Monday, August 24, 2026

 
Paulo Koelho, shkrimtari që e ktheu kërkimin e ëndrrës në letërsi
 


Nga Leonard Veizi
 
Në Shqipërinë e fillimit të viteve 2000, kur libraritë po mbusheshin për herë të parë me letërsi që nuk ishte e ndaluar apo e detyruar, kishte një libër të vogël, me kopertinë të verdhë, që kalonte dorë më dorë. “Alkimisti”. Shumëkush e lexoi në autobus, në një sallë biblioteke nga ato të lagjeve, apo dhe në kafene, dhe e mbajti mend si librin e parë që i foli jo për sistemin, por për veten. Atje nisi edhe marrëdhënia e veçantë e lexuesit shqiptar me Paulo Koelhon. Jo si me një klasik të vështirë, por si me një bashkëbisedues…
 
…Më 24 gusht 1947, në Rio de Zhaneiro, lindi shkrimtari brazilian që do ta kthente pikërisht këtë bisedë - mes njeriut dhe ëndrrës së tij - në fenomen botëror.
Rruga e tij nuk ishte akademike. Para famës, Koelho provoi gazetarinë, teatrin, muzikën rock - ishte tekstshkrues i Raul Seixas - u përplas ashpër me familjen që donte një karrierë "serioze" për të, u internua për pak kohë në një spital psikiatrik nga prindërit, udhëtoi, kërkoi në lëvizje spiritiste dhe kundërkulturore të viteve '70. Ishte një biografi e çrregullt, e një njeriu që po kërkonte gjuhën e vet.
E gjeti te thjeshtësia.
Fama botërore erdhi në 1988 me “Alkimisti”. Historia e bariut Santiago që lë kopenë për të kërkuar një thesar pranë piramidave është, në sipërfaqe, një përrallë. Në thelb është një traktat modern mbi Legjendën Personale - idenë se secili ka një thirrje që bota konspiron ta ndihmojë ta realizojë, nëse ka guximin ta ndjekë.
Libri u refuzua fillimisht nga shtëpia e parë botuese. Pastaj u përkthye në mbi 80 gjuhë, me mbi 150 milionë kopje të shitura, duke u bërë një nga librat më të lexuar në histori.
Për lexuesin shqiptar, suksesi i tij nuk ishte rastësi. Pas një gjysmë shekulli ku ëndrra personale ishte e ndaluar dhe kolektivja ishte e detyrueshme, Koelho erdhi me një mesazh thuajse subversiv: ke të drejtë të kesh një ëndërr tënden. Dhe ke detyrimin ta ndjekësh.
Pas “Alkimisti”-t erdhën “Veronika vendos të vdesë”, “Njëmbëdhjetë minuta”, “Zahiri”, “Fitimtari është i vetëm”, “Brida”, “Buzë lumit Piedra u ula dhe qava”. Të gjithë rrotullohen rreth të njëjtave shtylla: dashuria si provë, fati si zgjedhje, kërkimi shpirtëror jo në manastir, por në mes të jetës.
Stili i tij është arsyeja pse adhurohet dhe kritikohet njëkohësisht. Fjali të shkurtra. Simbole të qarta. Asnjë ndërlikim gjuhësor. Kritikët letrarë e akuzojnë për thjeshtësi didaktike. Lexuesit e duan pikërisht për këtë. Koelho nuk shkruan për të impresionuar profesorët. Shkruan për njeriun që ka një dilemë në orën 2 të natës.
Në 2014, ai e bëri një gjest të rrallë: hapi online Fondacionin Paulo Koelho, duke vendosur falas mbi 80 mijë dokumente, dorëshkrime, foto dhe agjenda personale. Një arkiv i jetës së tij i aksesueshëm për këdo.
Nga një i ri i quajtur "i çmendur" nga familja e tij, te shkrimtari që hyri në Akademinë Braziliane të Letrave dhe u lexua nga presidentë dhe nga shitës ambulantë, Koelho mbetet prova se letërsia nuk ka nevojë të jetë e ndërlikuar për të qenë e nevojshme.
Pyetja që e bëri të pavdekshëm është e njëjta pyetje që i bëri mijëra shqiptarë të nënvizonin rreshta të Alkimistit 20 vjet më parë:
Çfarë ndodh kur vendos, më në fund, të mos e tradhtosh ëndrrën tënde?

No comments:

Post a Comment