Nga
Leonard Veizi
Kush po na e bëka
ligjin ne shqiptarëve? Se Reforma në Drejtësi ende s’ka përfunduar dhe
shkarkimet e gjyqtarëve që nuk justifikojnë pasuritë po vazhdon. Po edhe
ingranazhet e institucioneve të tjera të drejtësisë nuk janë vënë plotësisht në
punë. Pra, jemi një shtet gjysmak në këtë drejtim.
Ndërkohë dikush
vendos se si bëhet ligji në Shqipëri
Në vitet ‘70
filmi italian “La polizia ringrazia”, por i ardhur në shqipe me titullin “Kush
bën ligjin”, bëri të shqyheshin dyert e kinemave në të gjithë vendin. Aq shumë
u pëlqye ky film, prodhim i vitit 1972, sa pati zëra që thoshin se ia vlente të
jetoje në Italinë e kriminalizuar, ku
mund të qëlloje këdo nga maja e motorit. Gangot e Tiranës në ato kohë mbanin
vetëm ndonjë dorezë hekuri me vete, dhe pushkën e zinin me dorë kur u binte
radha e qitjes me distancë 100 metra, në fund të zborit. Por u qante zemra të
dukeshin si truprojat e mafiozëve italianë që bënin ekzekutime në mes të rrugës
apo poshtë urave, pa iu dridhur dora aspak.
Në ato vite, te
ne ligjin e bënte Partia, dhe po të të gjenin nëpër xhepa ndonjë biçak, e
shihje veten te 7 dritaret. Dhe veç nenit që të dënonte për vagabondazh,
mundësia ishte që të të fusnin dhe në hullitë e politikës, ku neni për
agjitacion e propagandë, të rraste nja 8 vjet brenda.
Mësuar me këtë
psikozë na bënte fort habi fakti kur shihnim se si në Italinë fqinje ligjin e
bënte o më i forti, o më i pasuri, ose vetë ca nga ata të policisë që nuk dihej
me kë ishin, me shtetin apo me mafiozët. Kjo të ngazëllente pa masë, sidomos
kur nuk e kishe mbi kurriz.
Sot është
Shqipëria vendi që nuk dihet kush e bën ligjin.
“Plasi përsëri
pushka këtej nga ne”, - më raporton gruaja sa hyj në derën e shtëpisë.
E pyes në e
kishte njohur gjë krismën e armës, në ishte ndonjë mauzer nga ata të gjermanëve
që u prodhuan për Luftën e Parë Botërore, ndonjë pushkë model “56” që na e bënë
peshqesh sovjetikët apo ndonjë kallashnikov, por model kinez. “Tallu ti, tallu,
po këtu nuk po merret vesh më se kush vritet” - ma ktheu ajo.
Mirë e ka. Pse
bëhet shaka me të tilla lajme. Sidomos kur plumbat mund të të thyejnë xhamat e
shtëpisë, dhe pastaj do të thonë se ishte “plumb qorr” ai që të prishi pikturën
që e kishe varur në murin e dhomës së gjumit.
Mirëpo lajmi
është më i shpejtë se era, i kisha marrë vesh të gjitha ç’kishin ndodhur, pa
raportin manual të gruas. Madje, kisha parë dhe videot që qarkullonin në
rrjetet sociale. Se G4 punonte për mrekulli. Mbase këto kohë na vjen dhe G5 që
të mbledhim mendjen. Shpejtësi skëterre.
Herë-herë Tirana
duket si Palermoja e viteve ‘70.
Një statistikë
thoshte se pas karantine, për 60 ditë janë bërë 15 vrasje. Bukuri. Se
statistikat kanë vlerë të madhe. Në bazë të tyre merren dhe masat. Por kështu të
hyn dhe frika. Kë të kesh frikë më shumë kur del në rrugë, Covid-in apo
Banditin.
Një gazetar fort
i njohur kronike në një emision fort të ndjekur televiziv thoshte se bandat po
riformësohen. Demek po ikin nga qarkullimi kapot e vjetër dhe po vijnë të
rinjtë, me energji të reja. Por si po vijnë? Me “grusht shteti” natyrisht, duke
vrarë nëpër rrugë kapot dhe mbështetësit e së vjetrës. Që territoret janë ndarë,
kjo nuk diskutohet dhe që të kalosh përmes tyre të duhet vizë me tri vija të
kuqe. Por që për mbrojtjen e territoreve të influencës bien më shumë dëshmorë
se për mbrojtjen e kufijve të atdheut, kjo është një gjë e pathënë më parë.
Në këto raste të
vjen keq dhe për shtetin që ka rënë në këtë farë derexheje.
Një gazetare
tjetër, edhe kjo e rubrikës së kronikës së zezë, në po të njëjtin emision, thoshte
se kapobandat kur futen në burg shkojnë si ujqër, por kur dalin pas disa vitesh,
dalin si lepuj. Kjo nënkuptonte se shteti, sado i lodhur të jetë, është aq i
zoti sa të t’i fusë këmbët në një këpucë e të të duket prifti gomar.
Ja që shteti ekzistoka.
Ky qenka një lajm i mirë. D.m.th. edhe kapot dinë si ta ulin hundën kur rrinë
vetëm në një qeli 2 x 2 dhe fillojnë e thellohen në mendime. Sidomos kur koha e
qëndrimit për meditim budist i kalon të 20 vitet.
Mirëpo edhe kjo
punë na paska ca kleçka. Se punë pa yçkla nuk ka. U gjendet dermani të
gjithave. Dhe gazetarja vazhdoi me ekspozenë e saj, duke folur mbi rastet kur
gjykatat në mënyrë krejt abuzive lirojnë të dënuarit me rrezikshmëri të lartë.
Po si na ndodhka
kjo mor jahu se s’po kuptojmë gjë? Dhe pas kësaj vjen pyetja tjetër naive: Po
pse nuk i bëjnë të plota vitet aq sa ka vendosur gjykata?
Ama pyetje...
Për sjellje të
mirë, thotë. Por mirë mor djem, për sjellje të mirë të japin një fletë
lavdërimi, ja dhe ndonjë teneqe si punë dekorate. Por, po qe se ke bërë ca
burra të hanë dhe, e të dalësh nga burgu pa të hyrë një gjemb në këmbë, duket
ca si e përpjetë kjo punë.
Ore, çfarë po
ndodh kështu, në këtë shtet?
Që burgu është për
burra, kjo dihet, por që burgu qenka bërë si shkolla e lartë, këtë e kisha me
pikëpyetje.
Dhe gazetarja na
jep ca shpjegime të tjera: se ç’qenka një gjyqtare andej nga Kruja që i priska
shpata dhe na paska gjetur ca metoda të cilat na i zbusin dënimet. Brenda
kuadrit ligjor, kuptohet. Se ligji është si Maliqi, varet kë godet dhe si e
godet. Dhe të gjitha dosjet me peshë të rëndë ia plaskan asaj mbi tavolinë. Dhe
s’thotë gjë ajo. Merr e u jep zgjidhje të gjithave tak-fak. Fjala vjen dënimin
e përjetshëm na e ktheka në 25 vite. Për sjellje të mirë gjatë jetës sociale në
burg, kur një kriminel i dikurshëm shtrohet në punë të lajë pjatat e kuzhinës,
dyshemenë e katit të parë e të pastrojë haletë me detergjentë të holluar, por
dhe të ndihmojë shokët kur kanë nevojë, e meriton dhe një bonus që ia shkurton
ndjeshëm vitet e qelisë.
Ky është marifet
juridik, jo të gjithë e kuptojnë.
Pra, një herë ta
shkurtojnë dënimin me një të tretën, po qe se e pranon fajin dhe kur të kapin
me presh në duar. Një herë tjetër shkurtimi i viteve vjen për sjellje të mirë
dhe meditim kronik mbi veprat e filozofisë antike. E kaq duhet dhe e sheh veten
te 15-katëshi duke marrë taksi për të shkuar në shtëpi.
Por qershia mbi
tortë e gjithë kësaj qenka një vendim, ndër më humanët ndodhur në histori, që
pas shkarkimit të tonelatave me bukë në Etiopinë, atje ku njerëzit vdisnin nga
uria. Kjo ndodh kur i dënuari ka prindërit sëmurë e s’ka kush u bën hyzmet. Atëherë
lirohet tjetri nga burgu, i gjendet një punë modeste, me qëllim që me pagën e
marrë nga puna e ndershme të sigurojë ilaçet e mamasë te farmacia e lagjes,
sepse kjo e fundit nuk jep më veresie. Domosdo, se shteti e ka më të lehtë të të
lirojë nga burgu djalin kriminel, se sa të të japë ilaçet falas, dhe djali për
krimet që ka bërë duhet të bëjë ditët një më një, sipas vendimit të prerë. Mirëpo
na dalin gjykata mbi gjykatat.
Kush po na e bën
ligjin atëherë...?
Shtet jo shaka. As
SPAK-u, as Vetingu, as Reforma për Drejtësi, as OFL-ja, as... more po as auditi
financiar nuk kaloka andej nga Kruja. Autonomi brenda suzerenitetit shtetëror.
Ja kështu i rregullojmë punët ne shqiptarët.
Këtë s’ma rrok
mendja fare, në fakt.
Dhe punët
vazhdojnë të shkasin si mbi dhjamë.
Kapot vrasin njëri-tjetrin
dhe kur ndonjë i pafajshëm u futet pa dashur në rrezen e zjarrit, nuk është më
faji i tyre. Policia rrethon vendin e krimit me shirita të verdhë dhe ambulancat
mbledhin kufomat për në morg.
Kush po na e bëka
ligjin kështu?
Media flet për
arrestime të bujshme që do të ndodhin. Mirëpo nuk po ndodhin. Edhe një ish-kryeprokuror
që nuk dihet nga është fshehur tashmë, kështu thoshte kur ishte në krye të
detyrës. “Do ta shihni ju në shtator, do ta zë peshkun e madh e do ta nxjerr në
breg”.
Mirëpo peshku i
madh lundron në ujëra të thella. Zor se e kapin varkat me rrjeta gjysmë të çara
Dhe kjo
gjyqtarja e Krujës shin në lëmenjtë e shtetit. Ndërsa “shteti” rri si gallof
dhe e vështron.
Po këtë, ka burrë
që e ha?
Mirëpo ende s’po
e marrim vesh, kush po na e bën ligjin? Dini gjë?
No comments:
Post a Comment