Thursday, January 28, 2016

Shënime për romanin “Lora” të Leonard Veizit - nga Agim Baçi

Agim Baçi dhe Leonard Veizi
Të shohësh dashurinë dhe jetën nga mëkati

Shënime për romanin “Lora” të Leonard Veizit

Agim Baçi

Mëkati dhe ndëshkimi nuk janë thjesht kundër njëri-tjetrit. Janë dy botë që kanë nevojë të shihen në sy. Ato mund të mos jenë, me të drejtë, të dëshiruara prej nesh, por janë të pashmangshme të bashkëjetojnë me ne. E ne s’mund të shmangim leximin e tyre, sidomos kur na e sjell letërsia.
Leonard Veizi ka vendosur t’i marrë disa motivime për të folur për jetën nga kufiri i humbjes së saj dhe ta shohë dashurinë dhe jetën nga mëkati, duke patur frikë ndëshkimin. Përmes një trilleri policesk ai në fakt loz me zigzaget e jetës së vërtetë, të asaj që na ka rrokur në kohën e “Lirisë për të lëvizur”. Ne e njohim Rron Grabovën sapo nis të fluturojë. Po për ku? Drejt Lorës që e ka dashur? Kur ai lë tokën, ajo tashmë është nisur më shpejt se ai, drejt botës tjetër. Ai ka kohë vetëm sa të kujtojë jetën e tij, si nëpër filma. Lora ka lënë të shkuarën e saj në duart e tij.
Nga njëra anë janë hetimet dhe dyshimet në Tiranë, si një kirurgji ndaj tjetrit pa emocion dhe me gatishmërinë për ta ndëshkuar, ndërsa në anën tjetër është Rroni, që ka Lorën e tij në mendje si të shpëtuar dhe për ta shpëtuar. Por përshkrimi për njohjen e saj nis me një kufomë me trembëdhjetë thika në një hotel të Tiranës dhe me plot enigma për të dhe largimin e tij. Ndërsa ai është një njeri që ndodhet përballë ngjarjes, por i pushtuar gjithnjë nga dashuria për të.
I gjithë trilli është më shumë brenda së mundshmes. Gjithçka ndodh në mënyrë paralele- një udhëtim i shpejtë dhe një hetim i shpejtë. Duket se s’ka kohë për asgjë, edhe pse Veizi ka tentuar të përshkruajë shumë nga çështjet e botës sonë, e shqiptarit sot përballë shumë dilemave mbi ndërtimin e jetës. Është një vazhdimësi në fakt edhe e romaneve të mëparshme, ku Veizi duket se kalon përmes “së zezës” për të zbardhur disa motive për jetën e për dashurinë.
Ajo që e veçon Rronin nuk është as jeta e paplotësuar në Tiranë e as jeta e trazuar e emigrantit. Ai veçohet nga Lora, nga gjithë kujtimet e kohës me të, ndaj dhe gjithë kujtimet vlejnë për të. Ajo vjen nga bota tjetër jo prej gjuhës moldave, jo prej martesës angleze, as prej profesionit “në rrugë”, por sepse e kthen Rronin në njeriun e dashuruar, që guxon, që kërkon të zhbëjë atë që ka detyruar njeriun të marrë rrugën e gabuar. Një përpjekje njerëzore, që letërsia na e sjell për të parë rrugëtimin e njeriut në kohë.
Rroni s’është fajtor, por sërish i duhet të vdesë. Duket si një bashkim me atë që i ka dhënë kuptim, forcë, energji. E ashtu siç e njeh Lorën “në vend të gabuar”, ashtu edhe përfundon “i gabuar në dyshim”, duke e përfunduar fluturimin përtej kësaj bote. Një fund i një njeriu që u rrit duke u larguar për diku.
“Po arratisej…Fjalët e fundit të stjuardesës ishin të ftohta dhe therëse. Mos vallë kjo ishte një arratisje e vërtetë? Rroni ishte kthyer në ndenjësen e tij me një dëshpërim të dukshëm në sy. Fjalët e fundit të stjuardesës e kishin vënë në mendime. Ndoshta vërtet kjo ishte një arratisje. Nuk ishte hera e parë që ai arratisej. Dukej sikur kjo kishte qenë një përpjekje e tij e zakonshme. Ai ishte arratisur me anije nga porti i Durrësit drejt brigjeve italiane të Brindisit, ishte arratisur me tren nga Torinoja drejt Mynihut, kishte përshkruar rrugë e kilometra të tëra… Ndoshta ai vërtet po arratisej me avion nga Tirana drejt Nju-Jorkut. “Nuk është arratisje, – tha me vete, – është një largim nga e keqja”. Dhe iu kujtuan skenat e udhëtimit të tij aventuresk nga Torinoja drejt Mynihut..”. (Lora, Leonard Veizi, Omsca-1, f.212)
Shpejtësia e fluturimit dhe hetimit duket sikur ngadalësohen ndonjëherë në rrëfim nga historia që nis mes hetuesve në Tiranë, nga historitë që duhet të tregojë bashkudhëtuesi i Rronit, biznesmeni Mark, apo nga përshkrimet e botës së krimit me bashkëkombës e prostitucion. Por ata janë aty, si korsitë e rrugës që duhet të bëjmë me atë që duam dhe me atë që nuk duam.
Me një stil që e bën Leonard Veizin zotërues të tekstit dhe përcaktues të asaj që duhet të lëçisim, Lora vjen si një pikë e ngritur e rrëfimit. Por, për aq sa vdekja mbetet një ushqyese e pashtershme e imagjinatës, dhe sidomos e dëshirës për të dashur jetën, Veizi mund të vijojë qetësisht lundrimin e tij artistik.



No comments:

Post a Comment