Leonard Veizi |
Nga Leonard Veizi
Nuk ka nevojë të
përplasen planetët që të vijë fundi i botës, ashtu siç ndodhi 4 miliard vjet më
parë mes gjigantëve Nibiru dhe Tiamat, ku gjysma e këtij të fundit nisi të marrë
një orbitë tjetër rreth Diellit dhe që sot e njohim me emrin Tokë. Ai mund të
vijë më parë se një përplasje fizike titanësh. Mjaft që njeriun e vogël,
mesatarisht 175 centimetra të gjatë, por me ndjenja, emocione dhe mendim ta
zhveshësh nga të gjitha këto.
Në ditët e një
karantine të fortë, prej frikës së virusit “Sars Cov -2”, ke dy mundësi: të
shohësh filma te lehtë dhe erotik në televizor duke e kombinuar me gjumë të
thellë dhe pa ëndrra, ose mungesën e gjumit ta kombinosh me kërkime e lexime,
por jo nga ato që na mbushin jetën e përditshme, por duke kapërcyer diçka më
tej për të krijuar një dimension të ri mes vetes dhe ngjarjeve që po
përjetojmë.
Kështu në
ditëtnetët e gjata të qëndrimit në apartamentin familjar, u ndesha dhe në disa
shkrime të formatit “konspiracionist” që rëndom në raste të tilla zhurmojnë më
shumë se në ditë të qeta. Hera-herës i hedh ndonjë sy dhe faqes së mikut tim të
vjetër Alfred Cakos, sepse aty gjithmonë do të gjej një status të ri që do të
më joshë e do të më çojë drejt një bote sa të panjohur aq edhe të frikshme. Kjo
më bëri t’i rikthehem bibliotekës, por jo më për të rilexuar “Murtajën” e Kamysë,
por për të marrë në konsideratë të paktën tre libra të tjerë ku flitet për gjëra
të çuditshme dhe heretike deri në ekstrem.
I dituri Alfred Cako,
që është i pajisur dhe me një memorie ekselente, thotë se pas projekt “Covid 19”
fshihet lufta mes Iluminatit dhe grupimeve të tjera të përfshira kundër tij, e
ku një prej aktorëve kryesorë është dhe presidenti Tramp i Amerikës. Dhe ai shkon
më tej kur shton: Reptilianët kundër Andromedanëve. Thënë me fjalë të thjeshta:
jashtë tokësorët në një lojë që luhet përmes aktorëve tokësorë. E gjitha kjo bëhet
për të marrë nën kontroll botën dhe të mirat që prodhon ajo, se për të këqijat
nuk ka nevojë kush.
Po dal jashtë
vetes duke dashur të bëj një përqasje që
në fakt nuk shpresoj se do të më nxjerrë kund. Nisur nga ky material i
sugjeruar nis të mendoj se në prapaskenën e skemën ku luftëtari kryesor është “Covid-19”
janë dhe qenie inteligjente jo tokësore, por që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë
ndikim në tokë, që prej kohës kur njeriu gjuante kafshë të egra me një gjethe përpara,
e deri tani kur vetë ne, qenia njerëzore, veç sondave në hapësirë ka rritur të
prodhojë në mënyrë laboratorike, me teknikën e klonimit, një dele që u pagëzua me
emrin “Doll”. Pra ne arritëm të bëjmë një eksperiment që pretendohet se është bërë
me ne, të paktën... 300 mijë vjet më parë.
Por sa është
përqindja që një gjë e tillë të jetë e vërtetë?! Shfletoj literarurën.
Më duhet të
deklaroj se jam i prirë të marr informacion të kësaj kategorie, pasi në
nënndërgjegjen time, nuk besoj në mënyrë të verbër teoritë e stampuara tashmë
si të vërteta të pamohueshme. Por nuk marr për bazë tërësisht as teoritë e
konspiracionit. Shkurt jam dyshues për gjithçka edhe pse këtë dyshim për fat të
mirë nuk e kam agresiv. Në qoftë se ka një teori që vërteton një lëvizje të
caktuar, më duhet të gërmoj për të gjetur dhe një që e kundërshton, sepse vetëm
kështu do të ndihem më mirë me veten, jo se do më shuhen dyshimet plotësisht.
Njeriu është
prodhuar si një “punëtor krahu” me një ndërgjegje të ulët. Shkurt: një skllav. Ky
është një nga pretendimet, të cilën konspiracionistët ia faturojnë qenies me
ndërgjegje shumë më të lartë se homo
sapiensi tokësor, të cilët dhe na
kanë krijuar sipas modelit që vazhdojmë të trashëgojmë sot e kësaj dite.
Në 5-6 mijë vitet
e fundit njeriu ka pasur një evolucion të ngadaltë. Nga viti 1900 e këtej
progresi ka qenë shumë i madh. Ndërsa pas vitit 2000, me ardhjen e mileniumit të
ri, ai ka qenë i mahnitshëm.
Viti 2020 nisi me
dilemën e madhe: “Sars Cov 2” a është një virus natyral apo një prodhim
laboratorik? A është i rastësishëm apo i projektuar? A e komandojmë ne
tokësorët apo e përcaktojnë jashtëtokësorët?
Teoritë e
konspiracionit marrin udhë.
Në mënyrë të detajuar
dhe me një propagandë gjithëpërfshirëse, ne kemi dy versione që shpjegojnë
njeriun në Tokë. Librat e shenjtë që
thonë se zanafilla ishte prej Evës dhe Adamit apo Havasë dhe Ademit. Pra, një qenie
inteligjente që ne e quajmë Zot, i krijoi ata. Në të kundërt teoria evolucioniste
e Çarl Darvinit, argumenton se njeriu është derivat i majmunit, në një kohështrirje
prej disa miliona vitesh.
Ndërkohë, në tregun e fakteve të reja janë
futur disa studiues të tjerë, që mbrojnë një tjetër tezë; atë të klonimit të
njeriut, jo nga një Zot i gjithësishëm, por nga një tjetër qenie humane, por
shumë më inteligjente, pasi ciklin e jetës e ka nisur shumë kohë para nesh.
Gjithsesi, dhe për
t’u habitur ndaj asaj që shkruajnë, askush prej këtyre studiuesve nuk ka pasur
për qëllim të mohojë ekzistencën e një force universale krijuese, madje, siç
shkruan Xhimi Marrs: “Edhe vetë alienët janë të vetëdijshëm për ekzistencën e
një Qenieje Supreme”. Pra, në këtë mënyrë marrim mesazhin se Zoti ekziston, dhe nuk varet nga inteligjenca e qenieve të tjera poshtë tij.
Por a mund të jenë
të vërteta të gjitha këto?
Në fakt i pari që
shkroi një libër me titullin “Karroca e Zotave”, duke tronditur opinionin publik
por dhe vetë qarqet e shkencëtarëve, ishte autori zviceran Erik fon Daniken. Megjithëse
ai u kritikua ashpër nga teologët dhe shkencëtarët tradicionalistë, librat e
tij me teorinë “Astronautët e lashtësisë” u shitën në 65 milionë kopje në të
gjithë botën.
Natyrisht në një
botë të hapur, ku nuk ka më inkuizicion dhe turra drush për të djegur
heretikët, kemi dhe një teori të re, sa të besueshme aq edhe jo të tillë:
Njeriu është prodhim i jashtëtokësorëve. Dhe këtë e mbron me fanatizëm
studiuesi i thelluar, Zeharia Sitçin. Në fakt Sitçin është burimi fillestar i
kësaj teorie mbështetur mbi zbërthimin e shenjave piktografike të pllakave të
mbetura nga civilizimi i lashtë Sumer. Sipas tij, motra e Enlilit dhe Enkit, mjekja gjenetiste
Ninhursag ishte ajo që pas disa përpjekjesh arriti të krijojë njeriun tokësor.
Dhe zanafilla e të gjithës kësaj ishte se astronautëve anunakë u duheshin ca punëtorë
krahu, por që të mos ishin në gjendje të mendonin shumë. Për këtë arsye u
manipulua dhe kodi i tyre gjenetik.
Sot, 450 mijë vjet
pasi një anije kozmike zbriti në tokë, diku në rrjedhën e sipërme të Gjirit
Persik e njohur si Mesopotam e pikërisht
në luginën mes lumenjve Tigër dhe Eufrat,
dhe 300 mijë vjet nga koha kur u krijua njeriu i parë Adama, njeriu tokësor i cili është
përballur me gjithfarë fatkeqësish natyrore, ka mbijetuar dhe ka zhvilluar një
inteligjencë për t’u pasur zili. Gjithsesi, ky njeri tokësor, ka qenë gjithmonë
nën praninë e Zotave të tyre.
Sot, mendohet se të
dërguarit e këtyre zotave, por dhe të tjerë që lëvizin poshtë e lart nëpër hapësirë,
vazhdojnë të ndikojnë në vendimet e mëdha.
“Covid-19” është
një projekt që po shfrytëzohet gjithashtu mes grupimeve më të forta të cilët
duan të dominojnë mbi rruzull patjetër që është fantashkencë. Më pëlqen ta besoj, por dhe kam frikë ta besoj.
Nëse jashtëtokësorët na kanë dhuruar teknologjinë e lartë, kanë ndërhyrë në
kodin tonë gjenetik, na kanë bërë më të mençur sot se sa 200 vite më parë, kjo
do të thotë që teoria e vaksinave dixhitale do të jetë një plan i afërt, dhe po
aq i afërt sa kontrolli i emocioneve do të jetë dhe kontrolli i mendimeve. Nëse
njeriu zhvishet nga këto, atëherë nuk ka më nevojë të trembemi nga kataklizmi
e radhës, nga lëvizja e boshtit të tokës, e një epoke të re akullnajore apo e
një përplasje apokaliptike, ku Tokës i duhet të marrë një orbitë të re.