Leonard Veizi
Në realitetin shqiptar, libri po humbet përditë e më shumë nga qarkullimi. Më pak libra ka tashmë në librari dhe kontigjentet e reja, hedhur në treg nga shtëpitë botuese, janë edhe më të pakta. Prodhimi i librit ka rënë ndjeshëm dhe industria e tij që vlonte ethshëm nën ritmet e konkurrencës, tanimë nuk mund të cilësohet më si e tillë. Dhe kjo është një tjetër tragjedi që po i ndodh njerëzimit: bashkë me pandeminë, ngrohjen globale dhe pakësimin e rezervave të ujit të pijshëm. Sepse kjo ka të bëjë me elementin kryesor të ushqimit shpirtëror: atë të thellimit të trurit, po aq e rëndësishme sa dhe një tryezë e shtruar me gjithfarë prodhimesh që ngopin stomakun, ku nuk mungon as alkooli për dehje dytësore.
Prej kohësh libri si produkt fizik ka nisur rënien. Por ndoshta viti 2022 është treguesi më i ulët i kurbës. Më poshtë se kaq do të thotë së ai nuk do të ekzistojë fare.
Në një vend si Shqipëria, ku shumica dërmuese e njerëzve mendojnë si të shtyjnë muajin me të ardhurat që kanë, elementi libër padyshim është një luks. Është më tepër se luksi për të shkuar në Teatër, ku bileta kushton 500 lekë, më tepër se në kinema ku bileta varion nga 600 deri në 800 lekë, sepse një libër sot kap vlerën e mbi 1000 lekëve të reja.
Padyshim që në këtë industri të ushqimit shpirtëror, - që shpesh padrejtësisht cilësohet dhe si industri luksi po aq sa dhe kozmetika, - libri është më i rrezikuari. Kjo dhe për një faktor tjetër që deri tashmë është anashkaluar. Nëse një regjisor të sjell “llokum në gojë”, një pjesë të mirë teatrale apo një etyd kinematografik, një libër, për t’u lexuar do vëmendje e përqendrim. Pra është një lodhje, risk të cilin jo çdokush e merr përsipër. Ndaj dhe në raste të një “fast-food-i”, ajo që mënjanohet më shpejt është të bërit të gjellës me shumë elementë. Në rastin konkret është libri.
Në mënyrën e zakonshme të jetesës, ndodh që librat artistikë janë lexuar në kohë pushimesh. Ose gjatë fundjavave, ose nën një çadër plazhi. Madje pamja e njerëzve me nga një libër në dorë duke bërë njëkohësisht edhe banjë dielli, ka qenë një nga gjërat që e ndeshje rëndom në ditët e sezonit veror. Gjithkush, kur nisej me pushime, veç rrobave të preferuara merrte në çantën e tij personale edhe disa libra, pavarësisht se koha e pushimeve mund të mos i dilte për të lexuar qoftë edhe njërin prej tyre. Dhe libri në pushime është tregues kryesor mbi masën e leximit. Në këtë rast nuk na hyjnë në punë statistikat. Sepse statistikat thonë që lexueshmëria mund të ulet në korrik-gusht por rritet në tetor-nëntor, në muajt e letërsisë dhe të panairit. Dhe kështu me globalin jemi kënaqshëm si shoqëri.
Nga përvoja personale, e palidhur aspak me statistika shoqatash joqeveritare, më rezulton se libri artistik është në pikën më të ulët të kurbës rënëse. Dhe për këtë po i referohem një episodi në dukje të ngushtë që ka të bëjë me 5 ditët e para të muajit gusht në plazhin e Durrës-Golemit.
Vija bregdetare është e gjatë për t’u pasur zili. Në një shëtitje prej të paktën 12 kilometrash të ndarë në dy pjesë të ditës, të cilat në 5 ditët e kulmit të sezonit përkthehen në të paktën 60 kilometra, nuk arrita të bëja qoftë dhe një foto të një plazhisti me libër në dorë. Një gjë të tillë e kam bërë çdo vit. Dhe fiksimi për të gjetur një lexues libri në letër u kthye në makth, për të gjetur qoftë dhe një prej tyre që ta quaja misionin e kryer dhe kjo të më krijonte një ide ndoshta dhe të gabuar, se ka një përqindje të vogël njerëzish që vazhdojnë ende të lexojnë në letër, dhe se libri nuk është braktisur përfundimisht.
Por kjo nuk ndodhi.
Kjo do të thotë se libri fizik është braktisur përfundimisht, dhe duhet ta themi se nuk na vret njeri. Në këtë mes nuk dua të përfshij atë grup të vogël njerëzish që vazhdojnë t’u drejtohen librarive, sepse ata janë aq pak sa nuk ngrejnë kandar.
Tanimë jam vërtet i trishtuar, sepse mungesa e librit në ditë pushimesh, tregon se njeriu i ditëve të sotme nuk ka më nevojë për këtë lloj ushqimi shpirtëror, dhe ai po e braktis përditë atë siç ka braktisur dhe sallat e teatrit apo të kinemave. Dhe në ditët e plazhit, ashtu si dhe në ditët e tjera të vitit, ndeshesh gjithnjë e më tepër me shprehjen, që e meriton të shkruhet me gërma të arta: “Do të të tregoj një vend ku hahet mirë”.
Mirëpo Molieri, që ishte ca më i mençur se ne, tek komedia e tij e famshme “Kopraci”, në mënyrë groteske na shtroi parimin: “Hamë që të rrojmë dhe nuk rrojmë që të hamë”, të cilat njeriu i kohëve moderne, të cilit nuk i mungon më ushqimi, e ka kthyer në: Rrojmë që të hamë... dhe pikë.
Kthehemi tek libri.
Varavingot e mia me celular të ngrehur se mos gjeja dikë me libër në dorë, më shkuan kot. Nuk gjeta një njeri për besë. Me celular po. 99 përqind e njerëzve lexonin në internet gjithfarë idiotësirash, të cilat sot postohen pa ISBN dhe pa certifikatë matrikulimi. Domethënë mall rifuxho.
A është kjo shenjë e injorancës tonë, e cila po thellohet përditë e më shumë?!
No comments:
Post a Comment