Nga Leonad Veizi
Nëse në vitet ‘80 të shekullit XX ekrani i Tiranës do të transmetonte filmat me protagonistë kryesorë aktorët Sten Laurel dhe Oliver Hardi, fëmijë e të rritur do të linin çdo punë e do të nguleshin para aparatit të televizorit. Sepse ata ishin magji. Të bënin të shkulje brinjët me batutat e zgjedhura, por po aq dhe me pantonimën e tyre mjeshtërore. Dhe në zhargonin e përditshëm njiheshin jo vetëm si Olio dhe Stelio por më së shumti si “i holli dhe i trashi”. Ndërsa të nesërmen, në klasa shkollash e qendra pune diskutoheshin gjithë patos situatat që kishin prodhuar që shumë humor nga dy komikët e mëdhenj...
...Nuk ishte e nevojshme që filmat e tyre të ishin domosdoshmërish me zë dhe fjalë. Sepse edhe me plastikën trupore e mimikën e fytyrës ata dinin të transmetonin mbi çdo gjendje e situatë. Dhe kuptohej gjithçka, sepse arrinin të zbërthenin në mënyrë perfekte qoftë dhe me një lëvizje sysh atë që ndonjëherë nuk e bëjnë dot njëmijë fjalë.
Ekipi i humorit Laurel dhe Hardi, konsiderohet gjerësisht si më i madhi në historinë e filmit. Dhe bota ka nxjerrë komedianë pa fund. Në plan të parë, një Laurel i pafajshmi përbri Hardi-t pompoz. Si interpretues, Sten Laurel kishte disa shenja që e karakterizonin si fjala vjen, kruarja e shpeshtë e kokës, një klithmë rënkuese dhe një shikim të zbrazët plotësisht pa mendime e emocion. Ndërsa si kundërpeshë e tij, Oliver Hardi zhvillonte një gamë të gjerë ekscentricitetesh: të folurit dhe sjelljet plot nuanca, pamjet shpërthyese, ndërthurje të lidhjeve dhe shikimet e shpeshta në kamerë për të shkaktuar simpatinë e audiencës.
Dyshja mitike
Ata njiheshin si një ekip komedie britaniko-amerikane gjatë epokës së hershme të Hollivudit, sepse në përbërje të këtij ekipi ishte britaniku Sten Laurel dhe amerikani Oliver Hardi. E filluan karrierën e tyre si dyshe në epokën e filmit pa zë, dhe më pas kaluan me sukses në "talkies". Nga fundi i viteve 1920 deri në mesin e viteve 1950, ata ishin të famshëm ndërkombëtarisht për komedinë e tyre “slapstick”. Në terminologji slapstik merr këtë shpjegim: Një stil humori që përfshin aktivitet fizik që tejkalon kufijtë e komedisë normale fizike.
Para se të shfaqeshin si ekip, të dy kishin një karrierë të mirëfilltë filmike. Laurel kishte luajtur në mbi 50 filma dhe kishte punuar si skenarist e regjisor, ndërsa Hardi ishte në më shumë se 250 prodhime. Ata u shfaqën së bashku në një film të shkurtër në vitin 1926. U bënë zyrtarisht një ekip në vitin 1927 kur u shfaqën në filmin e shkurtër pa zë “Putting Pants on Philip”. Ata bënë filmin e tyre të fundit në vitin 1950, një bashkëprodhim francezo-italian i quajtur “Atoll K”.
Si ekip patën jetë në 107 filma, duke luajtur në 32 filma të shkurtër pa zë, 40 filma të shkurtër me zë dhe 23 filma të metrazhit të gjatë.
Kritika shkruan se humori i Laurelit dhe Hardit ishte shumë vizual. Sten Laurel ishte me gjatësi dhe peshë mesatare, por dukej relativisht i vogël dhe i lehtë pranë Oliver Hardi, i cili ishte 185 cm i gjatë dhe peshonte rreth 127 kg në kulmin e tij. Detajet e flokëve dhe veshjeve të tyre u përdorën për të rritur këtë kontrast natyror. Laurel i mbajti flokët e tij të shkurtra anash dhe mbrapa, duke i rritur ato të gjata sipër për të krijuar një "parukë frike" natyrale. Në mënyrë tipike, në çaste tronditjeje, ai ia prishte njëkohësisht fytyrën për t'u dukur sikur po qante ndërsa shkulte flokët. Në të kundërt, flokët e holluar të Hardi-t ishin ngjitur në ballë të tij me kaçurrela dhe ai kishte një palë mustaqe si furçë dhëmbësh. Për të arritur një ecje dystaban, Laurel hoqi takat nga këpucët e tij. Veshja normale e personazheve kërkonte këmisha. Hardi mbante një kravatë të shkurtër të cilën e rrotullonte kur ishte veçanërisht i vetëdijshëm, dhe Laurel, një papion. Xhaketa sportive e Hardi-t ishte pak e vogël dhe e përfunduar me një kopsë, ndërsa xhaketa e Laurel-it ishte e lirshme. Të dy mbanin kapele, me atë të Laurel-it më të ngushtë se të Hardi-t dhe me një buzë të rrafshuar. Një përshtatje e natyrshme për dy personalitete të ndryshme. Të gjitha këto detaje i bënin dy aktorët komikë edhe më gaztor kur shfaqeshin në ekran.
Vdekja e Oliver Hard
Në vitin 1955, ata bënë paraqitjen e tyre të fundit publike së bashku ndërsa merrnin pjesë në “This Is Music Hall”, një program televiziv i BBC-së.
Në vitin 1956, ndërsa ndiqte urdhrat e mjekut të tij për të përmirësuar shëndetin për shkak të një sëmundjeje të zemrës, Hardi humbi mbi 45 kg, por megjithatë pësoi disa goditje duke shkaktuar ulje të lëvizshmërisë dhe të folurit. Pavarësisht karrierës së tij të gjatë dhe të suksesshme, shtëpia e Hardi u shit për të ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve të tij mjekësore. Ai vdiq nga një goditje në tru më 7 gusht 1957 dhe miku i vjetër Bob Çaterton tha se Hardi peshonte vetëm 63 kg në kohën e vdekjes së tij. Hardi u varros në Parkun Memorial “Valhalla” të “Pierce Brothers, North Hollywood”.
Vdekja e Sten Laurel
Laurel tronditi fansat e tij të shumtë kur deklaroi se pas vdekjes se Hardit nuk do të luante më si aktor komik. Dhe e mbajti fjalën. Për tetë vitet e mbetura të jetës së tij, Stan Laurel refuzoi të performonte dhe nuk pranoi ofertën e Stanlei Krejër për një film të vitit 1963 “It's a Mad, Mad, Mad, Mad, World”. Në vitin 1960, Laurel iu dha një çmim special “Oscar” për kontributin e tij në komedinë e filmit, por nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në ceremoni për shkak të shëndetit të dobët. Aktori Deni Kei e pranoi çmimin në emër të tij. Pavarësisht se nuk u shfaq në ekran pas vdekjes së Hardi-t, Laurel ka kontribuar në disa filma komedi.
Gjatë kësaj periudhe, pjesa më e madhe e komunikimit të tij ishte në formën e korrespondencës me shkrim, dhe ai këmbëngulte që t'i përgjigjej personalisht çdo letre të fansave. Në fund të jetës, ai mirëpriti vizitorë nga brezi i ri i komedianëve, duke përfshirë Dik Kavet, Xherri Ljuis, Piter Sellërs, Marsel Marsë, Xhoni Karsën dhe Dik Van Dajk.
Laurel jetoi për të parë punën e dyshes të rizbuluar përmes televizionit dhe ringjalljes së filmit klasik. Ai vdiq më 23 shkurt 1965, në Santa Monica dhe u varros në Forest Lawn-Hollywood Hills në Los Angeles, Kaliforni.
Vlerësimi në botë
Në vitin 1960, Laurel iu dha një Oskar nderi për kontributin e tij në komedinë e filmit “Lou Costello”. Nga ekipi i komedisë së “Abbott and Costello”, një herë u tha për Laurel dhe Hardi-n: "Ata ishin ekipi më qesharak i komedisë së të gjitha kohërave". Shumica e kritikëve dhe studiuesve të filmit gjatë gjithë viteve janë pajtuar me këtë vlerësim.
Në vitin 2005, ata u votuan si aktorët më të mëdhenj të komedisë të gjitha kohërave nga një sondazh i komedianëve profesionistë në Mbretërinë e Bashkuar.
Një film biografik i titulluar “Stan & Ollie” me regji të Xhon Bed dhe me Stiv Kugan në rolin e Stan dhe Xhon Rajli në rolin e Oliver, u publikua në vitin 2018. Në film një vëmendje e veçantë është treguar dhe për bashkëshortet e aktorëve, duke hedhur më shumë dritë ndaj jetës së tyre private. Filmi mori vlerësime pozitive nga kritikët. Për performancat e tyre, Raili dhe Kugan u nominuan për një “Golden Globe” dhe një çmim BAFTA respektivisht.
Vlerësimi dhe në Shqipëri
Pikërisht në nder të dy figurave të shquara Posta Shqiptare ka emetuar një edicion të dedikuar të pullave në vitin 2009. “Olio dhe Stelio, dy ikonat e Hollivudit, të cilët edhe sot mbeten personazhe të dashura për çdo brez. Olio dhe Stelio, dy personazhe të famshëm për kapelet e tyre, humorin fizik dhe duetin komik, ishin titanët e ditëve të hershme të Hollivudit”. Kështu shkruhet në motivimin e publikuar nga Posta Shqiptare.
No comments:
Post a Comment