Thursday, April 2, 2026

Marlon Brando, “djalli” me fytyrë engjëllore



Nga Leonard Veizi
 
Pasditen e 1 korrikut të vitit 2004, në 18:30 me orën lokale, në Qendrën Mjekësore UCLA në Westwood, një aktor i famshëm amerikan dha frymën e fundit. Ishte 80 vjeç dhe kishte jetuar me shumë intensitet, ku përveç 40 filmave në të cilët kishte marrë pjesë si protagonist, ishte martuar tri herë, kishte gjithsej dymbëdhjetë fëmijë, me të paktën pesë gra të ndryshme. Këtu nuk futen flirtet dhe skandalet që e kanë shoqëruar pjesën më të madhe të kohës, gjë që për të nuk përbënte asnjë problem. Ky ishte Marlon Brando…
 
…Më parë se kaq, 3 prillin e vitit 1924, në kalendarin e lindjeve që i japin botës figura të pazakonta, erdhi në jetë një njeri që do të trondiste vetë thelbin e aktrimit. Marlon Brando konsiderohet një nga yjet themelore të Hollywood-it, një figurë që e riformësoi artin e interpretimit dhe e mbushi ekranin me një prani të papërsëritshme. Ai mishëroi për vite me radhë vetë konceptin e sensualitetit mashkullor, një përzierje e rrallë e butësisë dhe rebelimit, që nuk i përkiste vetëm personazheve të tij, por edhe jetës që jetoi pa kompromis.
 
“Tango e fundit në Paris” – miti që kaloi kufijtë
Tirana u boshatis më shpejt atë natë. Prej disa ditësh qarkullonte fjala se “sllavi” do të transmetonte një film skandal, të mbushur me skena të çmendura erotike. Në qendër të tij ishte Marlon Brando, ndërsa përkrah kishte një aktore të re franceze, Maria Schneider, emri i së cilës tashmë ishte bërë i njohur në çdo cep të Tiranës.
— E pe “Tangon…” dje?
Kjo ishte pyetja e mëngjesit pasardhës, në Tiranën e pasvitit 1985.
Filmi u diskutua aq shumë në Shqipërinë e mbyllur, sa u kthye në një mit, pa e ditur se një ndikim po aq tronditës kishte pasur edhe në botën perëndimore. Regjia e Bernardo Bertolucci nuk trazoi vetëm Tiranën; ajo sfidoi vetë kufijtë e moralit publik të kohës.
Censura reagoi ashpër. Filmi u ndalua dhe ndaj tij u hap një çështje penale që përfundoi me dënim më 29 janar 1976. Por koha e rikthen gjithmonë artin në vendin e vet: në vitin 1987 filmi u rehabilitua, ndërsa në vitin 2002 American Film Institute e renditi në vendin e 48-të mes filmave më të mirë sentimentalë të të gjitha kohërave.
“Rroftë Zapata!” dhe kujtesa shqiptare
Më herët, publiku shqiptar e njihte Brandon përmes filmit “Rroftë Zapata!”, ku ai interpretonte revolucionarin meksikan Emiliano Zapata. Ky film transmetohej rregullisht nga Televizioni Shqiptar dhe kishte hyrë thellë në kujtesën kolektive.
Po ashtu, ai mbahej mend edhe për filmin “Kryengritja në ishull” -i njohur ndërkombëtarisht si "Queimada", - i cili u shfaq më vonë.
Ndërsa “Kumbari”, një nga kulmet e tij artistike, do të vinte në ekranet shqiptare vetëm në vitet e para të demokracisë, kur censura kishte nisur të zbehej dhe kufijtë e ndalimit ishin zhvendosur.
 
Revolucioni i aktrimit
Marlon Brando konsiderohet një nga figurat më të mëdha të Hollywood-it dhe një nga aktorët më të talentuar në historinë e kinemasë. Ai ishte ndër të parët në Shtetet e Bashkuara që përqafoi metodën ruse të aktrimit, të njohur si sistemi i Konstantin Stanislavski-t.
Kjo metodë kërkonte një identifikim të thellë me personazhin, një zhytje emocionale që e bënte rolin të jetonte brenda aktorit. Për Brandon, personazhi nuk ishte maskë – ishte mishërim.
Prania e tij fizike, atletike dhe imponuese, në kontrast me fytyrën e butë e gati engjëllore, krijoi një figurë të re mashkullore në ekran. Ai nuk ishte thjesht aktor; ishte një energji që ndryshoi normat.
 

Sensualiteti dhe rebelimi
Brando mishëroi për vite me radhë vetë konceptin e sensualitetit mashkullor. Sharmi i tij rebel nuk i përkiste vetëm roleve, por edhe jetës që ai jetoi pa kompromis.
Ai fitoi popullaritet të jashtëzakonshëm me rolin e Stanley Kowalskit në “Një tramvaj që quhet dëshirë” (1951), një interpretim që mbetet ndër më të fuqishmit në historinë e kinemasë.
 

Çmime, rekorde dhe ndikim
Tetë herë i nominuar për çmimin Academy Awards, ai e fitoi atë dy herë: për “Në breg të detit” dhe për “Kumbarin”.
Filmat e tij janë parë nga mbi 800 milionë shikues dhe disa prej tyre konsiderohen sot kryevepra të padiskutueshme.
Stili i tij ndikoi drejtpërdrejt në breza të tërë aktorësh, si Xhejms Din, Al Paçino, Robert De Niro, Xhek Nikolson.
Ai ishte gjithashtu një aktivist i angazhuar, veçanërisht në mbështetje të të drejtave të afroamerikanëve.
Revista Time e përfshiu mes 100 njerëzve më me ndikim të shekullit XX, ndërsa Instituti Amerikan i Filmit e renditi në vendin e katërt mes yjeve më të mëdha të historisë së kinemasë.
 

Fillimi dhe fundi i një legjende
Marlon Brando lindi më 3 prill 1924 në Omaha, Nebraska. Ishte fëmija i tretë i një familjeje me rrënjë të përziera evropiane.
Ai u nda nga jeta në Los Angeles, në Qendrën Mjekësore UCLA në Westwood. Shkaku i vdekjes ishte një krizë e rëndë respiratore, pasojë e një emfizeme pulmonare që e kishte prekur prej vitesh.
Në funeralin e tij morën pjesë figura të shumta të botës së artit. Ishte 80 vjeç.
Mes lindjes dhe vdekjes së tij, mbeti një hapësirë që nuk mund të mbushet: ajo e një aktori që nuk luajti thjesht role, por ndryshoi vetë mënyrën se si njeriu ndjen dhe shikon kinemanë.


No comments:

Post a Comment