Nga Leonard Veizi
Nuk do të flasim thjesht për Koloninë Letrare "Muzat e Jezercit - Edicioni 7" që u mbajt në 26 – 28 prill të vitit 2024 në qytetin e Ferizajt të Kosovës, por nisur nga “Muzat e Jezercit” padyshim do të flasim dhe për “Muzat...”
Ca
vargje të ndjera e tunduese, të lira apo aleksandriane, ca herë të brishta e
plot herë me temp, të bëjnë të ëndërrosh skajshmërisht, atje ku mendja
njerëzore hera-herës ka drojë të shkojë. Sepse njeriu është i prirë të
ëndërrojë zgjuar duke i kontrolluar dëshirat e tij në imtësi, ashtu siç ëndrra
vjen vetë në pafajësinë e gjumit, por ti si njeri nuk i kontrollon dot më. Dhe
në rast se ëndrrat të mungojnë, apo ti vetë druhesh të lundrosh me to, këtë
mundësi ta jep një baladë për piano e orkestër, një tingull violine e
vetmuar... si dhe vargje kuptimplote që shtjellojnë botën tënde të pleksur kuturisshim. Ndaj kur nuk e
vendos dot gishtin mbi një antologji, ta zbresësh nga etazheri, ta shfletosh e
të përhumbesh mes rimash nanuritëse, një takim letrar me emra poetësh miksuar,
mbetet tentativa më e mirë për të krijuar një raport të ri me veten dhe botën
që të mban rrethuar në zhgjëndrrën dramatike.
Kondratemp
Në
Shqipëri, - e kam fjalën për Republikën e Shqipërisë, - takimet letrare janë
një flluskë sapuni. Nëse doni që t’i shtoj vlerën, sepse e teprova ca, po e
vlerësoj si një... flluskë shampoje, e asgjë më shumë. Dhe nuk është se kam
marrë pak herë pjesë në takime të tilla sa mund të thuash se: nuk e njeh
realitetin objektiv.
Në
Kosovë, - e kam fjalën për Republikën e Kosovës, - një takim letrar,
konsiderohet si një festë. Dhe organizimi i tij merret me shumë seriozitet por
dhe me pasion. Ndaj gjërat shkojnë vaj, ndaj dhe poetët e trevave të Shqipërisë
Republikë turren të kalojnë kufirin dyfish, atë të postbllokut “Kastrati” ku
paguan një detyrim se ke përdorur Rrugën e Kombit, dhe dokumentin e
identifikimit tek Pika Doganore ku një piramidë në abstraksion na ndan me
territorin tjetër të shqiptarëve që zyrtarisht njihet si Republika e Kosovës.
Dhe për fat kam marrë pjesë në disa takime të tillë. Ndaj mund të them me plot
gojën se: e njoh realitetin objektiv.
Por
meqenëse Republika e Shqipërisë është “nona”, më e madhe në formë e përmbajtje,
dhe me më shumë se 110 vite shtet i pavarur nga Turqia, nuk është keq ta prishë
traditën e ardhur nga shekujt e vjetërsuar e të mësojë ndonjë diçka nga vajza më
e vogël në formë por jo në përmbajtje, - siç mundohemi ta konsiderojmë trevën e
Kosovës, - që tanimë është Republikë dhe ka 25 vite Pavarësi nga Serbia, edhe pse zyrtarisht Pavarësia mban moshën 16 vjeç. Është
si ai raporti i përhershëm i nxënësit me profesorin, por jo në rastin kur
profesorin e shtrëngon prostata dhe për më tepër ka nisur ta lërë kujtesa.
Rezervat
Me Prof.Dr. Agim Vinca |
Po
ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë?
Ama
pyetje, në ditën për diell, ku dhe të gënjyerit nuk merr vlerë artistike.
Në
fakt ajo nuk ndihet fare, ka rënë në letargji, sepse si institucion anësor
është shkrirë brenda në një mega ministri me shumë emra, në të cilën më së
shumti flitet për lek, euro e dollarë, por shumë pak për trashëgiminë
kulturore, e për të mos folur për takimet letrare që është një luks i tepruar e
me raste dhe “një shfaqje e huaj dekadente”.
Ferizaj City & Co
Për
sqarim Klubi Letrar “De Rada” e ka selinë në Ferizaj. Dhe Ferizaj konsiderohet
si një nga qendrat e reja urbane të Kosovës. Qyteti me popullsi zyrtare prej
rreth 50 mijë banorësh, ndodhet në pjesën juglindore të trevës.
Ferizaj
është konsideruar si një qytet me bashkëjetesë dhe tolerancë të konsiderueshme
fetare dhe kjo duket edhe në faktin që një kishë ortodokse dhe një xhami në
qendër të qytetit ndajnë të njëjtin oborr.
Por
qyteti pa semafor, me një trafik të paparë kaotik, ka dhe një vijë hekurudhore
të ndërtuar nga turqit osmanllinj që në vitin 1873. Epo perandoria e paska
zgjidhur qesenë me ca lira më shumë në buxhet, se i duhej për vete hekurudha,
jo për shqiptarët. Të keqen o baba Sulltan që na le këtej kufirit malet e Veriut
dhe baltërat e Myzeqesë, të cilat mezi i bonifikuam. Se Fushën e Kosovës, me
konsensusin e ambasadorëve të mbledhur në Londër ia le në administrim Serbisë.
Bravo, bravo... dhe të lumtë që na konsideron ende: vëllezër. Kujë e zezë.
Kështu që në Shqipërinë Republikë, - asokohe Socialiste - treni u pa vonë. Përveç
dekovilit të ndërtuar nga austriakët gjatë Luftës së Parë Botërore, zyrtarisht
segmenti i parë hekurudhor është inauguruar më 7 nëntor 1947, me linjën modeste
Durrës – Peqin. Pra 74 vjet më pas. Por kjo s’ka rëndësi, se ne e kapëm veten
shpejt, ndaj ndërtuam një rrjet të gjatë hekurudhor... të cilin e nxorëm sërish
jashtë përdorimit, me vetëmohim. Punë shqiptarësh tek e fundit.
Për-logaritma
Google
maps-i të thotë se Ferizaj ndodhet në veri-lindje të Tiranës në një largësi
rrugore prej 238 kilometrash. Por me Prishtinën ndajnë veç 41 kilometra. Ndërsa
është 57 kilometra larg nga Shkupi. I përmenda këto tre kryeqendra shqiptarësh
sepse edhe të ftuarit vinin më së shumti pikërisht nga këto qytete, pa përmendur vendalinjtë,
që në fund të fundit janë dhe mbeten të shtëpisë.
Nga
Tirana vinin Prenga, Valbona, Klitoni e Leonardi. Nga Shkodra Rozafa. Mirela
udhëtoi nga Fieri. Nga Peja erdhi Naimja. E Sabiti nga Gjilani. Ndërsa nga
Shkupi: Agimi, Avniu e Shkëlzeni. Dhe ja u bë grupi.
Ekzibicion
Duhet
të futesh me këmbën e djathtë që të eci mbarë, thoshin më të vjetrit, Dhe duket
se të gjithë ne kemi hyrë me këmbën e djathtë. Tani,... kush i pa të gjithë tek e fundit. Por përderisa punët ecën mrekullisht, merret e mirëqenë se poetët me siguri e kanë respektuar këtë besëtytni.
Risi
në këtë edicion u cilësua bashkëpunimi me shoqatën “Hithi” në organizmin e
ekspozitës së karikaturës të dy karikaturistëve nga Ferizaj, Selajdin Hajdini dhe
Imri Musliu. Kjo ekspozitë, që përfshinte rreth tridhjetë karikatura kryesisht të personaliteteve nga bota e artit, shoqëroi të dy mbrëmjet poetike.
Dhe gjeje mes punimeve portretet e Migjenit por dhe të Tina Tërnerit, atë të Bujar
Kapexhiut, por dhe të Manjola Nallbanit, si dhe disa tematika të tjera fort
interesante.
De Rada e Jup Kastrati
Jeronim
De Rada kishte 210 vjetorin e vdekjes ndërsa studiuesi kryesor i veprës së tij,
Jup Kastrati 100 vjetorin e lindjes. Dhe këto dy data përballë njëra-tjetrës
bënë që organizatorët e Klubit Letrar “De Rada” të lançonin një shumatore
kumtesash. Sepse takimi poetik nuk mund të jetë vetëm poetik, por dhe prozaik,
ndryshe mbetet i vetëm si jetim. Takimi filloi me kumtesën e Prof. dr. Agim
Vincës, për të vazhduar me Prof. dr. Diana Kastrati, Dr. Fatmira Kastrati,
prof. asoc. dr. Abdurrahim Maxhuni, Prof. ass. dr. Faton Krasniqi, Kemajl Aliu,
Abdyl Hajredini, Preng Maca dhe Bekim Kelmendi. Jo pak, për të marrë një
informacion të detajuar mbi krijimtarinë e dy kolosëve të letrave shqipe.
Lidership
Të
dyja mbrëmjet poetike dhe tryeza u drejtuan me autoritet dhe elegancë nga Zyrafete Shala, që është dhe
kryetarja e Klubit Letrar “De Rada”. E nëndheshme dhe fort efikase ishte puna organizative e Arsimit që rrallë e shihje ulur. Poezitë u shoqëruan me kitarë nga i
talentuari Dren Loxha, i cili interpretoi edhe disa këngë nga repertori i tij.
Dhe Dreni, ishte vërtet i talentuar me kitarën e tij dhe me krijimtarinë e tij,
duke i dhënë jo pak tonalitet atmosferës poetike. Madje dhe në post-darkat ngopëse askush nuk kish dëshirë të dëgjonte dixhein e lokalit me muzikë interneti, përsa Dreni derdhte butësish nota mbi tryezën e zbrazët nga mishi por të mbushur me qelqurina pijesh.
Dhe çfarë ndodhi përgjatë dy mbrëmjeve? Asgjë e pazakontë në pazakonshmërinë e saj.
Në
mbrëmjen e parë lexuan poezitë e tyre: Shkëlzen Halimi, Naime Beqiraj, Donika
Dabishevci, Rozafa Shpuza, Xhevat Latifi, Preng Maca, Aziz Mustafa, Kliton
Nesturi dhe Besim Zymberi. Mysafir ishte edhe zëvendës ambasadori i Kroacisë në
Prishtinë, Nedjeljko Špilek, me vëllimin poetik dygjuhësh “Qyteti i shpirtrave”
i cili u përurua me këtë rast. Një vlerësim kritik për librin paraqiti Arsim
Hamiti, nënkryetar i KL “De Rada”. Autori lexoi poezi në gjuhën kroate, ndërsa Drita Miftari të njëjtat poezi i lexoi në gjuhën shqipe.
Në
mbrëmjen e dytë poetike lexuan vargje: Avni Halimi, Xheladin Rexhepi, Sabit Rrustemi,
Nexhat Rexha, Valbona Mulaj, Arsim Halili, Muharrem Kurti, Nafije Zogaj, Mirela
Papuçiu, Faruk Tasholli dhe Ismet Delija.
Ne tërësi, poetët dinë ta organizojnë mirë poezinë si varg të shkruar, por dhe ta lexojnë përsosmërish... veç me veten e tyre. Sepse ne realitet, stonimet qëllojnë që ta prishin ritmin melodik. Por ky është një defekt i papërfillshëm, sepse, tek e fundit, të gjithë poetët nuk mund të kenë tonalitetin e Maja Anxhelout.
Dhe
në perceptimin tim, me përjashtime të vogla, niveli poetik i poezive ishte për
t’u admiruar. E duhet thënë: shyqyr që kemi poetë të paktën.
Nga e majta: Kliton Nesturi, Rozafa Shpuza, Xhevdet Bajraj, Arsim Hamiti, Leonard Veizi, Zyrafete Shala, Drita Popa dhe Gazment Bytyçi |
Xhevdeti
Ferizaj
ka dhe një të veçantë tjetër, dhe kësaj rradhe flas për ndjesi personale. Tek “Muzat e Jezercit” jam
njohur me Xhevdetin. Kush është Xhevdeti??? Është njëlloj si të thuash Ismali dhe të nënkuptosh Kadarenë, si të
thuash Rexhepi dhe të nënkuptosh Qosen, si të thuash Dritëroi dhe të nënkuptosh
Agollin. Dhe të thuash Xhevdeti duhet të nënkuptosh Bajrajn.
Që
në fillim të shkrimit bëra me dije se në Ferizajn e vitit 2018 kam mbetur i
mahnitur. Mikpritja dhe organizimi ishte dy elementë, por mahnitja më e
madhe ishte njohja me këtë poet të klasit botëror, Xhevdet Bajrajn prej
Rahovecit.
Sot,
Xhevdet Bajraj nuk jeton në tokë, sepse është ngjitur në Panteon, lart tek
Krijuesi. Por letërsia e tij vazhdon të lançohet e të lexohet pafundësisht.
Sepse ajo është poezi e përbotshme. I thjeshtë si ai, në kontaktin e parë më
bëri përshtypje performanca fine dhe kapela e tij republike mbi kokë. Dhe kjo kishte të bënte me pak çaste të papërfillshme, teksa pihej një cigare e ngrihej ndonjë dolli mirëseardhje. Sepse për
nga fuqia e vargut, Xhevdeti duhet ta mbante kokën aq lart, sa mund të shihte dhe
Amerikën Latine, vendin që kish zgjedhur të jetonte pas përfundimit të luftës
në Kosovë. Sepse prej vitit 1999 ai jetonte në Meksikë ku punonte edhe si
profesor i Letërsisë dhe i Shkrimit Kreativ në Universitetin Autonom të Meksiko
Sitit. Por ky reagim do të vinte më pas, kur vet Xhevdeti lexoi poezitë e tij.
Eh,...
ç’t’i kujtojmë ato kohë. Se pas kësaj erdhi pandemia.
Gjithsesi,
Xhevdet Bajraj mbetet një gur kilometrik në poezinë shqiptare. Dhe natyrisht,
jo vetëm...
Që
nga viti 2018 Xhevdet Bajraj ishte anëtar nderi i Klubit letrar “De Rada” dhe ishte i
pranishëm pothuajse në të gjitha edicionet e mëparshme të kolonisë “Muzat e
Jezercit”. Pra veç Rahovecit, Ferizaj dhe vetë “Muzat...” ishin po aq shtëpia e
tij.
Jashtë teme
“Muzat 2024”
kishin një veprimtari të dendur ku ishin parashikuar dhe çaste çlodhjeje, qoftë
dhe me një vizitë të dedikuar në “Pikën 6” ku nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës
kanë rënë dy dëshmorë, Sali Baliu e Arsim Zeqiri.
Dhe
pas kësaj një tjetër shëtitje, por këtë herë tek “Parku i Lirisë”, një pyll
magjepsës, dikur i minuar nga ushtria Serbe, por që pas çminimit të zonës ishte
kthyer në një pikë fort atraktive ku qytetarë të shumtë bënin piknik, apo
vraponin nëpër tapetin e butë natyral që përshkonte pyllin.
Epilogu
Dhe
ky ishte edicioni i shtatë i Kolonisë Letrare “Muzat e Jezercit”.
No comments:
Post a Comment