Showing posts with label Ferdinand Hysi. Show all posts
Showing posts with label Ferdinand Hysi. Show all posts

Sunday, February 23, 2020

Kam qarë nga gëzimi kur Dritëro Agolli aprovoi dramën time të parë


INTERVISTA
Flet dramaturgu u njohur Ferdinand Hysi: Dramaturgjia shqiptare para dhe pas viteve ‘90


Nga Leonard Veizi

I diplomuar si inxhinier elektrik, do ta niste rrugën e artit duke dramatizuar romanin “Rruga Budi 723”. Sot në korpusin e veprave të tij dramaturgjike numërohen të paktën 40 drama, ku më shumë se gjysma e tyre e kanë parë dritën e skenës dhe të tjerat janë ende në pritje. Ferdinand Hysi, sot njihet dhe si një nga dramaturgët më të mirë në Shqipëri. Me një gjerdan çmimesh në gjoks, Hysi është nga të paktët aurorë shqiptar, vepra e të cilit ka shëtitur në skenat e Evropës dhe për më tepër janë vënë në skenë nga regjisorë të huaj në gjuhën e tyre. Për më tepër se kaq Ferdinand Hysi vjen nëpërmjet një rrëfimi që ia ka besuar gazetës FJALA:

Si nisi karriera juaj si dramaturg?
Kjo është një pyetje që i jam përgjigjur gjithmonë me dëshirë, sepse ka të bëjë me një fakt që e kam përmendur dhe në intervista të tjera: Dramaturgjia ka lindur me mua, ka qenë brenda meje, dhe vetëm rrethanat e bënë që të merrte rrugën e saj, sepse mund të mbetej dhe vetëm një ëndërr apo pasion i një fëmije! E them këtë, sepse talenti është brenda shumë të rinjve, por që të arrihet në një drejtim apo profesion të caktuar shpesh ndikojnë shumë faktorë të ndryshëm, si dora që të jepet, mundësitë, rrethanat, këmbëngulja jote, pra janë disa elemente që ashtu si të ndihmojnë të ecësh para, po ashtu dhe mund të ta lënë në mes atë që fshihet brenda teje! Dhe kjo është shumë e rëndësishme për të rinjtë e talentuar sot, të cilët jam i bindur që janë shumë dhe më shumë sa takojmë në prezantime të ndryshme të tyre.

Dhe të të kthehemi më konkretisht te pyetja...
Që fëmijë (kjo nga kujtimet e mia, por dhe sa më kanë treguar të mitë dhe më pas) unë shpesh në shtëpinë time organizoja disa shfaqje të ndryshme me fëmijët e lagjes, ku luaja vetë, gjëra që i sajoja vetë dhe me sa më thoshin, u kërkoja dhe një biletë për të hyrë (natyrisht pa lek). Pra kjo dëshirë ka qenë brenda meje dhe nuk mund të them e nxitur nga prindërit, sepse me sa mbaj mend, ata kurrë nuk kanë ndikuar në këtë drejtim. Por një fakt mbetet! Në shtëpinë time lexohej shumë, si nëna dhe babai, nuk lihej film pa parë, ku më merrnin dhe mua gjithmonë, dhe po kështu edhe në çdo shfaqje teatri të qytetit. Pra të gjitha këto bëheshin bashkë, duke e rritur brenda meje dëshirën jo vetëm të shikoja, por dhe të bëja për vete protagonistin. Kështu, p.sh, në klasën e 7-të të shkollës fillore unë shkrova, mund të them dramën time të parë, ku luaja vetë rolin kryesor, isha vetë regjisori dhe më kujtohet mirë që dhamë disa shfaqje në shumë shkolla të ndryshme me atë. Ndërsa në vitet e gjimnazit kjo dëshirë u kanalizua në drejtim të humorit. Gati çdo vit organizonim 2 premiera estradë të shkollës, ku dhe këtu i shkruaja vetë të gjitha skeçet, bëja regjisorin dhe natyrisht rolet e para i merrja vetë! Në ato vite estrada e shkollës “Ali Demi” ishte bërë e njohur në qytet, madje kemi marrë dhe një çmim në një festival të shkollave të mesme, të organizuar në Shkodër. Në këto vite unë jam thirrur dhe nga Estrada e qytetit, duke qenë aktor i saj në disa shfaqje të saj, gjë që më bëri dhe të njihem me regjisorin e Estradës profesioniste në atë kohë Nazmi Bunjakun, njohje kjo që solli më vonë ato rrethana që më futën në rrugën e dramaturgjisë.

Ndërkohë studimet tuaja të larta kanë qenë për inxhinieri...?
Me gjithë pasionin tim për dramaturgjinë, më saktë në atë kohë për humorin, unë kam qenë shumë i pasionuar pas matematikës dhe shkencave ekzakte, duke marrë pjesë në disa olimpiada matematike dhe më kujtohet mirë që shumë kohë timen e shpenzoja me zgjidhje problemash matematikore dhe eksperimente fizike, gjë kjo që u pasqyrua edhe në kërkesat e mia për vazhdimin e shkollës së lartë. Duke qenë se mbarova shkollën e mesme me mesatare notën 10 (në ato vite nuk ishte mesatarja një “sëmundje” si tani, aq sa unë vetëm kur mora dëftesën e pashë se i kisha të gjitha 10), komisioni i bursave të asaj kohe me gjithë ndërhyrjen e shkollës dhe të disave që më njihnin për një drejtim drejt Gjuhë-Letërsisë apo Psikologjisë, respektuan të drejtën time që insistoja ose Inxhinieri Radio-Elektronike (sapo ishte hapur ajo degë) ose Fizikë, duke më akorduar të drejtën e studimit për Inxhinieri Radio-Elektronike! Në këtë pikë dua të theksoj se gjatë gjithë viteve të universitetit, apo dhe vitit të parë të punës në stazh, nuk u mora fare me teatrin apo estradën si krijues apo aktor, por ju përkushtova tërësisht studimeve duke i mbaruar dhe ato me rezultate të larta dhe më vonë përkushtimit të punës sime si inxhinier i ri. Megjithatë, gjatë gjithë viteve të universitetit e them me bindje të plotë se nuk kam lënë asnjë shfaqje të Teatrit Kombëtar pa parë (në atë kohë shkonim që në mëngjes të blinim bileta) po ashtu dhe të Estradës së Tiranës, dhe kur shikoja atë skenë të Teatrit Kombëtar, i ulur në një nga radhët e fundit që arrija të kapja, shpesh vlonte brenda meje ajo dëshira e hershme për teatrin, pa e menduar se vërtetë një ditë në atë skenë do ngjiteshin dhe veprat e mija.


Cila ishte vepra e parë që u vendos në një skenë teatri?
Pikërisht janë ato rrethanat që përmenda pak më parë, që më futën dhe mua në rrugën e dramaturgjisë, sepse dua ta pohoj me sinqeritet: Në vitet e para të punës sime si inxhinier, me psikologjinë dhe të vetë drejtuesve të mi, ngarkesat dhe në kohë dhe psikologjikisht, as nuk më shkonte më mendja të shkruaja pa le të luaja vetë: Por ishte regjisori Nazmi Bunjaku, që kam thënë dhe dua ta ritheksoj që ka meritën kryesore të futjes sime në rrugën e dramaturgjisë. Duke njohur pasionin tim për teatrin, por edhe për njohjen familjare që kishim, më thirri një ditë dhe më propozoi të dramatizoja për teatrin, romanin “Rruga Budi 723” të Ruzhdi Pulahës. Atë roman unë e njihja mirë, se më kishte lënë mbresa dhe për mënyrën si e kisha lexuar për herë të parë. Nuk kishte dalë akoma në librari, na e pruri një shoku jonë nga Korça, Pandi dhe tha është vetëm një kopje, deri nesër duhet ta dorëzojmë. (Na u tha madje që nuk ishte dhe aq e lejuar) dhe unë kam ndenjur gjithë natën që e lexova. Kështu pranova dhe fillova ta shkruaj. Mund të them që ishte një punë shumë e madhe për mua, si për faktin që ishte e para për një teatër profesionist, por dhe natyrën e Nazmiut që punonte shumë me autorin. Më vinte në shtëpi gati çdo ditë dhe për çdo faqe që shkruhej, do rishikohej disa herë. Por mund të them që kjo ishte një shkollë e madhe për mua. Pra drama ime e parë për një Teatër profesionist ishte pikërisht “Rruga Budi 723”.

Ai ishte vendosja e kësaj drame që përcaktoi dhe rrugën e dytë tuajën?
Por dua të theksoj që dhe këtu pati një rrethanë që përcaktoi të ardhmen time në këtë rrugë, të cilën më vjen gjithmonë mirë ta përmend. Ishte prova gjenerale e dramës. Situata nuk ishte fare e qetë. Zëra të ndryshëm, si nga shumë që merreshin me teatrin, dhe nga Komiteti i Partisë, flitej për një mendim që shkonte deri në ndalimin e dramës, pasi tema quhej e rrezikshme për kohën. (Merrej në mbrojte një femër që kishte bërë fëmijë ilegjitim). Më kujtohet mirë që dhe në mëngjesin e asaj dite, vetë drejtori i teatrit lau duart me mua dhe me regjisorin, duke na i shkarkuar ne gjithë përgjegjësinë e dështimit të pritshëm, gjë që dhe tek aktorët krijoi një situatë shumë të rënduar. Dhe në darkë prova. Kishte zbarkuar gjithë Komiteti i Partisë deri te Sekretari i Parë i kohës dhe po kështu pritej dhe një ekip nga Komiteti Qendror nga Tirana, mes tyre ishte dhe Dritëro Agolli. Salla e mbushur plot me shumë nga ata që kishin hapur blloqet me kritikat për dramën. (Disa na e thanë më vonë këtë). Shfaqja ishte me pushim në mes, dhe unë isha ulur i vetëm në një cep, më shumë i mërzitur nga sherret e mëngjesit se sa me koshiencën se çfarë mund të ndodhte me ndalimin e dramës, kur gjatë pushimit më vjen një dhe më thotë: Hajde se të duan në holl! Shkova. Një rreth i gjere njerëzish, sa shkova ishte Dritëro Agolli që më afroi afër dhe foli ta dëgjonin të gjithë: “Hajde mor djalë! Ke bërë një gjë të mrekullueshme! Urime!” Kaq duhej! Mbaj mend që kam qarë gjatë rrugës që shkoja pas perdes dhe ua transmetova të gjithë aktorëve që ishin në ankth sa ishte e thënë. Tek ata shpërtheu një duartrokitje dhe gjithë gëzim hynë në pjesën e dytë: Shfaqja mbaroi, blloqet që do e rrëzonin u mbyllën dhe për herë të parë që ndodhte nuk u bë as dhe diskutimi pas shfaqjes, pas “Ok” ishte dhënë që në pushim. U shkruan datat që në atë çast, doli dhe posteri se para nuk kishte dalë as me shkrimin “Së afërmi” dhe shfaqja u dha të nesërmen. Në fakt ishte me të vërtetë një shfaqje e suksesshme që u shfaq jo vetëm në Vlorë, por në shumë qytete të Shqipërisë dhe në Tiranë. Duke u kthyer në kohë, e pranoj se nuk e di ç’do ndodhte me mua po të ishte ndaluar, por di se suksesi i saj shënoi për mua dhe rrugën e vazhdimit tim në dramaturgji, kjo si kërkesën që tashmë teatri kishte karshi meje por dhe për vete zgjimin tek mua të asaj ëndrre të vegjëlisë dhe rinisë!

Kjo dramë u ngjit dhe në skenën e Teatrit Kombëtar?
Do doja të rikujtoja dhe një episod që lidhet po me këtë dramë. Shfaqej në Teatrin Kombëtar në Tiranë “Rruga Budi 723”, pas një turneu shumë të suksesshëm në disa qytete. Kisha shumë dëshirë të shkoja dhe unë. E para dramë e imja në Teatrin Kombëtar! I kërkova leje drejtorit tim të Postës, ku punoja. Në fillim ishte dakord, por kur kërkoi shkakun e lejes që doja, më tha: “Po me gjithë këto punë që kemi këtu ti do i lësh dhe të ikësh në Tiranë për një shfaqje teatri!” Kaq! Nuk shkova. Nuk e pashë pikërisht atë që kisha ëndërruar disa herë kur isha student! E thashë këtë jo për të evidentuar ndonjë gjë, por doja të thosha se nuk ishte e lehtë në atë kohë që të shkruhej, duke qenë në një pozicion pune që nuk lidhej me atë. Mbaj mend një herë që dhe në një analizë vjetore që u bë nga i deleguari nga Posta Qendrore mes sallës, ka thënë: Ku është ai inxhinieri që na bën drama e të na japë llogari për... dhe këtë jo rrallë ma përmendin dhe kolegë të tjerë nga Drejtoria e Përgjithshme e Postave. Por unë vazhdova në këtë rrugë, pa e lënë inxhinierinë dhe punën, kjo dhe falë insistimit tashmë të kolegëve të mi të rinj të teatrit. Dhe ishte po Nazmi Bunjaku që pas një kohe jo të gjatë, vuri në skenë komedinë time “Na u rrit çupa”. Dhe kështu hap pas hapi deri sot që flasim. Në këtë fazë dua të theksoj se një rol të veçantë, përveç Nazmiut, ka luajtur dhe ish-skenografi i talentuar i këtij teatri, Sabaudin Xhaferi. Ishte ai që shumë herë më vonë më nxiste për të shkruar dhe jo rrallë i krijonim bashkë dhe idetë, dhe projektet për skenën. Më vonë, me kalimin e viteve, duke iu kthyer dhe pasionit të vjetër të humorit, u lidha shumë edhe me parodistët e Vlorës, duke shkruar shumë pjesë edhe për ta, krahas dramës dhe komedisë që patjetër mbeti dashuria ime e parë!
Ferdinand Hysi

Si e shikoni krijimtarinë tuaj para dhe pas viteve ’90?
Më vjen mirë për këtë konstatim, se shpesh dhe unë në vetëdijen time i përgjigjem disa herë kësaj pyetjeje. Në fakt, unë kam shkruar dhe para viteve ’90-të, dhe kam disa shfaqje të vëna në skenë me Teatrin e Vlorës, disa skeçe të shkruara dhe nja dy komedi dhe Pallatin e Kulturës, por duhet thënë së nuk hyja në dramaturgët e njohur që ky qytet i ka pasur në atë periudhë, kjo dhe për faktin se pavarësisht që ato janë pritur mirë nga publiku dhe për mua ishin me sukses, duke mos kapur tema të mëdha të kohës, por ishin më shumë me karakter shoqëror, dhe jehona e tyre jashtë atij teatri ishte e pakët. Si pikë lidhjeje mes dy periudhave ka qenë një komedia ime “Sos në Hotel” (vitet ‘89-‘90) e çliruar dhe pak nga frymat e reja që po afronin. Ishte një nga komeditë që ka dhënë një numër të madh shfaqjesh. E filluar nga regjisori Kastriot Çollaku, por për shkak të largimit të tij jashtë shtetit, u detyrova unë e mora vetë regjinë dhe drejtimin e shfaqjes (atë periudhë kam punuar si libretist pranë Teatrit të Vlorës). Për mua kjo komedi ishte e para që u shkrua krejtësisht e lirë, pa menduar mesazhet apo idetë e mëdha që dikur analizoheshin në çdo hap, me një temë që më përpara nuk do guxoja ta shkruaja (ngatërrim çiftesh në një hotel, lidhje jashtëmartesore etj,) dhe pa frikën e provës së përgjithshme dhe atyre komisioneve që vinin një pas një me dilemën: do e lejonin apo jo shfaqjen. Ajo ishte vendosur që do shfaqej, kish dalë data, pavarësisht ndonjë kritikë në provën e përgjithshme. Dhe suksesi i saj ishte shumë i madh. Drejtori i teatrit në atë kohë ishte Albert Verria dhe ne së bashku për një kohë të gjatë kemi përjetuar atë kënaqësi të një shfaqjeje që biletat shiteshin të gjitha ditë me radhë. Kujtoj që pas disa vitesh, ne e rivumë përsëri në skenë, kësaj radhe me regjisor Roland Mingën dhe me titullin e parë që ajo kishte kur e kisha shkruar “La Piovra” (titulli ishte i vetmi gjë që në shfaqjen e parë nuk guxuam ta vinim, meqë ishte një titull në një gjuhë të huaj).
Pas kësaj, drama që shënoi për mua dhe ciklin e një sërë dramash që mund t’i quaj të periudhës pas viteve ’90-të ishte “Tri mendje në Ankand”. E filluar si ide e përbashkët me regjisorin Armando Bora, në fillim ajo u nis pa pretendime të mëdha, madje ishte menduar dhe të vihej në skenë me grupin e estradës, si një komedi farsë, por drejtori i asaj periudhe të teatrit Kristaq Skrami, insistoi ta vinim me trupën e teatrit (kishte dëshirën të luante dhe vetë në të) dhe me të, të paraqiteshim në Festivalin Kombëtar të Teatrove në Tiranë! Ishte viti 1994. Në festival shfaqja jonë u quajt surpriza e festivalit dhe mori tri çmime të tij, një ndër të cilit ishte dhe çmimi “Aleksandër Moisiu” i dramës më të mirë që m’u dha mua! Suksesi i saj mund të themi që deri diku ishte i paparashikuar për ne, por dhe për mua si autor, por e them me bindje që suksesi i saj shënoi për mua një hap të ri në fushën e dramaturgjisë. Kritika filloi të fliste më shumë, duke e vlerësuar dhe vetë dramën si një risi në një drejtim të absurdit apo të dramës satirë të simbolikës. Me këtë dramë në vitin 1995, teatri i Vlorës mori pjesë dhe në një prezantim të kulturës shqiptare në DI të Francës, ndërsa po atë vit drama mori çmim të dytë në një konkurs letrar të organizuar nga Komiteti për Ballkanin me qendër në Francë. Mund të them se pikërisht kjo dramë është vënë dhe disa herë në skenë nga trupa të ndryshme, si nga Elbasani, Teatri Metropolit Tiranë (ku me këtë prezantim kjo si shfaqje ka marrë gati 10 çmime në festivale të ndryshme, ndërsa unë si autor dy herë me çmim për dramën si tekst) dhe së fundi nga Shoqata “Mërgimtari” në Kroaci në gjuhën kroate. Pra shihet qartë se kjo dramë ka pasur dhe sukseset më shumë në rrugën time të dramaturgjisë.
Por në periudhën e pas viteve ‘90 dhe deri më tani, unë kam shkruar dhe vënë në skenë dhe shumë drama dhe komedi të tjera. Ndoshta njohja, ndoshta përgjegjësia ndaj të qenit autor në marrëdhënie të mira me disa teatro dhe regjisore mund të them se kam pasur fatin që shumë nga dramat e mia të shihnin rrugën e skenës, gjë që për atë që shkruan në fushën e dramaturgjisë është esenciale dhe ndoshta dhe një motiv më shumë për të qenë gjithmonë aktiv në këtë fushë.
Duke iu rikthyer dhe një herë pyetjes suaj, unë e them me bindje që pas viteve ‘90 krijimtaria ime ka qenë shumë më aktive se para, kjo si në sasinë e dramave të shkruara dhe të vëna në skenë, por dhe në vlerësimet që kam marrë për to. Njëkohësisht, megjithëse këtë më mirë e thotë kritika dhe jo unë, por unë të paktën në brendësinë time konstatoj se në këtë periudhë, i çliruar nga çdo paragjykim, kam tentuar të krijoj një stilin tim, duke qëndruar fort pas dramës satirë, me elementë të një absurdi dhe duke përdorur simbolikën si një armë të fortë në shkrimet e mia. Sa e kam arritur, kjo nuk është detyra ime ta them, por a ndjej që kjo është brenda meje, po, këtë e pohoj.

Cila nga pjesët tuaja ka pasur më shumë sukses?
Megjithëse duket që kësaj pyetjeje i jam përgjigjur pak më parë, përsëri është një pyetjeje e vështirë për një autor, së pari, si prindi për fëmijët, është e vështirë të veçojë një vepër nga të tjerat, por dhe është evident fakti që suksesi në këtë fushë është edhe relativ. Natyrisht, drama që është vlerësuar më shumë me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, (ka marrë mbi 14-të të tilla) është vënë dhe disa herë në skenë dhe akoma kam kërkesa për këtë, është “Tri mendje në ankand”. Madje kjo dramë në vitin 2012 në edicionin e 10-të të ETC (European Theatre Convertation) është shpallur ndër 120 autorët më të mirë në Europë (of dhe 120 best contemporary). Ndërsa po me këtë dramë, vënë në skenë nga Teatri Metropol i Tiranës, më 2015 u përfaqësua drama shqipe në një festival në Vjenë të Austrisë.
Por në krijimtarinë time të kësaj periudhe, kam marrë dhe vlerësime të tjera, siç është marrja për herë të dytë e çmimit “Aleksandër Moisiu” për dramën më të mirë shqipe me “Shpirti i Ujkut” në Festivalin Mbarëkombëtar të 2005, apo dhe me dramën “Një tablo absurde” në edicionin e 9-të të ETC, është shpallur drama dhe autori ndër 100 autorët më të mirë në Europë. Po kështu, janë marrë dhe disa çmime në konkurse letrare për dramaturgjinë (si tekste) si drama “Misteri i Trekëndëshit të Bermudave” më 2012, ka marrë çmim të Dytë në konkursin “Katarina Josipi” organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Teatri Kombëtar Kosovës. Komedia “Mjeshtri Cirkut”, çmim të Dytë në konkursin letrar të organizuar nga Ministria e Kulturës, më 1993 (vlen të theksohet se kjo vepër është rishkruar e përpunuar dhe është vënë në skenë në Teatrin Kombëtar në 2018, me titullin “Vdiq Mbreti, rroftë mbreti” me regji të Elma Doresit.) Drama “Kali i Karrocës, çmim të dytë, më 2004 Ministria Kulturës Tiranë më 2012 (më vonë kjo u vu dhe në skenë në Maqedoni në regjinë e Gëzim Kames në një bashkëpunim mes Teatrit Kombëtar Tiranë dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit).
Pra vlerësime ka pasur, dhe kritika ka shkruar, por doja të theksoja se shpesh suksesi i një vepre nuk matet vetëm nga çmimet por nga perceptimi dhe kënaqësia që të jep kur spektatori e ndjek atë dhe kur ai pa e njohur dhe pa e ditur që e ke paranë shpreh kënaqësinë e tij.

Ju ka rastisur ndonjë episod i tillë?
E them këtë se unë kam një zakon që shfaqjet e mia (kur kam qenë i pranishëm se ka dhe kur kam qenë jo afër) i ndjek gati në të gjitha shfaqjet. Ulem në një nga radhët e fundit, dhe aty prek afër atë që spektatori e thotë pa ndrojtje dhe ashtu si e mendon. Aty kam ndjekur gëzimin e dikujt që i ka pëlqyer shfaqja si dhe mendimin direkt të atij që ka dalë i zhgënjyer. Kështu p.sh, shfaqen e “Tri mendje në Ankand” vënë në skenë nga Teatri i Metropolit, me regji të Elma Doresit, e kam ndjekur në të gjitha shfaqjet e tij, i ulur mes spektatorëve dhe perceptimet kanë qenë nga më të ndryshmet. Po kështu, “Vdiq Mbreti, rroftë mbreti” në Teatrin Kombëtar, shkoja në çdo shfaqje deri ditën e fundit dhe natyrisht kam në kujtesën time çdo reagim të spektatorit. Si nuk mund të harroj që megjithëse në dy shfaqje, por dhe qenia afër publikut kroat në shfaqjen “Tri mendje në Ankand” në Zagreb edhe pse në një gjuhë të huaj me një publik që nuk e njihja, ishte një emocion i veçantë. Por për të evidentuar këtë lloj emocioni që të jep kënaqësia me praninë e spektatorit, doja të përmendja një episod dhe nga një kohë e largët. Kur shfaqej “Sos në hotel”, unë gati çdo ditë blija 10 bileta, dhe para shfaqjes rrija në hyrje të teatrit. Njerëz që kërkonin bileta dhe matrapazë që i shisnin me të shtrenjtë. Unë shikoja çifte të rinj të panjohur dhe i pyesja nëse doni një biletë. Ata të entuziazmuar i merrnin, më të habitur që dikush po ua jepte me çmimin real, pa e ditur se ai që po ua jepte ishte autori i pjesës. Sinqerisht kjo lodër e asaj kohe (isha dhe i ri atëherë) kur shikoj gëzimin e dikujt për një biletë, më ka mbetur në mendje gjithë kohën një boshllëk që tani ka kohë që nuk përsëritet më! Megjithatë, për të qenë i sinqertë, këtë “lodër”, edhe në disa momente të shfaqjeve të fundit e kam përsëritur me gëzimin që dikush ishte i kënaqur që një i panjohur po i afronte një mundësinë të hynte në teatër. Së fundi, doja të theksoja se, suksesi i një vepre dramaturgjike, ku ti je vetë autori i saj, ka emocionet e veta, sidomos në ditën e premierës.

E përjetoni më të njëjtin emocion çdo premierë?
E kam thënë edhe në intervista të tjera, megjithëse kanë kaluar shumë vite dhe me shumë drama të vëna në skenë, unë atë ditën e premierës jam një adoleshent si në shfaqjen e parë të jetës sime: kam shumë emocione, njëlloj si ata që luajnë. E përjetoj keq atë ditë. Zakonisht rri pranë regjisorit, në këmbë, ose i ulur vetëm në një cep, kurrë afër me njerëz që i njoh, dhe momenti i duartrokitjeve të para përbën për mua një gëzim dhe emocion shumë të veçantë! Por e them me bindje, se nuk është ky matësi i suksesit të një vepre. Nga eksperienca ime, dita e premierës është një festë, ku shumë të urojnë dhe për formalitet, një pjesë e madhe janë njerëzit e tu, apo miq dhe shokë, që të duan në çdo situatë. Unë suksesin e kam matur me atë prekjen nga afër të atij spektatorit, që i ulur pranë teje, pa ditur që ka autorin pranë shpreh atë që ka ndjerë aktualisht nga shfaqja. Dhe në këtë drejtim kam marrë shumë emocione, si kam marrë dhe zhgënjime, por në të dyja rastet kam qenë koshient se ai është vlerësimi real që ti merr si autor. Njëkohësisht doja të vlerësoja dhe një fakt. Ka vepra të tua që të kanë dhënë kënaqësinë dhe të spektatorit dhe të vlerësimeve reale të kritikës, si p.sh, “Rruga Budi 723”, “Tri mendje në Ankand”, “Shpirti i ujkut”, “Para semaforit”, “Vdiq mbreti, rroftë mbreti”, por ka dhe vepra si p.sh, “Sos në hotel” që ka pasur numrin rekord të spektatorëve, por për mua nuk është drama më e mirë që kam shkruar, apo ka të tjera që për arsye të ndryshme, kanë shfaqje shumë të mira, vënë mirë në skenë (këto nga vlerësime të kritikës dhe perceptimeve jo formale) por që nuk kanë pasur atë jehonë që pritej si p.sh, “Një tablo absurde”, “Testamenti” Berta e të tjerë” etj, apo të tjera si “Kali i karrocës”, “Natë misterioze”, që në mendimin tim por dhe të atyre vlerësimeve që janë bërë, kanë shfaqje shumë të mira, por e kanë parë skenën vetëm disa ditë, thjesht për arsye jo objektive. Por për ta mbyllur në këtë pikë e vlerësoj se jeta më ka dhënë më shumë sodisfaksione se sa zhgënjime gjatë gjithë karrierës sime si dramaturg dhe unë të gjitha veprat e mia i quaj sukses, se nuk është e lehtë vënia në skenë e një drame, pasi pas saj është një punë e madhe e një grupi shumë të madh njerëzish, të cilët kanë punuar me veprën tënde, me dëshirën, pasionin dhe mbi të gjitha me talentin e tyre. Dhe kjo nuk është pak për një dramaturg.

Si do t’i vlerësonit sot prurjet në dramën shqipe?
Është një pyetje që bëhet shpesh dhe që shpreh me të drejtë shqetësimin e madh për dramën shqipe dhe ecurinë e saj! Ka vite që flitet për këtë, shpeshherë me nota të forta kritike, por pikat mbi “I” nuk po vihen. Për t’ju përgjigjur direkt pyetjes suaj unë po pohoj atë që e kam thënë shumë herë të tjera. Prurje ka, të paktën në sasi kjo është evidente. Në leximin e fundit të dramës shqipe që organizonte Teatri Kombëtar, me sa më kujtohet u paraqitën gati 40 drama për lexim. Po kështu, në thirrje apo konkurse të tjera. I fundit i bërë nga Ministria e Kulturës ishte në 2012 me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe më kujtohet mirë që ishin mbi 40 autorë që morën pjesë. Pra sasi ka! Do thoni që nuk kemi cilësinë e tyre! Ky është një problem i madh që nuk i jepet dot një përgjigje vetëm nëpërmjet një interviste. Por unë insistoj se, problemi me dramën shqipe, me dilemën e madhe që shumëkush e trumbeton fort: kemi apo nuk kemi dramë shqipe, është një problem që nuk duhet të varet nga opinionet apo dëshirat e dikujt, qoftë ky dhe njohës i teatrit apo kritikës së tij, është një problem që duhet zgjidhur: Pra është domosdoshmëri. Pra, para se ta mohojmë atë me të thënin pa përgjegjësi: Nuk kemi drame shqipe, duhet ta pohojmë atë me thirrjen: Drama shqipe duhet të jetë një institucion për teatrin tonë. Ajo duhet të jetë në qendër të çdo politike kulturore! E them këtë jo se unë shkruaj dhe mbroj atë që shkruaj, por nuk mund të perceptohet një teatër pa dramën e tij kombëtare. Për këtë, të gjithë e dinë si bëhet, nuk është se duhet të japë unë mend tani, por kjo lidhet me shumë faktorë, të cilat unë mendoj se duhet më shumë se kush t’i marrë në dorë Ministria përkatëse e Kulturës. Është e kotë të përsëris gjëra që të gjithë e dinë, si mungesa e konkurseve, festivaleve, thirrjeve për dramaturgji, nxitja e të rinjve me forma të ndryshme, vënia e teatrove që varen nga bashkitë në disa detyrime ndaj dramës shqipe dhe deri te nxitja edhe me forma shpërblimi për regjisorë që nxisin dramën shqipe. E di që nuk po them ndonjë gjë të re, por sinqerisht jam i shqetësuar se në këtë drejtim vetëm flitet, pohohet një gjë, kritikohet, bëhen tentativa, por përsëri ky problem mbetet i hapur. Dua ta mbyll me një fakt. Kur ishim në Vjenë me dramën “Tri mendje në ankand”, drejtorja e Teatri që na kishte ftuar, me një respekt të veçantë për autorin e dramës, m’u shpreh, “ne duam ta njohim teatrin shqiptar nëpërmjet dramës së tij, sepse kështu na prezantohet më mirë në aspektin më të plotë!” Pra, evidentimi dhe marrja e masave për ta zhvilluar më tej dramën shqipe nuk është thjesht një dëshirë e disa individëve, qofshin këta dhe me dëshirën dhe predispozitën më të mirë për dramën shqipe, por është detyrë e institucioneve që problemi me dramën shqipe të jetë i programuar dhe me synime konkrete.

Rrallë herë ka qëlluar që një dramë e shkruar nga një shkrimtar shqiptar të jetë vënë në një skenë jashtë Shqipërisë. Por komedia e zezë “Lopata e artë” është realizuar nga një trupë kroate, e cila ka performuar edhe në Tiranë e Vlorë. Si u arrit marrëveshja?
Në të vërtetë “Lopata e artë” ishte bashkëpunimi i dytë me Shoqatën Mërgimtari në Kroaci, që erdhi pas vënies së “Tri mendje në ankand” në gjuhën kroate në 2018 e cila u shfaq në Zagreb dhe në disa qytete të Kroacisë. Bashkëpunimi i parë erdhi si rezultat i rekomandimit të kësaj drame nga regjisori Armando Bora, i cili ishte prezent në Kroaci me dramën e tij “Ata hyjnë pa trokitur”. Dua të theksoj se, njohja ime me veprimtarinë e kësaj shoqate teatrore në Kroaci ishte me të vërtetë një befasi. Jo vetëm për punën konkrete me veprën time “Tri mendje në ankand”, që ishte me të vërtetë një punë serioze me shumë pasion dhe dashuri, në radhë të parë e regjisorit dhe aktorit kryesor të saj Leonard Hamitaj, por edhe e dhe gjithë ekipit realizues, që edhe pse nuk ishin aktorë profesionistë, mënyra si punonin, dashuria për atë që bënin, i kalonte çdo përfytyrim të rreme që mund të krijohet kur mendon se ke të bësh me jo profesionistë! Por ajo që duhet të theksoj është fakti se kjo shoqatë teatrore kishte vite që punonte në dy drejtime të rëndësishme si në evidentimin në gjuhën shqipe atje në Kroaci të teatrit, duke aktivizuar dhe stimuluar shumë të rinj e të reja në dashurinë për teatrin, por dhe ajo që ishte më e rëndësishmja në njohjen dhe evidentimin e dramës shqipe edhe jashtë kufijve të shtetit të vet! Njëkohësisht e them me përgjegjësi të plotë se për aq sa i njoha dhe i pashë direkt në punën e tyre atje në Zagreb, mënyra si punonin, vlerësimi i çdo elementi të punës me një vepër teatrore, ishte me shumë profesionalitet dhe shpesh me norma dhe përgjegjësi që ndoshta në disa raste nuk i hasim dhe në trupa profesioniste këtu tek ne. Pikërisht gjatë qëndrimit tim në Zagreb lindi dhe ideja për t’u vënë në skenë “Lopata e artë”. Kjo ide lindi nga dëshira e përbashkët e imja dhe Leonardit! Dëshira e tij për t’u marrë me një monodramë dhe ideja ime që duke e njohur si aktor shumë ekspresiv, një monodramë do ishte një punë serioze për të, ishte dhe pika ku ne ramë dakord për bashkëpunimin tonë të dytë! Dëshira e tij ishte që ta përgatiste në fillim në shqip dhe premierën ta jepte në Shqipëri! Dhe kështu u bë: Premiera u dha në Vlorë, si dhe qyteti im i dramaturgjisë, dhe u mbyll në Fier, qyteti ku Leonardi lindi dhe u rrit si aktor, duke dhënë dhe shfaqje të tjera në Durrës dhe dy në Tiranë. Po kështu është dhënë një shfaqje në gjuhën shqipe në Zagreb dhe së shpejti është duke u punuar për ta shfaqur në gjuhën kroate në Kroaci dhe me dëshirën e mëvonshme për t’u paraqitur në ndonjë festival të teatrove në rajon.

Çfarë keni në dorë aktualisht?
Në fakt jam duke punuar në dy drejtime. Së pari, 2-3 nga dramat e mia të repertorit, të cilat edhe pse janë vënë në skenë, por për arsye të ndryshme unë i rishikoj si vepra të mia për t’u rivënë përsëri. Këtu cilësoj: Kam rishkruar nga e para dramën “Para semaforit” (e cila ka pasur suksese në vënien e parë me Vlorën, me regjisorët Arben Tartari dhe Astrit Mamaj), por e kam prurë në kohë, duke ndryshuar thelbin e ngjarjes dhe këndvështrimin e dy personazheve, duke e prurë si një vepër time të re me titullin “Vdekja e Trurit”. Mund të them paraprakisht se ka ngjallur interesimin e 2-3 regjisorëve duke shpresuar të shoh dritën e skenës së shpejti. Po kështu, në këtë linjë është dhe drama “Kali i karrocës”, e cila është shfaqur si premierë në Maqedoni, por për mua ngelet një dramë e paezauruar, pasi për arsye objektive dha vetëm 4 shfaqe, 2 në Shkup dhe 2 në Tiranë. Ndër dramat që unë i propozoj për vënie në skenë duke argumentuar dhe përse janë:
“Misteri i Trekëndëshit të Bermudave”, fituese e çmimit të dytë në Konkursin e Dramës Shqipe Katarina Josipi në Kosovë, e cila u vu në skenë nga regjisori Ben Apolloni në Durrës me titullin “Natë misterioze”, që megjithëse ishte një punë serioze dhe shumë e mirë e regjisë, unë përsëri kam mbetur pak i zhgënjyer nga mënyra si u administrua si shfaqje, dhe e shoh si një dramë që për mua mbetet përsëri në repertorin tim për t’u vënë në skenë. Po kështu me këtë këndvështrim shoh dhe dy drama të mia të tjera “Aziloidi” dhe “Një tablo absurde”, ndërsa një monodramën time “Qeni, bir i një qeni” e konsideroj krejtësisht të re, pasi një fragment i saj është shfaqur si një pjesë e një aktiviteti të zhvilluar në Tiranë.
Së dyti, jam duke shkruar dhe pjesë të reja. Jam gati në përfundim të një komedie me titullin “Llampa e Aladinit”, ku aktin e fundit nuk e kam përfunduar, duke e lënë të hapur që nëse një regjisor është i gatshëm të punojë me të, pjesën e fundit ta ndërtojmë së bashku në njërin nga 2-3 variantet që unë kam parashkruar. Mund të quhet një eksperiment ky, por unë kisha dëshirë ta shikoja në këtë mënyrë: natyrisht nëse nuk arrihet ky bashkëpunim, unë natyrisht do ta përfundoj me njërin nga variantet që unë shoh. (Le të merret kjo dhe një propozim për çdo regjisor).
Jam duke shkruar një dramë të karakterit psikologjik me tre personazhe, me titullin “Përtej murit” e cila është në përfundim e sipër. Njëkohësisht në planet e mia janë dhe dy drama satirë (apo komedi) të cilat janë të ndërtuara pak a shumë në imagjinatën time, por që ia lëmë kohës dhe mundësive nëse do arrihen të shkruhen. Jemi në një botë të gjallë kur shpesh parashikimet edhe mund të mos realizohen!
Së fundi doja të thosha se kam një dëshirë të bëj një botim të një libri me disa nga dramat e mia më të mira të vëna në skenë gjatë viteve të ndryshme, gjë e cila është në projekt, por nuk e di se kur mund të realizohet!


Wednesday, October 2, 2019

Ironia e fatit, kur të harrojnë për së gjalli e të nderojnë pas vdekjes


Impresione/ Ca fjalë për monodramën “Lopata e Artë” të dramaturgut Ferdinand Hysi
Foto nga monodrama "Lopata e Artë"


Nga Leonard Veizi


A e meriton një njeri i cili ka punuar të paktën 40 vjet, një çmim mirënjohjeje për kontributin që i ka dhënë shoqërisë? Me siguri që po. Një gjë të tillë nuk e mohon dot kush, sepse çdonjëri prej nesh, që ka punuar e paguar taksat, e meriton një dekoratë mirënjohjeje, edhe në qoftë se ka bërë punë të thjeshta e pa shumë mend, qoftë dhe kur firma i ka rënduar si burrë shteti për fatet e kombit.
Po një varrmihësi, që ka mbuluar disa mijëra bashkëqytetarë të tij në varrezat publike të qytetit, por që në fund fare nuk mban mend në varrin e vet e ka hapur me duart e tij apo ia kanë hapur atë të ndërmarrjes funerale? Ama pyetje. Padyshim punë është dhe kjo. Madje shumë e nderuar.
Por kur këtyre personazheve, u jepet çmimi i mirënjohjes pasi ata kanë vdekur? Se në të gjallë të tyre shiheshin me përbuzje?
Bela e madhe me këto pyetje. Si the more??? Pas vdekjes??? Ah… po, kjo me siguri nuk ka vlerë fare, edhe pse më skeptikët do duan të thonë se një çështje e tillë mund të hajë debat.
Mirëpo në një monodramë, që dramaturgu Ferdinand Hysi e ka shkruar për spektatorë të të gjitha kalibrave, thuhet se pikërisht varrmihësit të qytetit, ditën e tij të vdekjes iu dha çmimi i mirënjohjes në formën e një Lopate Ari. Dhe letrën me motivacion si dhe vetë lopatën e jashtëzakonshme, ia dorëzoi qytetari numër një i kazasë, apo siç thuhet në ditët e sotme; vetë Kryetari i Bashkisë. Nder i madh, jo për gjë.
Ç’është e vërteta lopata dukej e artë. Domethënë e gjitha në ar puro, apo thjeshtë e larë në ar. Këtë detaj autori ka harruar të ta përmendi, por duke ditur si venë gjërat në Shqipëri, mund të hamendësojmë se ajo mund të ishe e lyer dhe me varak. Fundja për një të vdekur ishte. Se, kush është ai kryetar bashkie që varros dy metra thellë një alamet lopate me vlerë të konsiderueshme?! Edhe faraonit më jetëgjatë, me siguri stoli kallpe i kanë futur në sarkofag. E jo më këtij varrmihësit tonë.
Por të kthehemi tek tema dhe mesazhi i saj.
Leonard Veizi dhe Leonard Hamitaj
Me gjithë këtë nder që i bënë, - e që me siguri nuk i bëhet kujtdo, - varrmihësi duhej ta mbyllte gojën e të mos ankohej më. Se boll ishte qarë për dhimbje mesi, kockash e kyçesh. Tani mund të flinte i qetë, bashkë me lopatën e tij, sepse në fund të fundit të gjitha nderet i ishin bërë. Madje ca më shumë, sepse e kishin varrosur me një alamet kostumi që s’e kishte pasur kurrë në jetë dhe për më tepër me këpucë lëkure që as i kishte ëndërruar sa qe gjallë. E si për t’i vënë vulën gjithçkaje, apo siç thuhet në këto raste “qershia përmbi tortë”, rreth qafës i kishin vendosur një papion, gjë që ngjalli xhelozinë e të vdekurve të tjerë, sepse në parcelën e njerëzve dosido na ishte varrosur një VIP.
Ja kësaj i them ceremoni model unë. Se vërtet varrëmihësi në jetën e tij kishte pasur vetëm pantallona të shqyera e pa xhepa, por në botën tjetër shkoi si gjithë të tjerët: i larë, i kollarisur e me ca xhel mbi flokë, sipas modës së fundit.
Mirëpo ja, ndodh e kundërta. Drama mori kthesë. Dhe këtu autori i veprës na habiti ca. Se na kishte bërë për personazh të parë një varrmihës grindavec. Ai jo vetëm që filloi të ankohej sa s’ka më, por e refuzon lopatën të cilën ia kishin varur në qafë. “Me të drejtë”, tha një spektator në plate. Ndoshta me të drejtë. Se edhe po të donte ta shiste te dyqani i sendeve të çmuara, sërish paratë që do fitonte nuk do ta gëzonin. Për më tepër që, ai ishte jetim e pa familje, dhe nuk kishte as të afërm të tjerë që ta gëzonin këtë nder të madh që u bëri Kryetari i Bashkisë. Shkurt: gjithë ai mund kot.
Po le ta ndërpresim pak këtë narracion mbi tekstin dhe le ta shohim dramën nga një aspekt tjetër:

Me një humor fin, me pak sarkazëm e ironi, ca kripë e piper dhe një vijë filozofike mendimi që të shoqëronte gjatë gjithë kohës, spektatori kryeqytetas ndoqi në Sallën e Teatrit Eksperimental pranë ArtTurbina, monodramën e shkruar nga dramaturgu i mirënjohur Ferdinand Hysi: “Lopata e Artë”. Shfaqja në fjalë ishte vënë në skenë dhe interpretuar nga Leonard Hamitaj, një bashkëpunim që erdhi në kryeqytetin shqiptar falë një shoqatë teatrore të kryeqytetit të Kroacisë, “Mërgimtari” i Zagrebit, nga të paktat, - në mos e vetmja, - që po përkrahur fort dramën shqipe. Një natë më parë, e njëjta monodramë ishte ngjitur në skenën e teatrit Petro Marko, në Vlorë, por këtë herë si premierë. Me një lojë mjeshtërore të aktorit Leonard Hamitaj, regjisori, - i cili është po ai vetë, - kishte preferuar që jo si në monodramat klasike, në skenë të bashkëvepronin dhe dy personazhe të tjerë, një femër dhe një mashkull, të cilët duhet u futur herë pas herë në rol e pantonimë, e ç’tensionuan spektatorin, duke bërë në këtë mënyrë dhe mbajtjen gjallë të ritmit, sepse ç’është e vërteta tek monodramat në përgjithësi risku i humbjes së ritmit është i lartë. Dhe kaq sa i përket skenës, sepse dua të rikthehem edhe një herë tek monodrama, që duhet të them se më impresionoi.
Por cili ishte morali i fabulës në më shumë se një orë vepër skenike? Se nuk ka vepër artistike pa një moral, apo jo?
Me siguri autori donte të thoshte se varrmihësit të shkretë do të ishte më mirë t’i kishin rritur ca rrogën për shkallën e vështirësisë së punës, dhe aty nga fundviti t’i jepnin gjithmonë ndonjë shpërblim, sepse me siguri do të ndihej shumë më i vlerësuar se sa me kostumin “alla frënga”, këpucët me shollë, papionin rreth qafës dhe Lopatën prej Ari, një arsenal i tërë luksi me të cilët e kishin futur në gropë, apo në “banesën e fundit” siç thuhet në mënyrë të kulturuar. E meqenëse nuk ishte mësuar me salltanet e të tilla, i gjori varrmihës, pak nga pak i hoqi të gjitha, papionin, xhaketën, këmishën, dhe së fundi pantallonat, duke bërë një skenë striptizmi, por këtë herë jo nën tingujt e “You can leave your hat on” të Joe Cocker-it.
Dhe në fund, kur shumica e spektatorëve mendoi se shkalla e striptizmit do t’ia kalonte dhe skenës së Kim Basinger, aktori Leonard Hamitaj nën lëkurën e varrmihësit e mbajti dorën: “Brekët jo, ato nuk i heq, - tha në fund, - sepse nuk do kuptohet më se çfarë ndryshimi ka mes një njeriu dhe një qeni që nuk ka mbajtur kurrë brekë”. Dhe kjo është të vendosësh pikën mbi “i”, sepse në fund të fundit ka të bëjë me dinjitetin.
E ja, kjo ishte fabula e kësaj radhe të shkruar nga Ferdinand Hysi, autori i më shumë se 40 dramave, një pjesë e madhe e të cilave janë vendosur në skenat e Vlorës, që është dhe dashuria e tij e parë, por dhe të Tiranës e Durrësit. Ndërkohë që vitet e fundit drama e shkruar prej tij e ka kapërcyer kufirin shtetëror për të mbërritur për herë të dytë deri në Zagrebin e Kroacisë.

botuar në:
http://revistapsikologji.com/nga-leonard-veizi-ironia-e-fatit-kur-te-harrojne-per-se-gjalli-e-te-nderojne-pas-vdekjes/?fbclid=IwAR3GDmZUyFhWHs0dFQuAXMPMhdQc-re_XcMWsiy50SvucNFgEDMvurt0uyM
https://americaneye.al/ironia-e-fatit-kur-te-harrojne-per-se-gjalli-e-te-nderojne-pas-vdekjes/

Friday, December 21, 2018

Romani “Rrënimi“ i Leonard Veizit, një pasqyrë e trishtë e një realiteti të hidhur

Gjithë proza e gjatë e Leonard Veizit karakterizohet nga disa elementë që janë evidente në të gjithë krijimtarinë e tij, por unë, me pak fjalë, do t’i përmbledh ato në një analizë më të detajuar të romanit të fundit “Rrënimi”, si për vetë faktin që ky roman është në vazhdim të gjithë romaneve të para të tij, si në stilin, formën, mënyrën e veçantë të ndërthurjeve të ngjarjeve, dialogëve dhe vizatimit të detajuar të personazheve, por në mendimin tim, ky roman vjen më i arrirë, si në formën e tij, si në mënyrën e transmetimit të saj nëpërmjet penës së një autori, që e njeh mirë mjeshtërinë e vet, por ajo që e bën më të rëndësishme këtë gjykim, është tematika shumë e fortë, tepër aktuale dhe me nota të një radiografie të hollësishme që autori i bën zhvillimeve të mprehta me karakter politik dhe shoqëror të realitetit që po jetojmë, mision ky i vështirë, që jo gjithmonë kapet nga kushdo që rrok penën e vet për të shkruar, si në gjininë e romanit, por dhe të prozës në përgjithësi e pse jo dhe të poezisë dhe dramaturgjisë.





Romani “Rrënimi“ i Leonard Veizi, një pasqyrë e trishtë e një realiteti të hidhur 


shkruar nga Ferdinand HYSI*

Leonard Veizi dhe Ferdinand Hysi
Që në hyrje të këtij shkrimi doja të saktësoja një gjë: Leonard Veizin, autorin e romanit, për të cilin mora përsipër të shkruaj këto rreshta, e kam shumë mik. Rastësia e të qenit në të njëjtën punë, e lidhur kjo me përputhjen e interesave të përbashkëta, ai në prozë e unë në dramaturgji, edhe pse për një kohë të shkurtër, u kthye në një miqësi të fortë dhe të sinqertë. Por qëllimi i këtij shkrimi nuk ka fare të bëjë me miqësinë mes nesh! Përkundrazi jam i parimit që të shkruarit thjesht për miqësi, apo dhe për armiqësi, asnjëherë nuk është një vlerë, si për letërsinë dhe artin në përgjithësi, por dhe në veçanti, dhe një gjë e tillë vetëm se i bën keq autorit për të cilin shkruhet. Këtë parim e kam te shenjtë dhe për veten time! Më ka ndodhur që miq të mi edhe pse autorë të shumë shkrimeve të ndryshme kritike, nuk kanë shkruar për ndonjë vepër timen dhe i kam kuptuar dhe i kam shumë miq dhe tani, ashtu si dhe një zonjë të cilën nuk e njihja fare, pasi në një diskutim të hapur foli jo mirë për një dramën time, pas kësaj e takova dhe u bëmë miq, pa i kërkuar të ndryshonte mendim. Ashtu si falënderoj dhe shumë studiues e kritikë që kanë shkruar për veprën time, ku me disa prej tyre nuk jemi njohur fare në momentin e analizave. E parashtrova të gjithë këtë për të thënë se ky shkrim, është nisur nga emocionet e mia personale për një vepër që për mendimin tim, është me të vërtetë një nga prozat më të arrira në fushën e romanit shqip.
Romani “Rrënimi” nuk është i pari roman që lexoja nga i njëjti autor. Duhet ta pranoj, se tërheqja ime drejt letërsisë së Leonardit, ishte e rastësishme. I larguar për shumë vite nga Shqipëria, duke lexuar më shumë në italisht, leximin e prozës shqipe e kisha të rrallë dhe deri diku me zgjedhje të qëllimshme. Për korrektesë të njohjes me Leonardin i kërkova vetë të lexoja ndonjë nga librat e tij. Por e pranoj, që në leximin e parë, romani “I çmenduri i pavionit 3”, ngela rob i rrjetës të një libri, të atij lloji për të cilin thuhet: “Po e fillove nuk e lë dot pa përfunduar”! Ishte kjo ndjesia e parë. E lexova me një frymë dhe me kënaqësinë që ndjen, kur sapo mbaron së lexuari një libër, pa u futur në analiza të thella, kupton se ai të ka pëlqyer dhe të ka bërë për vete në tërësinë e tij. Dhe kështu kërkova të lexoja libra të tjerë që ai i kishte botuar. Dhe kështu mora në dorë njëri pas tjetrit: “Surpriza e natës së fundit“, “Orgji në famullinë e at Ludovikut”, “Rrëfimi”, “Lora” dhe së fundi romani i botuar këtë vit “Rrënimi”.
Kuptova një të vërtetë! Rastësia nuk më kish bërë të njihja vetëm një mik të mirë si Nardi, i qeshur dhe dashamirës me këdo duke falur vetëm miqësi, por po njihja një mjeshtër të romanit triller, të atij romani që sot në botë ka shumë autorë të njohur me mijëra e miliona kopje të shitura dhe të kërkuara me shumicë në tregun e leximit. Unë nuk jam kritik letrar, as ndonjë që ka bërë studime në këtë fushë, ndaj të më falë dikush nëse gaboj në terma profesionalë, por unë flas si lexues, që falë këtij leximi, kam zhvilluar dhe intuitën time në fushën e dramaturgjisë. Dhe në këtë këndvështrim, në mendimin tim personal, ndjej se romani i Leonard Veizit sjell në prozën e gjatë shqiptare një realitet, ku kritika letrare duhet ta thotë fjalën e saj, sepse jam i bindur që nëse më mirë do të punohet në drejtim të njohjes dhe propagandimit të tij (sepse modestia e vet autorit nuk ndihmon në këtë gjë, e cila me sa e kam njohur është shumë e theksuar), lexuesi do ta lexojë atë me shumë dëshirë, jo vetëm për faktin se stili e bën të thithet në lexim, por dhe për tematikën e tyre, të fortë dhe aktuale.
Gjithë proza e gjatë e Leonard Veizit karakterizohet nga disa elementë që janë evidente në të gjithë krijimtarinë e tij, por unë, me pak fjalë, do t’i përmbledh ato në një analizë më të detajuar të romanit të fundit “Rrënimi”, si për vetë faktin që ky roman është në vazhdim të gjithë romaneve të para të tij, si në stilin, formën, mënyrën e veçantë të ndërthurjeve të ngjarjeve, dialogëve dhe vizatimit të detajuar të personazheve, por në mendimin tim, ky roman vjen më i arrirë, si në formën e tij, si në mënyrën e transmetimit të saj nëpërmjet penës së një autori, që e njeh mirë mjeshtërinë e vet, por ajo që e bën më të rëndësishme këtë gjykim, është tematika shumë e fortë, tepër aktuale dhe me nota të një radiografie të hollësishme që autori i bën zhvillimeve të mprehta me karakter politik dhe shoqëror të realitetit që po jetojmë, mision ky i vështirë, që jo gjithmonë kapet nga kushdo që rrok penën e vet për të shkruar, si në gjininë e romanit, por dhe të prozës në përgjithësi e pse jo dhe të poezisë dhe dramaturgjisë. Në këtë këndvështrim, unë mendoj se autori Leonard Veizi, me këtë roman (pa përjashtuar dhe të tjerët më parë) misionin e vet e ka arrirë!
Romani, jo pa qëllim, hapet me një porosi për vrasjen e një personi dhe mbyllet me vrasjen e një tjetri, ku pavarësisht ndryshimit të objektit të vrasjes, thelbi është i njëjtë, duke qenë si kllapa hapëse dhe mbyllëse të një fjalie të gjatë, ku në përbërje të saj është vetë titulli i librit “rrënimi“. Dhe ky rrënim, nuk është thjesht fati i një apo disa personazheve në libër, që bien nga fronet e tyre të ndërtuara mbi padrejtësinë, krimin, vjedhjen, se sa është rrënimi i plotë i një shoqërie që e kapur keq, si një rrjetë merimange, nga ndërthurja e krimit në disa fusha të jetës shkon drejt degradimit moral.
Në këtë rrjet merimange, ku ne shohim të kapur insekte të ndryshme, por nuk e shohim merimangën, jepet qartë dhe pa ekuivoke ideja se krimi i organizuar dhe viktimat që shohim herë pas here, janë pjesë e spastrimeve që herë pas here krimi i organizuar i nxjerr si jashtëqitje nga trupi i vet, por koka dhe truri i këtij trupi mbeten të paprekura, duke e bërë konceptin rrënimi, jo si një fjalë e një ngjarje të shkuar, por si kambanë alarmi dhe për të ardhmen. Kjo e vërtetë e hidhur jepet realisht sidomos në fundin e romanit (që për mua është gjetja më simbolike e këtij romani), kur në fund vritet me porosi, pikërisht “më i pafajshmi i kësaj historie”, gazetari Nik Morina, por ama “më i fajshmi” për kokën e krimit të organizuar, pasi ishte ai që denoncoi gjithë rrjetën e merimangës. E trishtë dhe shumë e hidhur, ndërsa mbaron së lexuari romanin, ndjen se ndërsa disa insekte të kapura në rrjetën e merimangës bien, rrjeta ekziston dhe merimanga është diku lart e paprekur e gatshme të vrasë të tjerë denoncues të saj! 
Në morinë e personazheve, personazhi kryesor i romanit, Martini, një arkitekt i talentuar, por shumë ambicioz, është vizatuar me detaje dhe me logjikën që fat i tij, pavarësisht talentit, do të shkonte natyrshëm drejt rrënimit të vet. Janë pikërisht këto lloj tipash, që për vetë karakterin e tyre kapen dhe thithen nga rrjetat e krimit dhe që hap pas hapi, diku me ndërgjegje diku si pa kuptuar shkojnë thellë e me thellë në vetfundosjen e tyre. Por fuqia e të vërtetave që ky roman demaskon, është fakti, se arkitekti është një pjesë e këtij Rrënimi të madh, ashtu si janë dhe të tjerë të cilët autori i ka dhënë në detajet e veta dhe jo pa qëllim me gjithë kompleksitetin e tyre. Koloneli Ernest Arbana, heroi i luftës së Kosovës, në pamje të parë, personifikimi i njeriut të ndershëm që gjithë jetën e tij ia ka kushtuar ushtrisë, por duke pasur shpesh motiv të jetës së vet termin “mbijetesa” dhe duke u shprehur herë pas here “Me sa vështirësi përballemi në jetë” bie dhe ai pre rrjetës së merimangës, duke qenë një nga pikat kyçe të gjithë atij organizimi kriminal. (Ndërsa lexoja për një çast mendova: Këtu e ka prishur Nardi, si ka mundësi një kolonel i ndershëm në detyrë të dy fëmijët i ka me shkollë jashtë shtetit, por kur lexon në vijim, dhe kësaj dileme i jep përgjigjen që i ka dhënë vetë autori).
Në fakt, mjeshtëria e Leonardit si romancier, në formë, është pikërisht në ndërtimin e shumë linjave, të cilat lidhen me njëra-tjetrën në vijim dhe asnjëherë nuk të lë në dilemat paraprake që mund të të lindin gjatë leximit. Ngjarjet vijnë në pamje të parë si të ngatërruara, pa sensin e kohës, diku në retrospektivë, diku në të njëjtën kohë, por në vende të ndryshme, por qartësisht ato e bëjnë romanin intrigues, të qartë, pa dilemat fillestare, por gjithmonë me dëshirën për të mos ta lënë përgjysmë deri në përfundimin e tij. Ndërsa nga ana e përmbajtjes, edhe pse në roman hasemi me shumë vendngjarje të ndryshme, personazhe që në pamje të parë njihen apo nuk njihen mirë, faqe pas faqe shohim një lidhje të drejtpërdrejtë të tyre, ku fijet e rrjetës së merimangës, të shtrira në sektorë të ndryshëm, janë të lidhura fort me njëra-tjetrën në funksion të krimit që i mban të lidhur këto fije.
Një hotel abuziv diku buzë detit, edhe pse në jo në pronë të vet, i kthyer në depo armësh, me armë ligjërisht të nxjerra jashtë përdorimit, por disa të shitura jo legalisht jashtë shtetit, disa të tjera të demontuara nga ndërmarrje fantazmë, të gjitha në funksion të larjeve të parave të pista, bën bashkë pjesë të strukturave shtetërore, si qarqe të larta të ushtrisë, Banka të ndryshme, Studio projektimi dhe Ndërmarrje ndërtimi, investitorë me para që nuk dihet ku e kanë burimin organe që duhet të kontrollojnë, por të shurdhër dhe të verbër bëhen pjesë e kësaj rrjete merimange!
Kështu, në roman, ndërsa ndjekim Gregun në kërkim të viktimës së radhës, Martinin në udhëtimin e tij drejt vrasësit që e priste, Nik Morinën në kërkimet të të vërtetave, Admir Trinën, specialistin e bankës në manovrimet e tij, Kolonel Ernest Arbanën me firmat në emër të ligjit, për të afirmuar antiligjin, ndeshim dhe kapiten Arianin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, që edhe pse i ndërgjegjshëm për sa di, preferon më shumë të flasë për ca të vërteta me gazetarin se sa të çojë deri në fund detyrën e tij, duke ruajtur statuskuone e një mosfojle për hir të prekjes së interesave të instancave më të larta. I gjithë ky ingranazh korrupsioni, që lëviz si një makineri e mirë drejtuar, me fije të padukshme, por që autori lë të kuptojë se shkojnë lart, shumë lart, me zgjidhjen që ai i jep fundit të romanit, kupton se ndodhesh para një pasqyre të trishtë, që pasqyron imazhet e një realiteti të hidhur. Rrënimi personal i disa personazheve nuk është asnjë gjë para rrënimit total të një shoqërie, ku padrejtësia, krimi, korrupsioni bëhen fjalë e zakonshme e ditës, ku vritet e vërteta (jo vetëm moralisht, por dhe fizikisht me vrasjen e Nik Morinës) dhe morali i vlerave vihet në diskutim me atë të antivlerave.
Së fundi, thjesht si lexues i prozës së gjatë, unë do ua rekomandoja gjithë lexuesve dhe dashamirësve të romanit si gjini, se në krijimtarinë e Leonard Veizit do të gjejnë me siguri pritshmërinë e asaj që janë duke kërkuar!
Problemi është sa ta filloni se pastaj ai vetë nuk ju lë pa e përfunduar. Këtë e kam provuar vetë disa herë.

*Ferdinand Hysi – dramaturg



Sunday, January 14, 2018

Punonjësit e administratës dhe gaztorët e një mbreti të vdekur

-Pas premierës së shfaqjes “Vdiq mbreti, rroftë mbreti” shkruar nga Ferdinand Hysi-

nga Leonard Veizi

Një shoqëri, jo rrallë bie në krizë. Ndërsa mundësia që vetë kriza të shoqërohet dhe më një luftë frontale apo demonstrim armësh nukleare, është ulur në kufijtë më minimalë të saj. Shoqëria shqiptare padyshim nuk mund të bëjë përjashtim nga ky tërmet global, në mos po vetë kriza është shtruar këmbëkryq mbi territorin shtetëror të saj e nuk ka ndër mend të ngrihet. Ndërsa institucionet propagandojnë mbajtjen nën kontroll të problematikës, arti e pasqyron atë sipas një këndvështrimi të lëvizshëm, herë me tone dramatike e herë si satirë a grotesk.
Në garën e fortë të nihilizmit, atëherë kur vet mosbesimi është kthyer në modë, dukesh fals a ndoshta fare idiot nëse thua dy fjalë që mendon se duhet t’i japin fund vetë inatit të verbër dhe sharjes vençe që i bëjmë njëri-tjetrit, sidomos kur luajmë në të njëjtën fushë e për më tepër me të njëjtat mjete. Në fakt, thelbi i shprehjes është pak më racional nga sa mund ta imagjinosh në mënyrë filozofike ose fare absurde: mjaft me këto marrëzira!
Për dramën shqipe e kam fjalën. Dhe kur them dramën nënkuptoj dhe komedinë. Por nuk kam ndër mend të bëj ndonjë autopsi të saj, se edhe nëse e shkruaj, nuk ka njeri nge e kohë ta lexojë. Jetojmë epokën e break news. Gjërat ose duhen thënë shkurt ose duhen pasqyruar me imazhe.
Gjithsesi do të shkruaj pak reshta nisur nga një fakt konkret: vënien në skenë nga regjisorja Elma Doresi të një komedie-satirë shkruar nga Ferdinand Hysi “Vdiq mbreti, rroftë mbreti”.
Edhe sot vazhdon të vihet në dyshim qenësia e dramës shqipe, e për më tepër ngjitja e saj në skenën e Teatrit Kombëtar. Por kjo duket si një temë e tejkaluar prej kohësh. Ferdinand Hysi, një prej dramaturgëve tanë më të mirë, na e tregoi këtë jo me ndonjë kumtesë hulumtuese, por me një shfaqje, premiera e të cilës përkoi me të shtunën e 13 janarit 2018. Mora si shembull Ferdinand Hysnin pasi në harkun kohor të tre muajve, dy pjesë të tij janë ngjitur në skenë, që do të thotë se drama shqipe vazhdon traditën e saj, madje të suksesshme. Por në këtë vorbull vërtiten dhe dramaturgë të tjerë si Bashkim Hoxha, Stefan Çapaliku e Bashkim Kozeli, të cilët nuk e kanë lënë bosh hapësirën e krijuar padrejtësisht nga amatoristët që ishin gati të shkruanin  mes dy godinave atje ku sot qëndron sentenca “#ejanëteatër#” shprehjen tjetër më konfuze  “#shtetitnëtranzicion#”.
Vetë regjisorja e shfaqjes Elma Doresi, veç një Shekspiri me sukses të garantuar si “Zbutja e Kryeneçes”, apo “14 vjeç dhëndër” të Çajupit, ka ngjitur në skenë komedi shqipe, të zbuluarën nga pluhuri i harresës si: “Nusja në thes” shkruar prej Hekuran Zhitit, pa përmendur këtu dhe bashkëpunimin tjetër të saj po me Ferdinand Hysnin, “Tri mendje në ankand” e cila u shoqërua edhe me çmime nga pas.
Pra kemi dramë shqipe. Edhe komedi natyrisht.
Maratona drejt veprave të huaja, herë me dy aktorë e herë me tre, skenografi të sajuar nga materialet e rekuizitës dhe kostume të marra borxh ka kaluar me kohë. Teatri dhe vetë skena e tij është po aq dinjitoz sa dhe 35 vite më parë kur mendohej se kishte kapur majat. Por spektatori shqiptar kërkon edhe një ngjarje me mendësi shqipçe, ku “Vdiq mbreti, rroftë mbreti” vjen si një apel mbi problematikën që ndeshet rëndom në administratën shtetërore, korrupsionin dhe matrapazllëqet e vogla, të cilat ngadalësojnë procesin e shtetit si një makineri universale me ingranazhe të dalë nga boshti.
Pra, jemi në ditët ku drama shqipe duket se e ka gjetur hapësirën e duhur dhe jo vetëm në Teatrin Kombëtar, por dhe në atë Eksperimental, të Metropolit, tek “Aleksandër Moisiu” në Durrës e “Andon  Zako Çajupi“  në Korçë,  “Petro Marko“ në Vlorë e “Migjeni’  në Shkodër.
Mendimin tim për komedinë me satirën e hollë shkruar nga Ferdinand Hysi “Vdiq mbreti, rroftë mbreti” do ta përmbledh me fjalët e personazhit Çesk, i cili duke iu drejtuar publikut thotë se ata, nëpunës të shtetit me kostum e kravata, në fakt janë kthyer në gaztorë të mbretit. Një drejtor vdes, një tjetër i zë vendin. “Vdiq mbreti, rroftë mbreti”. Nëpunësit janë gjithmonë me atë që merr frenat në duar, pasi kanë qarë atë që u ka marrë shpirtin. Por mbijetesa... U duhet të ruajnë vendin e punës, duke u treguar të zellshëm, që nga transmetimi i informacionit paraprak deri te dhënia e trupit ku drejtori mund të relaksohet. Dhe si gjithmonë, ligjin e bën një më lart se të gjithë këta, ai që ka para sa mund të blejë gjithçka.
Dhe për më tej shfaqja merr vlerat e vërteta nga loja e mrekullueshme e aktorëve: Rajmonda Bulku, Gladiola Harizaj, Dritan Boriçi, Klod Hoxha, Klea Huta e Devis Muka, ku padyshim kanë shkëlqyer me protagonizmin e tyre Sokol Angjeli e Bujar Asqeriu.