Besim
Zekthi ishte solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve
Popullore, ku do të jepte kontributin e tij për më shumë se 50 vjet me radhë. Ai
shkëlqeu në të gjitha vallet ku ishte protagonist, duke qenë në shumë raste dhe
koreograf i tyre. Në repertorin e tij do të numëronte mbi 200 valle të
interpretuara
Nga Leonard
Veizi
Nën
gjëmimin e fortë të daulleve, që dukej sikur do të plasnin nga çasti në çast, dhe
ritmit të fizarmonikës, klarinetës, llautave e violinave, ai nuk ndalej. Lodhjen nuk mund
ta ndiente, sepse lodhje nuk kishte. Dhe pas valles së parë vinte e dyta, e
treta e me radhë. Shputat dhe majat e këmbëve vetëm sa preknin skenën, por nuk
arrinin të rëndonin mbi të. Dhe ai ishte i lehtë. E ndërsa në sytë e spektatorëve
dukej mahnitës, me veten e tij ai ishte njeriu që nuk mund të kënaqej kurrë.
Sepse çdo herë dhe në çdo dalje në skenë, diçka të re kërkonte, diçka që të
mund ta çonte në një vend të skajshëm. Dhe këtë mund ta bënte veç një zog fluturues,
ndoshta një feniks që ringrihej nga hiri i tij, a ndoshta një shqiponjë që
jetonte aq shumë, sa nuk dinte të vdiste. Dhe ai kërkoi ndihmën e kësaj të
fundit...
...Tek
ngrihej lart me krahët e shqiponjës, ai jo vetëm i jepte gjithë kompozimit koreografik
të valles “Kreshnikët e lirisë”, por dukej sikur fuste brenda krahëve të tij
gjithë trupën e valltarëve. Dukej shumë madhështor për të menduar se do të
qëndronte në tokë apo nën të, ndaj imazhi i tij është i fiksuar thellësisht se si
qëndronte mbi të tjerët, një bojë njeriu sipër. Ndërsa aleatja e tij e
përhershme, ky shpend krenar dhe simboli i flamurit kombëtar, ishte ajo që e
karakterizoi aq shumë në vallet e udhëhequra prej tij, qoftë dhe në vështrimin
e mprehtë si prej luftëtari a kaçaku me pushkë e pisqolla brezit…
***
Bota
e të vdekurve po zgjerohet çdo ditë e më shumë. Dhe Besim Zekthi sot i përket
një bote tjetër. I kishte mbushur 84-vjeç kur mbylli sytë. Në njoftimin e
zakonshëm thuhej se ai u largua nga jeta pasditen e të dielës së 28 qershorit
2020, në shtëpinë e tij, diku në rrugën “Mihal Grameno”, në Tiranë. Ndërsa
ishte lindur më 5 shkurt të vitit 1936, po në Tiranë.
Bota
e artit është në zi sot. Dhe kohët e fundit ajo ka marrë goditje të
herëpashershme. Janë larguar nga kjo jetë korifenjtë, njerëz që i kanë dhënë aq
shumë botës shqiptare të gjërave të bukura. Të tjerë kanë ikur prej kohësh. Në
panteon shtohen yjet dhe imazhet e shenjtëruara. Vendet e mbetura bosh kërkojnë
të zihen me shpejtësi. Konkurrenca duket e fortë. Por jo në të gjitha rastet
bilanci është i njëjtë. Sepse ka vende që mbeten vakante për një kohë të gjatë,
dhe konkurrenca nuk hyn fare këtu. Vendin e Besim Zekthit vështirë ta marrë
njeri, as sot dhe as për vitet në vazhdim. Brezat kanë nisur të ndërrohen. Më të
rinjtë ende nuk e njohin të shkuarën. Por ata që e bënë epokën e tyre tashmë nuk
mund të harrohen. Dhe nëse duam t’i harrojmë, sërish nuk mundemi. Ata janë aty,
të gjallë, madje të rinj e vitalë. Sepse ka një mekanizëm që i bën të
pavdekshëm. Dhe kjo është më e rëndësishme se fletëlavdërimet në letër, çmimet
që kanë marrë, apo dhe një pension kacidhesh, akorduar nga shteti për punën e
tyre madhore.
Besim
Zekthi do të mungojë në botën e të gjallëve. Nuk do të jetë i pranishëm për një
kafe, për një bisedë shoqërore, për të dhënë një mendim të çmuar e profesional
a qoftë dhe për të bërë një dorë tavëll a letrash brixh, nëse luante diçka të
tillë. Por imazhi i tij aspak. Ai ndodhet nëpër bobina me shirita magnetikë të
Televizionit Shqiptar, në ato të filmit që ruhen me fanatizëm tek Arkiva e
ish-Kinostudios. Ato vazhdimisht transmetohen. Sepse repertori i tij është i
shumëllojshëm për një valltar që s’ka ditur të ndalej. Pa dyshim brezat e rinj,
ata që kërcejnë nën ritmet dehëse të hip-hopit apo dhe rock and rroll-it nëse
ekziston akoma, duhet të dinë se mbi gjithçka ka qenë dhe është tabani
kombëtar. Dhe këtë më shumë se kushdo na i tregojnë vallet e Ansamblit, ato që
janë interpretuar prej Besim Zekthit, Liljana Cingut, Enver Birkos, Rexhep
Çelikut, Besim Jazexhiut, dhe shumë e shumë të tjerëve.
Besim Zekthi |
Por
Besim Zekthi ishte solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve
Popullore. Ai shkëlqeu në të gjitha vallet ku ishte protagonist. U bë pjesë e
këtij Ansambli që në vitin 1957, kur u krijua nën drejtimin e “Artisti i
Popullit”, Çesk Zadeja. Më herët, në vitin 1952, ai ishte prezantuar te
Filarmonia e Shtetit, në një konkurs ku kishte fituar pikët maksimale, dhe
vetëm në këtë mënyrë pati mundësinë të fillonte karrierën si valltar. Dhe do të
jepte kontributin e tij artistik për më shumë se 50 vjet me radhë. Ato që
mbahen mend më shumë nga repertori i tij i çmuar janë “Vallja e shqipeve”,
“Kreshnikët e lirisë”, “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, por dhe “Dasma e
Rugovës”, “Për flamur, për atdhe”, “Valle me motive të Mirditës”, “Valle me
motive të Drenicës” etj. Në repertorin e tij Besim Zekthi numëron mbi 200 valle
të interpretuara si solist, dhe do të përfaqësohej në kërcim me kërcime nga të
gjitha trevat shqiptare, të Tiranës, valle nga të Devollit, të Dropullit, por
dhe kërcime mirditore, kuksiane e dibrane.
Ndërkohë
Besim Zekthi ishte po aq dhe koreograf. Dhe ishte ai qa ka ideuar vallet:
“Dasma e Rugovës”, “Valle me motive të Mirditës”, “Valle me motive të
Drenicës”, “Për flamur, për atdhe”, “Motivet e Librazhdit”.
Duke
qenë një kërcimtar i jashtëzakonshëm, mjeshtër i valles popullore shqiptare,
Besim Zekthi u bë dhe ndër protagonistët kur në vitin 1970 Shqipërisë iu dha
“Gjerdani i Artë”, në festivalin e Dizhonit, në Francë. Pas kësaj Zekthi e çoi
vallen shqiptare në shumë vende të botës, Në Evropë, Azi e Afrikë, dhe pa
dyshim për këtë ndihej shumë krenar.
Për
gjithë kontributin e tij të madh në kulturën shqiptare, Besim Zekthi mbante
titujt “Mjeshtër i madh” dhe “Nderi i Kombit”.
Sot
vendi i Besim Zekthit është bosh, dhe po aq bosh ka mbetur dhe vendi i Rexhep
Çelikut apo Enver Birkos. Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore nuk është në
ditët e tij më të mira. Për të mos thënë që ditë të mira ka kohë që nuk ka
pasur dhe Shqipëria nuk ka qenë mjaftueshëm e përfaqësuar në evenimente
ndërkombëtare. Sepse ka qenë ky Ansambël dhe këta emra të mëdhenj të valles
popullore shqiptare që kanë ngritur në këmbë publikun e Algjerisë, Marokut,
Kinës, Turqisë, Francës, Vietnamit, Rumanisë, Suedisë, Norvegjisë, Greqisë,
Italisë, Austrisë, Tunizisë, Gjermanisë, Egjiptit, Zvicrës, Finlandës,
Danimarkës, Australisë, Maqedonisë, Libisë, Kroacisë, Belgjikës, Kanadasë,
Spanjës, e Portugalisë.
No comments:
Post a Comment