Skulptori i Popullit Thoma Thomai rrëfen
punë e tij 50 -vjeçare prej artisti
nga Leonard VEIZI
Ai vazhdimisht godet me
daltë dhe heq prej masivit të rëndë gjithçka të tepërt e pa vlerë, të madhe a
krejt të imët, të ashpër dhe fort tekanjoze. Duket si një luftëtar i heshtur
beteja e të cilit zgjat e zgjat pambarim, në kufirin e tendosjes agresive të
nervave, mes një zhurme monotone që e krijon po ai vetë. Dhe vetëm pas ka gërryer
pjesën më të imët e të padukshme, ka shkundur duart e pluhurosura dhe ka rrëzuar
plot zhurmë skelën e dërrasave është zbuluar gjithçka e panjohur, ajo që për ditë
e netë me radhë ka jetuar vetëm në imagjinatën e tij të thellë, atje ku mund të
shkojë vetëm ai.
Sapo kalon pragun, të
konsideron si mik dhe nuk ndihet i bezdisur se duhet të të shoqërojë për të bërë
një shëtitje njohëse në të gjithë mbretërinë e tij. Në fakt, ajo që ai e cilëson
“mbretëri” është një studio estetikë, plot skulptura të vogla, bocete, dhe
grafika që padyshim i përkasin punëve të ardhshme. E ndërkohë, me mesin e tyre,
padyshim që e ndjen veten si në mesin e një mbretërie pa kufij. Megjithëse në
pamje të parë “mbretëria e tij” të duket disi e vogël, ky është vetëm një
iluzion optik. Në të vërtetë ajo shtrihet shumë më tepër nga ai kufizim metrash
katrorë të atij atelieri. Dhe rrugëton me portrete, basorelieve e monumente,
nga Tirana në Shkup, nga Borova e Kolonjës në Zidoll të Krujës, nga figura e Skënderbeut,
tek Nënë Tereza e Kalkutës. Por asgjë nuk mbaron këtu... Thoma Thomai, me
titull Profesor apo Skulptor i Popullit, një gjë që tanimë nuk ka ndonjë rëndësi
të madhe për të, tregohet i gatshëm që të rrëfejë fragmente nga jeta e tij prej
artisti, në faqet e gazetës “Telegraf”, dhe padyshim disa të fshehta që nuk i
di gjithkush:
Duke parë punimet tuaja dal në përfundimin se ju i
keni shpëtuar shumë shpejt censurës dhe artit skematik të para viteve ‘90...?
Në fakt unë nuk kam
dashur asnjëherë të ngatërrohesha me vepra që kishin motive politike dhe u mora
më shumë me portrete. Pas Pleniumit të IV të Komitetit Qendror, ku dhe unë u
kritikova për frymën e punimeve të mija, u mundova të bëja vepra më realiste, vepra
që i përkisnin historisë. Natyrisht që edhe historia është e glorifikuar. Më
saktë, nuk ka asnjë vend në botë që nuk e glorifikon historinë, pasqyruar kjo
dhe në veprat e artit. Por gjithmonë jam përpjekur të jap një entuziazëm të
natyrshëm në këto vepra dhe asgjë demonstrative.
Cilat janë veprat me tematikë historike që keni
punuar?
Punova për bazorelievin e
Vasil Laçit që është vendosur tek Rruga e Durrësit në Tiranë. Lexova shumë për
të, madje shfletova dhe gazetat italiane të kohës. Më kujtohet që u bë një
gabim, në vendosjen e datës, sepse gazetat e pasqyronin atentatit ndaj Viktor
Emanuelit një ditë me vonesë. Dhe ishte vendosur kjo datë në bazoreliev, por u
rregullua kur u derdh në bronx. Por kam punuar shumë edhe me monumentin “Prita
e Barmashit”. Edhe për të ideuar këtë vepër kam lexuar shumë nga kronikat e kohës.
Po me tematikë para Luftës Antifashiste?
Në vendin e quajtur
Zidoll, në të hyrë të Krujës, ka qenë vendosur një lapidar 10 metra i lartë, ku
mbi bazamentin dhe një skelet betoni u vendos një punimi im në qendër të të
cilit ishte bazorelievi 2 x 2 metra i Skënderbeut mbi kalë, më sipër një
shqiponjë, si dhe armët e tjera të kohës. Ky punim u vendos në atë vend, ku
gjatë rrethimeve të Krujës, Skënderbeu i dilte natën ushtrisë turke duke e
sulmuar vazhdimisht. Monumenti u vendos në vitin 1968 me rastin e 500 -vjetorit
të Gjergj Kastriotit. Por në vitin 1997 bronci i tij është vjedhur dhe tani
atje ndodhet vetëm skeleti i betonit.
A ka vepra të tjera tuajat të cilat janë dëmtuar?
Është dhe monumenti prej
mermeri i Enver Hoxhës, i cili ishte i vendosur në qëndër të “Piramidës”. Këtë
punë e kam bërë së bashku me skulptorin Kristaq Rama. Monumenti u bë copa më
sharë elektrike. Pjesët e mermerit u morën nga Ndërmarrja e Veprave të Artit, që
ishte një ndërmarrje shtetërore në atë kohë dhe unë u detyrova të blej disa
copa mermeri, me të cilat më pas bëra skulptura abstrakte.
Ju i bletë copat e mermerit për nostalgji të punës
së dikurshme?
Në fakt i bleva për shkak
të cilësisë. Ai ishte një mermer i një cilësie shumë të lartë, të cilin e
kishim porositur në Greqi. Unë kam qenë në përbërje të ekipit kur u bë porosia.
Më kujtohet se një skulptor i njohur grek që na shoqëronte na tha: “Ju po i bëni
monument një diktatori. Vetëm një fat keni, që diktatori juaj paska qenë i
bukur.
A ishte e vështirë të bëhej një punë e tillë?
Natyrisht që kishte shumë
vështirësi. Por njëkohësisht ishte dhe një përvojë shumë e madhe. Jo çdo
skulptori i jepet mundësia të punojë me vepra më përmasa aq të mëdha dhe me një
mermer të asaj cilësie. Ne kishim 5 punëtorë të ardhur nga Korça të cilët hoqën
pjesët voluminoze të mermerit derisa e sollën në platformën që e kërkonim ne për
të filluar punën tonë.
Vetëm këtë vepër të Enver Hoxhës keni punuar?
Në fakt unë isha pjesëmarrës
edhe për monumentin në qendër të Tiranës. Paraqita një bocet, i cili u pëlqye
shumë. Në Galerinë e Arteve, ku u bënë publike bocetet, modeli im mori shumë
pikë, por nuk fitoi. Mesa duket njerëzit ishin të lodhur me portretet standarte
dhe kërkonin diçka të re. Unë i kisha dhëna Enver Hoxhës një model tjetër, nga
ai që pretendohej.
Kishit pretendime për të fituar?
Të gjithë u futën në garë
më këtë pretendim. Ishte një konkurs ku morën pjesë jo vetëm skulptorët por edhe
piktorët, madje dhe amatorë. Ishin më shumë se 130 bocete. Nga këto fillimisht u
kualifikuan 30 dhe pastaj vazhdoi faza tjetër e përzgjedhjes.
Po me figurën tjetër historike, Skënderbeun çfarë
raporti kishit, pas lapidarit në Zidoll?
Unë kam pasur shumë dëshirë
të bëja një kalë. Dhe një të tillë e kam ende në projekt. Por rasti e solli që
të bëja Skënderbeun mbi kalë. Ky monument u vendos në Shkup të Maqedonisë, në
pjesën e banuar nga shqiptarët.
Ndërkohë edhe shtatorja e Nënë Terezës tek Korpusi
i Politeknikut, mban firmën tuaj...
Më 2004 fitova çmimin e
parë për shtatoren e Nënë Terezës. Përurimi i tij me iniciativë të presidentit
të asaj kohe Alfred Moisiut u bë më 28 nëntor të vitit 2006.
Larg figurave të historisë shqiptare ju keni dhe
një portret të Van Goghut...?
Van Gogh unë e kam
paraqitur si një vepër prej vitit 1989 e në vazhdim. Ky piktor i madh më ishte
shfaqur me vështrimin e tij gjurmëlënës. Vizatoja, i modeloja tiparet dhe kisha
ndjenjën se në të lexoja jetën e tij plot pasion dhe vuajtje. Vallë ishin këto
momente që zgjuan tek unë thirrjen e hershme dëshirash të fashitura?
Cila vepër ju ka lodhur më shumë?
Them se asnjëra. Unë nuk
e ndjej lodhjen fare. Isha 71 vjeç kur bëra Skënderbeun dhe jam ngjitur e
zbritur me qindra herë nga shkallët e skelës. Ngrihesha që në pesë të mëngjesit
dhe mendoja vetëm për të. Pija një kafe dhe përcaktoja se me cilën pjesë do të
merresha. Haja drekën dhe pastaj drejt e në skelë deri në mbrëmje vonë. Kjo
punë mund të bëhet vetëm me pasion. Unë jetoj duke menduar për këtë punë. Dhe
nuk lodhem.
NË VITE
Jetëshkrimi i shkurtër i një artisti
Thoma Thomai Dhamo, u
lind në Barmash të Kolonjës në vitin 1936. Në vitet 1950-’45 do të niste mësimet
në Liceun Artistik, kursi i skulpturës në që atë kohë drejtohej nga Odise
Paskali e më pas nga Janaq Paço. Ndërsa në vitet 1955-1961 ai do të shkonte për
studime në Akademinë e Arkitekturës dhe Dizajnërit në Pragë, në kursin e
profesor Otto Eckert. Do të diplomohej për skulpturë të aplikuar (qeramikë). Me
kthimin në Shqipëri do të emërohej si modelist në fabrikën e Porcelanit në
Tiranë ku do të punonte për pak kohë. Që nga viti 1968 ai do të ishte dhe pjesë
e stafit akademik si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve ku atë vit për herë
të parë u hap atelieu i qeramikës. Në vitin 1971 do të emërohej Shef i Katedrës
së arteve të aplikuara. Ndërsa në vitin 1989 do të zgjidhej dekan i parë në
Fakultetin e Arteve të Bukura dhe udhëheqës i ateliesë së skulpturës.
SUBJEKTI
Të gdhendësh një nudo
Në studion e tij nuk
mungojnë nudot. I pyetur rreth punës me subjekte të këtij lloji, skulptori i
popullit Thoma Thomai thotë: “Pas viteve ‘90 u spekulua shumë me nudot. Në atë
kohë u konsiderua si një ndjenjë lirie. Por unë u mundova të krijoj një situatë
tjetër me to. Për mua nuk ekzistonin thjesht vajzat e bukura e të stisura, por
një subjekt brenda kësaj nudoje. Një nga këto subjekte, e cila më ka dhënë frymëzimin
për të bërë një nudo është pjelloria”
ÇMIMET
1974-Çmimi i parë në
relievin “Atentatori i Perandorit”
1981- Çmimi i dytë në
skulpturën monumentale për relievin "Kryengritjet Fshatare të viteve
1915-1920”
1984-Çmimi i parë i
skulpturës monumentale për “Prita e Barmashit”
1986- Çmimi i veçantë i
jurisë ndërkombëtare në Bienalen Euroaziatike për “Portret vajze”, në gur
1989-Çmimi i parë i
skulpturës monumentale për “Borovë 1943”
1994-Çmimi i parë në
konkursin për shtatoren e Fan Nolit në Tiranë
1994-Çmimi i dytë për
skulpturë në ekspozitën kombëtare “Onufri”
1997-Çmimi i parë për
skulpturë në ekspozitën kombëtare “Onufri”
2004 Çmimi i parë për
shtatoren e Nënë Terezës
2005-Çmimi i parë për
monumentin e Skënderbeut në Shkup, Maqedoni
2006-Çmim i parë për bustin
e Azem Jasharit në Tiranë
1988-Skulptori
popullit
1995-Profesor
VLERËSIMET
Dhimitër Anagnosti-regjisor
Shtatorja e krijuar nga
skulptori i shquar Thoma Thomai Thamo, për të përjetësuar figurën e të madhit
Fan Noli, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, ka rezultuar një figurë
përgjithësuese që i bën homazh të gjithë “Murgjve” të çështjes shqiptare, duke
filluar nga koha e Skënderbeut. Shtatorja rrezaton vullnet, qëndresë, mendim,
brengë të gropëzuar bukur dhe të gjithë këto mbështjellë me një mugëtirë
mistike.
Prof. Edi Hila - piktor
Më pëlqen mjaft ideja e
trupit, evokues e njëmijë ndjesive misterioze që sjellin me vete format e tij.
Thomai punon mbi këtë formë. Ai shtyp me kujdes mermerin dhe lë gjurmë të butë
mbi të, dhe ajo është një formë e ngrohtë herë sensuale e provokative dhe ndonjëherë
të dhemb kur ajo ndërpritet papritur. Kështu mund t’i shpreh mendimet e mija për
grupin e fundit të punëve në skulpturë që Thomai ka realizuar në dru e mermer.
Suzana Varvarica Kuka - studiuese arti
Vepra është vendosur në
një pikë të rëndësishme të fshatit Borovë. Autori e ka realizuar i mbushur me
emocionet e dhimbjes e me ankthin që ka pushtuar viktimat. Thoma Thomai, në tërësinë
e krijimit ruan një ndjeshmëri brenda vetes aq të vlershme sa që e transmeton në
çdo vepër arti. Ajo është ndjesi dhe shpallet nga gjurmët e ngjeshjeve të
autorit mbi plastikën e relievit, duke u bërë element dallues artistik i
individualitetit të tij dhe shpallje e fenomenit estetik në skulpturë.
No comments:
Post a Comment