Friday, August 14, 2020

Zvjerdhja e shpirtit të brishtë

 

 

Nga Leonard Veizi


Çfarë ka sjellë pandemia në dhjetë muajt e saj të luftës për të gllabëruar globin? Jo vetëm injektimin në masë të vdekjeve. Ajo ka rrënuar dhe po vazhdon ta çojë deri në fund shkatërrimin e jetës shpirtërore. Fillimisht dukej e pabesueshme. Sot po ndodh e kundërta, besohet se jeta kulturore është në përpëlitje, por nuk kuptohet se si do të ringrihet ajo kur e gjitha kjo të ketë marrë fund.

Bota e kulturës po zvjerdhet.

Shpirtrat emocionalë po bëhen të ngurtë. Lajmet e para kanë të bëjnë me vdekjet nga Codid-19”, lajmet e dyta flasin për të prekurit nga “Covid-19”, lajmet e treta për mundësinë e vaksinimit ndaj “Covid-19”, lajmet e katërta për ekonominë që po shkon në zgrip prej karantinës ku na futën për të shmangur “Covid-19”. Lajmet e kulturës dhe ato të sportit që mbyllin çdo edicion televiziv informacioni, por që zënë dhe faqet e fundit të gazetave, janë të papërfillshme. Aktivitetet janë aq të rralla sa nuk ia vlen t’i përmendësh. Projektet kanë mbetur të ngrira.

Fillimi i mijëvjeçarit të tretë, - ku për shkak të zhvillimit galopant teknologjik, u mendua se do ta çonte botën shumë më përpara nga sa ishte në fundin e mijëvjeçarit të dytë, - po bën të kundërtën. Shkenca duket e pafuqishme përballë një virusi që e ka futur njerëzimin në kolaps. Më shumë se medikamenteve me përbërje të forta kimike po u besohet maskave prej bezeje e pambuku si dhe sapunit me sodë të përqendruar të cila mendohet se do të na shpëtojë nga infektimi.

Bota nuk po merr dot frymë. Ajo po ha vetveten. Lufta për mbijetesë është më e madhe se mendimi filozofik mbi jetën dhe vdekjen.

Por dritë në fund të tunelit ka, nëse do ta shohësh atë. Sepse dhe në vitet e luftrave të ashpra të luftës me tanke, mortaja e qytete të shkatërruara nga bombardimet ajrore, kishte gjithmonë nevojë për arte të bukura që e zbusnin shpirtin e ashpërsuar dhe e çlodhin atë nga stërmundimi.

Vlladisllav Shpilmani, ky pianist polak me origjinë hebre, arriti t’i shpëtojë holokaustit vetëm sepse luajti për një oficer gjerman në një piano të gjetur mes rrënojash “Nokturnin” e Shopenit. Në komentet për librin autobiografik “Pianisti” thuhet se kjo ishte një dëshmi e fuqisë së muzikës, e vullnetit për të jetuar dhe kurajës për t’i bërë ballë së keqes.

Gjigandi “Titanik” u mbyt nën tingujt e muzikës. Deri në minutat e fundit, orkestra luajti në kuvertë himnin e kishës "Më afër, Zot, për ty". Pasagjerët dhe pse në panik e sipër duhet të merrnin një masë qetësuese përmes orkestrës së harqeve.

Pra arti u dashka dhe në ditët e luftës dhe në ditët e pandemisë.

Ndërkohë duket se në vitin 2020 njerëzit kanë braktisur jetën kulturore. Nuk ka më tinguj të gëzueshëm në kryeqytet. As në bregdet ku ka pushues gjithsesi. Jeta teatrore ka marrë fund. Për kinemanë nuk pyet kush. Gjithfarë festivalesh, tanimë janë destinuar të pezullohen ashtu si dhe panairet e librave. Askush nuk e di se sa kohë do zgjasi kjo situatë e tillë.

Dhe si do të jetë ridimensionimi pas së gjithës kësaj? Sepse sallat e teatrove, pas një rënieje depresive që patën në vitet 1990-2000 filluan të mbusheshin sërish. Por u desh shumë kohë dhe shumë punë që teatri si institucion të barazohej në vlera konkurruese me teatrin e viteve ’70-‘80 të shekullit të kaluar. Kush na garanton tani se pas një viti, apo shumë më tepër se kaq, ndërprerje, spektatori do të vijë sërish në teatër. Cili është ai spektator, që pasi është traumatizuar për muaj me radhë do të zërë radhën të presë një biletë kinemaje, edhe pse premiera e radhës mund të ketë në kastin e aktorëve yjet e rinj të Hollivudit?

Po stadiumet, a do të ketë më ndeshje që do të mbledhin në të njëjtin vend 120 mijë spektatorë të çmendur më timpanë e banderola?!

Bota e kulturës po zvjerdhet me shpejtësi.

Mbijeton vetëm procesi i botimit të librave. Është aktiv vetëm televizioni. Fokusimi ka mbetur tek televizionet dhe fleshet informative nëpër portale. Por këto nuk janë mjaftueshëm për të mbushur botën kulturore të shumëkujt.

Çfarë do të ndodhë tanimë? A do jetë i njëjti interes për teatrin e kinemanë që janë artet më masive? Natyrisht nuk po flasim për galeri pikture e ekspozita të arteve vizuale. Mungesa e leximit do prodhojë njerëz sipërfaqësorë. Gjatë kësaj kohe që botën e ka sunduar pandemia, kanë ndodhur shumë gjëra. Një vit iku dëm. Në aspektin e jetës njerëzore është shumë një vit humbje. Në aspektin universal kjo periudhë kohore është e papërfillshme. Por ne jemi njerëz dhe mendojmë si të tillë, ku mesatarisht në 70 vite jetë humbja e një viti nuk është pak.

Jemi në periudhën e vyshkjes së intelektualizmit kulturor. Kjo nuk vjen nga mospasja e forcave krijuese.

Bota kulturore po shkon në zgrip.

Ndërkohë duket se shqiptaret janë ambientuar me të keqen. Dhe kanë mësuar përmendësh e në mënyrë sistematike paketën e vyer të OBSH-së: lani duar për 20 minuta me sapun, mbani distancën 2 metra nga njëri-tjetri, vendosni maskën...

Ata po bashkëjetojnë me vdekjen.

Në këto kushte kultura s’ka më vend.

 


No comments:

Post a Comment