Nga Leonard Veizi
Të them të
drejtën, u çudita mjaft, madje gati m’u fut “llapa mren”, kur çova kanalin tek
RTSH për të ndjekur Festivalin e Këngës. Se këta të TVSH‑së
bëjnë edhe të
pamundurën për të të
çuditur.
-Vezë doni?
-Meqë është
gjella më operative dhe me kalori…
Fillimisht mendova
se kisha ngatërruar frekuencën. Sepse m’u krijua ideja fikse se po shihja
“Portokallinë”. Mënyra e të folurit, lloji i humorit, lëvizjet dhe ritmi,
gjithçka më dukej e huaj për një mbrëmje që, të paktën në kujtesën kolektive,
kishte qenë gjithmonë diçka tjetër.
Ç’ne “Portokallia
në mesjavë?”, mendova. Jo si shaka pa formë, por si një pavëmendje e hutueshme.
Është,- pak a shumë, – si të hysh në një
godinë publike dhe të gjesh të varur një tabelë private: Këtu jepen rrogat e
traktoristëve.
-Rrusht Mezini…
-Këtu… Unë jam
Rrusht Mezini.
-Jeni lodhur
shoku Jorgo.
-Epo nuk i
thonë shaka. Paraja është punë me përgjegjësi…
Këto janë batuta
filmash. Por në realitet është ai çast kur kupton se problemi nuk është më
forma, por identiteti.
– Mirë atëherë,
konferencier i koncertit të jetë Agimi i cirkut, – sugjeronte Andi
këngëtari Sotirin, që ishte Drejtori i Pallatit të Kulturës.
– Agimi… ai
karagjozi? – u pataks Sotiri.
– Kurrë! Unë në skenë dua seriozitet.
Batutat janë
shkëputur nga filmi i njohur i regjisorit Bujar Kapexhiu, “Edhe ashtu edhe
kështu”, por që nuk di pse m’u dukën shumë të volitshme për këtë rast.
Sepse Festivali i
Këngës nuk është thjesht një spektakël argëtimi. Është një ritual televiziv,
një ngjarje me gravitet kulturor, me kodet dhe solemnitetin e vet. Ose të
paktën kështu ka qenë. Kur ky ritual fillon të flasë me gjuhën e varietesë, kur
humori i shpejtë zë vendin e heshtjes solemne dhe improvizimi televiziv
zëvendëson peshën artistike, atëherë nuk kemi më një risi, por një zhvendosje.
Dhe kjo zhvendosje
nuk është faji i atyre që vijnë nga jashtë. Ata bëjnë atë që dinë të bëjnë më
mirë. Faji është i një televizioni publik që nuk di më të dallojë mes roleve,
mes skenave, mes zhanreve. Që ngatërron festivalin me show‑n, trashëgiminë
me audiencën, identitetin me klikimin.
Dhe kështu vazhdon
të huazojë. Një herë Arbanën, një herë Salsanon. Nesër, pse jo, me siguri TVSH
do të ofertojë edhe Ledionin.
– Ec e na jep një
dorë në malore.
Jo sepse ata nuk
janë profesionistë, por sepse TVSH sillet si një institucion që ka hequr dorë
nga vetja.
– Përpara ca
kohësh shoku Lelo na solli një yll të ri nga Durrësi. Pastaj një tjetër nga
periferia e Fierit. Tani ylli i ri na erdhi nga fshati. Ca e çuditshme kjo, apo
jo? – shprehte pakënaqësinë e tij një si punë drejtor kuadri në Komitetin
Ekzekutiv të rrethit, pikërisht tek filmi “Shkëlqim i përkohshëm” i regjisorit
Albet Xholi, ku Dane mavriu mori rolin e portierit të ekipit, që qytetarët e
provincës nisën ta quanin me shaka “Zenga i ekipit”.
– S’ka asgjë për
t’u çuditur. Puna për kompletimin e ekipit vazhdon, – u justifikua Leloja, që
ishte kompetent, si trajneri i sportklubit të madh të futbollit me emrin
“Fitorja” dhe që donte të sillte në qytet të fejuarin katundar të mbesës
infermiere.
TVSH, si një
institucion mediatik që ka me qindra punonjës, dekada histori, arkivë të
pamasë, që është shkollë dhe përvojë, tanimë nuk arrin të prodhojë dot as folës
lajmesh me profil të qëndrueshëm, as moderatorë spektaklesh me peshë publike.
Si konkluzion, më
rezulton se TVSH është një institucion i “thym n’mes”. Një trup gjigant që nuk
mbytet nga stuhitë e mëdha, por nga një pikë uji e vetme, e përditshme,
gërryese. Televizioni publik, ai që mbahet me taksat tona dhe që, teorikisht,
duhet të jetë streha e prodhimit kombëtar, vazhdon prej vitesh të jetë i
paralizuar, i mbytur jo nga mungesa e fondeve, por nga mungesa e vizionit.
Spektakli më i
madh i vitit në ekranin publik, që duhet të jetë vitrina e kapaciteteve të vetë
institucionit, në edicionin e 64 të saj, bashkëdrejtohet nga Salsano i
“Portokallisë”. Një zgjedhje që nuk është thjesht një emër, por një simptomë.
Sepse pyetja nuk është: pse Salsano? Por pse gjithmonë dikush nga jashtë.
Ky huazim i
përhershëm është në fakt pranim dështimi. Është dëshmi se televizioni publik
nuk investon më në njerëzit e tij, nuk ndërton figura, nuk krijon identitet. Ai
funksionon si një sallë pritjeje, ku vijnë të ftuar nga televizione private për
të mbushur boshllëkun që vetë institucioni ka krijuar.
Ndërkohë, TVSH
vazhdon të jetë në fund të rreshtit edhe në programacion. Një film ose e sheh
një herë në tre ditë, ose dy herë në të njëjtën ditë, sikur koha të ishte e
palëvizshme dhe publiku pa kujtesë. Arkivi, pasuria më e madhe e këtij
institucioni, qëndron ende i pluhurosur. Platforma “Teatri në ekran” vazhdon të flejë në bobinat e viteve ’70, të pa‑digjitalizuara, të
padukshme për brezat e rinj, sikur këto
regjistrime të ishin një
relike muzeale dhe jo një detyrim publik.
TVSH nuk është më
në krizë. Kriza presupozon një përpjekje për të dalë prej saj. TVSH është në
një gjendje inerte, ku çdo vit përsërit të njëjtën skemë dhe çdo vit e quan
“normalitet”.
Kjo është TVSH‑ja sot. Dhe me
sa duket, nëse nuk ndryshon mënyra
e të menduarit dhe jo thjesht emrat në
ekran, kjo do të mbetet TVSH‑ja edhe nesër:
një organizëm i madh, i lodhur, që
mbytet nga një pikë uji, sepse ka harruar si
të notojë vetë.

No comments:
Post a Comment