Nga Leonard Veizi
Atij
i pëlqente aq shumë rreziku, sa mund të rrezikonte deri në fund pa iu dhimbsur
asgjë. Nuk ish në peshore as jeta e tij dhe aq më pak ajo e të tjerëve. Fytyra
engjëllore prej adoleshenti, fshihte aspektin e errët të gënjeshtrave,
grabitjeve dhe vrasjeve. Ai ishte Karlitos që kërkonte të jetonte duke vrapuar
mbi një tel të mprehtë e të nxehtë. Dhe rrezikoi në fakt...
...Në
ekranin e Televizionit Shqiptar, - që ka vetëm një grusht filmash të cilat i
përsërit në mënyrë të mërzitshme, - më ka rënë në sy një film interesant me
titullin origjinal “El Angel”. Me kaçurrela të arta dhe buzë të fryra,
personazhi Karlos Robledo Pup i interpretuar nga Lorenzo Ferro, duket më shumë
si një zemërthyes adoleshent sesa një vrasës serial gjakftohtë. Por në
Argjentinën e viteve 1970, krimineli i ri tërhoqi vëmendjen e një publiku
adhurues, i cili ishte i neveritur por ndoshta më shumë i magjepsur nga ideja
se si një djalosh i bukur ishte i aftë të bënte krime të tmerrshme.
Filmi
prej 1 orë e 58 minutash, në zhanrin biografi, krim dhe dramë është një bashkëprodhim
i Pedro dhe Augustin Almodovar të cilët regjinë ia kanë besuar Luis Ortega-s
dhe skenarin treshes; Serxhio Olgin, Luis Ortega dhe Rodolfo Palases. I
publikuar në vitin 2018 në të interpretojnë disa nga yjet e kinemasë
argjentinase si: Lorenco Ferro, Çino Darin, Daniel Fanego, Mercedes Moran e
Sesilia Roth.
Skena
e parë e filmik ka në qendër Karlitosin, - tiparet e buta dhe kaçurrelat e të
cilit përfundimisht i japin pseudonimin “Engjëll”, - duke hyrë në mënyrë të
paligjshme në një shtëpi, Në vend që të vjedhë diçka të çmuar, - qëllimi për
të cilën hyri në banesë, - ai vendos një album me muzikë duke organizuar
festën e tij private të kërcimit. Dhe së fundi vjedh një motoçikletë.
Pavarësisht
prejardhjes së tij nga shtresa e mesme e shoqërisë, ka shenja të qarta që Karlos
është i varur nga telashet.
Skena
e fundit e filmit është po e tillë. Karlitosin kërcen në një shtëpi bosh ndërsa
forca të shumta të policisë kanë rrethuar të gjithë perimetrin duke dhënë të
kuptojë që personazhi në dukje Engjëll, është një person shumë i rrezikshëm.
Regjisori
Luis Ortega u frymëzua duke ri-imagjinuar një personazh real Karlos-in si një
vrasës psikopatik homoseksual, pavarësisht mungesës së ndonjë prove që kjo
ishte e vërtetë në realitet. Regjisori e bën të qartë nëntekstin e fshehtë
erotik duke trajnuar një lente adhuruese mbi bukurinë androgjene të antiheroit
të tij seksualisht të paqartë.
Ashtu
siç shkruan Xhonatan Romnei në median e njohur “Film Comment”, tek rubrika
Filmi i Javës: “El Angel” apo Robledo Pup hedh poshtë parimin e famshëm të
kriminologt Cesare Lombroso, se kriminelët e lindur mund të njiheshin nga
deformimet ataviste. Me fjalë të tjera, ata kishin të ngjarë të ishin po aq të
shëmtuar sa mëkati. Nëse Robledo e hodhi poshtë këtë rregull, filmi i Ortegës
konfirmon vetëm një parim të qëndrueshëm në kinemanë bashkëkohore, domethënë se
kriminelët e jetës reale kanë më shumë gjasa të janë të bukur.
Personazhi real
Karlos
Eduardo Robledo Pup, u njoh gjithashtu si Engjëlli i Vdekjes apo Engjëlli i Zi
argjentinas. I lindur më 19 janar 1952, ai u kthye në një vrasës serial. Vetëm
20 vjeç, Pup kapet dhe dënohet në burg për të paktën njëmbëdhjetë vrasje, një
tentativë vrasjeje, shtatëmbëdhjetë grabitje, përfshirje në një përdhunim dhe
një tentativë përdhunimi, një akuzë për abuzim seksual, dy rrëmbime dhe dy
vjedhje. Shumica e shkeljeve ndodhën në zonën veriore të Buenos Aires-it.
Më
7 korrik 1973, Pup u arratis për pak kohë nga burgu, vetëm për t'u rikthyer tre
ditë më pas.
Në
korrik 2000, Pup u kualifikua për lirim me kusht; por nuk paraqiti asnjë
kërkesë.
Në
vitin 2003, u transferua për pak kohë në një spital psikiatrik, sepse ishte
veshur si Batman duke i vënë flakën punëtorisë së burgut në Olavarría ku vuante
dënimin.
Më
27 maj 2008, Pup paraqiti një kërkesë për lirim me kusht. Gjykatësi ia mohoi
lirimin me kusht duke e konsideruar atë si një kërcënim për shoqërinë.
Në
nëntor 2013, ai kërkoi rishikimin e dënimit të tij ose, në rast të dështimit,
ekzekutimin e tij me injeksion vdekjeprurës, edhe pse dënimi me vdekje nuk
ishte i ligjshëm në Argjentinë. Gjykata e Lartë e Drejtësisë refuzoi si
kërkesën për rishikim ashtu edhe kërkesën për ekzekutim.
Filmi
Në
përshtatjen kinematografike të historisë së vërtetë të krimit, Karlos apo
Karlito është një adoleshent i pakënaqur që jeton me prindërit e tij në Buenos
Aires. Ata janë një familje e klasës së mesme që i mëson djalit të tyre vlerat
e të punuarit dhe të shkollimit. Karlitos nuk i intereson të bëjë asnjërën.
Ramóni
një shok klase me familje të kriminalizuar, e prezanton Karliton me prindërit e
tij. Ata e admirojnë amoralitetin e djaloshit si “engjëll” dhe pamaturinë e
tij. Katërshja për pak kohë arrin suksese në vjedhje, dhe mendojnë se do të
bëhen të pasur, derisa të bëhet e qartë se Karlitos impulsiv, jo besnik, i
mbajtur si një partner i mundshëm seksual për të tre, merr shumë më tepër kënaqësi
duke jetuar në mënyrë të rrezikshme.
Kritika
thotë se arritja e filmit "El Angel" është që t'i vendosë shikuesit
në vendin e një sociopati, një personazh për të cilin vrasja është aq e
rastësishme sa që ai nuk humb kohë përpara se të qëllojë një shofer kamioni ose
një roje sigurie. Karlitos lëviz me qetësi nëpër shtëpi dhe dyqane të cilat i
vjedh, sikur të jetë në habitatin e tij natyror.
Arsyeja
e vetme e Karlitos për të jetuar është lëvizja nga një shkelje në tjetrën. E
njëjta gjë mund të thuhet për vetë filmin, i cili heton sipërfaqësisht
amoralitetin e tij duke e shfrytëzuar atë për emocione të forta.
Megjithatë
shumë nga kritikët bashkohen në një pikë të përbashkët, kur argumentojnë se: në
tërësinë e tij filmi është i cekët dhe mban peng vëmendjen e spektatorit,
ndërsa ekrani i madh plot ngjyra ka shumë për të treguar, por pak për të thënë.
Aktori
Lorenzo
Ferro i cili luan personazhin Karlitos, u lind më 9 nëntor 1998 në Buenos
Aires. Ai është aktor, këngëtar dhe kompozitor. U njoh për së tepërmi për rolin
e Robledo Pup.
Ylli
debutues Lorenzo Ferro i ngjan shumë
Robledo Pup në kulmin e tij, edhe për faktin se fytyra në film, përmban një
buzëqeshje narcisiste, ndërsa zëri i tij rrëqethës është i një rebeli
ekzistencial.
Media
vendase e ka komplimentuar performancën
e aktorit Ferro tek “El angel” si "të zbrazët dhe efektivisht të
frikshme"
Rolet
e tij televizive përfshijnë dhe disa filma të tjerë. Gjithashtu ai ka publikuar
dy albume të regjistruara në studio.
Epilogu
Në
qershor 2023, gjyqtari Oskar Roberto Kintana i Gjykatës së Garancive dhe
Apelit, hodhi poshtë kërkesën e Robledo Pup për lirimin me kusht edhe një herë,
duke përmendur se ai vuan nga "emocione të paqëndrueshme të cilat mund të
shpreheshin në një mënyrë të çrregullt", duke shtuar se Pup ka edhe
“reflektime paranojake”.
Deri
në vitin 2024, Robledo Pup ka kaluar mbi 52 vjet në burg, duke u bërë i
burgosuri më jetëgjatë në Amerikën e Jugut.
No comments:
Post a Comment