Tuesday, December 16, 2025

Sabri Godo, rrëfimtari që kërkoi njeriun përtej historisë

 

 
Nga Leonard Veizi
 
Kur flitet për Sabri Godon, mendja shpesh lëviz mes kontributit të tij si politikan themeltar i të djathtës dhe si një nga shkrimtarët më të shquar të prozës historike shqiptare. Megjithatë, tek ai këto dy dimensione nuk ishin asnjëherë në kundërshtim. I lindur për t’i qëndruar besnik mendimit dhe dinjitetit, Godo e gjeti te letra strehën dhe forcën më të madhe për të sfiduar një sistem që përpiqej ta thyente...
 
...Largimi i tij nga jeta më 3 dhjetor 2011 shënoi humbjen jo vetëm të një prej mendjeve më të kthjellta të politikës moderne shqiptare, por mbi të gjitha të zërit të tij të mençur dhe të thellë, të përjetësuar në veprat monumentale që i la trashëgimi kombit. Ai ishte njeriu që, pasi u përjashtua nga jeta publike, i dha vetes misionin për t’u bërë rrëfimtari i historisë, duke e kthyer penën në armën më të fortë të rezistencës së tij intelektuale.
 
Shpëtimi te letërsia
Sabri Godo lindi për të qenë në kundërshtim me kohën e vet – jo si rebel, por si njeri që nuk e tradhton asnjëherë mendimin dhe dinjitetin. Ai shërbeu fillimisht si oficer në ushtri, pasi më parë se kaq, që në moshën 14-vjeçare, për 23 muaj – nga korriku i vitit 1943 deri në maj 1945 – mori pjesë në të gjitha Luftrat e Brigadës VI Sulmuese, në Shqipëri e Jugosllavi, ku u shqua e më pas u dekorua për trimëri të veçantë.
Përvoja e tij jetësore nën regjimin komunist ishte një kalvar i gjatë, i mbushur me dyshime, presione, survejime dhe kërcënime, sidomos pas përjashtimit si “politikisht i padëshiruar” në vitin 1948. Në vitin 1953, partia ku kishte aderuar në shkurt të vitit 1944 e përjashtoi pa hezitim. Martesa me një vajzë nga një familje aristokrate, e shoqëruar me prejardhjen e vet të ndërlikuar, ia vuri jetën në teh të briskut.
Megjithatë, tek ai nuk u thye asgjë thelbësore. Ai gjeti strehë, shpagim dhe forcë në letërsi, duke u shndërruar në një prej penave më të vyera të prozës shqiptare.
 
Romanet historike
Aftësia e Sabri Godos si shkrimtar qëndron në thellësinë e kërkimit historik të ndërthurur me një psikologji të hollë të personazheve. Zgjedhja e tematikave nuk ishte e rastësishme; ai u përkushtua figurave qendrore të historisë shqiptare dhe ballkanase.
Veprat e tij, si Plaku i Butkës (1966), Ali Pashë Tepelena (1970) dhe Skënderbeu (1975), nuk janë thjesht romane apo rindërtime kronologjike, por shtyllat monumentale të rrëfimit historik shqiptar. Aty, shkrimtari kërkon përtej faktit dhe kronikës, duke synuar njeriun, karakterin dhe enigmën e personaliteteve.
Në Skënderbeu, Godo ofroi një portret real, duke eksploruar burrin pas mitit dhe dilemat e tij njerëzore.
Në Ali Pashë Tepelena, ai realizoi një studim mbi natyrën tragjike të pushtetit dhe ambiguitetin moral të prijësit.
Përveç romaneve historike, Godo u tregua mjeshtër edhe në vëzhgimin e jetës bashkëkohore, siç dëshmojnë tregimet Zëra nga burime të nxehta (1972) dhe Intendenti (1973), si dhe romanet sociale Ujërat e qeta (1988) dhe Koha e njeriut (1990). Këto vepra, së bashku me romanin e fundit Udhëtari (2009), i dhanë mundësinë të reflektonte mbi kalvarin e vet personal dhe kolektiv gjatë viteve të regjimit.
 
Vizioni politik
Vitet ’90 e gjetën Godon, tashmë një figurë të konsoliduar të jetës letrare, në anën e natyrshme të historisë, duke themeluar Partinë Republikane më 10 janar 1990. Edhe në politikë ai mbeti i njëjti si në letërsi: i matur, i qartë, i drejtë. Ai besonte te fjala, te argumenti dhe te gjesti i vogël që ndërton më shumë se premtimi i madh.
Sabri Godo iku fizikisht në vitin 2011, por puna e tij letrare, roli i tij politik dhe qëndrueshmëria e tij morale janë pjesë e pandashme e historisë sonë. Ai mbetet portreti i një njeriu që nuk u pajtua kurrë me padrejtësinë, por as nuk u mposht prej saj. Një zë i qetë, i mençur dhe i pathyeshëm – zëri i shkrimtarit që na tregoi thelbin e karaktereve tona kombëtare – që flet ende.
 

 
 

No comments:

Post a Comment