Saturday, September 5, 2026

Manifesti i letrës, për një revolucion të heshtur të leximit


Nga Leonard Veizi
 
Postulati është i njohur dhe i cituar shpesh: Një foto sa një mijë fjalë. Fotoja që mbështet ekspozimin e këtij shkrimi, është e tillë.
Në breg të detit, mes zhurmës së valëve dhe turmës që noton, një grua ka zgjedhur të ulet aty ku uji i lag këmbët dhe të hapë një libër. Të gjithë të tjerët janë në det; ajo është në një botë tjetër. Kjo foto nuk është thjesht një çast veror, por një manifest kundër shkretëtirës dixhitale që po pushton çdo hapësirë të jetës sonë.
Leximi është rralluar dhe këtë nuk mund ta fshehim. Kudo shohim koka të ulura mbi ekrane - në plazh, në mal, apo në autobus. Libri është shndërruar në një objekt të dalë mode, një relike e viteve kur pushimet mateshin me faqet e lexuara dhe jo me story-t e postuara. Megjithatë, ky rrallim nuk do të thotë zhdukje: zjarri është i vogël, por ende i gjallë. Pikërisht tani, para se të jetë vonë, kemi detyrimin moral e qytetar ta mbajmë ndezur përmes një zakoni sa të thjeshtë, aq edhe revolucionar - të mbajmë një libër në dorë dhe jo një celular.
 
Dy botë të kundërta
Libri dhe celulari nuk janë thjesht dy mjete që kryejnë të njëjtën punë; ato përfaqësojnë dy realitete antipode.
Libri është emocion i papërtypur. Është një mesazh që nuk të jepet i gatshëm, por të detyron të ndalesh. Një fjali e vetme të vë imagjinatën në punë. Ti vetë ndërton fytyrat, zërat, peizazhet. Libri të mëson të përqendrohesh, të jetosh brenda një mendimi përtej kufirit prej tetë sekondash dhe të ndjekësh një arsyetim deri në fund.
Nga ana tjetër, celulari dhe interneti të ofrojnë gjithçka të parafabrikuar: një video 15-sekondëshe, një lajm të prerë, një mendim të gatshëm për t'u gëlltitur pa përpjekje. Të josh me lehtësinë e tij. Rreziku qëndron pikërisht në këtë lehtësi - stërvit një mendje që nuk dyshon, nuk lidh dy pika dhe mbetet peng në sipërfaqe.
Në këtë mënyrë, në vend që të fitojmë një njeri që mendon, që ndjen dhe që ka një botë të brendshme, rrezikojmë të prodhojmë vetëm konsumatorë pasivë të imazheve të huaja. Njerëz që shohin gjithçka, por nuk lexojnë asgjë. Që dinë pak nga gjithçka, por nuk kuptojnë asgjë në thellësi.
 
Zgjimi i mendjes
Gruaja në këtë foto nuk duhet të jetë një përjashtim ekzotik, por standardi ynë i ri. Të promovojmë librin në plazh me të njëjtën natyrshmëri që promovojmë kremin e diellit, duke e bërë çantën e plazhit të paplotë pa një volum letrar brenda. Nëse e lejojmë leximin të mbijetojë vetëm si një detyrim shkollor, do ta humbasim atë përgjithmonë.
Zgjidhja nuk kërkon fushata të mëdha. Kërkon vetëm një vendim të vogël e personal: herën tjetër që shtrihemi në rërë, të lëmë telefonin në çantë për një orë dhe t'i lejojmë vetes luksin e një historie që na merr me vete. Ta lëmë valën të na lagë këmbët, ndërsa një botë tjetër na zgjon mendjen.
Sepse pushimet nuk ekzistojnë vetëm për të çlodhur trupin nga puna, por për të zgjuar mendjen nga gjumi i rehatshëm i ekranit.

  

Friday, September 4, 2026

Nga salla e operacionit në sallën e Parlamentit, kardiologët braktisin bisturinë

 

Nga Leonard Veizi
 
Ka një dukuri të çuditshme në politikën shqiptare: mjekët, sidomos kardiologët, kanë pasur gjithmonë një tundim të veçantë për t’u larguar nga pavijoni dhe për të hyrë në Parlament.
Dhe këtu marr shkas nga rrokada e fundit, ku një mjeke fort e njohur edhe përtej kufijve shqiptarë jep dorëheqjen nga posti ministror për t'i lënë vendin një mjekeje tjetër po aq të njohur. Kjo do të thotë se kemi humbur specialisten për të fituar burokraten.
Ndoshta gjithçka nisi herët, në vitin 1983 me kardiokirurgun e njohur Prof. Dr. Ajli Alushani, i cili qëndroi për katër vjet në postin e ministrit të Shëndetësisë.
Pastaj, në vitin 1990 erdhi Prof. Dr. Sali Berisha, gjithashtu kardiolog i njohur, që la auditorët dhe mjekësinë për politikën dhe u shndërrua në një prej figurave më të rëndësishme, por edhe më polarizuese, të tranzicionit shqiptar.
Më pas rruga u bë më e shkelur. Në politikë hynë emra të njohur si Prof. Dr. Tritan Shehu, reanimator, akademikja radiologe Evis Sala, Doktorja e Shkencave Mjekësore Klodiana Spahiu, kardiologe dhe Profesore e Asociuar, endokrinologu Ilir Alimehmeti e të tjerë.
Asgjë të keqe nuk ka që një mjek të merret me politikë. Përkundrazi. Një shoqëri përfiton kur njerëz me formim shkencor marrin pjesë në vendimmarrje. Mjeku di të lexojë statistikat, të dallojë simptomën nga sëmundja, të mendojë për shkakun dhe pasojën. Në teori, pikërisht këto cilësi duhet ta bënin një politikan më të mirë.
Por problemi shqiptar është diku tjetër.
Problemi nis kur titulli shkencor përdoret si dekor politik, ndërsa mënyra e të menduarit shkencor lihet në derën e Parlamentit.
Në laborator, në klinikë apo në universitet, një mjek nuk mund të thotë se një diagnozë është e saktë vetëm sepse e ka thënë ai. Duhen prova. Duhet analizë. Duhet metodë. Duhet të pranosh edhe mundësinë se ke gabuar.
Në politikë, për fat të keq, rregullat janë krejt të tjera. Aty mund të thuash të kundërtën e asaj që the dje dhe të mos ndodhë asgjë. Mund të bërtasësh më fort se kundërshtari dhe të quhesh më bindës. Mund të zëvendësosh argumentin me parullën dhe faktin me militantizmin.
Dhe këtu lind pyetja e pakëndshme: si ka mundësi që një njeri që ka kaluar vite duke ndërtuar një profesion shkencor, duke studiuar, botuar, operuar apo trajtuar pacientë, pranon të futet në një arenë ku shpesh shpërblehet jo dija, por zhurma?
Një profesor mund të ketë kaluar gjysmën e jetës për të fituar një titull akademik. Një mjek mund të ketë studiuar dekada për të fituar besimin e pacientëve. Pastaj, brenda pak muajsh në politikë, përfundon duke bërë pikërisht atë që profesioni i tij e mësoi të shmangë: të flasë pa prova, të gjykojë pa të dhëna dhe të mbrojë një tezë vetëm sepse i shërben grupit politik.
Kjo është drama. Nuk është se mjeku bëhet politikan. Është se shkencëtari rrezikon të humbasë brenda politikanit.
Ndërkohë që në Shqipëri nuk na duhen më shumë politikanë - nga ata kemi me shumicë - na duhen mjekë, dhe kardiologë padyshim, në sallën e operacionit që të shpëtojnë jetë njerëzish, e jo të mbajnë njerëz me llafe boshe.
Sepse titulli "doktor", "profesor", "specialist" apo "studiues" nuk është certifikatë virtyti. Nuk të bën automatikisht më të mençur, më të ndershëm apo më të aftë për të qeverisur.
Përkundrazi, kërkesa ndaj një njeriu të tillë duhet të jetë më e madhe.
Kur një politikan i zakonshëm thotë një marrëzi, ajo mbetet thjesht një marrëzi politike. Kur të njëjtën marrëzi e thotë një njeri që mban pas emrit një titull shkencor, dëmi është më i madh: ai përdor autoritetin e dijes për t’i dhënë peshë diçkaje që nuk ka asnjë lidhje me dijen.
Ndoshta, pra, nuk duhet të pyesim pse mjekët shqiptarë shkojnë në politikë. Këtë të drejtë e kanë si çdo qytetar tjetër. Duhet të pyesim se çfarë marrin me vete nga mjekësia kur hyjnë në politikë.
Nëse marrin disiplinën, skepticizmin, përgjegjësinë, respektin për faktin dhe zakonin për të kërkuar prova, Parlamenti fiton. Nëse lënë pas shkencën dhe marrin me vete vetëm titullin, Parlamenti nuk fiton një mjek. Fiton edhe një politikan.
Dhe kjo, në Shqipëri, është më shumë se sa duhet.