Sunday, September 20, 2020

Tirana (nuk) është si Palermoja e viteve ‘70


Nga Leonard Veizi

 

Sa herë kërcet pushka e bëhet ndonjë vrasje, apo shpërthen tritoli që merr në qafë më shumë se një person, në media e përtej saj dëgjojmë rëndom të thuhet se Tirana është bërë si Palermoja e viteve ’70. Në një farë mënyre kjo do të thotë se në ditët e sotme, pra në vitin 2020, Palermoja ka ndryshuar shumë dhe është “riedukuar”. Ndërsa Tirana ka marrë huqet e saj të 50 viteve më parë. Në fakt, ky është një opinion tejet i gabuar. Pse? Le t’i marrim gjërat me radhë:

Çfarë e lidh Tiranën e sotme me Palermon e djeshme?

Palermoja është kryeqendra e Sicilisë, por vetë Sicilia është një pjesë e Italisë dhe aspak më e rëndësishmja. Shkurt, Palermoja është një qytet periferik, në skajin e poshtëm të gadishullit Apenin. Po Tirana? Kush nuk e di, duhet ta marrë në konsideratë këtë informacion: Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë. Pra, qyteti më i rëndësishëm i saj. Në kryeqytet funksionojnë institucionet më kryesore të shtetit, fjala vjen Kuvendi, Këshilli i Ministrave, Gjykata Kushtetuese, Kontrolli i Lartë i Shtetit, por dhe Ministria e Punëve të Brendshme në vartësi të së cilës është dhe policia me të gjitha strukturat e saj. Në këtë mënyrë, një kryeqytet a priori duket më i mbrojtur dhe i siguruar sesa një qytet periferik, ku ndonjëherë, për shkak të interesit të ulët, “lejohet” të plasë pushka sa të luajë dhe “qeni i kallajxhiut”. Prandaj insistoj të them se Tirana as që mund të krahasohet me Palermon.

Pas ditëve relaksuese të pandemisë dhe karantinës së detyruar, krimi pati një rritje të menjëhershme. Ishte koha kur shqiptarët u çliruan si këlyshët nga zinxhiri, dhe zbrazën çfarë kishin akumuluar gjatë ditëve kur HUMMER-at e ushtrisë, me mitrolozat ngrehur për luftë, demonstronin forcë nëpër rrugët e kryeqytetit, aq sa të dukej vetja se po përsëritej situata “Nikaragua ‘79”. Prej asaj kohe qetësia quhet e prishur dhe herë pas here rendi kërcënohet nga aktet terroriste. Sepse të vrasësh shënjestrën, por dhe ca të tjerë që janë ulur në kafe, për hesap të tyre, vetëm se t’u drodh dora e të luajti tyta e automatikut, është një akt i pastër terrorist.

Megjithatë, nuk do t’i jap shumë rëndësi statistikës së vrasjeve. E rëndësishme është fakti që krimi nuk ka frikë. Ai nuk trembet nga shteti dhe është i gatshëm të veprojë në qendër të kryeqendrës, mjaft të mbarojë punë e të heqë qafe atë që ka vënë në shenjë. Nuk flitet për koston, kush dëmtohet e sa dëmtohet jashtë perimetrit, mjaft që puna të kryhet. “Po të hash bukë, do të bësh edhe thërrime”, thotë një fjalë e urtë. Ja kështu mund të justifikohet lehtësisht i gjithë terrori e kasaphana. Dhe po kështu Tirana kthehet në “arenën e luftimeve”.

Po pse nuk barazohet Palermoja me Tiranën?

Vazhdojmë argumentin...

Mafia italiane nuk ishte aq e marrë, sa të ndizte zjarrin në Romë. I mjaftonte një qytet periferik si Palermoja për të mbaruar punët e veta. Madje, Roma ishte një qytet fare i qetë nga kjo anë. Ajo u shqetësua në vitin 1968 nga lëvizja studentore që pushtoi Evropën, u shqetësua pas viteve ‘70 nga aktet e Brigadave të Kuqe që donin të merrnin pushtetin me dhunë, dhe që pikën kulmore e kishin me rrëmbimin e ish-kryeministrit demokristian, Aldo Moro. Por që gjithsesi u bënë zap, dhe kjo falë një gjenerali që quhej Karlo Alberto Dala Kieza.

Ndërsa në Shqipëri ndodh e kundërta. Atentatet mafioze, ato për larje hesapesh, për gjakmarrje, për para të pashlyera, për ndarrje territoresh, bëhen të gjitha në kryeqytet. Kjo po, kjo është për t’u shqetësuar. Dhe shumica e ekzekutimeve kryhen në mes të mexhlisit, duke terrorizuar dhe pjesën tjetër të popullatës.

Në Romë shteti fuksiononte për mrekulli. Ndërsa në Tiranë është e kundërta.

Dhe kjo ndodh se njerëzit me probleme ikin nga zonat e tyre periferike dhe “fshihen” në kryeqytet. Se si mund të fshihesh në Tiranë, një Zot e di. Sepse këtu është mundësia më e madhe për t’u gjetur. Dhe kështu ka ndodhur. Problemi në këtë rast është se bashkë me të thatin e ha dhe i njomi. Se ndodh të jesh në vendin e gabuar, në orën e gabuar dhe po plasi tritoli ose kërciti kallashnikovi, mbetesh top në vend dhe nuk merr dot as statusin e dëshmorit. Familja humbet të afërmin, gruaja burrin, fëmijët babanë. Thjesht je një viktimë që ke shkuar për dhjamë qeni dhe vrasja jote nuk i shërben askujt. Në fund fare të bëhet dhe një tjetër fyerje; sepse të bëjnë pjesë statistikore, ku vlera më e madhe është se ke shtuar një shifër në numrin e viktimave.

Si i bëhet që Tirana e vitit 2020 t’i ngjajë Palermos të po këtij viti dhe jo asaj të viteve ‘70?

E thjeshtë fare. Shteti duhet të tregojë dhëmbët. Duhet shtrënguar rendi me strukturat antiterror, duke marrë në konsideratë raportet e Shërbimit Informativ, gjithmonë nëse ka të tilla. Dhe sistemi drejtësisë, i reformuar, të japë dënimet e merituara, jo nga ato të zbuturat, ku zbritet 1/3 e dënimit për shkak se pranon krimin. Sepse po dole pas tre vjetësh, pa të hyrë gjemb në këmbë, do të jesh ti shënjestra e radhës dhe ca të tjerë rreth teje viktima të statistikës.

Kur mafiozët vendosën të vrisnin gjeneralin Dala Kieza, aksioni i natës së 3 shtatorit 1982, u krye në një rrugë pa shumë lëvizje. Në atentat mbetën të vrarë gjenerali, që në atë kohë ushtronte detyrën e prefektit, gruaja e tij Emanuela, dhe truproja.

Po ashtu, edhe kur u vendos të vritej gjykatësi Xhovani Falkone, u hodh në erë një segment rruge ku po kalonte vetëm ai me skortën. Sulmi u bë në 23 maj 1992, në autostradën A29. Nga shpërthimi mbetën të vdekur Falkone, gruaja e tij Françeska, dhe tre oficerë policie.

E njëjta strategji u zbatua edhe me gjykatësin tjetër, Paolo Borselinon. Më 19 korrik 1992, ai u vra nga një makinë bombë në Via D'Amelio, afër shtëpisë së nënës së tij. Sulmi me bombë gjithashtu mori jetën e pesë oficerëve të policisë, mes të cilëve një femër.

Mora këta si shembujt më të njohur të ekzekutimeve mafioze në Palermo. Kjo për të kuptuar ndryshimin mes Palermos dhe Tiranës. Sepse ata të Palermos e kishin një skemë e një platformë. Pra, ishin nga ata që ne i quajmë “me shkollë të lartë”. Ndërsa vrasësit në Shqipëri punojnë nallbançe, si t’u vijë. Nuk pyesin për shkollën. Në këtë mënyrë, mund të “falënderojmë” ekzekutorët e Sicilisë që janë treguar plot “elegancë”, që përveç shënjestrës dhe shpurës shoqëruese nuk vranë apo plagosën një njeri të jashtëm, i cili nuk kishte të bënte me çështjen.

Në Shqipëri, një pjesë e mirë e atentateve janë shoqëruar edhe me viktima krejtësisht të pafajshme. Jo se ka faj një punonjës policie, pjesë përbërëse e skortës, por tek e fundit ai e ka marrë parasysh, se ka zgjedhur një profesion që është në përleshje për jetë a vdekje me krimin. Por të kesh dalë për të blerë bukë, që t’ua çosh fëmijëve në shtëpi, e të mbetesh i vdekur nga një plumb “qorr”, kësaj çfarë t’i thuash.

Herë pas here në Tiranë krimi demostron se nuk ka frikë nga përqendrimi i madh i institucioneve qendrore, i Drejtorisë së Policisë, forcave RENEA, atyre të Ndërhyrjes së Shpejtë, i helikopterëve të ndjekjes dhe i motoçikletave të ndjekjes që ndonjëherë mbeten dhe pa karburant e nuk arrijnë ta kryejnë deri në fund misionin.

Atëherë përse Tirana duhet të krahasohet me Palermon, kur ato janë vite dritë larg.

Sepse Tirana nuk është dhe s’mund të jetë si Palermoja,

Ajo është edhe më keq...

 

No comments:

Post a Comment