Tanimë ndodhemi
përballë një lufte të re, e cila në fakt ka nisur prej kohësh. Do të harrohet
Covidi i Madh bashkë me Deltën e Omikronin. Do të mësohemi me rritjen e çmimeve
dhe me mosindeksimin e rrogave. Lufta këtë herë do të jetë për parkingjet. E
zhurmshme, e ashpër... vetëmohuese.
Do të bëhesh i
pasur vëlla? Bli një copë toke dhe ktheje në parking. Investimi fillestar mund
të jetë “0”, se nuk ka nevojë për shumë takëme. Ose për ta bërë sa më komode
ngastrën tënde të rrethuar me tela, mund t'i hedhësh vendit një dorë zhavorr e
ca zift sipër, dhe është e kryme. Pastaj, duhet të vendosësh një tra ku të
varësh dhe një karton me çmimet e shënuara.
1 orë – 100 lekë
3 orë – 200 lekë
...e kështu me
radhë
Hyr e dil makina
tërë ditën e ditës. Varda lekët. Nuk mbetet një vend bosh. Puna është të mos
mbash as kasë tatimore, se merr veten në qafë. Investim më të mirë nuk ka. Le
po të kesh edhe ndonjë burim tjetër për ca pare më shumë e të bësh një pallat
me nja tri kate parkim poshtë. Atëherë vete ç'vete. Do rrjedhë paraja si lumë.
Vetë parkingu do të nxjerrë të ardhura më shumë se sa shitja e apartamenteve.
Pastaj ia vlen të punosh dhe si roje parkingu. Nuk dihet sa fiton.
- Roje, sa
profesion fisnik...
Sa për dijeni,
këto janë ca këshilla falas. Se po iu drejtove ndonjë avokati a këshilltari
ligjor për të tilla probleme, për be nuk të lëshon njeri një fjalë pa pagesë,
por të marrin para nga portofoli sa të rrjepin kokën.
-Do bëhesh
milioneri ti me llafet tona... Shko ore pirdhu!
E ja... kështu
venë këto punë.
Mirëpo jeta çdo
ditë bëhet më e vështirë. Do nisësh ta lyesh rrotën e qerres që në pikë ta
sabahut. Edhe akshami, duke lyer rrotën e qeres të zë. Veç të tjerave, që i
kemi taksative, tani na është shtuar edhe parkimi. Se ne s’kemi as transport
urban për t’u pasur zili. Kur vjen autobusi i linjës në stacion duket si ato
Skodat shytë, që mblidhnin tek agjencia në të dalë të qytetit, ç’të gjenin,
burra e gra, shkollarë e ushtarë, se përpara me shoferin e kishte vendin ndonjë
polic. Hip në karroceri, ashtu rifuxho.
-Shofer... na
ngjeshe si sardelet...
Shtetit sipër e
Bashkisë ca më poshtë po ia bëjmë kabull ndërhyrjen me gjoba mbi xham, të cilat
kërkojnë të rregullojnë trafikun dhe parkimet. Por nuk të lë rehat as
“privati”. Sapo mbaron orari shtetëror, 7 me 7, dhe nis epoka e liberalizimit,
fillon revanshi personal ku të vetëpunësuarit ngulin bidonë uji në vendet boshe
dhe nisin të mbledhin paratë e parkimit. Zonat e influencës janë ndarë më mirë
se ato të shpërndarjes së drogës. Dhe kjo situatë është e dukshme jo në
periferi, por në mes të kryeqytetit. Madje tek Blloku, si zona rezidenciale ku
një orë parkim shkon sa frëngu pulën.
Po kështu është
kur do ta pish kafen në mes të luksit e ahengut.
Parkimi i
automjetit është bërë hall i madh. Sidomos në Tiranën tonë. Njerëzit nuk dinë
ku të ngecin makinën, që të shkojnë në shtëpi e të hanë një çapë buke pa ua
zënë kush në fyt.
-Ec ore hap
rrugën, se kam dy orë që pres surratin tat.
Jo mo, po kjo
është dhe sebep sherri. Dhe ne si shqiptarë na heq sherri me gjitonin. Jemi
gati të dalim me levë nga dera e shtëpisë, po qe se nuk e kemi një të tillë në
sediljen e makinës. Qëllon që ndonjëri të dalë dhe me kallashnikov. Se e kemi
treguar që për një vend parkimi vritemi.
Dikur, thuhej, se
shqiptarët edhe për të blerë buke shkonin me makinë. Sot nuk ka më tangërllëqe
të tilla. Madje me makinë nuk mbaron as hall. Do të të duhet të marrësh taksi.
Se të dalësh nga parkimi ku ke zënë vend, do të duhet të bësh nja 3 a 4
telefonata, që njerëzit të vijnë e të heqin makinat që të kanë zënë hyrjen e ti
mund të nisesh me urgjencë për të mbaruar punët e tua.
Makina sot është
një tmerr. Por njerëzit përsëri qëndrojnë më majë të timonit.
Çmimi i
karburantit është rritur, por të gjesh parkim do të duhet t'i biesh disa herë
vërdallë lagjes, duke shpenzuar para për karburant më shumë se sa kur ke shkuar
për pushime në Sarandë. Në këto kushte mbajtja e një makine është kthyer në
ferr. Por jo, shqiptarët vazhdojnë blejnë makina. Madje makina të mëdha e motor
të fuqishëm që shpenzojnë naftë sa një maune. Se ne i kemi problem makinat e
vogla ekonomike. Dhe një makinë e madhe është sa për dy të vogla në parking.
Mesatarisht ne
kemi nga një makinë për familje. E meqë fëmijët rriten duhen dy të tilla, por
edhe tre në jo pak raste. Gruaja me makinë, burri me makinë, goca me makinë...
-Po çuni?
-Është i vogël
dreqi, se ka marrë patentën akoma.
Mirëpo Tirana ajo
që ka qenë mbetet, nuk është si llastiku që hapet e shkëlyhet.
E tani na ka dalë
dhe një problem tjetër.
Shqiptarët e
varfër, me makina mbi 25 deri në 60 mijë euro parkojnë mbi trotuar e ku të
mundin. Këta janë tjetër kategori. Se pordhën e kanë gjyle për të blerë një
makinë me motor traktori që duket sikur do lërojnë arrat e kooperativës, por
kursejnë paratë për parkingun me pagesë. Dhe e plasin pikërisht aty ku
shkruhet: Mos parko para derës.
Panorama e çdo
dite është: cirk për t'u ruajtur nga rrotat, se ato janë më të shtrenjta se një
funeral njerëzor.
No comments:
Post a Comment