Në lokalin e lagjes, mes
të njohurve të vjetër dhe të panjohurve të rinj, bisedat kishin marrë drejtimin
e zakonshëm të verës: pushimet. Karriget ishin afruar më pranë, gotat ishin
mbushur dhe secili tregonte aventurën e vet turistike, sikur po raportonte nga
një botë tjetër.
Njëri, me një fodullëk të
lehtë vape, tregonte se e kishte braktisur Tiranën për tre muaj rresht dhe
ishte shpërngulur në vilën e tij në Qerret. Hajde freskllëk, hajde. Një tjetër
fliste për dy javë në Himarë, në një hotel ku nata për çiftin kushtonte 425
euro. Luks ky që ia kishte mundësuar djali, me punë e rrogë të mirë në Londër.
Dhe meqë në rini muajin e mjaltit e kishin kaluar në kampin e punëtorëve në
Korçë, me dhoma kolektive dhe racione të reduktuara, tani u dukej se fati po u
jepte një shans të dytë: të bënin prapë muaj mjalti.
— Bravo u qoftë, u dhashë
dhe unë vuxhut në formë urimi.
Në fakt, aferim djalit, që
ka punë e rrogë të mirë në Londër.
Në këtë garë të heshtur se
kush po e shijonte më mirë kripën e detit dhe përqafimin e diellit në perëndim,
i them gruas me një farë krenarie, ku më ishte mbushur mendja të bëja namin:
— Edhe ne do bëjmë pushime
siç duhet këtë vit. Pushime të shëndetshme. Në djall të vejë. Le të ikin ca
lekë më shumë nga rroga. Për këtë punë janë.
Hapim telefonin. Fillojmë
kërkimin.
Nisim nga Golemi, se e
kemi më afër Tiranës. Oferta e parë: 265 euro nata.
M’u tha pështyma. Flasim
për Golemin, jo për Majamin. Me rrogën time bëja vetëm tri ditë pushime. Ditën
e katërt do të më duhej të hapja negociata me gruan për një kredi afatshkurtër,
pa interes, por me shumë përqindje nervash.
— Shiko ndonjë gjë më
lirë, — i them, — se na u thyen kryqet pa nisur akoma.
Pas pak gjejmë një tjetër:
162 euro nata, me mëngjes të përfshirë.
E shikoj gruan me dyshim.
— Po këto dy eurot sipër
160-s, për çfarë janë? Për syrin e keq?
Ajo qesh.
— Ndoshta se kanë futur
edhe mëngjesin.
— Fiks, — i them si të
kisha zbuluar rrotën. — Mëngjes tipik shqiptar: bukë, djathë, reçel dhe një
kokërr vezë e zier. Dy euro mëngjesi. 160 euro gjumi.
Vazhdojmë. Sa më shumë
zhyteshim në oferta, aq më shumë ngjiteshin çmimet. Plot paketa
"super", "premium", "all inclusive", "ofertë
speciale", derisa nuk merrje më vesh pse quheshin oferta. Në fund, një
familje me një rrogë mesatare shqiptare, në shumë prej këtyre vendeve, mezi
përballon pesë ditë. Dhe ato pesë ditë, kur mbarojnë, lënë më shumë pendesë
sesa kënaqësi.
Pastaj zbresim edhe më në
jug. Aty hapet një botë tjetër.
Hotelet reklamojnë pishina
luksoze, festa me DJ deri në agim, me shampanjë që derdhet në pishinë, jo për
ta mbushur, por ndoshta për ta bërë të gazuar masivin ujor. Ambientet e luksit
duken si të vjedhura nga ndonjë resort në Dubai. Kënaqësi pa fund.
"Të keqen e
shqiptarëve... sa lekë paskemi pas, o tu bëfsha", thua me vete. "Kot
ankohen e qahen nëpër tavolina lokalesh."
Pastaj shikon çmimin.
645 euro nata.
Një natë. Atje… në jugun e
thellë.
Faqja online të njofton me
qetësi olimpike: nuk ka vende të lira. Plot deri në mesin e shtatorit.
"Më vonë shohim e
bëjmë."
Dhe telefoni mbyllet si
padashur. Jo se s'kishte internet.
Në fund e kupton: pushimi
në hotele luksoze nuk është më çështje dëshire, por çështje klase. Një
kryefamiljar me profesion të zakonshëm, edhe sikur të ketë punuar gjithë jetën
ndershmërisht, e gjen veten jashtë gare. Pa fajin e tij. Me fajin e rrogës.
Por deti, si një lajm i
mirë, nuk është vetëm për ata me karta të “shëndosha” bankare. Ka ende rrugë të
tjera.
Ka fshatra, shtëpi të
vogla, dhoma modeste. Ka edhe nga ato zgëqe ku susta e krevatit kërcet si
kitare e çakorduar, dysheku është sa një petë byreku që të lodh shpinën dhe
vezët e mëngjesit i skuq vetë në një tigan me një bombol gazi që fishkëllen.
Dhe në fund del shpejt në
përfundimin se kapitalizmi turistik shqiptar, në gjithë madhështinë e tij,
është ndarë thellësisht: për të pasurit në resorte, për të tjerët në dhoma ku
mund të mykesh nga myku.
Hajde pushime të mbara.

No comments:
Post a Comment