Ai mbetet i rrallë
dhe i pazëvendësueshëm. Një mendje brilante që i ushtroi dijet e mbledhura
ngado në gjithfarë fushash. Dhe la mbi skrivaninë e tij një thesar të tërë,
kryevepra botërore, që mbetën në përdorim mes shqiptarësh...
...Pakkush si ai mund
të ishte njëherazi “hirësia e tij” dhe “shkëlqesi” po ashtu. Pakkush si ai mund
të bënte meshtarin në Altarin e Kishës dhe polemikun në sallën e Parlamentit.
Të ishte në krye të një partie politike si “shef opozite” dhe në krye të
shtetit si ministër i jashtëm e kryeministër për së fundi. Vetëm ai mundi të
vinte në pushtet me anë të një të ashtuquajturi “revolucion” dhe të largohej
nga pallati qeveritar nën kërcënimin e armëve të një ushtrie të huaj, që kishte
ardhur për të ngjitur në fron kundërshtarin e tij. Dhe po aq, vetëm një njeri si
ai mund të firmoste gjithfarë udhëzimesh mbi jetën politike, ekonomike dhe
ushtarake të vendit, dhe me po të njëjtën penë të vazhdonte të përkthente “Rubairat”
e Omar Khajamit. Dhe ishte po ai që kur kërkonte të çlodhej sadopak nga punët e
rënda të një shteti që kërkonte reformë thellësore, i binte flautit.
Ai ishte Fan Noli.
Dhe emrin e babait e kishte Stilian. Kishte lindur në territorin turk, İbriktepe,
por ishte shqiptar, nga Qyteza e Kolonjës. Të parët e tij e kishin ruajtur të
pastër gjuhën dhe traditat shqiptare. I tillë ishte edhe ai. Pasardhës i
Frashërllinjve, Qirjazëve dhe i vetë Petro Luarasit. Shqipja gurgullonte në
gojën e tij. Nuk kish si shqiptohej më bukur.
Pra ishte një
kolonjar i vërtetë.
Pakkush si ai mund të
sillte në shqip monologun hamletjan të Shekspirit dhe bëmat e Don Kishotit me
mullinjtë e erës shkruar nga Servantes. E pas kësaj të thurte vargje për
Marathonomakun dhe një himn për flamurin kombëtar. Të shkruante “Historia e
Skënderbeut”, dhe monografinë “Bet'hoveni dhe Revolucionin Francez”. Dhe së
fundi të kompozonte një seri veprash simfonike, të pakonceptuara deri asokohe
nga një shqiptar.
Po aq, pakkush si ai zotëronte
12 a 13 gjuhë të huaja, duke e pasuruar begraundin e tij studimor e akademik me
pesë diploma të ndryshme.
Në luftën e tij të
përhershme për të marrë sa më shumë njohuri, ai punoi në gjithfarë zanatesh pa
u lodhur dhe u shkollua si një nxënës besnik pa u lodhur gjithashtu.
Pasi përfundoi me
rezultate “ekselent” gjimnazin grek të Adrianopojës, në moshën 30-vjeçare do të
merrte diplomën “Bachelor of Arts” në Harvard. Ishte 55-vjeç kur mbaroi
studimet në Konservatorin e Nju Englandit të Bostonit, duke u diplomuar për
kompozicion. Vetëm një vit më pas, diplomohet për Muzikologji në Konservatorin
e Bostonit. Ndërsa në moshën 63-vjeçare, do të shpaloste me sukses në
Universitetin e Bostonit studimin e tij monografik me temën “Gjergj Kastrioti –
Skënderbeu”. Kjo do t’i jepte gradën shkencore të doktorit në filozofi.
Ishte i madh Noli,
dhe i rëndë sigurisht. Aq sa një universitet e një diplomë nuk ia mbanin dot të
gjithë peshën.
Dhe vetëm një njeri
si ai mund t’i jepte pavarësinë Kishës Ortodokse Shqiptare duke e shkëputur nga
çdo ndikim i huaj. Nuk ishte blasfemi, por dashuria për ta bërë kishën
shqiptare, në një vend si Shqipëria, të fliste shqip.
Në të rinjtë e tij
nuk i bëri naze asnjë lloj zanati, ndaj punoi si kopist, sufler e aktor me një
trupë teatri shëtitës. Por energjia e tij do ta çonte drejt vendlindjes, në
Shqipëri. Aty do t’i kushtohej revolucionarizimit të jetës, për më shumë
përparim dhe pastrim nga e vjetra otomane. Por dhe këtu do të thyente dogmat e
rregullat. Vetëm një njeri si ai mund të shugurohej si peshkop i Korçës dhe
mitropolit i Durrësit në nëntor të vitit 1923, ndërsa vetëm një muaj më pas, në
dhjetor 1923 do të zgjidhej deputet i Korçës.
Klerik dhe politikan
në të njëjtën kohë.
Por me sa dukej për
të nuk kish kurrfarë rëndësie, përderisa ishte në shërbim të Shqipërisë.
Natyrisht ai ishte
një burrë shteti, që bëri që shumë për çështjen shqiptare, si brenda ashtu dhe
jashtë vendit, me ndikimin e tij.
Padyshim Fan Noli
mbetet një nga figurat më emblematike të intelektualizmit shqiptar. Publicist,
intelektual, diplomat e orator, një personaliteti i spikatur që përbën një
figurë komplekse, e cila vazhdon të analizohet në thellësi e të mos ketë
shterim.
Me diplomë të
Harvardit, poet, shqipërues, peshkop, deputet, ministër e kryeministër, emrin e
të cilit në mos Akademia e Shkencave duhet ta mbante Universiteti i Tiranës.
Por ky ka qenë një akord i paarritur. Ç’është e vërteta, në Korçë, Noli është i
vlerësuar, ndaj emrin ia kanë vënë universitetit lokal. Por në Tiranë janë
mjaftuar që emrin e tij ta mbajë një shkollë 9-vjeçare.
Dhe ky ishte një nga
burrat më të ditur që ka pasur Shqipëria.
Me sa duket, regjimi
i Hoxhës e kishte një inat me të. Ndërsa të tjerët pas tij as që u ra
ndonjëherë ndërmend.
Në vitin 1924 Fan
Noli u largua nga Shqipëria për në Amerikën e largët. Nuk u kthye dot më pas.
Edhe pse u tha se me regjimin komunist i kishte marrëdhëniet të mira, ai nuk iu
përgjigj ftesës së Enver Hoxhës për ta vizituar Shqipërinë. Dhe mbeti
konsekuent: një demokrat në shpirt, larg diktaturës dhe pushtetit monarkik.
Mbeti një meshtar në
tentativën e përhershme për të qenë më pranë Zotit.
Vdiq në marsin e
vitit 1965. Ishte 83 vjeç. Sepse ishte lindur në janarin e vitit 1882. Banesa e
tij e fundit ndodhet në “Forrest Hill Cemetery”, të Bostonit.
No comments:
Post a Comment