Nga Leonard Veizi
Ai është një figurë thuajse mitike për shqiptarët.
Padyshim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në studimet historike dhe
albanologjike, si dhe për mbështetjen e tij për çështjen shqiptare. Dhe sepse
ai është konsideruar si një nga historianët dhe albanologët më të rëndësishëm
të fillimit të shekullit XX...
...Nuk
ishte rastësi që Milan Shuflaj, ekzekutohet vetëm një ditë pasi ai ishte kryer
nga një vizitë që kishte bërë në Shqipëri. I ftuar dashamirësisht nga qarqet intelektuale
shqiptare ai mbërriti në Tiranë në 12 janar të vitit 1931.
Në Shqipëri
Nga
dokumentacioni i bërë publik tashmë thuhet se gjatë qëndrimit në Shqipëri, më
16 janar 1931 Shuflaj mbajti një fjalim në Parlamentin shqiptar. Hollësisht ai
shtjelloi punën rreth botimit të vëllimeve në vazhdim të “Acta Albaniae”, si
dhe të “Historisë së Shqipërisë”. Për këtë gjë, Parlamenti shqiptar nga buxheti
i shtetit, urdhëroi ministrin e arsimit, Hilë Mosin, që në emër të shpenzimeve
të paguante në “Banque Commerciale de Bâle á Zurich”, në llogari të Dr. Milan
Šuflaj-t, shumën prej 75.000 frangash ari
Ditët
e qëndrimit në Shqipëri Shuflaj i shfrytëzoi për të mbledhur edhe disa të dhëna
për disa monumente mesjetare që kishin ngel të patrajtuara në studimet e
mëparshme. Ai kërkoi të merrte përsipër gjurmimin e burimeve të periudhës
1406-1536, të cilat më vonë do t’i botonte në vëllimet e tjera të “Acta
Albaniae”
Në
17 shkurt 1932 Milan Shuflaj gjendej përsëri në shtëpinë e tij në Zagreb. Një
ditë më pas anëtarët e organizatës “Jugosllavia e Re”, i zunë pritë në pragun e
derës dhe e goditën me mjete të forta në kokë. Ishte 51-vjeç. Ndërsa thuhet se
pas këti akti brutal atentatorët hynë në banesën e tij dhe morën dorëshkrimin e
librit të tretë "Codex Albanicus".
Për shqiptarët
Shuflaj
kishte një lidhje të veçantë me Shqipërinë dhe çështjen shqiptare. Ai ishte një
nga studiuesit kryesorë të historisë shqiptare mesjetare dhe autori i disa
veprave themelore në albanologji. Një nga kontributet e tij më të rëndësishme
ishte pjesëmarrja në botimin e "Acta et Diplomata Res Albaniae," një
koleksion i jashtëzakonshëm dokumentesh historike që përmban burime nga
shekulli XIII deri në shekullin XV. Ky vëllim, i përgatitur në bashkëpunim me
studiuesin Ludvig Thalleksi dhe Konstantin Jiriçek, përbën një nga bazat më të
rëndësishme për studimet mbi historinë e Shqipërisë mesjetare. Ai përmban
diploma, traktate dhe dokumente të tjera të rëndësishme që hedhin dritë mbi
marrëdhëniet politike, shoqërore dhe ekonomike të Shqipërisë me fuqitë e kohës.
Ky
punim monumental ndihmoi në ndriçimin e historisë shqiptare dhe ofroi një
perspektivë të re mbi rëndësinë e Shqipërisë në zhvillimet rajonale dhe
evropiane. Sufflay gjithashtu mbështeti përpjekjet për pavarësinë e Shqipërisë
dhe kishte lidhje me intelektualët shqiptarë të kohës.
Kontributi
i Shuflaj-t në historinë dhe kulturën shqiptare është vlerësuar lart nga
studiuesit dhe historianët shqiptarë. Ai konsiderohet si një nga figurat
kryesore të albanologjisë dhe një mbrojtës i çështjes shqiptare në një kohë kur
Shqipëria përballej me sfida të mëdha për të ruajtur identitetin dhe pavarësinë
e saj. Disa nga librat e tij kryesorë janë: “Kufijtë e Shqipërisë në mesjetë”,
“Shqipëria mesjetare”, “Biologjia e fiseve të popullit shqiptar”, “Qytete e
fortifikata të Arbërisë, kryesisht gjatë mesjetës”, “Serbët dhe Shqiptarët” etj.
Në
Shqipëri, Shuflaj është kujtuar dhe nderuar si një mik i madh i kombit
shqiptar. Punimet e tij kanë qenë një burim i çmuar për historianët shqiptarë
dhe kanë ndihmuar në ndriçimin e periudhave të errëta të historisë së vendit.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe institucione të tjera shkencore e kanë
përmendur shpesh në studime dhe konferenca shkencore mbi historinë mesjetare
shqiptare.
Në
vitet e fundit, vepra dhe kontributi i tij kanë marrë vëmendje më të madhe,
duke u përfshirë në botime akademike dhe ekspozita të organizuara në Shqipëri
dhe Kosovë. Historianët shqiptarë e vlerësojnë Shuflaj-n si një figurë të
pazëvendësueshme në studimet albanologjike, duke e cilësuar si një nga të huajt
që ka dhënë një ndihmesë të madhe për ruajtjen dhe dokumentimin e identitetit
shqiptar.
Atentati
Milan
Shuflaj ishte bërë pengesë e madhe në realizimin e projekteve të mëdha
antishqiptare. Ndaj më 18 shkurt 1931, ai u godit nga atentatorë të paguar nga
shërbimet sekrete jugosllave. Ndërroi jetë disa orë më pas nga plagët e marra.
Ky akt shkaktoi zemërim të madh në qarqet intelektuale evropiane. Sipas të
gjithë dokumentacionit thuhet se Albert Einshtein dhe Hajnrik Men, të alarmuar
nga dhuna shtetërore kundër Shuflaj-t, i shkruan një letër Lidhjes së Kombeve
duke dënuar regjimin jugosllav për shtypjen e fjalës së lirë dhe persekutimin e
intelektualëve. Por nuk ishin të vetmit këta që reaguan ngaj atentatit makabër.
Në
qershor të vitit 1940, në Banovinën e Kroacisë, u organizua një gjyq për
vrasjen e Shuflaj-t. Vrasësit ishin agjentët e policisë Branko Zverker, Lubomir
Bellosheviç dhe Stevo Veçerinca
Të
nxjerrë në gjyq ata deklaruan se vendimi për likujdimin e Sufflayt u muar me
15-16 shkurt 1938 në zyrën e shefit të policisë Politike të Zagrebit. Të
akuzuarit më pas arritën të largoheshin për në Beograd. Të gjitha përpjekjet e
mëvonshme për t'i ekstraduar ishin të pafrytshme.
Vrasja
e Shuflaj-t nuk ishte vetëm një sulm ndaj tij personalisht, por edhe një
përpjekje për të heshtur një brez intelektualësh që kërkonin të mbronin
identitetin dhe të drejtat e popujve të shtypur nga regjimi jugosllav.
Megjithatë, puna e tij në fushën e historisë dhe albanologjisë mbetet një dëshmi
e përkushtimit të tij ndaj së vërtetës dhe dijes.
Epilogu
Milan
Shuflaj, një nga intelektualët më të shquar kroatë të fillimit të shekullit XX.
Ndërsa akti tragjik ndaj tij konsiderohet si një goditje ndaj dijes, kulturës
dhe rezistencës intelektuale ndaj diktaturës mbretërore serbo-kroato-sllovene.
I
lindur më 9 nëntor 1879 në Lepoglava, Shuffaj ishte historian, albanolog, dhe
politikan i shquar. Ai dha një kontribut të madh në studimet mbi historinë
mesjetare të Ballkanit, veçanërisht mbi Shqipërinë dhe marrëdhëniet e saj me
Europën Perëndimore. Si një ndër themeluesit e albanologjisë moderne, ai
bashkëpunoi me dijetarë të shquar evropianë dhe ishte pjesë e një rrjeti
akademik që synonte të thellonte studimet për shqiptarët.
Milan
Shuflaj la pas shumë studime të papërfunduara në dorëshkrim, një pjesë e mirë e
të cilave ruhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb.
Sot,
Milan Shuflaj kujtohet si një nga figurat më të rëndësishme të studimeve mbi
historinë shqiptare dhe si një dëshmor i luftës për liri intelektuale dhe të
drejtat e popujve të Ballkanit.
Ish-Presidenti
i Republikës Alfred Moisiu, në sesionin shkencor “Shuflai dhe Shqiptarët’” të
organizuar nga Akademia Shqiptare e Shkencave në Tiranë, e dekoroi Shuflajn pas
vdekjes me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, me motivacionin “Për kontribut të
shquar në studimet albanologjike, për karakterin shkencor dhe objektiv të
mbrojtjes së çështjes shqiptare në veprën e tij”.
Posta
Shqiptare në vitin 2013 emetoi një sesion pullash me portretin e tij.
No comments:
Post a Comment