Tuesday, December 16, 2025

1920 – Kur Shqipëria e brishtë, me 35 vota të plota, fitoi mbijetesën diplomatike


Nga Leonard Veizi
 
Një komb i vogël, i dalë nga hiri i shkatërrimit dhe i rrethuar nga hije të rënda ambiciesh territoriale. Kjo ishte Shqipëria e fillim-viteve '20, një fidan i brishtë sovraniteti, fati i të cilit dukej i varur nga oreksi i të fuqishmëve. Por ishte pikërisht në këtë klimë të errët, në dhjetorin e ftohtë të vitit 1920, që ndodhi një mrekulli e vërtetë politike: pranimi i Shqipërisë si anëtare e Lidhjes së Kombeve.
 
...Nuk ishte thjesht një akt formal. Për Shqipërinë, kjo ishte një certifikatë mbijetese, një e drejtë për të jetuar, e vulosur nga bashkësia ndërkombëtare. Aty, në Gjenevë, nën hijen e idealeve të paqes dhe stabilitetit të parë pas Luftës së Parë Botërore, shteti shqiptar kërkonte jo lëmoshë, por vendin që i takonte me të drejtë në hartën e botës.
 
Kundërshtitë
Imagjinoni sallat e Gjenevës atë kohë: të rreptuara, formale, të mbushura me fuqi të mëdha që shihnin një Shqipëri si një pikëpyetje, ndoshta si një territor për t'u ndarë, por aspak si një subjekt të barabartë. Kërkesa e Shqipërisë u ndesh me një mur mosbesimi dhe kundërshtie, kryesisht nga Jugosllavia dhe Greqia, të cilat vinin në dyshim jo thjesht stabilitetin, por edhe vetë të drejtën e shtetit të ri për ekzistencë. Çështja e kufijve dhe pretendimet territoriale mbeteshin një plagë e hapur.
Në këtë çast të dëshpëruar, kur zëri i Shqipërisë rrezikonte të shuhej para se të niste, doli në pah një aleat i papritur, një figurë që u bë zëdhënëse e ndërgjegjes ndërkombëtare: Lord Robert Cecil, përfaqësuesi i Afrikës së Jugut.
Me argumente që shkonin përtej politikës së ngushtë—duke u mbështetur te morali, te aktet juridike dhe te parimi i barazisë së kombeve—Cecil hodhi poshtë çdo dyshim. Ai këmbënguli se mbyllja e derës për Shqipërinë do të ishte një padrejtësi historike dhe një tallje me vetë idealet e Lidhjes së Kombeve. Ky ishte çasti kur peshorja diplomatike nisi të anonte në favorin e Shqipërisë.
 
Qëndrimi zyrtar
Minsitria e Jashtme shqiptare, në faqen e saj onlajn, ka postuar një shkrim me titull: “Antaresimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, 1920”, ku mes të tjerash shkruhet: 
“Qeveria shqiptare e konsideroi antarësimin në këtë organizatë si garanci për një trajtim më të drejtë të statusit dhe kufijve të Shqipërisë në tryezat vendimarrëse të Fuqive të Mëdha . Ajo shfrytëzoi faktin që me 15 nëntor 1920 do të hapej sesioni i pare i Asamblesë së Lidhjes së Kombeve në Gjeneve të Zvicrës. Me 12 tetor, kryetari i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes Pandeli Evangjeli i drejtoi një leter Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve Eric Drummond në të cilën në emër të popullit shqiptar kërkoi që Shqipëria të pranohej anëtare në Lidhjen e Kombeve e të merrte pjesë në Asamblenë e madhe që do të hapej me 15 nëntor.Periudha 12 tetor 1920 deri me 17 dhjetor 1920, kur Shqipëria u pranua si anëtare me të drejta të plota në Lidhjen e Kombeve, ishte e mbushur me një punë intensive diplomatike të qeverisë shqiptare dhe delegacioneve të saj në Paris e Gjenevë, dhe e mbështetur nga miq të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ku spikat deputeti britanik Aubrey Herbert, etj”.
 
Fitorja e brëndshme
Debatet u mbyllën me një votim triumfues: 35 vota pro dhe asnjë kundër. Një fitore madhështore që dëshmoi aftësinë e diplomacisë shqiptare për të lëvizur zemrat dhe mendjet në një arenë plot me ujqër politikë.
Megjithatë, kjo fitore erdhi me një kusht të thellë moral: respektimi i të drejtave të pakicave kombëtare, një angazhim për tolerancën dhe barazinë në fe dhe arsim.
Pjesën më solemne të këtij zotimi e nënshkroi një nga figurat më vizionare të kohës, atdhetari dhe intelektuali i madh, Fan Stilian Noli, Kryepeshkopi i Durrësit dhe kreu i delegacionit shqiptar. Prania e tij në Gjenevë nuk ishte thjesht formale; ajo dëshmonte para botës se Shqipëria kishte jo vetëm vullnetin, por edhe elitën intelektuale dhe morale për të qenë pjesë e rendit modern ndërkombëtar. Noli garantoi se Shqipëria do të ishte një vend ku shumëllojshmëria kulturore dhe fetare do të respektohej thellësisht.
 
Pika e kthesës
Dhjetori i vitit 1920 nuk ishte fundi i sfidave, por ishte fundi i frikës se Shqipëria mund të zhdukej. Me atë votë, Shqipëria fitoi një mburojë juridike kundër pretendimeve të huaja dhe një platformë nga e cila mund të ngrinte zërin e tij.
Ai çast i dha Shqipërisë dinjitetin e humbur dhe e vendosi vendin në tryezën e kombeve si një shtet i njohur dhe i respektuar. Lidhja e Kombeve i dha frymëmarrje shtetit të brishtë dhe e ndihmoi atë të qëndronte në këmbë, duke i mësuar të gjithëve se edhe kombet e vogla, kur bashkojnë vullnetin dhe diplomacinë e tyre, mund të fitojnë të drejtën e tyre për ekzistencë. 1920-a mbetet çasti kur Shqipëria pushoi së qeni një problem territorial dhe u bë një zë i njohur ndërkombëtarisht.

No comments:

Post a Comment