Showing posts with label Publicistike. Show all posts
Showing posts with label Publicistike. Show all posts

Friday, July 3, 2020

Kush e bën ligjin...?


Nga Leonard Veizi

Kush po na e bëka ligjin ne shqiptarëve? Se Reforma në Drejtësi ende s’ka përfunduar dhe shkarkimet e gjyqtarëve që nuk justifikojnë pasuritë po vazhdon. Po edhe ingranazhet e institucioneve të tjera të drejtësisë nuk janë vënë plotësisht në punë. Pra, jemi një shtet gjysmak në këtë drejtim.
Ndërkohë dikush vendos se si bëhet ligji në Shqipëri
Në vitet ‘70 filmi italian “La polizia ringrazia”, por i ardhur në shqipe me titullin “Kush bën ligjin”, bëri të shqyheshin dyert e kinemave në të gjithë vendin. Aq shumë u pëlqye ky film, prodhim i vitit 1972, sa pati zëra që thoshin se ia vlente të jetoje në Italinë e kriminalizuar,  ku mund të qëlloje këdo nga maja e motorit. Gangot e Tiranës në ato kohë mbanin vetëm ndonjë dorezë hekuri me vete, dhe pushkën e zinin me dorë kur u binte radha e qitjes me distancë 100 metra, në fund të zborit. Por u qante zemra të dukeshin si truprojat e mafiozëve italianë që bënin ekzekutime në mes të rrugës apo poshtë urave, pa iu dridhur dora aspak.
Në ato vite, te ne ligjin e bënte Partia, dhe po të të gjenin nëpër xhepa ndonjë biçak, e shihje veten te 7 dritaret. Dhe veç nenit që të dënonte për vagabondazh, mundësia ishte që të të fusnin dhe në hullitë e politikës, ku neni për agjitacion e propagandë, të rraste nja 8 vjet brenda.
Mësuar me këtë psikozë na bënte fort habi fakti kur shihnim se si në Italinë fqinje ligjin e bënte o më i forti, o më i pasuri, ose vetë ca nga ata të policisë që nuk dihej me kë ishin, me shtetin apo me mafiozët. Kjo të ngazëllente pa masë, sidomos kur nuk e kishe mbi kurriz.
Sot është Shqipëria vendi që nuk dihet kush e bën ligjin.
“Plasi përsëri pushka këtej nga ne”, - më raporton gruaja sa hyj në derën e shtëpisë.
E pyes në e kishte njohur gjë krismën e armës, në ishte ndonjë mauzer nga ata të gjermanëve që u prodhuan për Luftën e Parë Botërore, ndonjë pushkë model “56” që na e bënë peshqesh sovjetikët apo ndonjë kallashnikov, por model kinez. “Tallu ti, tallu, po këtu nuk po merret vesh më se kush vritet” - ma ktheu ajo.
Mirë e ka. Pse bëhet shaka me të tilla lajme. Sidomos kur plumbat mund të të thyejnë xhamat e shtëpisë, dhe pastaj do të thonë se ishte “plumb qorr” ai që të prishi pikturën që e kishe varur në murin e dhomës së gjumit.
Mirëpo lajmi është më i shpejtë se era, i kisha marrë vesh të gjitha ç’kishin ndodhur, pa raportin manual të gruas. Madje, kisha parë dhe videot që qarkullonin në rrjetet sociale. Se G4 punonte për mrekulli. Mbase këto kohë na vjen dhe G5 që të mbledhim mendjen. Shpejtësi skëterre.
Herë-herë Tirana duket si Palermoja e viteve ‘70.
Një statistikë thoshte se pas karantine, për 60 ditë janë bërë 15 vrasje. Bukuri. Se statistikat kanë vlerë të madhe. Në bazë të tyre merren dhe masat. Por kështu të hyn dhe frika. Kë të kesh frikë më shumë kur del në rrugë, Covid-in apo Banditin.
Një gazetar fort i njohur kronike në një emision fort të ndjekur televiziv thoshte se bandat po riformësohen. Demek po ikin nga qarkullimi kapot e vjetër dhe po vijnë të rinjtë, me energji të reja. Por si po vijnë? Me “grusht shteti” natyrisht, duke vrarë nëpër rrugë kapot dhe mbështetësit e së vjetrës. Që territoret janë ndarë, kjo nuk diskutohet dhe që të kalosh përmes tyre të duhet vizë me tri vija të kuqe. Por që për mbrojtjen e territoreve të influencës bien më shumë dëshmorë se për mbrojtjen e kufijve të atdheut, kjo është një gjë e pathënë më parë.
Në këto raste të vjen keq dhe për shtetin që ka rënë në këtë farë derexheje.
Një gazetare tjetër, edhe kjo e rubrikës së kronikës së zezë, në po të njëjtin emision, thoshte se kapobandat kur futen në burg shkojnë si ujqër, por kur dalin pas disa vitesh, dalin si lepuj. Kjo nënkuptonte se shteti, sado i lodhur të jetë, është aq i zoti sa të t’i fusë këmbët në një këpucë e të të duket prifti gomar.
Ja që shteti ekzistoka. Ky qenka një lajm i mirë. D.m.th. edhe kapot dinë si ta ulin hundën kur rrinë vetëm në një qeli 2 x 2 dhe fillojnë e thellohen në mendime. Sidomos kur koha e qëndrimit për meditim budist i kalon të 20 vitet.
Mirëpo edhe kjo punë na paska ca kleçka. Se punë pa yçkla nuk ka. U gjendet dermani të gjithave. Dhe gazetarja vazhdoi me ekspozenë e saj, duke folur mbi rastet kur gjykatat në mënyrë krejt abuzive lirojnë të dënuarit me rrezikshmëri të lartë.
Po si na ndodhka kjo mor jahu se s’po kuptojmë gjë? Dhe pas kësaj vjen pyetja tjetër naive: Po pse nuk i bëjnë të plota vitet aq sa ka vendosur gjykata?
Ama pyetje...
Për sjellje të mirë, thotë. Por mirë mor djem, për sjellje të mirë të japin një fletë lavdërimi, ja dhe ndonjë teneqe si punë dekorate. Por, po qe se ke bërë ca burra të hanë dhe, e të dalësh nga burgu pa të hyrë një gjemb në këmbë, duket ca si e përpjetë kjo punë.
Ore, çfarë po ndodh kështu, në këtë shtet?
Që burgu është për burra, kjo dihet, por që burgu qenka bërë si shkolla e lartë, këtë e kisha me pikëpyetje.
Dhe gazetarja na jep ca shpjegime të tjera: se ç’qenka një gjyqtare andej nga Kruja që i priska shpata dhe na paska gjetur ca metoda të cilat na i zbusin dënimet. Brenda kuadrit ligjor, kuptohet. Se ligji është si Maliqi, varet kë godet dhe si e godet. Dhe të gjitha dosjet me peshë të rëndë ia plaskan asaj mbi tavolinë. Dhe s’thotë gjë ajo. Merr e u jep zgjidhje të gjithave tak-fak. Fjala vjen dënimin e përjetshëm na e ktheka në 25 vite. Për sjellje të mirë gjatë jetës sociale në burg, kur një kriminel i dikurshëm shtrohet në punë të lajë pjatat e kuzhinës, dyshemenë e katit të parë e të pastrojë haletë me detergjentë të holluar, por dhe të ndihmojë shokët kur kanë nevojë, e meriton dhe një bonus që ia shkurton ndjeshëm vitet e qelisë.
Ky është marifet juridik, jo të gjithë e kuptojnë.  
Pra, një herë ta shkurtojnë dënimin me një të tretën, po qe se e pranon fajin dhe kur të kapin me presh në duar. Një herë tjetër shkurtimi i viteve vjen për sjellje të mirë dhe meditim kronik mbi veprat e filozofisë antike. E kaq duhet dhe e sheh veten te 15-katëshi duke marrë taksi për të shkuar në shtëpi.
Por qershia mbi tortë e gjithë kësaj qenka një vendim, ndër më humanët ndodhur në histori, që pas shkarkimit të tonelatave me bukë në Etiopinë, atje ku njerëzit vdisnin nga uria. Kjo ndodh kur i dënuari ka prindërit sëmurë e s’ka kush u bën hyzmet. Atëherë lirohet tjetri nga burgu, i gjendet një punë modeste, me qëllim që me pagën e marrë nga puna e ndershme të sigurojë ilaçet e mamasë te farmacia e lagjes, sepse kjo e fundit nuk jep më veresie. Domosdo, se shteti e ka më të lehtë të të lirojë nga burgu djalin kriminel, se sa të të japë ilaçet falas, dhe djali për krimet që ka bërë duhet të bëjë ditët një më një, sipas vendimit të prerë. Mirëpo na dalin gjykata mbi gjykatat.
Kush po na e bën ligjin atëherë...?
Shtet jo shaka. As SPAK-u, as Vetingu, as Reforma për Drejtësi, as OFL-ja, as... more po as auditi financiar nuk kaloka andej nga Kruja. Autonomi brenda suzerenitetit shtetëror. Ja kështu i rregullojmë punët ne shqiptarët.
Këtë s’ma rrok mendja fare, në fakt.
Dhe punët vazhdojnë të shkasin si mbi dhjamë.
Kapot vrasin njëri-tjetrin dhe kur ndonjë i pafajshëm u futet pa dashur në rrezen e zjarrit, nuk është më faji i tyre. Policia rrethon vendin e krimit me shirita të verdhë dhe ambulancat mbledhin  kufomat për në morg.
Kush po na e bëka ligjin kështu?
Media flet për arrestime të bujshme që do të ndodhin. Mirëpo nuk po ndodhin. Edhe një ish-kryeprokuror që nuk dihet nga është fshehur tashmë, kështu thoshte kur ishte në krye të detyrës. “Do ta shihni ju në shtator, do ta zë peshkun e madh e do ta nxjerr në breg”.
Mirëpo peshku i madh lundron në ujëra të thella. Zor se e kapin varkat me rrjeta gjysmë të çara
Dhe kjo gjyqtarja e Krujës shin në lëmenjtë e shtetit. Ndërsa “shteti” rri si gallof dhe e vështron.
Po këtë, ka burrë që e ha?
Mirëpo ende s’po e marrim vesh, kush po na e bën ligjin? Dini gjë?



Thursday, June 11, 2020

“Addio” kinema


Nga Leonard Veizi

Regjisori italian Giuseppe Tornatore inskenoi djegien e njërës prej kinemave të famshme siciliane të viteve ’50 me emrin “Paradiso”. Por po aq, duke qenë dhe skenarist njëkohësisht, e rindërtoi atë tempull në po të njëjtin vend dhe po në të njëjtin film të titulluar “Cinema Paradiso”.
Paralelizmi mund të mos jetë më i gjeturi, por një domethënie e ka. Mbi një objekt të rrënuar për shkaqe madhore, ringrihet i njëjti institucion, për më tepër kur ai është kthyer vërtet në një tempull popullor. 
Në Shqipëri kinemaja është në udhëkryq... Kur flasim për kinemanë nuk e kemi fjalën për filmin si produkt fizik, por për vendin ku shfaqet ky film.
Megjithëse i njohur rëndom si vend i vogël dhe i varfër, Shqipëria ka pasur një rrjet kinemash për t’u pasur zili.
Kemi pasur shumë kinema, gjatë monarkisë së Zogut e gjatë regjimit të Hoxhës. Fillimisht ato ishin investime private të kompanive që kishin mjaftueshëm kapitale, e më pas u sekuestruan nga shteti i punëtorëve që kërkoi të bënte një eksperiment të ri social. Por, gjithsesi, kinemaja nuk e humbi as funksionin, as audiencën e madhe. Madje, në kinemanë e para viteve ’90 e kishe mundësinë të shikoje një film me ngjyra, sepse në televizorin e shtëpisë ndonjë “Adriatiku”, “Iliria” ose “Lura” pa grup, montuar në URT-në e Durrësit, nuk e kishe një shans të tillë.
Sot janë fare pak salla kinemaje, edhe pse popullsia e kryeqytetit është rritur disa herë. Për pjesën tjetër të Shqipërisë as që flitet për salla kinemaje, me përjashtim të ndonjë rasti sporadik.
Institucioni i kinemasë është ende larg zhdukjes së tij, megjithëse për momentin po përjeton ditët më të vështira të ekzistencës.
Për efekt të asaj që tanimë cilësohet si “pandemia COVID-19”, sallat e teatrove dhe të kinemave do të jenë të fundit që do të hapen për publikun. Por fundi ende nuk dihet. Dhe fati i kinemave nuk dihet gjithashtu. E meqë flitet për kujdes të tepruar dhe mundësinë e një vale të dytë pandemike, gjasa që një film të shfaqet në një sallë të mbushur plot, duket shumë e largët. Për më tepër kur bëhet fjalë për fare pak salla, aq sa nuk mbushin as gishtat e njërës dorë.
Në Shqipëri kinemaja po i humbet spektatorët e saj. Nëse ajo do të mbetet pjesë e karantinimit, dhe njerëzit do të kenë në vazhdimësi frikën për të qenë bashkë në të njëjtën sallë, mundësia që ata të rikthehen për të parë një film me ekran të gjerë e disa pista efektesh zëri, është në minimumin e mundshëm.
Kinematografia ishte një shpikje e jashtëzakonshme e njerëzimit. Ajo u bë një nga format më popullore të argëtimit që u ngrit lart në mesin e shekullit XX. Jo vetëm dokumentarët, por filmat artistikë kanë qenë joshja më e madhe gjatë gjithë kohës që kinemaja ka ekzistuar e vazhdon të ekzistojë si institucion.
Televizori është munduar ta eklipsojë kinemanë, por deri në një farë pike, pasi diferenca mes të dyjave është e madhe dhe e kuptueshme. Me ekranin e një kompjuteri ky dallim thellohet. Por që nga çasti kur platforma interneti ofrojnë shfaqje filmash, herë pa pagesë e herë me një kosto shumë të vogël, gjithçka ka ndryshuar.
Në mënyrë të shpejtë dhe pa shpenzime, madje pa humbur kohë për të zënë radhë për bileta, për të blerë kokoshka, e pije të gazuara, në ekranin e telefonit të dorës mund të shohësh një film, qoftë dhe kur mbyllesh brenda mureve të banjës. Jashtë kësaj, të shkuarit në kinema është një eveniment, sepse duhet të kujdesesh edhe për veshjen, duhet të respektosh edhe të tjerët që ndajnë të njëjtën sallë.
Po të kthehemi pas në kohë, arkivat na kanë dhënë mundësinë që të gjejmë se kur ka hyrë së pari filmi në Shqipërinë tonë. Dhe studiuesit nuk gabojnë, pasi njëzëri kanë rënë dakord që filmi hyri në Shqipërinë e prapambetur të viteve 1911-1912, ende pa u shpallur Pavarësia. Pra, jemi vetëm 16 vite larg nga shpikja së kinematografisë që u realizua nga vëllezërit Lymier, me origjinë franceze.
Në Tiranën e para viteve ’90, me 250 mijë banorë, veç kinemave të mbuluara, ka pasur edhe kinema verore. Kinema “17 Nëntori” dhe “Republika” të jepnin mundësi që gjatë netëve të nxehta të verës ta shihje filmin nën qiell të hapur. Para vitit 1945, po në Tiranë, por këtë herë me 45 mijë banorë, kanë qenë verore kinematë “Ideal”, “Imperiale” dhe “Impero”...
Tirana ka pasur një seri kinemash të cilat në vitet e diktaturës komuniste u riemërtuan. Kështu ishin kinematë  Orient “REX”. “Ideal”, “Popullore”, “Diana”, “Imperiale”, “Rozafat”, “Haverik”, “Dopo lavoro”, “Savoia”, “Kosova”, “Skënderbej”, “Tomori”. Më pas të njëjtat kinema u pagëzuan me emrat e rinj, si “Brigada”, “Agimi”, “Dajti”, “Ali Demi”, “Ylli i Kuq”, “Republika”, “17 Nëntori”, “Partizani”.
Pra njerëzit kishin mundësi të mëdha për të shkuar në kinema, për të ndjekur një film e për t’u argëtuar, ashtu si pjesa tjetër e botës.
Për më tej, Amerika por dhe shumë vende evropiane kishin investuar në salla gjigante kinemaje, ku filmin mund ta ndiqje nga makina. Por kjo nuk ka sens dhe nuk është fort joshëse në një vend të vogël si Shqipëria.
Aktualisht Tirana ka vetëm Kinema “Millenium 2”, rrjetin “Cineplex”, si dhe disa salla alternative me kapacitet të vogël, pjesë e hotelerisë. Në këtë mënyrë mund të themi se kinematë e dikurshme, që pushuan së funksionuari dhe u kthyen në depo e bingo, nuk u zëvendësuan më, edhe pse numri i banorëve të kryeqytetit shqiptar rritet çdo ditë.
Kjo ishte sa për informacion, sa për të thënë se koha e artë e kinemave ka kaluar edhe në Shqipëri me të njëjtat vlera. Nuk ka asnjë gjurmë tradite të kinemasë publike. Por nëse në Evropë e Amerikë kinemaja vazhdon të jetë një institucion i palëkundur kulturor, transmetues filmash dhe arkëtues të ardhurash pa fund, në Shqipëri kinemave u është bërë gati dryni.
Në fillim të këtij shkrimi, jo rastësisht mora si shembull filmin fort të ndjekur italian “Cinema Paradiso” me regji e skenar të Giuseppe Tornatore-s. Filmi është realizuar në Palazzo Adriano, një ngulim arbëresh në Sicili, banorët e të cilit ruajnë vetëdijen e të qenit arbëresh dhe ritin, por jo gjuhën. Një shoqërim idesh është kësaj radhe i pashmangshëm, shqiptarët sot e kanë ende në kujtesën e tyre kinemanë, edhe pse thuajse e kanë humbur atë fizikisht.


Monday, April 22, 2019

Libri në luftën e përkohshme për mbiekzistencë


nga Leonard Veizi

Kam pasur bindjen e patundshme, qoftë si një rekomandim hipotetik apo edhe të materializuar në mënyrë sporadike, se letërsinë a të lexuarit në përgjithësi mund ta fillosh nga të duash, me "Tom Sojerin" apo me "Aventurat e Çufos", por nëse do të vazhdosh më tej, se të është mbushur mendja e kërkon një kualifikim më të madh brenda vetes, duhet të ulesh këmbëkryq për të lexuar thellësish dy autorë shekullorë: Shekspirin dhe Servantesin.
Në këtë përfundim kam arritur jo prej statistikave, axhanseve apo kritikave të vlerësuara si studime botërore, por thjesht nga gjurma që letërsia e tyre ka lënë tek unë. Dhe vazhdoj të them se pasi ke kaluar disa gurë kilometrikë, je njohur me letërsinë e lashtë greke, Homeri dhe Eskilin, ke kaluar nga "Ferri..." i Dante Alegerit, do të të duhet të ndalesh në këto vite të mesjetës ku janë shkruar disa nga kryeveprat e letërsisë botërore. Për më tej se kaq mund të vazhdosh pa problem me Gëten, Balzakun, Tolstoin, Dostojevskin, Dan Braun-in apo Holebekun. Sepse  thelbësoren tanimë e ke të arkivuar në një hard disc të paçmontueshëm nga njësia.
Shumë vite pasi isha “njohur” me të dy këta shkrimtarë, zbulova se çuditërisht Shekspiri në Stratford mbi Avon dhe Sevantesi në Madrid, në mos kishin vdekur në të njëjtën ditë, - në një distancë kohore vetëm prej pak orësh, - të paktën ishin varrosur në të njëjtën ditë; më 23 prill 1616. E pra, ishin vite të jashtëzakonshme për vetë Evropën ku, monarkia angleze bëhej gati të futej në shtjellën e revolucionit republikan të Kromuellit, ndërsa në Spanjë inkuizicioni vazhdonte me spastrimet e radhës.
Nuk di si mund të jetë vlerësuar vdekja e këtyre dy shkrimtarëve 400 vite më parë, por sot në kohën e kibernetikës, gjithkush prej nesh, si ata që e kanë lexuar letërsinë e tyre edhe ata që nuk ia kanë idenë fare, do të kishin postuar nga një status me kopertinën e "Makbethit"-s a "Don Kishotit..."  në facebook e instagram, shoqëruar me emoji të verdhë që lëshon një pikë loti, për ta cilësuar së fundi këtë ditë si një tragjedi botërore.
Tragjedi a dramë nuk po zgjatemi shumë në këtë pikë, se në të vërtetë edhe shkrimtarët vdesin. Pasi në ligjësinë e përbotshme ditët janë të kufizuara si për gjeniun ashtu dhe për një që ka probleme të shëndetit mendor. Por që dy shkrimtarët gjenialë, Shekspiri në Angli dhe Servantesi në Spanjë, të kishin një datë vdekje, kjo ishte thjesht një çudi, e cila 400 vjet më pas humbet dhe si kuriozitet.
Në vitet e modernizmit të tepruar, kur prej 1 janarit e deri në 31 dhjetor, çdo ditë e vitit ka një emërtim të veçantë, herë "Dita e Tokës", e "Luftës kundër SIDA-s", apo e "Parandalimit të kancerit të gjirit", dikujt i shkoi në mendje që 23 prillin ta propozonte që të cilësohej si: Dita Botërore e Librit. Dhe kaq u desh që më 15 nëntor të vitit 1995 mbi një rezolutë të UNESCO-s të vihej vula.
Sot kemi një Ditë Botërore të Librit, kur në disa territore, përfshirë dhe Shqipërinë, libri është në një fazë mbi ekzistence.
Në luftën e re të librit letër me ipod-in duket se përparësinë e ka elektronika,  edhe pse propaganda përmes projekteve joqeveritare më së shumti, mundohet t'u bëjë të ditur njerëzve të thjeshtë, se libri fizik është i domosdoshëm në jetën e tyre.
Sot wikipedia, një faqe ku gjithkush mund të hedhë çfarëdo, ka zëvendësuar Enciklopeditë e Akademitë të Shkencave dhe Universiteteve më në zë të botës. Nga celulari brenda një kohe të shkurtër mund të informohesh se çfarë ndodh në Greqinë kufitare dhe në Zelandën e Re me të cilën thuajse nuk na lidh gjë, dhe pasi ke shpenzuar disa orë duke kërkuar në google dhe duke parë në youtube gjithfarë gjërash groteske që lidhen me gafat njerëzore, si zor të të bjerë në mend të kapësh një libër me dorë dhe të lodhesh për të kuptuar se çfarë thuhet në të. Këto janë risitë e teknologjisë, dhe askush nuk mund t'i thotë stop. Por ndërkohë vetë libri, si ai artistik dhe ai shkencor e historik, ndodhet në udhëkryq.
E mes gjithë debatit të madh që është hapur prej vitesh, sot mund të themi se çështja me problemin e librit është fokusuar në Shqipëri e ca vende të tjera të këtij niveli, sepse në perëndim të Evropës e sidomos në vendet nordike, ky debat ka qenë më i përmbajtur. Sepse në këto vende, si me mjete elektronike dhe fare pa to, niveli i leximit ka pasur gjithmonë një përqindje të lartë. Dhe këtu ndikojnë shumë faktorë, ku më së pari kanë të bëjnë politikat ndaj një produkti kaq delikat sa ç’është libri.
Por të shpresojmë se kjo është një periudhë kalimtare dhe se njerëzit, si t'ia kenë nxjerrë zinë përfundimisht, celularit dhe ekraneve me projeksion 7D do t'i kthehen librit fizik ashtu si dhe 30-40 vite më parë, për ta bërë jetën më pak të ndërlikuar, por më solide njëkohësisht. Sepse leximi i librit fizik, me letër 60-70 gramshe e bojë offseti, nuk krahasohet me përqendrimin mbi ekranin rrezatues, ku të duhen veç filtrave prej xhami edhe syze hipermetropi.
Nuk duhet të na kapi paniku gjithsesi, se ndoshta në një të ardhme të afërt, nuk do ta kemi Bibliotekën Kombëtare. Sepse mjafton të kesh një ebook dhe mund të shkarkosh libra që janë shkruar që prej periudhës së "pllakave sumere" që na rrëfejnë se si në tokë zbritën Anunakët, e deri tek famozja Danielle Steel që shkruan historitë rozë të amerikanëve të Veriut.
Përleshja fizike mes artit dhe teknologjisë ka nisur hershëm që kur u mendua se fotografia do të zëvendësonte pikturën. Ca më vonë besohej se televizori do të eklipsonte kinemanë. Radio gjithashtu ka kaluar një periudhë të vështirë, por mbijetoi. Kjo do të thotë se në këtë hapësirë universale ka vend për të gjitha dhe vetë njeriu ka nevojë për to. Kështu që nuk ka vend për pesimizëm. Libri do të vazhdojë të lexohet, herë në letër e herë në format elektronik. Dhe kjo gjë me sa duket nuk do të përbëjë më asnjë rrezik.




botuar në:
http://www.gazetadita.al/libri-ne-luften-e-perkohshme-per-mbiekzistence/
https://americaneye.al/libri-ne-luften-e-perkohshme-per-mbiekzistence/?fbclid=IwAR2xMi8KvCp7TyZfAR-HKTD71N99PCSj4yClZfW_hM1hFfAUTojj7czwkcs
http://vizion.com.al/libri-ne-luften-e-perkohshme-per-mbiekzistence-nga-leonard-veizi/
https://theworldnews.net/al-news/libri-ne-luften-e-perkohshme-per-mbiekzistence


Monday, December 31, 2018

Duke pritur Vitin e Ri te dyqani i lagjes



Nga Leonard Veizi
 
Në supermarkatën e lagjes njerëzit po “vriteshin” për të siguruar asortimentet e fundit që i duheshin tavolinës së Vitit të Ri. Në korridoret e ngushtë që ndanin raftet, gra e burra pa përjashtim ulnin kokën poshtë e nxirrnin b...thët lart, me qëllim që të njiheshin më nga afër me çmimet: a ishin të vërteta ofertat apo tregtarët ua futnin, si gjithmonë. Pak më tutje kasiereve po u merreshin mend nga radhët e gjata dhe ushqimet që kalonin me shpejtësi në sistemin dixhital të pagesave.
-Po ia japim shpirtin shejtanit...
-E drejtë moj motër...
Jashtë, vargu i makinave nuk kishte të mbaruar. Ndërsa unë sapo isha futur me duar në xhepa tek supermarkata që e kam vetëm 100 metra larg shtëpisë. Një nga menaxherët po bënte ç’ishte e mundur që të shpejtonte punët tek blloku i “prodhimeve të mishit”, ky çdonjëri prej atyre që ishin vënë në radhë bënin vazhdimisht porosi për: mish viçi, derri, kotoleta, mish lepuri...
Mbreti i tavolinës së Vitit të Ri është gjeli i detit, i pjekur me kujdes aq sa mund të ngopesh vetëm duke e parë me sy e të mos hash asnjë kafshatë për tre ditë me radhë. Ai mund të kushtojë sa të dojë, çmimi nuk negociohet. Më poshtë piramida e menusë përmban gjithfarë gatimesh të tjera, ca me receta orienti e ca të tjera janë implementuar nga perëndimi.
-Epo një bark kemi, ç’i duam gjithë këto gjellë.
-E...e... ashtu thua ti... Po edhe Viti i Ri një herë vjen. Se viti tjetër mbase s’na gjen.
-U t’u thaftë goja.
Udhëtova në kohë. Vetëm për pak sekonda. Në vitin 1985 njerëzia zinte radhën tek ushqimorja. Ç’është e vërteta pa u grindur aspak, në respekt të njëri-tjetrit. Burrat në të djathtë, gratë në të mëngjër. Të gjithë me nga një letër bakalli me vete ku kërkesat ishin uniformë:
-2 vaj kikiriku, 1 pako makarona, 1 oriz, 1 sheqer, sapun rrobash, 3 kallëpe...
Iku ajo kohë.
Sot jemi 40 vite më pas, dhe e rëndësishme është që duke kujtuar të kaluarën e varfër ta mbushim tavolinën sa të mos mbajë më.
Kasierja kalon me shpejtësi mallrat e paketuara.
-4 djathëra të tymosur, lëngje frutash, një koli pije të gazuara, 4 kuti birra, 2 bikerina me vezë...
Hedh sytë vërdallë i habitur, edhe pse të njëjtën pamje kam vite që e përjetoj.
-Ore mos ka plasur gjë lufta? Me të dëgjuar e kam, baxhanaku me tha: ata rusët rrezik t’a  shpërthejnë kufirin...
-Jo or jo, ç’thua! Kemi festë ore festë.
-Po ca si shumë, apo keni ftuar në tryezë ndonjë togë ushtarësh. Se ata kur bien në të ngrënë janë si puna e karkalecit në bujqësi...
-Në datën dy janë mbaruar të gjitha.
Ke të drejtë: ha e dh...
-Ju bëftë mirë.
I shoh me zili njerëzit që dalin nga supermarkata me nga 3-4 qese 20-lekëshe të mbushura aq sa mund t’u çahen e t’u bien të gjitha të blerat në rrugë. Mua më duhet të humbas nja 15 kile nga pesha reale. Ç’t’i bëj forcës së zakonit se edhe natën e ndërrimit të viteve do ta shtyja me përshesh kosi.
Nuk besoja se isha bërë ziliqar i pandreqshëm. Isha thjesht një vëzhgues i tamaqarllëkut.
Dal nga supermarkata me duart bosh. As që mendohej se mund të mbaroja punë aty. Mendova të drejtohesha te dyqani poshtë shtëpisë. Një paketë cigare dhe dy brisqe roje ishte gjithë-gjithë shpenzimi im i rastit.
Sa dal nga dera, ndeshem me një pamje “madhështore”. Mali me mbeturina nëpër kazanë dukej si një vepër abstrakte e ndonjë artisti të ri të arteve vizuale. Nxjerr celularin dhe e shkrep për një foto. Punëtorët e pastrimit nuk i shkarkojnë dot. Makina e plehrave është mbushur ding. Duhet bërë një rrugë e dytë.
“Po, po”, - thashë me vete, - “para se të fillosh nga shpenzimet duhet të dish sa mbeturina do të bësh”.
Tek e fundit nuk duhet vrarë shume mendja. Është Bashkia që merret me atë punë.
Një ditë më parë kishim bërë një xhiro familjare nga një qendër tregëtare në të dalë të qytetit. Atje situata ishte edhe më e rëndë. Por gjithsesi, mendova se njerëzit u furnizuan me ç’deshën, dhe data 31 me mëngjes i takon gatimit. Por jo. Paska familje që nuk janë ngopur ende. Shpenzime të tjera.
Thonë qën në raste festash, në tregun shqiptar nuk ulen bën vaki të ulen çmimet. Ato rriten... kacafiu. Por çudi, blerës ka sa të duash. 
-Ah, paratë, gjenden ato, gjenden.
Epo, parja e zeze për ditë të bardhë... domethënë e kthyem së prapthi
Futem te dyqani poshtë shtëpisë. Fillova të përshëndetesha me gjitonët. Dialogu mes tyre vazhdonte:
-...se ja duhen fruta nga të stinës, por dhe ca brokoli për një supë, ca rukola për sallatë, ndonjë shegë t’ua hedhësh ca kokrra sipër... nuk duhet harruar dhe avokado.
Hë t’u harroftë emri, jarebi.
-Po kishim lënë pa marrë dhe majonezën për sallatën ruse. Edhe ca açeto për sallatën shef...
-Domethënë.
-Domethënë duhen bërë të gjitha. Të na gjejë Viti i Ri me pjatat plot.
-Mirë e ke.
-Po ti...?
-Ja do marr cigare.
-Çfarë thua ore. O Bike, po jepi cigare “shefit” se do iki.
Futem të marr cigaret jashtë radhe falë bujarisë së gjitonëve.
-Petë sfoliate ka? – thirri një grua në moshë që nga pragu i derës. - I kam rënë lagjes vërdallë e s’po gjej. Tani m’u tek për një byrek
-U mbaruan, - ngriti supet dyqanxhiu.
“Ç’bëhet kështu, – thashë me vete. – Kështu siç e kanë zënë në datë 3 njerëzit do shkojnë në punë, jo të çlodhur nga ditët e pushimit, por të lodhur nga të ngrënët dhe ende pa u dalë dehja nga alkooli”.
Të paktën shyqyr që na u hoqën fishekzjarrët nga këmbët, se na merruan kalamajtë.
Mora cigaret dhe u ula të pija një kafe. Nuk isha i lodhur. Më merreshin mend... e më vinte për të vjellë.

Thursday, December 27, 2018

Kur ulesh në tepsinë e qeverisë dhe trazon mbi kazanin mediatik


Nga Leonard Veizi

Dashamirësit e tij thonë se ai është orator i lindur dhe ku nuk i shkon mendja për të nxjerrë një batutë të re, të padëgjuar e fort të qëlluar. Kundërshtarët gjithashtu e aprovojnë pa zë një gjë të tillë. Përjashtohen vetëm asnjanësit, ose ata që abstenojnë. Por ne jemi popull politik dhe nuk lëmë rast pa e dhënë një mendim, jo vetëm për kreun e shtëpisë tonë, por dhe për burrat e botës. Si përfundim mund të themi me gojën plot se ai është alamet djali, ose më saktë është nga ata çuna që di të të mbajë me muhabet, sa mund të shtysh rehat një natë të gjatë dimri me gallatë.
Në hulumtimet e herëpashershme brenda fjalorëve të gjuhës shqipe te këta të rinjtë me nga 40 mijë fjalë dhe ata të vjetrit me më pak se kaq, gjetja e tij e radhës ishte fjala “kazan”.
Eureka!
Përdoret rëndom kjo fjalë kur flitet për kazanin me groshë të ushtarëve apo kazanët që zienin të linjtat e pista. Por kryeministri ynë e përdor me marifet këtë fjalë, por më së shumti tullë fare, edhe për të simbolizuar gjithçka ka të bëjë me median, gazetarët, redaksitë e punën e tyre që ose transmetohet në letër ose në ekranet e televizorëve: pra sipas tij kemi të bëjmë me një “kazan mediatik”.
Edhe qëndron. Duhen bërë analiza për këtë çështje. Por analistët i kemi lënë në panel të merren me probleme pak më të rëndësishme se kjo.
“Kazan mediatik”
Tani ç'është e vërteta, fjalën “kazan” mund ta marrësh dhe për fyerje. Fjala vjen, ata që kanë qejf alkoolin ndihen akoma më të fyer, sepse ballin e kazanit të rakisë e duan për konsum me opingë. Ndërsa kryeministri e fut në hulli të tjera, ua deformon.
Kur kjo batutë u hodh fillimisht, ç’është e vërteta u mor ca me sportivitet, pak me humor, dhe jo në pak raste duke i dhënë të drejtë “atij të gjatit”. Se duhet gjetur gjithmonë një tabelë për qitje, ndryshe nuk dihet nga të shkojnë fishekët. Media i ka fajet. Ore, troç fare, gazetarët, se ata gënjejnë mëngjes, drekë, darkë. Ose meqë ra fjala: Çfarë bëjmë ne mëngjes, drekë, darkë...?
Do kalojë dhe kjo, menduam. Dhe hapëm veshët për të dëgjuar batutën që do të mund ta varroste çështjen e kazanit.
Por jo... kryeministri e bëri ca si të rrugës. “Kazan” këtu e “kazan atje”. S’kishte të ndaluar çështja mbi kazanin, nuk shteronte për qamet. Jep e merr e “kazani mediatik” në mes. Refren gati i përditshëm. “Kazani mediatik”, ai e ka fajin për dështimet në qeveri, për protestën e studentëve, për rrëmujat e Astirit, për dokumentet e Unazës së Re, madje dhe për Vettingun.  
Kryeministri është duke i ra fort “kazanit”, me shpresën e pashuar që do të ndihet o nga “tepsia” o nga “tenxherja”. Se në inventarin e enëve të kuzhinës ka dhe disa instrumente të tjerë që ende nuk na kanë dalë në skenë.
Po pse e ka kapur kryeministri me institucionin mediatik?
Ca e ca thonë që Rama është pikërisht produkt “kazani”, pra produkt mediatik. Ka shkruar dikur komente e fejtone, dhe thonë se reçensat i bënte mirë. Po diku iu fut politikës dhe pasioni i mbeti në mes i pashprehur.
Tanimë është kryeministër. Ka në dorë buxhetin e shtetit. Por kjo është një gjë e pavlerë. Tek e fundit, ekonomia nuk është pasioni i tij.
Çështja qëndron tek ata të lajmeve. Dhe zakonisht lufta brenda llojit është ajo që e ka marrë në qafë njerëzimin.
Rama Kryeministër, edhe pse i pari i fshatit, duket se vazhdon ta shikojë me zili kazanin dhe punëtorët që trazojnë dynjanë, ata që sipas tij e mbushin kazanin rrafsh ose me fasule pllaqi, ose me ndërresa të pëgëra.
E me sa duket edhe pse ka më shumë se 5 vite në krye të qeverisë, në fund të fundit Rama ende nuk po e ndan dot veten si njeri politik, nga punëtori mediatik. 
Vite më parë, kur u përplas me Nanon, thërriti gazetarët që në atë kohë ende nuk ishin bërë pjesë e setit të kuzhinës, dhe u tha atyre se Tosi ishte bërë si Robert Çamçakizi që vinte vërdallë nëpër kantier pa zënë punë me dorë. Dhe media e papërtuar e transmetoi batutën e tij të radhës, që këtë herë çuditërisht nuk ishte më për Doktorin por për Profesorin, shefin e Partisë ku Rama ende nuk aderonte.
Sot Rama thërret mediat për të shpërndarë batutat e tij, dhe si gjithmonë në fund u kujton se edhe pse punëtorë të devotshëm, sërish mbeten pjesë e sistemit të “kazanit”.
Mjerë gazetarët.
Se gazetarët u dashkan kur do të hedhësh romuze, kur kërkon t’i biesh defit te orkestra filarmonike, kur do t’ia marrësh në kthesë propagandistit më të mirë të fshatit e të dukesh burrë i zgjuar. Se mund të flasësh edhe me veten, apo para pasqyrës, por s’të dëgjon kush. Ndaj duhet kazani, që të përçojë “fjalën dhe mendimin e lirë”. Pra “kazani” mund të përdoret edhe si portovoç kur ta do puna.  Po përsëri “kazan” mbetet.
Lëmsh muhabeti.
Pakënaqësi e madhe ndaj pushtetit të katërt.
Se pushtetet janë pushtete, por kur je në fund të rreshtit mund të dalësh dhe tepër... Sidomos kur i bën bllok demagogjisë.
Atëherë fillon avazi.
E si padashur kryeministri bën dhe kryeredaktorin, duke orientuar se ku është lajmi dhe çfarë është e vlefshme për t’u transmetuar.
Habi e madhe.
Ky të jep dhe mend...
Por sikur t’i japim dhe ne një këshillë. Them “ne” duke konsideruar se kam dhe ca të tjerë pas vetes që mendojnë tëpkë si unë...
Rama bën mirë të lejë “kazanin” mediatik të bëjë punën, ndërsa ai vetë të merret me tepsinë e qeverisë, të kësaj të resë dhe të asaj të vjetrës që i preu triskat, se me sa duket lugët nuk kanë më vlerë, dhe po përdoren duart për të marrë ç’të munden. Këtë nuk e them unë, e thotë “kazani”. E thonë dhe kazanët e tjerë, me të cilët na ndan kufiri, domethënë “kazanët ndërkombëtarë”.
Dhe pasi ta këtë përfunduar me nder ciklin si administrator i shtetit, ish-kryeministri, mund të aplikojë për një vend pune si kryeredaktor, a drejtor nëse e mban më lart pazarin, e të shprehi deri në fund pasionin e tij të pashteruar në artin e të shkruarit.

Botuar në:
http://www.gazetadita.al/kur-ulesh-ne-tepsine-e-qeverise-dhe-trazon-mbi-kazanin-mediatik/



Friday, July 13, 2018

Djema, shkoni e bëni ushtrinë…

nga Leonard Veizi

Në një emision fort me emër të ekraneve shqiptare, që nuk kam dëshirë ta evidentoj se merret me mend vet, ishte shtruar për zgjidhje një çështje problematike dhe e shumëpërfolur. Për më tepër pulti më mbeti në dorë pa lëvizur, kur dëgjova se me një çështje të tillë ishte marrë seriozisht edhe Hollivudi i largët, ku kishte angazhuar aktorë nga më të famshmit që silleshin vërdallë nga ato anë. Dhe po u fut në lojë Hollivudi e Mel Gibson, çështja e merr rrugën e zgjidhjes, të paktën.
Flitej për një temë madhore dhe jashtë mase të prekshme, e përfshirje të gjerë target-grupesh ku ideja kryesore mbartte këtë peshë: “Pse meshkujt nuk i kuptojnë femrat”.
Çfarë thua ore?! Hajde çështje e shtruar për zgjidhje, hajde. Me shumë të panjohura. Edhe Ajnshtaji do ngecte te rreshti i dytë ma merr mendja. Se edhe ai deri te Teoria e Relativitetit e pati vuxhutin.
U futa në të thella. Vërtet meshkujt nuk i kuptojnë femrat??? Të jemi kaq të trashë vallë. Jo se nuk është çudi.
Hall i madh.
Por nuk ishte e nevojshme të futesha unë në të thella. Më thellë akoma ishin futur të ftuarit në studio. Paneli, i papamë, me femra e meshkuj që kuptohej lehtësisht se ishin të arsimuar te filo-qyli. Se mos ma merrni për keq. Se kështu e njohim në zhargonin e përditshëm. Dhe për djall, ata që mbarojnë këtë fakultet, meshkujt sidomos (çfarë rëndësia ka specifikimi i degës: letërsi, psikologji apo punë sociale), i bën që të fillojnë të thellohen në mendime për t’i shkuar çështjes deri në fund me deduksione logjike. Domethënë mundohen shumë të shkretët të të mbushin mendjen me një tollovi fjalësh. Tir e tir fjalë e asgjëkund nuk merrja vesh se ku duhet të dilnin. Nga dera e pasme, a nga dritarja. Edhe Mel Gibson sikur nuk e kishte kaq të vështirë. Në fund të gjithë performancës së fjalëve kuptova thellësisht se kishin bërë as më pak as më shumë por… nga një vërë në ujë.
Epo ka të drejtë ai i Gjati kur thotë “kazan”. Tenxhere fare, nga ato të ushtrisë, ku bëhet gjellë pa yndyrë…
…Dale se m’u kujtua.
Këta kanë bërë shkollën e lartë o të keqen, por nuk kanë bërë ushtrinë. Se në diktaturë ata që bënin shkollën e lartë ditën ishin të privilegjuar boll, nuk i merrnin ushtar, e bënin vetëm 3 muaj zborr në Mamuras, nga ku dilnin komandantë toge, por që si zor ta kryenin detyrën për të hedhur në luftë 30 veta. Në demokraci, asnjë lloj robi nuk bën ushtrinë, përveç rrogëtarëve që nuk kanë asnjë zanat.
Bela e madhe për besë. Djemve që nuk bënin ushtrinë nuk u jepnin as nuse një herë e një kohë. Mendonin se ishin budallenj. Se vetëm të metët nuk i merrnin ushtarë, pasi u kishin bërë ekzaminimin te spitali 5 dhe u kishin dhënë nga një mandatë me vete që e paraqisnin në Degën Ushtarake. Ndërsa sot nuk i kupton dot, cilët janë budallenj e cilët jo të tillë. Të gjithë kanë një prerje: shejtan budallenj.
Duke dëgjuar me gojën hapur mendimet elokuentë të panelistëve që çfarë nuk sajonin rreth temës, nëse i kuptonin femrat apo jo, thashë me vete: S’keni faj djema që merreni me llogje kavaje, nuk e keni bërë ushtrinë. Madje nuk keni bërë as zborrin. Se në ushtri, thoshin dikur, rinia piqet. Ndërsa ju jeni bërë burra e keni mbetur hunj.
Djema, shkoni bëni ushtrinë. Mësoni si mbushet pushka. Bëni qitje natën. Bëni dhe 5-mijë metra vrap me kundragaz. Pa duhet të bëni dhe shërbim të pandëruar; dy orë roje dy orë gjumë. Se ushtria ka yçkëla shumë. Se duhet të hash atëhere kur nuk të hahet dhe flesh kur nuk të flihet. Të bësh tranazh për gjithçka ku spikat rregullimi i krevatit si kuti shkrepse. Dhe si t’i keni bërë të gjitha këto për dy vjet me radhë të jeni të bindur se do t’i kuptoni më thjeshtësisht se çfarë mendojnë femrat. Përse bëjnë naze për shampon, çfarë marke e duan parfumin dhe pse duan nga një qiri në një darkë romantike me një të rënë violine në sfond.
Se femrat nuk filozofojnë aq sa mendohet. Dhe ka burra që ua gjejnë telat aq shpejt sa s'ta merr mendja. Ndaj u them:

Wednesday, May 2, 2018

"Hieronymi, Arbëreshi i Italisë", pak fjalë pas prezantimit të një dokumentari



nga Leonard Veizi


Jeronimi nuk jetoi në epokën e kibernetikës, dhe as në atë të “internetit pa kufij” përndryshe me siguri do të kishte zënë faqet e para të mediave sociale, të cilat do të ishin marrë gjatë me jetën e tij sentimentale. Fjala vjen, një debat i mundshëm do kishte të bënte me “Këngët e Milosaos”. Përse e shkroi, në çfarë kushtesh depresivo-emotive dhe kujt ia kushtoi?
Por në fakt, Jeronim De Rada u lind më shumë se 200 vite më parë, në një fshat arbëresh të quajtur Maki, për të cilin thuhet se origjinën e kanë nga Mati, por që flisnin një dialekt të vjetër toskë. Dhe për më tepër, Jeronimi në familjen e tij ishte edukuar me një frymë fetare e konservatore, sa që dhe jeta e shfrenuar në Napolin e atyre viteve nuk e tunduan dot. Kështu që mundësia që ai të ishte në një qendër thashethemesh, sigurisht do të ishte “0”.
Jetues mes dy kulturave, dy kombeve e për më tepër mes dy gjuhëve, shqip dhe italisht, atij iu renditën aq ide brilante në kokë, sa dhe jeta e gjatë prej 89 vitesh nuk do mund t’ia shteronin dot. Ishin ide të mëdha për moshën e tij ende të re.
Shëndetlig, por me një fuqi të madhe, ai kërkoi t’i shkonte deri në fund projektit të tij madhor: zhvillimin e gjuhës, që do të çonte më pas në formimin e një shteti të qëndrueshëm shqiptar. Në të vërtetë, edhe pse i cilësuar si njëri prej ideatorëve më të mëdhenj letrarë e kombëtarë, Jeronim De Rada nuk e njihte vendin e tij të origjinës, madje nuk e pa kurrë atë në 89 vitet e jetës së tij. E megjithatë, kjo nuk ia lëkundi besimin se projekti për të cilin ai kishte filluar të punonte çdo ditë do të mund ta zhvillonte vetëdijen dhe krijimin e një populli kulturor si kusht për krijimin e vetë shtetit.
Të gjitha këto dhe shumë më tepër se kaq, bëhen akoma më tërheqëse nëse përmblidhen në një seancë të vetme të quajtur: dokumentar.
Pikërisht "Hieronymi, Arbëreshi i Italisë", është një dokumentar që i kushtohet Jeronim De Radës, me autore gazetaren e mirënjohur Beti Njuma. Ai u shfaq premierë në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar e ku si pjesëmarrës ishin të ftuar edhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare "Jeronim De Rada" në Tiranë. Sipas autores së dokumentarit, kjo mënyrë prezantimi kishte të bënte me dëshirën e saj që "Hieronymi, Arbëreshi i Italisë" fillimisht të shfaqej për një brez të ri më pak të rrahur nga imazhi i figurave të tilla, se sa për qarqet letrare apo akademike të cilët e njohin prej kohësh veprimtarinë e këtij mendimtari të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare.
Dr. Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, në fjalën e tij të përshëndetjes para se dokumentari të shfaqej për të pranishmit, do të vlerësonte autoren Beti Njuma, si një studiuese që i ka dhuruar historiografisë shqiptare 15-20 realizime cilësore, e ku shumica e tyre kishte të bënte me shtetformimin. Për sa i përket figurës së Jeronim De Radës, Dr. Dorian Koçi do të shtonte se: Letërsia para Rilindjes Kombëtare në pjesën më të madhe të saj ishte një letërsi me tematikë fetare ndërsa De Rada është shkrimtari i parë që në mënyrën të dukshme e të vetëdijshme, me veprat e tij artistike shkëputet prej saj.
Vetë autorja Beti Njuma do të shprehej se, synimi i dokumentarit nuk ishte vetëm vepra e De Radës me të cilën nis dhe letërsia moderne shqiptare, por të shpërfaqej dhe jeta e tij në çdo dimension njerëzor.
Dokumentari "Hieronymi, Arbëreshi i Italisë" erdhi për publikun me pamje ekskluzive të operatorit Vladimir Grori, regjistruar në vendlindjen e poetit, fshatin e vogël Maki i Kozencës, fare pranë me Shën Mitër Korona. Pjesë e dokumentarit, që vinin me trajtimin e jetës dhe veprës së themeluesit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ishin dhe zëra të njohur të kulturës sonë si studiuesit: Matteo Mandala, Klara Kodra, Moikom Zeqo, Lili Sula, Francesco Altimari e Shaban Sinani.
Nëpërmjet tyre dhe të vetë narratores Beti Njuma, brenda një kufiri kohor prej 60 minutash, u transmetua e plotë gjithçka mund të thuhej e të mbetej në kujtesë për një figurë të ndritur si ajo e Jeronim De Radës. E ndërkaq një kolonë muzikore me këngë arbëreshe shoqëronin sfondin me imazhet e Shën Mitrit e Maqit dy fshatrave të njohura arbëreshe të Jugut të Italisë, si dhe të vetë shtëpisë së vjetër e të plasaritur të Jeronim De Radës.
Ka qenë mjaft e gjerë krijimtaria poetike e De Radës. Biografia e tij liston deri në 43 vepra, të gjitha të ndryshme nga njëra-tjetra për nga gjinia. Ai nisi të botojë që herët, por krijimi që i solli famën si poet me talent të shquar, është poema lirike-epike “Këngët e Milosaos”, e cilësuar si e vepra e parë e letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike. Më pas ai do të vazhdonte me botimet: "Një pasqyrë e jetës njerëzore", "Serafina Topia", "Skënderbeu i pafan", etj.
Por Jeronim De Rada kaloi një jetë të vështirë. U përball me fatkeqësi të rënda familjare ku shënohet si më tragjikja, vdekja e gruas dhe e djemve. Por duket se as këto fatkeqësi nuk e mposhtën poetin, i cili vazhdoi deri në fund të jetës me projektin e tij madhor të zhvillimit gjuhësor të shqipes. E megjithatë po kaq tragjike ishte edhe vdekja e tij, në varfëri e vetmi të plotë.
Të gjitha këto, dokumentari "Hieronymi, Arbëreshi i Italisë", realizuar nga Beti Njuma, do t’i sillte të zbërthyera më së miri, duke ngritur edhe një herë Jeronim De Radën në piedestalin e ideatorëve më të mëdhenj letrarë e kombëtarë të Rilindjes Shqiptare.



Botuar në:


Friday, November 24, 2017

Rreth libri të Luan Ramës “Bonjur D’Albania – shkrime nën hijen e bombave”

Nga Leonard Veizi

Padyshim që francezët janë ndjerë mirë në territorin shqiptar, mes një populli sa mosbesues ndaj të huajve me uniformë, aq edhe miqësor e besnikë po t’u fitohej besimi. Natyrisht ky nuk është një konkluzioni i im, por në këtë përfundim dal pasi kam lexuar librin “Bonjur D’Albania – shkrime nën hijen e bombave”. Edhe pse ishte kohë lufte, madje edhe pse Shqipëria ishte në një situatë të mjerueshme ekonomiko-shoqërore, trupat e ushtrisë franceze gjetën një aleat të çmuar tek popullsia vendase. Gjithçka e mundshme vjen për lexuesit nëpërmjet ditarëve, letërkëmbimeve dhe telegrameve të vetë ushtarakëve francezë, të cilët fronti i Luftës së Parë Botërore i kishte sjellë në Shqipëri. Dhe i gjithë ky pasqyrim origjinal bëhet i njohur për publikun, nga puna e çmuar e shkrimtarit dhe studiuesit njëkohësisht, Luan Rama, i cili ka gërmuar me durim në arkivat e Francës për të na sjellë me një realitet – sa të njohur aq edhe të panjohur – Shqipërinë e viteve 1914-1918.
Të paktën 10 vjet më parë pasi isha njohur me Luan Ramën nëpërmjet një mikut tonë të përbashkët, kam realizuar bashkëpunimin e parë me të, një intervistë të gjatë, thuajse dy faqe gazete, ku ai ka folur më së shumti për jetën e tij si krijues. Në vazhdën e bashkëpunimeve tona, ne kemi realizuar edhe intervista të tjera qoftë të karakterit “dossier” të jetës së tij si diplomat, por dhe të fushës së kulturës e letërsisë. Gjithmonë më ka bërë përshtypje eleganca e tij. Padyshim nuk flas për pamjen e tij të jashtme dhe as për modelin e kostumit, por të asaj që ai përcillte qoftë nëpërmjet fjalës së thënë po ashtu dhe të asaj së shkruar. Tanimë unë hyj tek ata njerëz që janë shumë dashamirës me veprën e tij si autor, vepër e cila përfshin një korpus prej më shumë se 30 tituj në letërsi, studime e publicistike si dhe shumë tituj të tjerë në fushën e përkthimit. Duke parë volumin e madh të krijuar prej tij, disa mijëra faqe të botuara, mendoj se ai është jo vetëm skrupuloz në atë që shkruan dhe që kërkon të publikojë, por ka dhe një përqendrim dhe vullnet të jashtëzakonshëm në përkushtimin e kësaj pune, gjë që bashkë me atë çka do botohet më pas, do të krijojë një trashëgimi të vyer në letrat shqipe.
Në librin e tij të fundit “Bonjur D’Albania”, Luan Rama, si një qëmtues i mirë i fakteve historike ka mundur të na japë një panoramë mjaft interesante të Shqipërisë, gjatë viteve të Luftës së Madhe, dhe kjo nëpërmjet shënimeve të gazetarëve francez në front si dhe të shumë ushtarakëve të tjerë që kanë lënë shënime, gjatë ditëve kur ata luftonin në një vend si Shqipëria. Në mënyrë absolute ne të gjithë (e kam fjalën për auditorin konkret) i njohim kushtet në të cilat u zhvillua Lufta e Parë Botërore. Ishte koha kur pas shpalljes së Pavarësisë, qeverisjes 14 mujore të së parës qeveri shqiptare me kryeministër Ismail Qemalin dhe mbretërimit 6-mujor të Princ Vidit, paria e vendit, apo administratat lokale, nuk arrinte të administronte as 28 mijë kilometrat katrorë që u vendos t’i mbeteshin në pronësi shtetit Shqiptar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Në këtë ndeshje të ashpër të politikës dhe ushtrive të dy kampeve të mëdha, “Antantës” dhe “Bllokut Qendror”, Shqipëria pa asnjë lloj objektivi, ishte kthyer veç një terren lufte gjysmë i fortifikuar, ku kaloi çizmja e 14 ushtrive të huaja.
Faktet që vijnë drejt e nga fronti i luftës janë të jashtëzakonshme. Në të jepet me ngjyra të gjalla, jeta mesjetare e Shqipërisë që sapo kishte dalë nga sundimi i gjatë 500 vjeçar i Portës së Lartë. Them “sundimi” meqenëse kohët e fundit ka dalë dhe teza e re e “administrimit” që na kanë bërë osmanët, si në vjeljen e të mirave në ekonomi ashtu dhe në atë të rekrutimit të ushtarëve për t’i përdorur në repartet e sulmit të parë. E megjithatë, ushtarakët francezë, ushtarë të thjeshtë apo drejtues regjimentesh thonë se edhe pse tejet e varfër dhe e prapambetur, në Shqipëri kishte dhe oaze ku mund të jetohej, siç ishte rasti i qytetit të Korçës. Qëndrimi i francezëve ndaj kësaj kazaje, ndihma e madhe politike dhe administrative që iu dha krerëve të rinj, bëri që në një shtet pa shtet, “Republika autonome e Korçë” të bënte epokë edhe pse jetëgjatësia e saj ishte diçka më shumë se një vit. Gjithsesi duhet theksuar se krerët lokalë në juglindje të vendit, dhe vetë popullsia e zonës kërkoi një autonomi nën autoritetin e Francës, gjë që i vinte fre dhe tundimit të madh dhe tentativave agresive të Greqisë për aneksimin e kësaj zone. E quajtur si “Republika franceze e Korçës”, ajo do të jetonte prej dhjetorit të vitit 1916 deri në shkurtin e vitit 1918, kohë kur u abrogua protokolli për funksionimin e saj. Pas luftës francezet do të qëndronin në Korçë deri në majin e vitit 1920, dhe më pas trupat e tyre do të tërhiqeshin përfundimisht. Megjithëse një kohë relativisht e shkurtër dhe për më tepër në kohë lufte, sërish ndikimi francez në juglindje të vendit do të ishte i tillë që përveç “Liceut”, emërtimeve të objekteve të veçanta në terminologjinë franceze, vetë Korçës do t’i mbetej si një pagëzim togfjalëshi: “Parisi i vogël”
Dua të them se nëpërmjet këtij libri, shqiptarët njihen më mirë me qenësinë e tyre në Luftë, me figura si Themistokli Gërmenji e Sali Butka, që edhe pse cilësoheshin rëndom si “komitaxhinj”, në ditarët e francezëve, duhet thënë qartë se ata ishin patriotë dhe luftëtarë që në idealin e tyre kishin vetëm Shqipërinë etnike dhe të pacoptuar, gjë që ata shpresonin ta bënin përmes aleancave me fuqitë e mëdha të Francës apo Austro-Hungarisë. Ndërkohë, po në të njëjtën luftë dhe demarshe për aleanca, ishte dhe një figurë tjetër që prezantonte shqiptarët, por që vazhdon dhe sot e kësaj dite të mbetet krejt e panegociueshme, dhe që ishte ajo e Esat Pashë Toptani, i cili gjithashtu ishte i gatshëm të bënte marrëveshje, por më shumë se me Fuqitë e Madha preferonte fqinjët tanë veriorë apo dhe ata që shtriheshin në Jug, veç jo për konsolidimin e kombit, por vetëm për interesa krejt personale.
Libri në fjalë është i pajisur me një numër të madh fotografish të rralla të atyre viteve ku aparati është bërë një dëshmitar i rëndësishëm duke fokusuar çaste nga jeta reale e ushtrisë franceze në Shqipëri, që padyshim e bëjnë më interesant historinë e rrëfyer, sa përmes ditarëve aq edhe me narracionin e vetë autorit. Përmes imazheve tregohet qarte se trupa të armatosura shqiptare iu bashkuan në luftë ushtrisë franceze. Të gjitha këto, fotografi dhe ditarë autentikë të ushtarakëve francezë, që Luan Rama na i sjell në shqip, pasqyrojnë Luftën e cila filloi 100 vite më parë, dhe ku për fat të keq nga vetë shqiptarë, dëshmitarë të atyre viteve, kjo pjesë e historisë rezulton të jetë thuajse e paevidentuar.
Mendoj se në fund të këtij prezantimi të shkurtër do të ishte me vend ta mbyllja duke huazuar fjalinë e një shkrimtari si Remark, i cili duke perifrazuar stërlodhjen e të gjitha palëve ndërluftuese në ditëve të fundit të Luftës së Parë Botërore, tek bëheshin gati bisedimet për Paqe shkruante thjeshtë: “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”. Por në fakt në frontin e Ballkanit, fundi i Luftës së Madhe do të jepte një paqe të përkohshme. Shqipëria do të përballej me sfida të reja. Ndërsa epilogu kësaj lufte për francezet e Shqipërisë do të ishte një varrezë për ushtarët e vrarë dhe një memorial në nderim të tyre ku shkruhet “Rënë për Francën”.