Nga Leonard Veizi
Ka një lloj agresiviteti që po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në shoqërinë tonë. Jo vetëm ai që shpërthen në një sherr të çastit, por një agresivitet aktiv, i gatshëm të ndizet për hiçgjë. Një nervozizëm që kërkon menjëherë përplasje, që kalon nga fjala te grushtet, nga konflikti banal te dhuna dhe, shumë shpesh, te arma.
Dhe ndoshta problemi nuk është vetëm se jemi të dhunshëm apo po bëhemi më të dhunshëm. Problemi është se po fillojmë ta konsiderojmë dhunën si një mënyrë normale për të zgjidhur konfliktin.
Deri dje ishim gati të përgjëroheshim vetëm të na vinin ca turistë më shumë. Sot turisti na vjen te dera e shtëpisë dhe ne, duke shkelur edhe disa prej dokeve tona më të vjetra të mikpritjes, arrijmë deri aty sa ta vrasim.
Kaq e nevojshme qenka të tregojmë trimërinë tonë duke vrarë turistë? Çfarë është kjo nevojë për ta dëshmuar burrërinë me thikë, si të ishim ende në ndonjë luftë të vjetër me turkun a me serbin?
Po çfarë mund të ketë bërë ai 20-vjeçari portugez që erdhi në Shqipëri për pushime? Nuk më mbushet mendja se i mori koka erë dhe erdhi të bënte gangsterin në Ksamil, ndaj edhe “e meritonte” të goditej me thikë.
Vështirë ta besosh.
Një truprojë i stërvitur, nëse është vërtet i tillë, nuk ka nevojë për thikë për t’ia bërë të qartë një 20-vjeçari se ka kaluar kufirin. Dy shpulla do të mjaftonin për ta larguar, nëse ky do të ishte qëllimi. Por kur njeriu kërkon hakmarrjen dhe jo zgjidhjen e konfliktit, masa humbet.
Dhe ja ku jemi: një ngacmim në plazh, një konflikt banal, një vajzë me rroba banje, disa fjalë më shumë, dy njerëz që përplasen dhe, në fund, një njeri i vdekur.
Në ç’pikë të kësaj historie humbet masa?
Në ç’pikë një provokim kthehet në dënim me vdekje?
Këto janë pyetje që duhet t’ia bëjmë vetes, jo vetëm policisë apo drejtësisë.
Sepse çështja nuk është vetëm një ngjarje kriminale. Çështja është klima shoqërore që e bën të mundur atë.
Dhe agresiviteti vazhdon me shpejtësi marramendëse, sidomos natën.
Mëngjeseve marrim lajmet e trishta me të cilat paguajmë orët e gjumit. Një makinë është përplasur. Një tjetër ka dalë nga rruga. Dikush ka humbur kontrollin e timonit. Dikush ka humbur jetën. Dikush tjetër ka humbur një njeri të afërt.
Fate të çuditshme njerëzore.
Njerëz që nisen për të kaluar disa ditë pushime, për të parë një vend tjetër, për të pirë një kafe buzë detit, për të bërë fotografi dhe për t’u kthyer në shtëpi me kujtime — dhe kthehen në arkivol.
Këtu agresiviteti nuk ka më fytyrë. Nuk ka kombësi. Nuk ka viktimë të huaj apo shqiptare. Është i njëjti mekanizëm: unë duhet të kaloj, unë duhet të fitoj, unë duhet të tregoj se jam më i fortë, unë duhet të arrij më shpejt, unë duhet t’ia kthej.
Dhe rruga kthehet në arenë... plazhi në arenë... lokali në arenë... parkingu gjithashtu kthehet në arenë. Edhe një vështrim i gabuar mund të bëhet arsye për një sherr.
Çfarë lloj shoqërie kemi ndërtuar e po vazhdojmë ta ndërtojmë kështu?
Na pëlqen të themi se kemi qenë gjithmonë popull mikpritës. E kemi përdorur këtë si një nga portretet tona më të bukura përballë botës. Dhe, në shumë raste, është e vërtetë.
Por mikpritja nuk është vetëm të hapësh derën, të shtrosh sofrën apo të thuash “mirë se erdhe”. Mikpritja fillon pikërisht aty ku ti di të kontrollosh veten kur tjetri të provokon.
Sepse të jesh mikpritës kur mysafiri sillet mirë është e lehtë. Të jesh mikpritës kur mysafiri të bezdis, të kundërshton apo bën diçka që nuk të pëlqen, aty fillon qytetërimi.
Një shoqëri nuk matet vetëm nga mënyra se si sillet me mikun kur gjithçka shkon mirë. Matet sidomos nga mënyra se si reagon kur dikush i prish qetësinë.
Dhe këtu duket se kemi një problem serioz.
Po ushqejmë një agresivitet banal, të përditshëm, që nuk u kushton vetëm të tjerëve. Po na kushton edhe neve.
Thika që ngrihet kundër një të huaji mund të ngrihet nesër kundër një shqiptari. Makina që ecën me shpejtësi të çmendur nuk pyet nëse viktima është turist apo vendas. Dhe zemërimi që sot kërkon një “armik” jashtë nesh, nesër do të gjejë një tjetër brenda nesh.
Në fund të fundit, kjo është edhe tragjedia më e madhe: agresiviteti nuk na bën më të fortë. Na bën më të pasigurt.
Sepse kur secili beson se duhet të mbrojë veten me forcë, se çdo fyerje kërkon përgjigje, se çdo konflikt duhet fituar, atëherë askush nuk është më i sigurt.
Ndoshta duhet të ndalemi një çast dhe të pyesim veten: çfarë po na ndodh?
Sepse nuk është aspak normale ta shohim këtë si diçka që thjesht “ndodh”.
Diçka nuk shkon me ne shqiptarët.
Ndoshta nuk kemi nevojë për më shumë trimëri. Kemi nevojë për më shumë vetëpërmbajtje. Sepse ka një lloj trimërie që nuk të nderon kur e demonstron me thikë në dorë.
Të turpëron.

No comments:
Post a Comment