Leonard Veizi
Njeriu është munduar ta bëjë gjithmonë e më të mirë jetën e tij. Dhe ia ka
arritur. Ka ngritur mbi tokë një mekanizëm gjigant industrial, për të prodhuar
nga gjilpërat e makinave qepëse e kopsat e këmishëve deri te raketat kozmike,
me të cilat ka nisur të eksplorojë një segment të papërfillshëm të Universit.
Dhe pse më shumë se 3500 vjet njeriu luftoi sipas të njëjtit parim: me
shpatë mbi kalë dhe ndriçohej natën me anë të urave të zjarrit, duhet thënë se
150 vitet e fundit përparimi teknologjik ka qenë i mahnitshëm.
Tanimë, në ecjen marramendëse që po bën industria dhe laboratorët si
pararendëse e saj, duhet të përgatitemi se gjithmonë e më tepër do të
ballafaqohemi me ato që quhen: prodhime artificiale. Janë pikërisht këto
elementë artificialë, që nis me oksigjenin e presuar në një bombol, të cilat do
të na mbajnë në jetë.
Fjala vjen: prodhimet bujqësore OMGJ tanimë janë bërë pjesë e kulturës
tonë. Por së shpejti do të kemi edhe prodhim shtazor OMGJ. Pra: mish sintetik.
Dhe OMGJ ia kalon ku e ku plehut kimik dhe superfosfatit që ndihmonin në
rritjen e prodhimit.
Për të gjitha këto zhvillime, njeriu ka pasur një indikacion që e ka vënë në
dijeni, edhe pse në psikikën e tij ana vizuale e asaj çfarë i është ofruar nuk
është marrë si e tillë.
“Lucy” është film francez i vitit 2014 me regji dhe skenar të Luc Besson.
Në të luajnë aktorë të njohur si Scarlett Johansson e Morgan Freeman. E që të
mos merremi me përmbajtjen e filmit po shkojmë drejt e te përfundimi i tij:
Lucy, një personazh femër, nën efektin e një droge sintetike shumë të fuqishme,
fiton aftësi gjithnjë e më të zgjeruara fizike dhe mendore, si telepatia,
telekineza e udhëtimi në kohë. Kapaciteti i trurit të saj nën ndikimin e kësaj
droge rritet nga 10 përqind në kushte normale, për të kapur ekstremet e saj.
Dhe sa më shumë zgjerohej kufiri i trurit, aq më e aftë bëhej ajo në të gjitha
dimensionet. Kur arrin 100 përqind të kapacitetit cerebral personazhi zhduket
duke u zhvendosur në hapësirën kozmike.
Edhe pse fantashkencë, filmi jep të kuptosh se me rritjen e kapacitetit
cerebral, njeriu mund të bëjë çudira, të cilat në kushtet e përdorimit të 10
përqind të kapacitetit, - aq sa e ka një njeri normal, - nuk do ta arrinte ta
ëndërronte dot.
Deri tani njeriu me aftësitë e tij, duke vënë në zbatim teknologjinë, ka
mundur që shumë gjëra deri dje natyrale, në mungesë të tyre t'i zëvendësojë me
artificiale. Dhe kjo u vjen në ndihmë gati 8 miliardë njerëzve që gjallojnë mbi
këtë tokë.
Lajmet e fundit bënë të ditur se në Emiratet e Bashkuara Arabe, në
përpjekje për të sfiduar temperaturat e larta është stimuluar shiu artificial.
Janë përdorur dronë që fluturojnë mbi re, të cilët lëshojnë ngarkesa elektrike,
në mënyrë që të grumbullohen retë e të lëshojnë reshje.
Sa për borën artificiale ajo ka kohë që është futur në trend e nuk mungon
as atje ku nuk ka rënë asnjëherë.
Nga ana tjetër, multimiliarderi Bill Gates, - që i ka vënë detyrë vetes të
shpëtojë botën, - ka bërë thirrje për konsumin e mishit sintetik të viçit në
mënyrë që të ulen emetimet e gazeve serë që çojnë në ndryshimin e klimës. Sipas
studimeve besohet se viçi është një kontribues masiv në emetimet e metanit të
fuqishëm të gazit serë. Mishi sintetik, i prodhuar nga kulturat qelizore të
kafshëve “in vitro” nuk kërkon therjen e kafshëve.
Pra gjithçka artificiale.
Dhe nëse nëpër markata, nga nesër e tutje do të gjeni mish artificial, mos
mendoni se asortimentet e tjera të tavolinës do të jenë natyrale. Ato do të
jenë po aq artificiale, por jo si mollët, dardhat e bananet plastike që mbahen
për zbukurim mbi syprinën e frigoriferit.
Një tjetër film “Inteligjenca artificiale” prodhim i vitit 2001, me regji
të Stiven Spilberg, shkon deri aty sa të na thotë se në një kohë jo fort të
largët, industria do të prodhojë veç robotëve që do vihen në shërbim të
njerëzve për punët e shtëpisë, edhe fëmijë, me ndjenja të vërteta, për ata
prindër që duan të adoptojnë një të tillë.
Pra, një fëmijë artificial që do t’i dhurojë dashuri nënës që do ta
“rrisë”.
Ky film, edhe pse po aq fantashkencë, të vë në mendime. Në shumë raste,
mendja njerëzore e ka të vështirë t’i kuptojë këto ndryshime, dhe të
ambientohet me to.
Por duket se shumë nga filmat e prodhuar në kohë, e që janë konsideruar si
argëtues, si pjesë e zhanrit të fantashkencës, vite më vonë kanë vërtetuar se
diçka e përafërt ka ndodhur. Në mos ka ndodhur ekzaktësisht siç është
parashikuar. Në njëfarë mënyre kinemaja, por dhe letërsia e gjinitë e tjera të
artit i paraprijnë vetë shkencës, ashtu si Zhyl Verni dikur me trillimet e tij
shkencore.
Dhe si xhevahir mbi gjithçka që deri tani ka prodhuar dora njerëzore, duke
u udhëhequr nga truri i tij, është zemra artificiale. Për këtë organ kaq
jetësor specialistët thonë se ka më shumë avantazhe në trupin e njeriut, se ajo
natyrale.
Sot po jetojmë me mjete e asortimente artificialë. Se çfarë do të ndodhë
nesër askush nuk e di. Veç në daltë ndonjë Nostradamus i ri, e të na përcjellë
përmes kuartinave imazhet e së ardhmes.
No comments:
Post a Comment