Rrëfime psikanalitike për luftën në vetëdijen e personazhit
Në fokus: libri “I dënuar me vdekjen” i Leonard Veizit
Mexhit Prençi
1.
Tregimtari Leonard Veizi, po e kristalizon gjithnjë e më
mirë profilin e tij letrar, i vetëorientuar dhe përkushtuar ndaj botës psikike
të njeriut, luftës brenda vetes. Autori duke njohur tipa dhe karaktere
njerëzorë të ndryshëm e të larmishëm nga jeta,
nëpërmjet hulumtimeve dhe psikanalizave të botës dhe luftës së njeriut me veten brenda qenies, ka krijuar
realitetin artistik të një lufte të tensionuar psikologjike në vetëdijen e
personazheve komplekse, i cili është më
i përsosur se ai i jetës, ku ndeshet e mira me të keqen, e bukura me të
shëmtuarën, e moralshmja me të pamoralshmen, në situata dramatike, lirike dhe
tragjike. Kjo luftë zhvillohet në rrafshin e tensioneve psikike të larta, nëpërmjet rrëfimit të tij psikoanalitik dhe
monologut të vetë personazhit. Gjithçka
krijohet me imagjinatë, e cila është e zhvilluar, e larmishme dhe herë-herë e
magjishme dhe e jashtëzakonshme.
2.
Proza e librit “I dënuari me vdekjen” , duke u bazuar në
tregimet më me vlera të tij si: “Modeja”, “I dënuari me vdekjen”, “Zbrazëtina”
dhe “Ngrehina” e theksoj që në krye të herës, është në zhvillim të mëtejshëm të prirjeve dhe tendencave të unit krijues të autorit, në kahje të
depërtimit thellë e gjerë në botën psikologjike të personazhit, të cilën e jep
në lëvizje, herë nëpërmjet dylyftimit brenda qenies, herë nëpërmjet monologut,
për t’u çliruar vetëdija nga pushtimet, çka është vlerë e veçantë dhe origjinale
e personales artistike të Veizit. Në këtë kahje, sipas optikës sime, autori ka
bërë hapa përpara në krahasim me librat e mëparshëm.
3.
Duke u nisur nga sentenca e Dostojevskit se talenti është të
shprehurit bukur atë që mungesa e talentit e thotë shëmtuar, theksoj se rrëfimi
psikanalitik i Veizit, është artistik, i lirë, i shpenguar, me gjuhë të bukur e
fjalor të pastër e të pasur leksikor, i thjeshtë pa rënë në thjeshtëzim.
Tregimi Modelja, është i klasit të parë, me stil lirik dhe dramatik, emocional edhe
racional, që të krijon kënaqësi të vërteta estetike. Është shkruar me kulturë,
me shije të lartë, me vërtetësi jetësore dhe artistike. Rrëfimi artistik,
psikanalitik, i protëstës së brendshme të modeles, ndaj vetes në radhë të parë,
pastaj ndaj faktorëve të tjerë të jashtëm,
shpërthimi i kësaj proteste me braktisjen e sfilatimit në kulmin e tij
dhe hedhja e saj në sallën e spektatorëve, janë realizime mjeshtërore
artistike, ku spikat stili dhe origjinaliteti i tregimtarit Veizi. Është një
tregimi që mund të konkurojë me dinjitet me më të mirët e këtij llojit.
4.
Po ndërsa ky është tregim realist dhe psikologjik, tregimi
“Ngrehina” dhe “Zbrazëtina” janë tregime psikologjike dhe surealiste. E
nënvizoj këtë për të shprehur qartë
mendimin se nuk mund të gjykohen e vlerësohen me të njëjtët parametra artistikë
dhe estetikë, si një tregim surealist si
ai realist, psikologjik, apo në rrafshin e absurdit. Mendoj se në
kritikën ndaj këtij libri Virgjil Muçi ka rënë në grackën e një gjykimi të
tillë dhe në kurthin e unit të tij krijues, të shijeve e koncepteve të tij
përjashtuese, duke mospranuar,
pothuajse, të shkruarit ndryshe, të shprehurit artistikisht ndryshe, sidomos
kur tentohet të depërtohet në botën komplekse, në vetëdijen e trazuar të
personazhit, në rrafshin e mendime dhe të ideve, në një realitet disi abstrakt,
që nuk është i prekshëm, ndonëse ai ekziston. Ekziston ndërgjegjja e njeriut,
ekziston lufta e brendshme e tij,
dyluftimi në qenien e dyzuar dhe komplekse, çka është një mundësi reale për krijuesin
ta krijojë realitetin artistik në këtë rrafsh me imagjinatë, ashtu siç e sheh, e ndjen dhe shpreh ai, duke
shfrytëzuar të gjitha hapësirat e lirisë krijuese dhe të gjitha mjetet
artistike që nga realja, irealja, fantastikja dhe absurdja, ku imagjinata
krijuese lot rol parësor. Çdo trysni, çdo imponim, për ta larguar autorin nga
kjo kahje janë dhunime të unit krijues
të tij.
5.
Nuk do të merrem me atë çka pëlqen dhe çfarë nuk pëlqen
Muçi, por do të ndalem te një fakt,
kërkesa e tij që këto tregime të kishin subjekt, është një kërkesë skematike
dhe rutinore, e tejkaluar tashmë, sidomos
për një prozë moderne suerealiste. Mirëpo kur këtë e pason edhe trysnia
ndaj lirisë krijuese të autorit për ta ndërtuar personazhin sipas kritereve të
letërsisë realiste, ku të identifikohet personazhi që pret vdekjen si kriminel,
te tregimi “I dënuari me vdekjen”, këtu
kemi të bëjmë me keqpërdorim të
kritereve të gjykimit kritik. Ja se ç’shkruhet në shkrimin “Kur shkrimtari
mbarset në menyrë imagjinare” : “ ai (I dënuari me vdekje, MP) nuk arrin të
zhvillojë një identitet, qoftë edhe atë të kriminelit, ose të viktimës së
dënuar”. Kurrëfarë rëndësie nuk ka personalizimi kësisoj i personazhit,
për autorin, i cili ka qëllim të japë
luftën e personazhit me veten në rrafshin e ideve, sipas imagjinatës së tij,
duke synuar tensionin psikologjik në vetëdijen e personazhit. Dhe këtë e ka
arritur nëpërmjet monologut të brendëshëm.. Personazhi i Veizit, merret, në jë
çast kulmor të jetës së tij, duke pritur vdekjen. Në imagjinatën e tij kalojnë
si në film larmia e madhe e momenteve tronditëse psikike të pritjes së vdekjes,
madje të aktit se si do të kryhet ajo; po fill pas tyre shfaqen çastet e bukura
të jetës, dashuria për jetën. Personazhit ku nuk i vete mëndja, jepen gjendje
psikologjike dramatike, e tragjike, po edhe të bukura e lirike, të jetës së tij
dhe të mjedisit ku ai ka jetuar, madje në monologët e tij shfaqet edhe dëshira
për të jetuar, për t’i shpëtuar vdekjes.
Këto jepen me tension psikologjik, çka janë vlera të prozës së Veizit.
Autorit mund t’i kërkohej që të eleminonte përsëritjet apo zgjatjet e pa nevojshme
vende-vende, po jo identifikim e personazhin, si në letërsinë dokumentare apo
realiste, kur kjo është një prozë surealiste, ku kanë përparësi idetë,
natyrisht të shprehira artistikisht. Mendoj që tregimtari mund të kishte ndaj
vetes kërkesa më të rrepta për strukturën, që të kishte përthyerje, pika
ngjitje, kulme (jo në kuptimin klasik), për të mënjanuar një farë
horizontalizmin. Kjo vihet re edhe
në tregimin e bukur “Zbrazëtinë”, i cili
është një tregim mjaft interesant për çlirimin nga ankthet, streset trishtimet,
një tregim intelektual që jep një mesazh të fuqishëm: të gjithë kemi kacabuj në
kokë, lufta për ta çliruar trurin prej tyre, është kahja për të qenë i lirë,
për të dalë nga vetmia, ankthi e stresi dhe për t”u hedhur në jetën e gjallë që
lëviz.
* * *
Do të ndalem edhe në një vërejtje të turbullt, por e
rëndësishme siç është çështja të raportit të filozofisë me artin. Muçi thotë:
“Veizi niset nga filozofia me mëtimin për të bërë art dhe jo nga arti i
mirëfilltë për të mbërritur në konkluzione filozofike”. Të nisesh nga filozofia
me mëtimin për të bërë art, kjo duk
duket në tregimet e Veizit, përkundrazi idetë filozofikë ai i mishëron
artistikisht dhe shpreh me gjuhën e
artit.. Kjo është ajo që duhet. Ndërsa koncepti që arti i mirëfilltë të arrijë të japë
konkluzione filozofike, është “këshillë”
që nuk duhet të merret në konsideratë, sepse arti shpreh ide filozofike me
gjuhën e tij, por kurrë nuk mund të arrijë në konkluzione filozofike.
6.
Proza e Leonard Veizit siç nënvizova më lart, është
neorealiste, surealiste dhe moderne, ajo i drejtohet një lexuesi të kufizuar:
intelektual, krijues, student e profesor
dhe lexuesit të pasionuar ndaj librit. Nuk është për masat e gjera. Alternativa krijuese e tij në kahje të luftës
brenda në vetëdije të personazhit, duke u fokusuar në tensionet psikologjike,
është vetë personalja artistike e Veizit, një origjinalitet i thekshëm. Këto
vlera të prozës së tregimtarit, i ka
zbuluar edhe studiuesi Shaban Sinani kur thotë: “Lexuesi do të çmojë prozën e Leonard
Veizit, sidomos karakterin e shpenguar të tregimeve, shpërfaqjen e asaj pjese
të vetes njerëzore që zakonisht është gjendur nën ndalimin e jashtëm dhe të
brendëshëm. Në letërsi kjo hyn në shkrimet intensive, përndryshe nga një
letërsi tradicionaliste, e mbështetur kryesisht mbi vlera ekstensive”. Edhe
Muçi, vetë, e ka vlerësuar librin “I
dënuari me vdekjen”. Është i pakuptimtë
qëndrimi kundërvetes, i tij, kur në kopertinën e librit “Idënuari me vdekjen”
shkruan: “Me gjithë karrierën e gjatë si gazetar në shtypin e shkruar, ma do
mendja se Leonard Veizi, s’kish për të krijuar dot një kuadër me ngjyra kaq të
gjalla e kaq ekspresiv të realitetit sa ç’arrin në prozën e vet fikcionale”
ndërsa në shkrimin “Kur shkrimtari mbarset në mënyrë imagjinare” botuar në
revistën “Klan”, që në titull shfaqet refuzues ndaj surealizmit dhe nga ky
pozicion jep mendime të kundërta, krejt subjektive dhe empirike me ato që
cituam më lart.
Çdo shkrimtari i talentuar nuk i merr dorën askujt, si
mbarset imagjinata, ku e çon fantazinë,
shkruan për botën reale apo ireale e të tjera, e të tjera. E rëndësishme është
a shkruan bukur dhe a përcjell mesazhe për përsosjen e njeriut dhe shoqërisë.
Kjo është çështja që duhet diskutuar, duhet debatuar, sepse mjeshtëria
artistike dhe përsosja nuk kanë fund.
7.
U ndala më shumë se duhet, në shkrimin subjektiv “Kur
shkrimtari mbarset në mënyrë imagjinare”, ku pothuajse mohohen vlerat e Librit
“I dënuar me vdekjen”, i cili është ndër librat e rinj më interesant, origjinal
dhe me vlera, sidomos në rrafshin e
ideve dhe të vizioneve, të fokusimit në luftën për çlirimin e pushtimeve të
trurit, ku qenia lufton me vetveten: lufton e mira me të keqen për të arritur
katarsisin e Aristotelit. Ky është edhe mesazhi universal që jepet në forma të
ndryshme, në tregime të ndryshme psikanalitike të Leonard Veizit. I uroj libra
të tjerë në këtë kahje krijuese, duke
synuar gjithnjë të përsosurën.
No comments:
Post a Comment