Monday, August 24, 2026

A është latuar njerëzimi në 6000 vjet, apo i është trashur truri?

 

Nga Leonard Veizi
 
Mania e re e njeriut nuk është më telefoni. Është ekrani i vogël që i rri ngjitur në dorë, në tavolinë, në shtrat, në autobus, në tryezën e bukës dhe, në rastet ekstreme, edhe në tualet. Pas tij vjen ushtria: Facebook, Instagram, TikTok — platforma ku nuk të duhet më të dish diçka për të folur për gjithçka.
Deri dje jeta kishte një filtër natyral. Shkolla, puna, lagjja. Duhej të flisje përballë dikujt, gjë që të detyronte të mendoje të paktën dy herë para se të hapje gojën. Ekzistonte një hierarki e heshtur e dijes dhe e turpit. Funksiononte keq e mos më keq, por ekzistonte.
Pastaj erdhi rrjeti. Dhe njeriu u çlirua.U çlirua nga nevoja për të menduar para se të fliste. Nga turpi. Nga droja se mos duket qesharak. Nga ai zëri i brendshëm që dikur thoshte: "Mos e thuaj, se do të marrin për idiot". Dhe aty ndodhi zbulimi i madh: nuk paskemi jetuar mes  
Rrjetet sociale hapën një dritare mbi psikikën kolektive dhe ajo që pamë nuk ishte e bukur. Një nivel ordiner deri në neveri. Një vetëbesim që nuk ka asnjë lidhje me dijen: njerëz që shkruajnë me gabime fëmijësh për të dhënë leksione mbi politikën, mjekësinë, historinë dhe universin; njerëz që s'kanë lexuar një libër të vetëm, por kanë verdikte përfundimtare për gjithçka. Dhe më e rënda: nuk janë të heshtur. Kurrë nuk kanë qenë më me zë.
 
Kthesa e madhe e qytetërimit
Këtu lind pyetja: çfarë ka bërë njerëzimi me veten në gjashtë mijë vjet qytetërim?
Gjashtë mijë vjet përpjekje për t'u latuar. Për të dalë nga shpella, për të matur kohën, për të shpikur shkrimin, ligjin, bibliotekën, universitetin. Nga Platoni e Aristoteli te Koperniku, Njutoni, Darvini, Ajnshtajni. Nga pllakat e baltës te teleskopët që fotogroskopojnë lindjen e galaktikave. Dhe në fund? Njeriu modern, me një smartphone 1000 euro në dorë, debaton në Facebook nëse Toka është e rrumbullakët.
Kemi dërguar makina në Mars dhe s'dimë të sillemi me njeriun përballë. Kemi deshifruar ADN-në dhe nuk deshifrojmë dot një fjali pa e kthyer në sherr. Kemi krijuar inteligjencën artificiale, ndërsa një pjesë e njerëzimit sillet sikur inteligjenca natyrale është aksesor i panevojshëm. Sepse kemi ngatërruar dy gjëra: përparimin e qytetërimit me përparimin e njeriut. Qytetërimi u bë më kompleks. Mjetet u bënë të jashtëzakonshme. Por njeriu nuk u bë proporcionalisht më i mençur. Një njeri antik mund të mos dinte asgjë për mekanikën kuantike, por e dinte ku mbaronte dija e tij. Sot mund të kesh një fakultet e dy mastera në mur dhe të jesh i bindur se çdo mendim që të vjen në kokë është e vërtetë universale.
 
Dy helmet e reja të epokës digjitale
Këtu hyjnë në lojë dy helme të reja që e deformojnë edhe më shumë këtë panoramë:
-Ekonomia e vëmendjes: Algoritmi nuk pyet kush ka të drejtë. Pyet kush të mban më gjatë para ekranit. Dhe para ekranit të mban më gjatë zemërimi, banaliteti dhe budallallëku, jo nuanca dhe arsyeja. Kështu budallallëku nuk është më thjesht i pranishëm, ai është i sponsorizuar. Injoranca bëhet biznes model.
-Infantilizimi i të rriturit: Rrjeti e ktheu të rriturin në fëmijë që kërkon konfirmim çdo pesë minuta. Një like si biberon. Një share si përkëdhelje. Njeriu dikur rritej duke mësuar të duronte mospajtimin; sot e bllokon atë. Dikur rritej duke pranuar hierarkinë e kompetencës; sot beson se mendimi i tij për vaksinën vlen sa ai i mjekut që ka studiuar 20 vjet, sepse "edhe unë kam mendimin tim".
E vërteta është e thjeshtë dhe brutale: Diploma nuk është kulturë. Informacioni nuk është dije. Dija nuk është mençuri. Dhe celulari nuk është tru.
Rrjetet demokratizuan shprehjen, por jo mendimin. I dhanë të gjithëve mikrofon, pa pyetur nëse kanë diçka për të thënë. Dhe për mijëra vjet njerëzimi luftoi që njeriu të kishte zë. Ironia e sotme është se kemi prodhuar një zhurmë kolosale ku filozofi, eksperti, budallai i lagjes dhe teoricieni i konspiracionit kanë të njëjtën hapësirë dhe të njëjtën peshë.
 
Idioti i internetit
Idiotër ka pasur gjithmonë; edhe Sokrati ankohej për ta. Dallimi është se idioti i Athinës fliste në shesh dhe e dëgjonin dhjetë veta. Budallai i sotëm ka internet. Dhe interneti i dha audiencë planetare. Prandaj pyetja nuk është nëse njerëzimi ka përparuar teknikisht. Po, ka përparuar. Pyetja është nëse është latuar bashkë me qytetërimin që ndërtoi. Sepse mund të kesh më shumë informacion dhe më pak gjykim. Më shumë arsim dhe më pak kulturë. Më shumë komunikim dhe më pak bisedë. Mund të kesh arritur deri aty sa, para se të shtypësh butonin e shkarkimit në tualet, mendon se po shpenzon ujë kot, dhe pesë minuta më vonë shkruan një traktat 30 rreshtash se si duhet të shpëtojë njerëzimi.
Ndoshta gjashtë mijë vjet nuk kanë mjaftuar. Ose ndoshta kemi punuar aq shumë për të latuar botën, sa harruam të lajmë veten.
Dhe pyetja mbetet pezull mbi ekranin e ndezur: në këto gjashtë mijë vjet, njerëzimi u latua, apo thjesht iu trash truri?

No comments:

Post a Comment