Ai
rremonte fort në vargjet e tij. Po aq sa peshkatari që kish dalë me varkë mes
dallgësh në liqen. Lirik i thellë. Krejt i dashuruar me gjithçka të bukur mbi këtë
tokë. Liqenin, qiellin, bregun, valëzat e ujët në krua. Quhej Llazar dhe ishte
nga Pogradeci. E padyshim liqeni i madh që shtrihej gjerësisht përballë tij duhet
të ketë luajtur një rol epik, për të mos thënë të jashtëzakonshëm, në muzën e përhershme
e të pashtershme.
Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir
Po përhapet dal-nga-dalë një pluhúrë si një hije.
Ato
nuk ishin thjesht vargje lirike. Ato ishin Lasgushiane. Sepse askush tjetër veç
tij nuk do mund të thurrte vargje me një ritëm të tillë, me kode e një
kriptogrami, fort të mundimshme për t’u deshifruar.
Se s'dashuronja-as un' as ti,
Po dashuronte dashurija:
Një dashuri - një fshehtësi
M'e fshehur sesa fshehtësija.
Për
dashurinë dhe liqenin do të shkruante vargje në pafundësi, nëse do të kishte
mundësi e jetë të përtejme. Kurrë s’kishte për t’u lodhur. Dhe asnjëherë nuk do
t’i tretej frymëzimi. Sepse ai ishte i dashuruar me liqenin dhe qytetin e tij të
vogël e madhështor. Por dhe nga e bukura femërore padyshim që ndihej i
frymëzuar në çdo çast. Ndaj ishte ai që shkroi vargje që depërtuan aq thellë në
shpirtin e çdo lexuesi.
Syri-i bukur që t’u mvrenjt –
Syri yt që më lëndon
Do më lerë-a von a shpejt,
Do më lerë-a shpejt a von.
Ai
ishte një poet vetmitar, ndoshta bohem, që në shëtitjen e përhershme buzë liqenit
kishte një mik besnik, një qen i vogël e leshator që quhej Cuci. Krejt i përveçëm
për atë që e frymëzonte dhe e transmetonte, ai do të dilte mëngjeseve herët a
mbrëmjeve vonë buzë liqenit, duke marrë mbi vete dhe mërmëritjen e njerëzve, në
sytë e të cilëve trupi i tij i vogël ishte si një vigan: Është Lasgushi.
Ti po vjen që prej së largu magji-plotë e dal-ngadal.
Ti po vjen që prej së largu duke shkitur mbi lëndina.
Nënë thëmbërzat e tua përgëzohet trëndelina,
Shtrihet luleja mitare e zembakut që t’u fal.
Në
një lojë fjalësh estetike, filozofia e vargjeve të tij duket se e ka burimin nga
gjithçka e bukur e jetësore, dhe për më tepër fort ndjesore.
Mi zall te pyllit vjeshtarak
Dremit liqeri pa kufi,
Ai ndaj fundesh u perflak
Posi me zjarr e me flori.
Dhe
pse emri i tij i vërtetë është Llazar Gusho ai u njoh për së shumti si Lasgush
Poradeci. Sepse ky ishte dhe pseudonimi i tij letrar i krijuar nga një bashkim
gërmash që gjithsesi kishin të bënin me identitetin e tij.
Shpirti im që sot u mbyll
dhe gëzimin m'a përzuri.
nëpër mal e nëpër pyll
zu dëbora prej qëkuri.
Lasgushi
shkroi vargje aq sa duhet shkruar, jo më shumë se 100 poezi. Një pjesë e tyre u
kthyen në hite, dhe qarkullojnë gojë më gojë si në një legjendë, nga ata që s’e
patën lexuar kurrë atë. Por që vargjet ia njihnin. Sepse kjo është magjia e poetit,
ai të thurë vargje dhe të tjerët t’ia ngrejnë në monument.
Se të desha vetë,
Dhe t’u nqasa vetë,
Dhe të putha vetë.
Thonë
se ishte adhurues i fjalëve arkaike, shprehjeve filozofike popullore po aq sa i
fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore. Por në fakt një gjë e tillë është
krejt e dukshme në të gjithë krijimtarinë e tij.
Yjtë-e ndezur si fingjill,
Që vërtiten palë-palë,
Prej mosgjëje zunë fill
Plot me jetë-e mall të valë.
Zunë fill me dashuri
Që kur bota zu të ngjizet,
Pa sikush për shok të tij
Përvëlohet edhe ndizet.
Në
jetëshkrimin e tij thuhet se u lind më 27 dhjetor të vitit 1899 në Pogradec. Studioi në Manastir në Athinë e Bukuresht. Por së
fundi regjistrohet pranë Universitetit të Gracit "Karol Francik" në
fakultetin e filologjisë romano-gjermanike.
Në
Tiranë punoi si përkthyes pranë shtëpisë botuese "Naim Frashëri" deri
kur doli në pension më 1974, ku solli në shqip disa nga kryeveprat e letërsisë
botërore.
Megjithëse
ndodhej në Tiranë, kur u nda nga jeta më 12 nëntorin e vitit 1987, trupi i tij
prehet në vendin e tij të lindjes, në Pogradec.
Dy
vite më vonë, më 1989 vepra e plotë e Lasgush Poradecit pa dritën e botimit.
Me zjarr ju flas..., me zjarr.
Në gjirin tim kam hapur varr...
Që t’i jap shpresë-edhe t’j-a marr...
Un’ ik liqerit zemërak
Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak.
Tanimë,
me emrin e tij janë të lidhura vende të cilat e mbajnë në kujtesë si të
konservuar e të paoksiduar emrin e vargjet e tij.
Lasgushi
sot është "Nderi i Kombit". Pogradecit
i dha titullin "Qytetar nderi" bashkë me një shtatore bronzi që
lartohet në lulishten kryesore të qytetit. Pallati i Kulturës në Pogradec mban
emrin tij. Dhe po ashtu një shkollë 9-vjeçare në kryeqytet. Por dhe rruga te
Diga, te Liqeni artificial i Tiranës, mban emrin: Lasgush Poradeci.
No comments:
Post a Comment