PËRTEJ NJË LAJMI
Nga
Leonard Veizi
Leonard Veizi
A doni më për
shqiptarët, cilët janë dhe çfarë kanë bërë? Gjithçka e dyshimtë për gjuhën a
prejardhjen e tyre merr përgjigje nga vëllimi “Thesare për gjuhën shqipe të
shoqërisë biblike”, një përmbledhje letërkëmbimesh që profesor Xhevat Lloshi na
e sjell me aq skrupulozitet. Dhe pasi ke lexuar vëllimin në fjalë prej 630
faqesh, padyshim do t’i bësh një lexim krejt ndryshe rrugëtimit të gjuhës shqipe
në histori.
Takimi
i përjavshëm “Klubi i leximit pranë muzeut”, i cili u zhvillua në
një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, iu kushtua prof. Xhevat
Lloshi ku u fol gjerësisht për librin e tij më të ri: “Thesare për gjuhën shqipe
të shoqërisë biblike”.
Drejtori
i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në fjalën përshëndetëse të tij me
këtë rast tha se korpusi i veprave të prof. Dr. Xhevat Lloshit është një
ndihmesë e çmuar që saktëson shumë gjëra në fushën e albanologjisë, të
gjuhësisë e më gjerë se kaq. Ndërsa vetë autori nga ana e tij vlerësoi nismën e
Muzeut Historik Kombëtar, duke u shprehur për auditorin se leximi merrte edhe
më shumë vlerë në këto kohë kur më shumë se libri përdoret celulari.
Të paktën 45 vite më
parë dhe pikërisht në pranverën e vitit 1972, për herë të parë shkuan në Londër
dy studiues shqiptarë. Ata ishin Arben Puto dhe Xhevat Lloshi. Asokohe ishin
hapur arkivat britanike për vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe shteti shqiptar
ishte i interesuar që me studiuesit e vet të qëmtonte në to. Xhevat Lloshi
kujton se i përhumbur thellësisht në dosjet e kësaj arkive, papritur zbulon
disa dokumente krejtësisht të panjohura rreth Shqipërisë të afro 200 vjetëve më
parë, të cilat i përkisnin Shoqërisë Biblike. Këto dokumente lidheshin me
fillesat e shqipes dhe librit shqip. I entuziazmuar për këtë zbulim, u kërkon
punonjësve të arkivit se si mund të siguronte një kopje të tyre. Rruga ishte e thjeshtë...
E pasi pagoi dhe ca stërlina shtesë nga xhepi i tij, Xhevat Lloshi arriti të
merrte fotokopjet e dokumenteve që i duheshin. Këto iu bashkëngjitën
dokumentacionit për të cilin studiuesit kishin mbërritur në Londrën e
atëhershme ku nuk kishte përfaqësi diplomatike shqiptare dhe kaluan “doganën” e
shtetit amë, i cili që prej 5-së vitesh ishte shpallur dhe si i vetëm shteti
ateist në botë, duke ndaluar në këtë mënyrë dhe qarkullimin e literaturës
fetare. Që prej asaj kohe do të niste puna voluminoze e këtij studiuesi për të
gjetur sa rrënjët e shqipes, por edhe të vetë librit shqip.
Pjesën më të madhe të 590
dokumenteve të klasifikuara nga Xhevat Lloshi e përbëjnë raportet dhe
relacionet e “Shoqërisë Biblike” lidhur me përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe.
Parimi i “Shoqërisë Biblike”, ishte që bibla të përkthehej në të gjitha gjuhët
e botës, prandaj nuk pati asnjë pengesë nga dy kishat e tjera që predikonin në
Shqipëri, nga ajo ortodokse dhe katolike.
Për ilustrim mund të
citojmë se në letrën e Robert Pinkertonit për Londrën në gusht të vitit 1816, e
cila ndodhet në faqe katër (4) të librit thuhet: “Pajisja e shqiptarëve të
paktën me Dhiatën e Re në gjuhën e tyre është një objekt që e meriton në
shkallën më të lartë të tërheqë vëmendjen e shoqërisë Biblike Britanike dhe për
vendet e huaja. Ky komb zë një pjesë të madhe të Ilirikumit të lashtë dhe të
Epirit ndërsa flet një gjuhë e cila duket se nuk ka asnjë afri gramatikore me
sllavishten, turqishten, greqishten ose latinishten. Shumica e shqiptarëve janë
të besimit të krishterë dhe i përkasin kishës lindore: pjesa tjetër janë zhytur
në një padituri kaq të thellë për parimet e krishterimit saqë kanë përqafuar
besimin mysliman”.
Shkrimet e shenjta në
gjuhën shqipe, pavarësisht nga alfabeti që përdorej, filluan të botoheshin dhe
të përhapeshin kudo. Në atë kohë asnjë nga dy kishat e mëdha të Shqipërisë nuk
e kishin në projektet e tyre përkthimin në gjuhën shqipe të biblës. Prioriteti
i tyre kishte të bënte me atë se fjala e Zotit duhej të predikohej në greqisht
për kishën Lindore, ose në latinisht për atë të Perëndimit. Për të vazhduar
konkretizimin citoj se në letrën e C.Hamlinin nga Bebeku për T.Lloyd Philipsin
nga Stambolli në vitin 1857 mes të tjerash thuhet: “Kisha greke ka bërë
përpjekje të mëdha për t’i helenizuar shqiptarët duke ngritur shumë shkolla
greke…” Ndërsa në raportin 63 të shoqërisë biblike për vitin 1866, në faqen 169
të librit shkruhet gjithashtu: “Mes popullsive që përfshihen brenda kufijve të
Turqisë Evropiane asnjëra nuk është dënuar me një mospërfillje të tillë të
rënda sa shqiptarët”.
Ç’është e vërteta, mendësia
e kishave tradicionale në Shqipëri, e asaj ortodokse dhe katolike, do të zëvendësohej
nga mendësia pragmatiste e kishës protestante, e cila kishte një koncept të ri
për përhapjen e shkrimeve të shenjta, atë të përkthimit që fliste çdo grup
etnik.
Nga raportet e
Shoqërisë Biblike sqarohet se përkthimi i Biblës fillimisht iu besua Vangjel
Meksit, i cili u nda nga jeta pa e përfunduar tërësisht, e më pas Konstandin
Kristoforidhit. Por disa broshura fetare janë përkthyer dhe nga Grigor
Gjirokastriti. Në qershor të 1957 Kostandin Kristoforidhi i kontaktuar për të
përkthyer Biblën, harton si raport për Agjencinë “Memorandum për gjuhën shqipe”
e më pas “Shënime për Shqipërinë. Gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta”.
Të dy këto dokumente të sjella nga Xhevat Lloshi marrin një rëndësi të madhe
për të kuptuar rëndësinë e popullsisë shqiptare që jetonte e shtrirë në atë
pjesë të gadishullit në mënyrë homogjene e që sot është e copëtuar në pesë
shtete përveç tërësisë që njihet zyrtarisht si Republika e Shqipërisë.
Ajo që të bën përshtypje
tjetër nga letërkëmbimi i misionarëve të shoqërisë biblike ka të bëjë me faktin
se harmonia fetare e trumbetuar mes shqiptarëve herë si konkrete e herë si mit,
ka qenë e vërtetë, dhe një gjë e tillë është vënë re madje dhe është raportuar
nga misionarët e shoqërisë biblike. Në faqe 598 në raportin e Agjencisë së
Stambollit për vitin 1883, përshkruhet një tur shëtitës për shitjen e biblave
në Shqipërinë e Mesme, e më saktë në Tiranë, ku thuhet se një hoxhë e vlerësoi
Dhiatën dhe foli për të pranishmit: “Këtu është Teurati, Zeboari, dhe Inxhili,
që ne i besojmë, ndaj këta libra janë të shkëlqyer. Vetëm ata që nuk mund t’i
lexojnë thonë që janë të këqij” dhe më pas raporti vijon: “Hyri një mysliman
tjetër, u gëzua që po shihte libra në shqip dhe bleu një Ungjill…”
Gazetari i njohur Xhevdet Shehu shkruan se Prof. Dr. Xhevat Lloshi
është një nga personalitetet më të rëndësishme të shkencës shqiptare, në
gjuhësi, filologji, historiografi, e studime letrare. Ndërsa unë shtoj se botimi i librit
“Thesare për gjuhën shqipe të shoqërisë biblike” është padyshim një ngjarje e
rëndësishme kulturore e cila pret të marrë vlerat që i takojnë.
Në fund të këtij
takimi, Prof. Dr. Xhevat Lloshi i dorëzoi arkivit të Muzeut Historik Kombëtar
dy faksimile, një botim të alfabetit të parë shqip shtypur në vitin 1825 dhe
ftesën e hartuar për Kongresin e Manastirit, që gjithsesi nuk kanë qenë bërë
publike më parë se kaq.
Botuar në:
No comments:
Post a Comment