përplasjen mes dy dashurive, asaj të ligjëruar dhe një tjetre informale që në gjuhën e përditshme e përdorim me termin: tradhti. Dhe kush triumfon në këtë ndeshje të përjetshme... 
Për më tepër se kaq, duhet të lexoni “Në katin e tretë nuk troket askush”. Janë vetëm 8 tregime, në 200 faqe, për të parë deri në fund magjinë e letërsisë së një shkrimtari shqiptar.


Botuar në:
http://www.mapo.al/libri-i-fundit-i-kliton-nesturit-tete-tregime-ose-nje-leksion-theres-mbi-jeten-dhe-vdekjen

Thursday, January 28, 2016

Rrëfime psikanalitike për luftën në vetëdijen e personazhit – nga Mexhit Prençi

Rrëfime psikanalitike për luftën në vetëdijen e personazhit 

Në fokus: libri “I dënuar me vdekjen” i Leonard Veizit

Mexhit Prençi

1.
Tregimtari Leonard Veizi, po e kristalizon gjithnjë e më mirë profilin e tij letrar, i vetëorientuar dhe përkushtuar ndaj botës psikike të njeriut, luftës brenda vetes. Autori duke njohur tipa dhe karaktere njerëzorë të ndryshëm e të larmishëm nga jeta,  nëpërmjet hulumtimeve dhe psikanalizave të botës dhe luftës së  njeriut me veten brenda qenies, ka krijuar realitetin artistik të një lufte të tensionuar psikologjike në vetëdijen e personazheve  komplekse, i cili është më i përsosur  se ai i jetës, ku  ndeshet e mira me të keqen, e bukura me të shëmtuarën, e moralshmja me të pamoralshmen, në situata dramatike, lirike dhe tragjike. Kjo luftë zhvillohet në rrafshin e tensioneve psikike të larta,  nëpërmjet rrëfimit të tij psikoanalitik dhe monologut  të vetë personazhit. Gjithçka krijohet me imagjinatë, e cila është e zhvilluar, e larmishme dhe herë-herë e magjishme dhe e jashtëzakonshme.

2.
Proza e librit “I dënuari me vdekjen” , duke u bazuar në tregimet më me vlera të tij si: “Modeja”, “I dënuari me vdekjen”, “Zbrazëtina” dhe “Ngrehina” e theksoj që në krye të herës, është në zhvillim  të mëtejshëm të prirjeve dhe tendencave  të unit krijues të autorit, në kahje të depërtimit thellë e gjerë në botën psikologjike të personazhit, të cilën e jep në lëvizje, herë nëpërmjet dylyftimit brenda qenies, herë nëpërmjet monologut, për t’u çliruar vetëdija nga pushtimet, çka është vlerë e veçantë dhe origjinale e personales artistike të Veizit. Në këtë kahje, sipas optikës sime, autori ka bërë hapa përpara në krahasim me librat e mëparshëm.

3.
Duke u nisur nga sentenca e Dostojevskit se talenti është të shprehurit bukur atë që mungesa e talentit e thotë shëmtuar, theksoj se rrëfimi psikanalitik i Veizit, është artistik, i lirë, i shpenguar, me gjuhë të bukur e fjalor të pastër e të pasur leksikor, i thjeshtë pa rënë në thjeshtëzim. Tregimi Modelja, është i klasit të parë, me stil lirik dhe dramatik, emocional edhe racional, që të krijon kënaqësi të vërteta estetike. Është shkruar me kulturë, me shije të lartë, me vërtetësi jetësore dhe artistike. Rrëfimi artistik, psikanalitik, i protëstës së brendshme të modeles, ndaj vetes në radhë të parë, pastaj ndaj faktorëve të tjerë të jashtëm,  shpërthimi i kësaj proteste me braktisjen e sfilatimit në kulmin e tij dhe hedhja e saj në sallën e spektatorëve, janë realizime mjeshtërore artistike, ku spikat stili dhe origjinaliteti i tregimtarit Veizi. Është një tregimi që mund të konkurojë me dinjitet me më të mirët e këtij llojit.

4.
Po ndërsa ky është tregim realist dhe psikologjik, tregimi “Ngrehina” dhe “Zbrazëtina” janë tregime psikologjike dhe surealiste. E nënvizoj  këtë për të shprehur qartë mendimin se nuk mund të gjykohen e vlerësohen me të njëjtët parametra artistikë dhe estetikë, si një tregim surealist si  ai realist, psikologjik, apo në rrafshin e absurdit. Mendoj se në kritikën ndaj këtij libri Virgjil Muçi ka rënë në grackën e një gjykimi të tillë dhe në kurthin e unit të tij krijues, të shijeve e koncepteve të tij përjashtuese,  duke mospranuar, pothuajse, të shkruarit ndryshe, të shprehurit artistikisht ndryshe, sidomos kur tentohet të depërtohet në botën komplekse, në vetëdijen e trazuar të personazhit, në rrafshin e mendime dhe të ideve, në një realitet disi abstrakt, që nuk është i prekshëm, ndonëse ai ekziston. Ekziston ndërgjegjja e njeriut, ekziston lufta e brendshme  e tij, dyluftimi në qenien e dyzuar dhe komplekse, çka është një mundësi reale për krijuesin ta krijojë realitetin artistik në këtë rrafsh me imagjinatë,  ashtu siç e sheh, e ndjen dhe shpreh ai, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat e lirisë krijuese dhe të gjitha mjetet artistike që nga realja, irealja, fantastikja dhe absurdja, ku imagjinata krijuese lot rol parësor. Çdo trysni, çdo imponim, për ta larguar autorin nga kjo kahje janë dhunime  të unit krijues të tij.

5.
Nuk do të merrem me atë çka pëlqen dhe çfarë nuk pëlqen Muçi, por do të ndalem  te një fakt, kërkesa e tij që këto tregime të kishin subjekt, është një kërkesë skematike dhe rutinore, e tejkaluar tashmë, sidomos  për një prozë moderne suerealiste. Mirëpo kur këtë e pason edhe trysnia ndaj lirisë krijuese të autorit për ta ndërtuar personazhin sipas kritereve të letërsisë realiste, ku të identifikohet personazhi që pret vdekjen si kriminel, te tregimi  “I dënuari me vdekjen”, këtu kemi të bëjmë me  keqpërdorim të kritereve të gjykimit kritik. Ja se ç’shkruhet në shkrimin “Kur shkrimtari mbarset në menyrë imagjinare” : “ ai (I dënuari me vdekje, MP) nuk arrin të zhvillojë një identitet, qoftë edhe atë të kriminelit, ose të viktimës së dënuar”. Kurrëfarë rëndësie nuk ka personalizimi kësisoj i personazhit, për  autorin, i cili ka qëllim të japë luftën e personazhit me veten në rrafshin e ideve, sipas imagjinatës së tij, duke synuar tensionin psikologjik në vetëdijen e personazhit. Dhe këtë e ka arritur nëpërmjet monologut të brendëshëm.. Personazhi i Veizit, merret, në jë çast kulmor të jetës së tij, duke pritur vdekjen. Në imagjinatën e tij kalojnë si në film larmia e madhe e momenteve tronditëse psikike të pritjes së vdekjes, madje të aktit se si do të kryhet ajo; po fill pas tyre shfaqen çastet e bukura të jetës, dashuria për jetën. Personazhit ku nuk i vete mëndja, jepen gjendje psikologjike dramatike, e tragjike, po edhe të bukura e lirike, të jetës së tij dhe të mjedisit ku ai ka jetuar, madje në monologët e tij shfaqet edhe dëshira për të jetuar, për t’i shpëtuar vdekjes.  Këto jepen me tension psikologjik, çka janë vlera të prozës së Veizit. Autorit mund t’i kërkohej që të eleminonte përsëritjet apo zgjatjet e pa nevojshme vende-vende, po jo identifikim e personazhin, si në letërsinë dokumentare apo realiste, kur kjo është një prozë surealiste, ku kanë përparësi idetë, natyrisht të shprehira artistikisht. Mendoj që tregimtari mund të kishte ndaj vetes kërkesa më të rrepta për strukturën, që të kishte përthyerje, pika ngjitje, kulme (jo në kuptimin klasik), për të mënjanuar një farë horizontalizmin. Kjo vihet re  edhe në  tregimin e bukur “Zbrazëtinë”, i cili është një tregim mjaft interesant për çlirimin nga ankthet, streset trishtimet, një tregim intelektual që jep një mesazh të fuqishëm: të gjithë kemi kacabuj në kokë, lufta për ta çliruar trurin prej tyre, është kahja për të qenë i lirë, për të dalë nga vetmia, ankthi e stresi dhe për t”u hedhur në jetën e gjallë që lëviz.

* * *
Do të ndalem edhe në një vërejtje të turbullt, por e rëndësishme siç është çështja të raportit të filozofisë me artin. Muçi thotë: “Veizi niset nga filozofia me mëtimin për të bërë art dhe jo nga arti i mirëfilltë për të mbërritur në konkluzione filozofike”. Të nisesh nga filozofia me mëtimin për të bërë  art, kjo duk duket në tregimet e Veizit, përkundrazi idetë filozofikë ai i mishëron artistikisht  dhe shpreh me gjuhën e artit.. Kjo është ajo që duhet. Ndërsa koncepti që  arti i mirëfilltë të arrijë të japë konkluzione filozofike, është  “këshillë” që nuk duhet të merret në konsideratë, sepse arti shpreh ide filozofike me gjuhën e tij, por kurrë nuk mund të arrijë në konkluzione filozofike.

6.
Proza e Leonard Veizit siç nënvizova më lart, është neorealiste, surealiste dhe moderne, ajo i drejtohet një lexuesi të kufizuar: intelektual, krijues, student  e profesor dhe lexuesit të pasionuar ndaj librit. Nuk është për masat e gjera.  Alternativa krijuese e tij në kahje të luftës brenda në vetëdije të personazhit, duke u fokusuar në tensionet psikologjike, është vetë personalja artistike e Veizit, një origjinalitet i thekshëm. Këto vlera  të prozës së tregimtarit, i ka zbuluar edhe studiuesi Shaban Sinani kur thotë: “Lexuesi do të çmojë prozën e Leonard Veizit, sidomos karakterin e shpenguar të tregimeve, shpërfaqjen e asaj pjese të vetes njerëzore që zakonisht është gjendur nën ndalimin e jashtëm dhe të brendëshëm. Në letërsi kjo hyn në shkrimet intensive, përndryshe nga një letërsi tradicionaliste, e mbështetur kryesisht mbi vlera ekstensive”. Edhe Muçi, vetë,  e ka vlerësuar librin “I dënuari me vdekjen”. Është i  pakuptimtë qëndrimi kundërvetes, i tij, kur në kopertinën e librit “Idënuari me vdekjen” shkruan: “Me gjithë karrierën e gjatë si gazetar në shtypin e shkruar, ma do mendja se Leonard Veizi, s’kish për të krijuar dot një kuadër me ngjyra kaq të gjalla e kaq ekspresiv të realitetit sa ç’arrin në prozën e vet fikcionale” ndërsa në shkrimin “Kur shkrimtari mbarset në mënyrë imagjinare” botuar në revistën “Klan”, që në titull shfaqet refuzues ndaj surealizmit dhe nga ky pozicion jep mendime të kundërta, krejt subjektive dhe empirike me ato që cituam më lart.
Çdo shkrimtari i talentuar nuk i merr dorën askujt, si mbarset imagjinata,  ku e çon fantazinë, shkruan për botën reale apo ireale e të tjera, e të tjera. E rëndësishme është a shkruan bukur dhe a përcjell mesazhe për përsosjen e njeriut dhe shoqërisë. Kjo është çështja që duhet diskutuar, duhet debatuar, sepse mjeshtëria artistike dhe përsosja nuk kanë fund.

7.

U ndala më shumë se duhet, në shkrimin subjektiv “Kur shkrimtari mbarset në mënyrë imagjinare”, ku pothuajse mohohen vlerat e Librit “I dënuar me vdekjen”, i cili është ndër librat e rinj më interesant, origjinal dhe  me vlera, sidomos në rrafshin e ideve dhe të vizioneve, të fokusimit në luftën për çlirimin e pushtimeve të trurit, ku qenia lufton me vetveten: lufton e mira me të keqen për të arritur katarsisin e Aristotelit. Ky është edhe mesazhi universal që jepet në forma të ndryshme, në tregime të ndryshme psikanalitike të Leonard Veizit. I uroj libra të tjerë  në këtë kahje krijuese, duke synuar gjithnjë të përsosurën.