Nga Leonard Veizi
Janë më shumë se tetë miliard njerëz që jetojnë në planetin Tokë, por sillen me të sikur ajo të ishte një armik i tyre dhe jo streha dhe ngastra që u jep mundësinë të jetojnë. Dhe e ndotin atë në një mënyrë të dhunshme si në një ekstazë.
22 Prilli, përkon me Ditën e Tokës. Apeli është i madh për këtë rruzull që ngrohet nga dielli, ndriçohet nga hëna e laget nga ujë me kripë dhe ai me sheqer në mënyrë të përsosur e të përllogaritur. Sepse Zoti, me siguri, para se të ishte një gjenetist e ta mbushte planetin me njerëz e majmunë, është dhe një inxhinier ndërtimi shumë i kualifikuar.
Tema zyrtare për vitin 2024 e në vazhdim është "Planeti kundër plastikës". E mbajtur për herë të parë më 22 prill 1970, tani përfshin një gamë të gjerë ngjarjesh të koordinuara globalisht. Sepse Toka është në rrezik. Viti 2025 përkon dhe me 55-vjetorin e Ditës së Tokës.
Statistikat tregojnë se më shumë plastikë është prodhuar në 10 vitet e fundit sesa në të gjithë shekullin XX. Aktualisht prodhohen 380 milionë tonë mbetje plastike në vit. Por që janë vazhdimisht në rritje. Statistikat s’bëjnë të qartë gjithashtu se çdo 12 orë 28 tonë plastikë të shpërndahen nëpër Mesdhe. Mesdheu po është i lidhur me detin Adriatik dhe u desh vetëm një rrebesh shiu dhe ca dallgë të tepruara që ta mbushnin vijën bregdetare me mbeturina pa fund, aq sa të zinte frika.
Një herë e një kohë, kur bënte mot i keq e kishte dallgë, njerëzit që jetonin në qytetet bregdetare dilnin të shihnin mos dallgët kishin sjellë ndonjë kanoçe nga ato që hidhnin marinarët e anijeve, dhe që ne i përdornim për të mbajtur o kripën dhe sheqerin, ose sodën dhe piperin. Sot, kanoçet po u hyjnë nga deti drejt e në dhomat e gjumit. Dolën buldozerë e fadroma që të pastronin vijën e bregdetit. Se jemi dhe në prag të sezonit dhe turp i madh të na gjejnë miqtë turistë të palarë e të pandërruar.
Lumenjtë e Shqipërisë, përveçse e kanë tkurrur rrjedhjen dhe i kanë ngushtuar shtretërit, janë dhe të dendura me plastikë. Mund të marrësh masa sa të duash. Por mbeturinat do t’i vërvitin nga dritarja e makinës drejt e në lumë.
Në shumë qytete, sipas projekteve pilote, vendosën kazanë me mbishkrime: letër, plastikë, mbetje organike... Demek seleksionim paraprak. Jo ore, po kush i zbatoi? Dështoi projekti.
Ca kohë më pas u mor vendimi që të hiqeshin nga qarkullimi qeset plastike dhe të përdoreshin ato prej letre. Bota e përparuar ka vite që i përdor. Por ne jemi të prapambetur... Përveç bukës dhe byrekëve, të gjitha asortimentet e tjera nëpër markata dhe tezgat e fruta-perimeve mbarten në qese plastike. Edhe ky projekt shkoi për lesh e dështoi pa filluar fare.
Jo more, po ku mbahet shqiptari?
U bënë qeset me para, nga “free” që ishin më parë. Në fillim 5 lekë të reja, pastaj 10, vajti 15 e u ndal tek 20. Ka dhe 50 nga ato të mirat fare. Po ka shqiptar që merr me vete në pazar dhe atë trastën që na u rekomandua si ekologjike. Ajo ishte prodhim i kohës së Enverit. Asaj kohe i kemi thënë sikter një herë e mirë. Qese or qese! Më bëj nja 6-të qese se kam blerë ca si shumë mall e gjë e s’i ngre dot as ashensori. Dhe të gjitha qeset përfundojnë nëpër kazanë, nëpër rrjedha lumenjsh e rezervuarësh për vaditje. Le të dojë 100 e ca vite që të shpërbëhet. Punë e madhe, nuk dashka 1000?! Unë me të mijat jam në rregull. Dhe nuk e kuptojmë se kështu po i bëjmë varrin vetes.
Toka po gulçon. Ajo është kthyer në një banjë publike gjigante. Mirë mbetjet që njeriu i prodhon në mënyrë natyrale, por ai prodhon shumë më tepër mbetje artificiale. Bli qese, hidh qese. Bli kanoçe hidh kanoçe, bli bidonë plastik e vërviti dhe këto nga dritarja e makinës.
Në lajme kemi parë që plot depo farmaceutike hedhin andej-këtej ilaçe të skaduara. Hidhen nëpër kosha mbeturinash dhe mbetje spitalore të cilat në fakt duken shkatërruar përmes një procesi që pa dyshim ka kosto. E për t’i rënë shkurt gjërave shumë mbetje përfundojnë në det. Një pjesë të tyre deti i përpunon, hanë dhe peshqit me këtë rast. Dhe kur bien në rrjetën e motopeshkatoreve edhe njerëzit mendojnë se hanë peshk. Natyrisht po qe se një peshk ka ngrënë ndonjë shishe peniciline, a ndonjë antibiotik, mirë i ka bërë se ka luftuar infeksionet. Por për të gjitha ato që deti nuk i përtyp dot, na i kthen faturën pas. Ndaj vija bregdetare do të jetë vazhdimisht e mbushur me mbetje plastike e kanoçe birre.
Dikur, kur binte shi, thoshim se i bënte mirë bujqësisë. Tani lutemi për shi që të na pastrojë ajrin e të shpëlajë jashtëqitjet e qenve që i ndeshim në çdo hap që hedhim.
Një herë e një kohë nuk të linte njeri të hidhje as shishen e qumështit dhe as kavanozin e reçelit. E blije me lek bashkë me produktin dhe e ktheje po me lek, pasi e kishe larë me sapun Rrogozhine dhe shpëlarë me ujë Boville. Dhe qelqi vazhdonte të mbushej sa ta kishte takatin. Por risk i lartë që të rimbushësh bidonët plastikë, se një pjesë e plastikës të mbetet në trup. Dhe me një llogari të thjeshtë, në më shumë se 30 vite që konsumojnë pije me gaz nga shishet plastike, një pjesë e trupit tonë me siguri është plastifikuar.
Sipas një studimi nga Universiteti i Vjenës, i botuar në vitin 2019, në “Annals of Internal Medicine”, u gjetën 9 lloje të ndryshme mikroplastike në feçet e 8-të vullnetarëve që morën pjesë në analizë.
Një studim anglez i botuar në “Science of the Total Environment” dokumentoi praninë e 12 llojeve të ndryshme të mikroplastikës dhe nanoplastikës në indet e mushkërive të 11 pacientëve që i nënshtroheshin operacionit.
Ndotja nga plastika do të jetë përgjegjëse për 15% të emetimeve globale të gazeve serrë deri në vitin 2050, nëse asgjë nuk ndryshon.
Dhe nuk mjaftohemi me kaq.
Zhvillimi i madh teknologjik ka bërë që ndotja të arrijë kulminacione të paparashikuara më parë. Kjo ka ndikuar në atë që konsiderohet si një nga problemet më të mëdha të njerëzimit, ngrohja globale. Aktivitetet industriale ndikojnë në burimet e ujit të pijshëm, çlirojnë toksina të padëshiruara në ajër, çka ka ndikim negativ në cilësinë e tokës. Ndotja e ajrit zakonisht është rezultat i grimcave organike dhe inorganike, si dhe gazet si dioksidi i karbonit, monoksidi i karbonit, dioksidi i sulfurit, oksidet e nitratit, metani dhe klorfluorkarboni, tek të cilat shkalla e përqendrimit dhe zgjatja e pranisë, është e mjaftueshme për të prodhuar një efekt toksik. Të gjitha këto shkaktojnë sëmundje, alergji, por jo rrallë më dhe vdekje njerëzish.
Në rrugët e Shqipërisë, makinat që bota po i përdor si skrap në vend të lëndës së parë, po shfryjnë skrapamentot. Mjegulla ka mbuluar qytetet. Ne po gdhihemi në mëngjes, dalim në dritare dhe ngaqë nuk shohim as nga sytë, marrim frymë thellë dhe themi gjithë gëzim: Sa ajër i pastër, m'u mbushën mushkëritë.
T'u mbushën vërtet...
Por ne nuk kemi frikë nga vdekja. Besojmë gjerësisht në jetën e përtejme, ose tek... rilindja.
No comments:
Post a Comment