Tetori është muaji i
letërsisë, nëntori muaji i panairit të librit. Hajde ç’vete hajde. Luks i madh
për botën shqiptare të letrave. Dy muaj ku letërsia dhe letrarët ngrihen lart,
në majën e Olimpit, e për të shkuar në zenith,... por me lugën bosh, si
gjithmonë. Se kur ngjitesh shumë lart do mendosh dhe si do ulesh poshtë, me
shkallë apo me ashensor. Por kur nuk i bën mirë llogaritë, ka gjasa t’i biesh
shkurt e të hidhesh me kokë.
Portalet gumëzhijnë nga
lajme gjithfarësh, ku çuditërisht në qendër është veç libri. Bota po vërtitet
rreth librit. Aleluja. E si qershia përmbi tortë qëndron libri artistik.
Libri? Çne libri?
Sondazhet kanë nisur.
Kush lexon më shumë. Kur përballemi me statistikat e shteteve të tjera evropiane
dalim për faqe të zezë, por brenda llojit jemi mirë, mbahemi. Përderisa ka ende
librari, dhe jo të gjitha janë kthyer në qoftore, prodhohen libra të rinj dhe
ka edhe dy panaire, një në Tiranë e një në Prishtinë, kemi shpresa akoma.
Kjo është njëra anë e
fasadës. Tjetra nuk ka të bëjë më me lexuesit e thjeshtë që mundohen të lexojnë
ndonjë faqe, dhe plot të tjerë e kanë si hobi të bëjnë një foto me një libër në
dorë ku në sy të bjerë sa më shumë një kopertinë e ilustruar mirë: O një çift
duke u puthur, o një femër nazelie duke ecur nëpër shi, o një burrë shpatullkërrusur
duke u menduar aq thellësisht sa....
Megjithatë kjo punë
nuk ka vetëm dy faqe, por gjashtë të tilla, po aq sa dhe “kubi i Rubikut”.
Hap rrjetet sociale.
Nisin lajmërimet: autorë pa fund kanë hedhur në treg librat e tyre.
Mizëri librash.
Kësaj i them jetë
kulturore unë o të keqen. Edhe në kohën e “xhaxhit”, kur punohej me normë e çdo
rreth kishte degën e vetë të Lidhjes së Shkrimtarëve nuk prodhohej kaq shumë
letërsi. Tani në demokraci, ku letërsia nuk mban dot as veten e vet, rivaliteti
për prodhim, silazhim e ambalazhim, ka kapur majat.
Më rezulton që në
faqen time të facebookut, më shumë më dalin shkrimtarë të rinj, ca të mesëm e më
pak të vjetër, që në tërësinë e tyre janë shumë më tepër se ata që deklarojnë
me gojën plot se vetëm konsumojnë letërsi.
Jo byrazer, ne jemi
popull prodhimtar. Duam të çajmë tregjet. Do ta hamë Evropën me kulturë. Që të
habiten e t’u vijë turp që nuk na pranuan në BE. Se ne vërtet jemi ca hollë nga
xhepat, por kokën e kemi plot. Flet puna vetë: çdo shqiptar e ka bërë një libër
në këtë jetë. Mjaft që di shkrim e këndim. Por thjesht, meqenëse nuk ka kujt
t’ia shesë, është futur në modën e shkëmbimit reciprok.
-Po plakat i pranojnë
atje me reciprok, mor djalë. Se dua ta ç’këmbej me një pelë të re?
Ja këtij i them pazar
unë. Si pazari i Korçës një herë e një kohë:
-Më jep një roman të
të jap dy libra me poezi.
-Ik or tutje, unë
romanin tim e shkëmbej vetëm me filozofi.
Ja kështu është
katandisur edhe libri në Shqipëri. Si Shabani që nuk ndahej nga Kanani.
-Vlash, të keqen
nëna, mos i ngordh të gjitha, Çoja zotit Lam se ai i do të gjalla. Nuk kemi
kokërr kripe në shtëpi.
Dhe ikte Vlashi të
shkëmbente ngjalat e zënë në kënetë, herë me kripë, e herë me ndonjë grusht misër.
Se pare s’kish gjëkundi...
-Pare...?! Po unë
s’jam bankë mor djalë.
Dhe pas gjithë kësaj
performance mbresëlënëse, nisin ftesat: Ju pres për autografe. Bukur shumë. Dhe kësaj i thonë të në mbushet mendja si
autor i madh aq sa fotografia jote bashkë me autografin duhet shitur, se bën
para me to. Në fund fare gjithë ankth presin çmimet e Ministrisë së linjës, kur
sapo të mbyllë siparin të fillojnë nga thumbat: Isha për çmim kombëtar, por ma
futën ata të jurisë...
Ec mo...
Po letërsia në vetvete
është një sport i peshave të rënda. Nuk është për skilipecë. Mirëpo ç’e do kur
të gënjen mendja. Ke lindur prematurë, por vetja të duket si Xho Frejzer kur
ndeshej me Kasus Klein.
Tetori dhe nëntori
janë muajt e librit në Shqipëri. Luks i tepërt. Për më tepër në një vend ku
letërsia nuk mban dot veten e vet e jo më të zotin. Mos dëgjoni se ç’thonë statistikat
e zyrave. Se po të jetë për to, ne dalim vendi që shet më shumë libra në botë.
E megjithatë, gara
mes shkrimtarësh është fort revanshiste.
No comments:
Post a Comment