Nga Leonard Veizi
U bë i famshëm me interpretimin në "Dasma e Malos", një parodi që
u shfaq në koncertin e fundvitit 1981, në pritje të Vitit të Ri 1982, por që
shumë shpejt u kthye në një gur kilometrik të humorit shqiptar.
Po martojmë Malon,
Harxhet shkojnë lumë,
Gjashtëqind dasmorë,
Gjashtë net pa gjumë...
Nga "Dasma e Malos" tek kënga e Gjyles
Po aq popullore u bë edhe kënga e Gjyles, të cilën Todi Llupi, në rolin e
një përgjegjësi sektori në një ndërmarrje industriale të kohës, e interpretonte
me humorin dhe finesën që e karakterizonte. Këtë ia kërkonte Zaçja, që ishte
mekanik, por kishte lënë pikërisht presën e punonjëses Gjyle pa rregulluar,
pasi kishte vënë bast me Sulon për melodinë e këngës së Gjyles, të cilën nuk po
e kujtonin dot.
— Këngën e Gjyles do ti?
— E, sa të ma kujtosh, se ti e ke kënduar gjithmonë, – i thoshte aktori
tjetër i mirënjohur, Arqile Lipe.
— S’e kam kënduar këngën e Gjyles që kur Gjylja erdhi në sektorin tonë, se
kush e di ç’mund të mendojë...
Dhe më pas niste refreni:
Hajde, Gjyle, eja Gjyle,
e hollë, e gjatë, e kuqe si mollë... eeee,
s’më flet moj me gojë, s’më flet...
Todi Llupi ishte mjeshtër i atyre figurave që, ndonëse dukeshin krejt të
zakonshme, fitonin identitet të menjëhershëm dhe mbeteshin gjatë në kujtesën e
publikut. Ky talent i veçantë u shfaq në kinematografi, ku, ndonëse nuk pati
role kryesore, ai krijoi personazhe episodikë të paharrueshëm, duke kaluar
natyrshëm nga skena e teatrit drejt ekranit të madh.
Kjo aftësi e tij për të mishëruar karaktere të tilla buronte nga një
përvojë e gjatë dhe e thellë në Estradën Profesioniste të Fierit — një nga
trupat më të spikatura të humorit shqiptar, nga ku dolën emra si Fuat Boçi,
Luftar Paja, Arqile Lipe, Vasil Vaso, Fatmir Xhelili etj. Aty ai ishte një
artist i lindur për humorin.
Që nga viti 1971, si aktor profesionist, Todi Llupi realizoi një gamë të
gjerë rolesh në komedi, skeçe, parodi, kuplete, monologe, pantomima dhe
dialogë. Aktrimi i tij spikaste për ngjyrat popullore dhe përdorimin mjeshtëror
të dialektit e zhargonit të zonës së Fierit, ndërsa si kupletist dhe parodist i
spikatur, ai mbështetej gjithnjë te zëri i tij tenor, me një timbër të fortë e
të pastër.
Kristaqi te 'Pesha e kohës'
Një nga rolet më të dashura është ai i Kristaqit në filmin "Pesha e
kohës", një prodhim i Kinostudios në vitin 1988, me regji dhe skenar të
Rikard Ljarjes. Aty paraqitet si një fshatar me një tufë fëmijësh, i
rraskapitur nga pagjumësia. Me sytë e enjtur, i lutet mjekut për ca kokrra
luminalë, sepse në fakt donte të vinte në gjumë derrin që po rriste fshehurazi
në shtëpi, që të mos hungërinte e ta merrte vesh i gjithë fshati:
— Aman o doktor, ndonjë ilaç për gjumë... Vdiqa! Kam një javë që nuk kam
vënë gjumë në sy. Shiko si më kanë dalë sytë vendit...
Më tej, po në të njëjtin film, vjen një tjetër sekuencë komike:
— Apo ç’vete, o ç’vete! Aman, o aman! Ngrihet i biri e ia dhjet të atit. Ke
parë ti, moj?
— E ç’më thua, aty isha, — ia kthen aktorja që interpretonte rolin e
bashkëshortes.
— Trim për kokën time. Po dhe i jati trim i madh ka qenë. E pe të birin:
bëmë baba të të ngjajë. Aman, o aman, ky Vasili do na e marrë frymën në punë.
"Globalizmi" dhe filxhani që mungon
Një tjetër kulminacion i Estradës së Fierit është dhe skeçi “Globalizmi” i
vitit 1985, ku personazhi i Todi Llupit pinte kafe me tenxhere, sepse
ndërmarrjet realizonin planin në global, por jo në zëra, dhe nuk kishin
prodhuar filxhanë kafeje.
— Çfarë dite është sot? – pyet ai me tenxheren ne kokë.
— E premte.
— E premte, e shtunë apo e diel? Të hënën më zë gjumi mua... Tri ditë s'fle
unë, më janë bërë sytë filxhan!
Po aq humor ka edhe skeçi “Rexhua ka thirrur rojet”, ku personazhi i tij
përpiqet të mbrojë “dinjitetin” e vet me një seriozitet qesharak:
— Të lutem shumë, shoku përgjegjës, mua mos më bërit. Unë prepotencën nuk e
duroj dot. Për të kërkuar llogari, kërko, por mos më bërtit. Marrëdhëniet
kuadër-masa i di edhe foshnja në gji të së ëmës.
— Përgjigju! A të kanë zënë duke fjetur?
— Të lutem shumë, shoku përgjegjës, mua mos më bërit! Se unë ofendohem dhe
kështu nuk përgjigjem unë.
Epilogu i pafund
Todi Llupi mbetet një nga ata artistë që i dhanë ngjyrë Estradës së Fierit
dhe kinematografisë shqiptare pa zhurmë, por me talent të pastër. Ai provoi se
nuk ka role të vogla, ka vetëm aktorë të mëdhenj.
Në vitin 1989, Todi Llupi mori titullin “Artist i Merituar”. Ndërsa më 10 prill 2021 u dekorua nga Presidenti i
Republikës me titullin e lartë "Mjeshtër i Madh"
I lindur në vitin 1948 u nda nga jeta të martën, më 14 korrik 2026, në
moshën 78-vjeçare.
Ai u largua nga bota e të gjallëve por me Kristaqin, përgjegjësin e
sektorit, rojen e shalqinëve dhe
dasmorin e Malos do të vazhdojmë të qeshim nga ekrani.

No comments:
Post a Comment