Gjithë proza e gjatë e Leonard Veizit
karakterizohet nga disa elementë që janë evidente në të gjithë krijimtarinë e
tij, por unë, me pak fjalë, do t’i përmbledh ato në një analizë më të detajuar
të romanit të fundit “Rrënimi”, si për vetë faktin që ky roman është në vazhdim
të gjithë romaneve të para të tij, si në stilin, formën, mënyrën e veçantë të
ndërthurjeve të ngjarjeve, dialogëve dhe vizatimit të detajuar të personazheve,
por në mendimin tim, ky roman vjen më i arrirë, si në formën e tij, si në
mënyrën e transmetimit të saj nëpërmjet penës së një autori, që e njeh mirë
mjeshtërinë e vet, por ajo që e bën më të rëndësishme këtë gjykim, është
tematika shumë e fortë, tepër aktuale dhe me nota të një radiografie të
hollësishme që autori i bën zhvillimeve të mprehta me karakter politik dhe
shoqëror të realitetit që po jetojmë, mision ky i vështirë, që jo gjithmonë
kapet nga kushdo që rrok penën e vet për të shkruar, si në gjininë e romanit,
por dhe të prozës në përgjithësi e pse jo dhe të poezisë dhe dramaturgjisë.
Romani “Rrënimi“ i
Leonard Veizi, një pasqyrë e trishtë e një realiteti të hidhur
shkruar nga Ferdinand HYSI*
Leonard Veizi dhe Ferdinand Hysi |
Romani “Rrënimi” nuk është i pari roman
që lexoja nga i njëjti autor. Duhet ta pranoj, se tërheqja ime drejt letërsisë
së Leonardit, ishte e rastësishme. I larguar për shumë vite nga Shqipëria, duke
lexuar më shumë në italisht, leximin e prozës shqipe e kisha të rrallë dhe deri
diku me zgjedhje të qëllimshme. Për korrektesë të njohjes me Leonardin i
kërkova vetë të lexoja ndonjë nga librat e tij. Por e pranoj, që në leximin e
parë, romani “I çmenduri i pavionit 3”, ngela rob i rrjetës të një libri, të
atij lloji për të cilin thuhet: “Po e fillove nuk e lë dot pa përfunduar”!
Ishte kjo ndjesia e parë. E lexova me një frymë dhe me kënaqësinë që ndjen, kur
sapo mbaron së lexuari një libër, pa u futur në analiza të thella, kupton se ai
të ka pëlqyer dhe të ka bërë për vete në tërësinë e tij. Dhe kështu kërkova të
lexoja libra të tjerë që ai i kishte botuar. Dhe kështu mora në dorë njëri pas
tjetrit: “Surpriza e natës së fundit“, “Orgji në famullinë e at Ludovikut”,
“Rrëfimi”, “Lora” dhe së fundi romani i botuar këtë vit “Rrënimi”.
Kuptova një të vërtetë! Rastësia nuk më
kish bërë të njihja vetëm një mik të mirë si Nardi, i qeshur dhe dashamirës me
këdo duke falur vetëm miqësi, por po njihja një mjeshtër të romanit triller, të
atij romani që sot në botë ka shumë autorë të njohur me mijëra e miliona kopje
të shitura dhe të kërkuara me shumicë në tregun e leximit. Unë nuk jam kritik
letrar, as ndonjë që ka bërë studime në këtë fushë, ndaj të më falë dikush nëse
gaboj në terma profesionalë, por unë flas si lexues, që falë këtij leximi, kam
zhvilluar dhe intuitën time në fushën e dramaturgjisë. Dhe në këtë
këndvështrim, në mendimin tim personal, ndjej se romani i Leonard Veizit sjell
në prozën e gjatë shqiptare një realitet, ku kritika letrare duhet ta thotë
fjalën e saj, sepse jam i bindur që nëse më mirë do të punohet në drejtim të
njohjes dhe propagandimit të tij (sepse modestia e vet autorit nuk ndihmon në
këtë gjë, e cila me sa e kam njohur është shumë e theksuar), lexuesi do ta
lexojë atë me shumë dëshirë, jo vetëm për faktin se stili e bën të thithet në
lexim, por dhe për tematikën e tyre, të fortë dhe aktuale.
Gjithë proza e gjatë e Leonard Veizit
karakterizohet nga disa elementë që janë evidente në të gjithë krijimtarinë e
tij, por unë, me pak fjalë, do t’i përmbledh ato në një analizë më të detajuar
të romanit të fundit “Rrënimi”, si për vetë faktin që ky roman është në vazhdim
të gjithë romaneve të para të tij, si në stilin, formën, mënyrën e veçantë të
ndërthurjeve të ngjarjeve, dialogëve dhe vizatimit të detajuar të personazheve,
por në mendimin tim, ky roman vjen më i arrirë, si në formën e tij, si në
mënyrën e transmetimit të saj nëpërmjet penës së një autori, që e njeh mirë
mjeshtërinë e vet, por ajo që e bën më të rëndësishme këtë gjykim, është
tematika shumë e fortë, tepër aktuale dhe me nota të një radiografie të
hollësishme që autori i bën zhvillimeve të mprehta me karakter politik dhe
shoqëror të realitetit që po jetojmë, mision ky i vështirë, që jo gjithmonë
kapet nga kushdo që rrok penën e vet për të shkruar, si në gjininë e romanit,
por dhe të prozës në përgjithësi e pse jo dhe të poezisë dhe dramaturgjisë. Në
këtë këndvështrim, unë mendoj se autori Leonard Veizi, me këtë roman (pa
përjashtuar dhe të tjerët më parë) misionin e vet e ka arrirë!
Romani, jo pa qëllim, hapet me një
porosi për vrasjen e një personi dhe mbyllet me vrasjen e një tjetri, ku
pavarësisht ndryshimit të objektit të vrasjes, thelbi është i njëjtë, duke qenë
si kllapa hapëse dhe mbyllëse të një fjalie të gjatë, ku në përbërje të saj
është vetë titulli i librit “rrënimi“. Dhe ky rrënim, nuk është thjesht fati i
një apo disa personazheve në libër, që bien nga fronet e tyre të ndërtuara mbi
padrejtësinë, krimin, vjedhjen, se sa është rrënimi i plotë i një shoqërie që e
kapur keq, si një rrjetë merimange, nga ndërthurja e krimit në disa fusha të
jetës shkon drejt degradimit moral.
Në këtë rrjet merimange, ku ne shohim të
kapur insekte të ndryshme, por nuk e shohim merimangën, jepet qartë dhe pa
ekuivoke ideja se krimi i organizuar dhe viktimat që shohim herë pas here, janë
pjesë e spastrimeve që herë pas here krimi i organizuar i nxjerr si jashtëqitje
nga trupi i vet, por koka dhe truri i këtij trupi mbeten të paprekura, duke e
bërë konceptin rrënimi, jo si një fjalë e një ngjarje të shkuar, por si kambanë
alarmi dhe për të ardhmen. Kjo e vërtetë e hidhur jepet realisht sidomos në
fundin e romanit (që për mua është gjetja më simbolike e këtij romani), kur në
fund vritet me porosi, pikërisht “më i pafajshmi i kësaj historie”, gazetari
Nik Morina, por ama “më i fajshmi” për kokën e krimit të organizuar, pasi ishte
ai që denoncoi gjithë rrjetën e merimangës. E trishtë dhe shumë e hidhur,
ndërsa mbaron së lexuari romanin, ndjen se ndërsa disa insekte të kapura në
rrjetën e merimangës bien, rrjeta ekziston dhe merimanga është diku lart e
paprekur e gatshme të vrasë të tjerë denoncues të saj!
Në morinë e personazheve, personazhi
kryesor i romanit, Martini, një arkitekt i talentuar, por shumë ambicioz, është
vizatuar me detaje dhe me logjikën që fat i tij, pavarësisht talentit, do të
shkonte natyrshëm drejt rrënimit të vet. Janë pikërisht këto lloj tipash, që
për vetë karakterin e tyre kapen dhe thithen nga rrjetat e krimit dhe që hap
pas hapi, diku me ndërgjegje diku si pa kuptuar shkojnë thellë e me thellë në
vetfundosjen e tyre. Por fuqia e të vërtetave që ky roman demaskon, është
fakti, se arkitekti është një pjesë e këtij Rrënimi të madh, ashtu si janë dhe
të tjerë të cilët autori i ka dhënë në detajet e veta dhe jo pa qëllim me
gjithë kompleksitetin e tyre. Koloneli Ernest Arbana, heroi i luftës së
Kosovës, në pamje të parë, personifikimi i njeriut të ndershëm që gjithë jetën
e tij ia ka kushtuar ushtrisë, por duke pasur shpesh motiv të jetës së vet
termin “mbijetesa” dhe duke u shprehur herë pas here “Me sa vështirësi
përballemi në jetë” bie dhe ai pre rrjetës së merimangës, duke qenë një nga
pikat kyçe të gjithë atij organizimi kriminal. (Ndërsa lexoja për një çast
mendova: Këtu e ka prishur Nardi, si ka mundësi një kolonel i ndershëm në
detyrë të dy fëmijët i ka me shkollë jashtë shtetit, por kur lexon në vijim,
dhe kësaj dileme i jep përgjigjen që i ka dhënë vetë autori).
Në fakt, mjeshtëria e Leonardit si
romancier, në formë, është pikërisht në ndërtimin e shumë linjave, të cilat
lidhen me njëra-tjetrën në vijim dhe asnjëherë nuk të lë në dilemat paraprake
që mund të të lindin gjatë leximit. Ngjarjet vijnë në pamje të parë si të
ngatërruara, pa sensin e kohës, diku në retrospektivë, diku në të njëjtën kohë,
por në vende të ndryshme, por qartësisht ato e bëjnë romanin intrigues, të
qartë, pa dilemat fillestare, por gjithmonë me dëshirën për të mos ta lënë
përgjysmë deri në përfundimin e tij. Ndërsa nga ana e përmbajtjes, edhe pse në
roman hasemi me shumë vendngjarje të ndryshme, personazhe që në pamje të parë
njihen apo nuk njihen mirë, faqe pas faqe shohim një lidhje të drejtpërdrejtë
të tyre, ku fijet e rrjetës së merimangës, të shtrira në sektorë të ndryshëm,
janë të lidhura fort me njëra-tjetrën në funksion të krimit që i mban të lidhur
këto fije.
Një hotel abuziv diku buzë detit, edhe
pse në jo në pronë të vet, i kthyer në depo armësh, me armë ligjërisht të
nxjerra jashtë përdorimit, por disa të shitura jo legalisht jashtë shtetit,
disa të tjera të demontuara nga ndërmarrje fantazmë, të gjitha në funksion të
larjeve të parave të pista, bën bashkë pjesë të strukturave shtetërore, si
qarqe të larta të ushtrisë, Banka të ndryshme, Studio projektimi dhe Ndërmarrje
ndërtimi, investitorë me para që nuk dihet ku e kanë burimin organe që duhet të
kontrollojnë, por të shurdhër dhe të verbër bëhen pjesë e kësaj rrjete merimange!
Kështu, në roman, ndërsa ndjekim Gregun
në kërkim të viktimës së radhës, Martinin në udhëtimin e tij drejt vrasësit që
e priste, Nik Morinën në kërkimet të të vërtetave, Admir Trinën, specialistin e
bankës në manovrimet e tij, Kolonel Ernest Arbanën me firmat në emër të ligjit,
për të afirmuar antiligjin, ndeshim dhe kapiten Arianin e Shërbimit Informativ
të Ushtrisë, që edhe pse i ndërgjegjshëm për sa di, preferon më shumë të flasë
për ca të vërteta me gazetarin se sa të çojë deri në fund detyrën e tij, duke
ruajtur statuskuone e një mosfojle për hir të prekjes së interesave të
instancave më të larta. I gjithë ky ingranazh korrupsioni, që lëviz si një
makineri e mirë drejtuar, me fije të padukshme, por që autori lë të kuptojë se
shkojnë lart, shumë lart, me zgjidhjen që ai i jep fundit të romanit, kupton se
ndodhesh para një pasqyre të trishtë, që pasqyron imazhet e një realiteti të
hidhur. Rrënimi personal i disa personazheve nuk është asnjë gjë para rrënimit
total të një shoqërie, ku padrejtësia, krimi, korrupsioni bëhen fjalë e
zakonshme e ditës, ku vritet e vërteta (jo vetëm moralisht, por dhe fizikisht
me vrasjen e Nik Morinës) dhe morali i vlerave vihet në diskutim me atë të
antivlerave.
Së fundi, thjesht si lexues i prozës së
gjatë, unë do ua rekomandoja gjithë lexuesve dhe dashamirësve të romanit si
gjini, se në krijimtarinë e Leonard Veizit do të gjejnë me siguri pritshmërinë
e asaj që janë duke kërkuar!
Problemi është sa ta filloni se pastaj
ai vetë nuk ju lë pa e përfunduar. Këtë e kam provuar vetë disa herë.
*Ferdinand
Hysi – dramaturg
botuar në:
No comments:
Post a Comment