Duket
sikur në Shqipëri, Dita e Punëtorëve është pa klasë punëtore. Domethënë: ka
klasë intelektuale, ka klasë politike, ka klasë katundarie..., por nuk ka
punëtorë.
-Që punë ka, as diskutohet, ka sa të duash. Problemi
është se nuk ka profesionistë.
Pra,
thënë shkurt: nuk ka punëtorë.
1
Maji kaloi. Nuk u pa kurrkush në rrugë të protestonte. Trafiku nisi vonë se
helbete, duhej ngopur syri me gjumë një herë. Nuk u pa kurrkush të dilte në
Bulevard, tek Dëshmorët e Kombit, tek Zogu i Parë apo tek Sheshi Skënderbej dhe
të kërkonte ndonjë rritje rroge, ndonjë kompensim, ndonjë 8-orarësh në punë,
apo 40 orë punë në javë, apo... Lëre fare.
Kjo
vlen për kryeqytetin që ka ca njerëz, se qytetet e tjera, aha...
Por
i duhet parë dhe ana tjetër medaljes.
Duket
se në këto 34 vite post diktaturë jemi rregulluar ca, aq sa dhe kërkesat kanë
rënë njëra pas tjetrës. Tani po jetojmë në aheng e bollëk.
Si
i thoshe Huan torollaku kryetarit të ri të Kooperativës, shokut Vasil, në ceremoninë
e vdekjes së ish-kryetarit, babait të Nashos:
-Eh sa ndere më ka bërë ai mua. Kush ma dha karrocën e
Ekonomisë Ndihmëse? Dhe u rregullova ca.
Ja
kështu, si puna e Huanit jemi të gjithë ne. Ca torollak nga trutë, por që po
rregullohemi pak e nga pak me anën e karrocave të ekonomisë ndihmëse.
-Të na rrojë qeveria more shokë!
Qasi shokë, shokë të këndojmë/ Jetën tonë që ta
shërojmë
Hapi krahët, krahët të punojmë/ Tokën tonë ta
lulëzojmë.
-Të këndoftë zemra!
Njerëzia
u kënaqën se data 1 maj ra në mesjavë dhe ishte pushim zyrtar. Dy ditë me parë
kishte qenë fundjavë dhe ishin dy ditë pushimi. Dy ditë më pas vjen më shpejt
fundjava po me dy ditë pushim.
Kësaj
i thonë t’i thuash punës: Ku të kam parë or tungjatjeta! Prandaj nuk e ngre
zërin njeri në Shqipëri.
Për
më tepër që data 5 maj nuk është pushim si Dita e Dëshmorëve, por do merret
pushim për nder të festës së Pashkës Ortodokse. Dhe kur bëhen nja tri ditë
rresht sikur s’ka lezet ta kalosh kohën as në lokalet e zonës së Ndroqit, as në
ato të Cërrikut, ndaj me shumë gjasa njerëzia o do marrë avionin, o do mbushi
serbatorin me karburant e do kalojë kufirin.
-Hajt, pushime të mbara!
Dhe
mos u bëni fort merak se ja... filloi sezoni dhe oferta të reja do ketë
këtej-andej. Ehu, sa pushime do kemi.
Në
ditën legjitime, kur çdokush e ka të drejtën të dalë në shesh e të kërkojë
kushte më të mira pune, pagë më të lartë, këtë në Shqipëri nuk e bën kurrkush.
Nuk e bëjnë as Sindikata, as Konfederata, se partitë politike nuk ka përse ta
bëjnë. Sa për iniciativa personale më mirë të mos flasim fare se ndyjmë gojën.
Kapitalistët
e rinj të Shqipërisë post socialiste kanë rënë rehat. Askush nuk ua prish
dremitjen e drekës. As sindikatat, as partitë politike. Veç njerëzit
protestojnë fuqishëm, nga mëngjesi në darkë, nëpër bare ku pihet kafe e konjak,
dhe sidomos në restorante ku hahet bukë misri me shëllirë dhe patate të skuqura
në vaj.
-Ja se po presim të na vijë mishi i kecit në hell.
-Ore, kush është ai qerrata që e ka çpikur rakinë?
Dhe
vuuu gurmazit. Hani o vëllezër hani! Po pate për të ngrënë e për të pirë për
çfarë arsye duhet të ngrihesh në protestë? Apo për sytë e bukur.
1
Maji vazhdon të konsiderohet si ditë ahengu, po si dikur në socializëm. Vetëm
se nuk dalim në parakalim me portretet e udhëheqësve në dorë, për të treguar
arritjet. Ja ky element mungon në ditët e sotme. Na kanë lënë azat, të hamë
kopshteve të botës si Tomori, si demi që desh na shqeu Koçin e teto Ollgës në
Marenë. Se sa për të tjerat... copy past: nga socializmi në kapitalizëm apo
ekonominë e tregut. Kështu që në vend ta shqyenim gojën, e zumë me mish e xaxiq
dhe e përcollëm me raki.
Mirëpo,
andej nga akshami, media na informoi se në fakt punëtorë e aktivistë në Tiranë
e Prishtinë e kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve me kërkesa për
përmirësim të kushteve të punës. Flasim si koncept, jo sa pjesmarrje kishin. Se
aty na thyhet maja e kalemit e si bëjmë dot llogaritë. Po, birinxhi. Të paktën
paska ca shqiptarë që dinë të protestojnë. InshAllah shtohen. Se protestë është
ajo që të thyen brinjtët, jo ajo që të gudulis e të bën për të qeshur.
-Do hosten bualli, jo pickima pleshti.
Ah
po... në 2 maj, një ditë para 3 majit, që njihet dhe si Dita Ndërkombëtare e
Lirisë së Shtypit, edhe do gazetarë të terrenit u mblodhën para hyrjes së
Kuvendit të Shqipërisë, ku protestuan për të drejtat e tyre, pasi statistikisht
vetëm gjatë muajve të parë të vitit 2024 janë raportuar rreth 30 raste të
sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave.
Këtu
s’di ç’të them! Janë apo nuk janë gazetarët Klasë Punëtore? Por gjithsesi
shyqyr që u ngritën dhe ata. Se në tërësinë tonë ne jemi të papërfaqësuar nga
shoqatat dhe aktivistët civilë, por vetëm nga partitë politike, që pasi bëjnë
sikur na marrin në mbrojtje, na kërkojnë votën. Dhe fillimisht kartën e
identitetit: se mos voton për krahun tjetër ore.
-Hë kopil e bir kopili... sa i qut qeke mor bab?!
Të
kthehemi përsëri tek 1 Maji.
Thuajse
në të gjithë botën 1 Maji synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe
protestave të punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe
kushtet e punës.
Në
histori 1 Maji lidhet ngushtë me protestat e përgjakshme të dhjetëra-mijëra
punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 Maj 1866, ku punëtorët
kërkonin të drejtat e tyre në punë.
Federata
e Tregtisë së Organizuar dhe Sindikatat e Punës zgjodhën 1 majin e 1886-s, si
data kur dita e tetëorarëshit do të bëhej standard.
Pas
protestave të dhunshme në SHBA, Konferenca e Gjashtë e Internacionales së Dytë
e vitit 1904 u bëri thirrje “të gjitha organizatave të Partisë Socialdemokrate
dhe sindikatave të të gjitha vendeve që të demonstrojnë në 1 maj për vendosjen
ligjore për tetë orë punë në ditë, për kërkesat klasore të proletariatit dhe
për paqen universale.
Për
herë të parë 1 Maji në Shqipëri është kremtuar në vitin 1905, kohë kur Shqipëria
ende ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane.
Stilian
Adhami, në librin “Kronikë e lëvizjes punëtore e sindikale në Shqipëri”
publikuar në vitin 1969 shkruan se më 1 Maj të vitit 1905, një grup të rinjsh e
punëtorësh organizuan në një manifestim nëpër rrugë dhe një piknik jashtë
qytetit të Shkodrës.
Tanimë
jemi në vitit 2024.
“E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re
po lulëzon gërmadhash”.
No comments:
Post a Comment