Friday, December 17, 2021

Shqiptarët dhe “miqësia” 500 vjeçare me “kardeshët” osmanë


Nga Leonard Veizi
 
Miqtë e mëdhenj nuk na lënë kurrë vetëm. Sidomos kur me ta kemi afeksion aq sa të na quajnë e t’i quajmë vëllezër-kardeshianë. Vërtet nuk jemi të një gjaku, si ne në Europë e ata në Azi, por thonë se po të rrish gjatë me një person merr pamjen e tij. Madje po qëndrove gjatë në një vend me armikun, nis e  të zë ajo që tanimë quhet “sindromi i Stokholmit.
Ushtarët, jeniçerë dhe azapë nga Azia e Vogël, edhe pse me shpata në duar e topa hedhur nëpër araba, na kanë ardhur në shtëpi si “miq”, na kanë ndihmuar, paçka se më pas u rehatuan në qoshe të minderit e na u bënë zot në çatinë tonë.
“Bashkëjetesa” e shqiptarëve me turqit-osmanët, në fakt nuk ka ndonjë çudi të madhe. Po aq, njerëzit e trojeve ilirike bashkëjetuan me ushtrinë e Romës, sa i dhanë perandorisë një duzinë perandorësh pa përmendur gjithfarë gjeneralësh që shkonin nëpër luftëra për zgjerimin e kufijve latinë.
Për Perandorinë e Lindjes, që jemi mësuar ta quajmë Bizant, gjithashtu nga këto troje dolën perandorë të rinj dhe gjeneralë fushatash sa nuk dihet ku mbaron lista. Dhe për ironi të fatit Stambolli i sotëm, dhe Kostandinopoja e djeshme mbante për emër atë të perandorit Konstantin, reformatorit të madh me origjinë ilire.
Nuk kish si ndodhte ndryshe dhe në bashkëjetesën me perandorinë ambicioze të Azisë së Vogël, që ia kishte qejfi të shihte diellin se si lindte në Evropë dhe për këtë vendosi një këmbë në Ballkan. Vërtet nga trojet arbërore nuk doli ndonjë sulltan që të drejtonte Perandorinë, se kodi e donte që ata të ishin pasardhës së dinastisë turke, por prej Vezirit të Madh, - që ishte dhe numri 2 i kësaj perandorie, - e poshtë, administrata ishte mbushur me arnautë safi, aq sa nuk po kuptohej kush dhe e kujt ishte perandoria...
Së fundi, shqiptarët vendosën të qeverisnin veten. Erdhi 28 nëntori i vitit 1912. U ngrit flamuri i Pavarësisë dhe u ndamë nga turqit e rinj. Po në 28 nëntor 1443 Gjergj Kastrioti ngriti të njëjtin flamur në Krujë, duke u pavarësuar nga turqit e vjetër.
Mirëpo kur mytesarifi i Durrësit, - i emëruar prej Stambollit, - i tha Ismail Bej Vlorës, se nuk do të shkuleshin me një të ngritur të flamurit, por pas do i kishin tërë jetën, ne fakirët e morëm me shaka. Epo batutë filmi, s’ke ç’i thua.
Sot, 109 vjet nga shpallja e Pavarësisë, po shohim se selxhukë të dikurshëm, osmanët e mëpasshëm, dhe xhonturqit në fund të perandorisë, na janë varur vërtet pas qafe, aq sa tani na duket se i kemi pasur gjithmonë rreth vatrës, ashtu si dikur, vëllezër për kokë të vëllezërve.
-Ne jemi si vëllezërit siamezë, kur sëmuret njëri teshtin tjetri.
Të keqen o Mytesarif ku mi ke gjetur këto batuta... Epo gjaku s’bëhet ujë. Një xhami na e ndërtuan vëllezërit, na dhuruan dhe një spital memorial. Pa përmendur vaksinat...
Ambasador Murati, - jo sulltani Murati, mos ma merrni jangëllësh, - por mëkëmbës në Tiranë i “sulltanit” më të ri të Republikës Turke, po na thotë anash e anash se po vjen koha që vilajeti i mbetur i Shqipërisë, ai i Shkodrës, t’i bashkohet Portës së Lartë, se meqenëse e kemi në gjak ta drejtojmë Portën, ne para e ata pas mund ta pushtojmë jo vetëm Ballkanin, po t’i hyjmë Evropës me themel duke i rënë nga Vatikani. Për tre vilajetet e tjera shqiptare, atë të Kosovës, Vilajetin e Manastirit dhe të Janinës, Porta e Lartë ka tjetër axhendë.
“Osmanët erdhën këtu për të mbrojtur trojet shqiptare”, është shprehur diplomati turk gjatë një bisede me studentët e universitetit të Shkodrës në ditët e mes-dhjetorit 2021. Deklarata, - që bëri xhiron e rrjetit, - u lëshua në Shkodër, në universitetin që mban emrin “Luigj Gurakuqi”, i cili ishte dhe krahu i djathtë i Ismail Qemalit në Shpalljen e Pavarësisë. Citoj ambasadorin Murat: “Lëvizjet osmane në Ballkan nuk ishin vetëm ushtarake, por edhe kulturore, historike, sociale, arkitekturore dhe ekonomike”.
Amin o Zot.
Tjetrin po e lë të flasë do thotë ç’t’i dojë zemra atij.
Natyrisht ambasadori “harroi” pa përmendur këtu, qëndresën 25-vjeçare të Gjergj Kastriotit. Dhe as mund të përmendeshin luftërat e vazhdueshme të Aranitëve, Muzakajve, Bushatllinjve, Ali Pashait të Tepelenës... të cilat nuk e linin në qetësinë e haremeve sulltanin e fermanëve. Pra osmanët turq nuk erdhën për shëtitje këtej nga anët tona. Dhe ne as i ftuam si miq e as i pritëm si miq. Përndryshe ç'vlerë do të kishin 500 kryengritje të shqiptarëve kundër perandorisë në 500 vjet. Dhe po kështu, pjesë e bashkëjetesës nuk mund të ishte as prerja në besë e 1000 prijësve të Toskërisë, të cilët në korrikun e vitit 1830 u ftuan për negociata në Manastir por aty, në pabesi, mbetën të masakruar më shumë se gjysma e tyre.
Në fakt historia tregon se ishin 500 vjet pushtim, ku shqiptarët të palodhur u ngritën çdo vit në kryengritje të armatosur. Dhe pavarësisht administratës osmane që nuk e lejonte gjuhën shqipet të mësohej nëpër shkolla, ajo arriti të mbijetonte.
Mirëpo sot, ka të tjerë sharlatanë që kërkojnë që historia të rishkruhet sipas interesave. Dhe pushtimin e dikurshëm ta quajmë administrim.
Të keqen e mendjes, o vëlla-kardesh.
Gati dy vjet me parë, në shkurt të vitit 2020 u organizua po në Shkodër konferenca me sloganin “Turqishtja, gjuha e tolerancës në Ballkan” që kishte në fokus fjalët e përbashkëta midis gjuhëve. I njëjti ambasador asokohe u shpreh se “Turqishtja dhe shqipja përmbajnë më shumë se katërmijë fjalë, shprehje dhe idioma të përbashkëta”.
Nuk them: Jo. S'ka dyshim që në fjalorin tonë ka plot mbetje nga fjalori turk. Padyshim që dhe kjo është një tjetër meritë e bashkëjetesës. Mbi to do përpunohen dhe platformat e boshtit Ankara-Tiranë. Gjithçka po ecën sipas parimit: “500 vjetëve vëllazërim, nuk shkulen me një të ngritur të flamurit”. Kuptohet, kultura osmane na qenka shtruar këmbëkryq në këtë pjesë të botës që quhet Gadishulli Ilirik, dhe ne nuk na mbetet veç ta pranojmë... e në fund të fundit të pranojmë dhe njëfarë suzerainiteti nga sulltani.
Në takimin e fundit, ambasadori u kujtoi studentëve shkodranë të “Luigj Gurakuqit” rolin e veçantë që kishte luajtur Hasan Riza Pasha në mbrojtjen e Shkodrës, pikërisht atëherë kur perandorisë i ishin varur poturet e nuk mbronte dot as veten.
Epo kështu do shkojnë punët derisa të gjitha stacionet televizive shqiptare transmetojnë telenovela turke, sidomos ato ku glorifikohet historia e ngritjes së perandorisë me Erdogrulin në krye, të cilët asokohe ishin në ndeshje të vazhdueshme me mongolët.
Sot, në Tiranë, tek kodra e Liqenit Artificial ndodhet e ngritur një pllakë memoriale në nderim të ushtarëve turq që ranë gjatë grushtit të shtetit në mbrojtje të rendit kushtetues së Republikës Turke. Krejt pa lidhje. Mirë Hasan Riza Pasha që na mbrojti Shkodrën, po asnjë nga këta ushtarë nuk ra për rendin kushtetues në Shqipëri?!
Ngriji supet sa të duash. Ja kështu erdhën dhe italianët para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore, me gramafon dhe muzikë... Pastaj me kryqëzorë dhe nëndetëse.
Edhe bazës detare të Orikumit i kemi mbajtur emrin “Pashaliman”. Nuk na ndahet shpirti nga e kaluara. Kot thonë se ne harrojmë shpejt. Ja, kështu, pak nga pak merr formë Vilajeti i Shkodrës. Se me atë të Kosovës, Manastirit dhe Janinës nuk kemi punë hë për hë.
Megjithëse në bazë të shkëmbimeve reciproke edhe Shqipërisë i lind e drejta që t’i kërkojë qeverisë turke të ngrihet një memorial në ndonjë lulishte të Stambollit, për dëshmorët partizanë të brigadës... së XXII sulmuese, po themi. Sepse jetojmë në kohë marrëdhëniesh reciproke dhe jo në epokën e vasalitetit.

 

 

No comments:

Post a Comment