Friday, November 18, 2022

Në ishull Lezhë, Shëngjin e Patok, aty ku Zoti ka hedhur mrekulli pa kursim

Shënime udhëtimi
 

Nga Leonard Veizi
 
Për shansin tonë të mirë, Shqipëria ka një vijë bregdetare të mrekullueshme. 316 kilometra, jo pak. Pa futur këtu që 73 kilometra të tjera janë vijë liqenore. Dhe sërish për shansin tonë, deri para 20 vjetësh ka qenë e pashfrytëzuar. Që do të thotë e virgjër. Vitet e fundit vende-vende është hedhur ca si shumë beton, por mundësitë janë ende shumë të mëdha kur sheh se kilometra të tëra vazhdojnë të jenë të paprekura. Ndaj dhe në 316 kilometra të kesh disa laguna në gjendje të lirë, me bimësi, zogj e kafshë gjithfarësh, e bën atë pjesë të bregdetit edhe më interesant.
 
...Nëse të duhet të zgjedhësh një vend turistik e me mundësi të shumta, sepse do të kalosh fundjavën larg zhurmave mbytëse, nuk është vështirë për ta gjetur. Në hartë, zona më e afërt me kryeqytetit është qarku i Lezhës. Duke parë topografinë dhe relievin, mundësitë e mëdha që të ofron, mendova që udhëtimi i radhës të ishte ky territor. Dhe kështu mora rrugën...
 
Drejt ishull Lezhës
Qarku i Lezhës ndodhet në pjesën veriperëndimore të Shqipërisë. Dhe me google maps apo me një hartë dore, mund të orientohesh për t’u njohur me disa pika të jashtëzakonshme të bukurive natyrore. Ato kanë të bëjnë përgjithësisht me dy lagunat e famshme, ajo e Patokut dhe e parkut natyror Kune-Vain-Tale.
Nga lashtësia, historia thotë se zona njihet që gjatë luftës mes Pompeut dhe Cezarit në vitin 48 para Krishtit pasi në këtë bregdet zbriti flota e Mark Antonit. Por kjo është sa për fillim. Sepse historia nuk ka fund.
Vija blu në google maps të tregon se janë 65 kilometra nga Tirana në Hotelin e Gjuetisë. Sepse Hoteli në fjalë ka një emër shumë të famshëm, të paktën 75-vjeçar. Ambientet e tij favorizojnë më së shumti eventet masive, sidomos dasmat si dhe angazhimin për sete fotosh për këdo që do të ketë kujtime në natyrë.
 
Pak histori
Përndryshe ajo njihet dhe si Vila e Konti Çiano, ose si Hoteli i Gjuetisë, një kompleks turistik, i projektuar nga italianët dhe i ndërtuar në vitet ‘38-‘39 të shekullit të kaluar, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Galeaco Çianos. Ajo ka historinë saj dhe vlera arkitekturore që i ruan ende edhe sot. Konti ishte ministër i Jashtëm i Italisë, ndër hierarkët më të besuar të Benito Musolinit, ndoshta dhe për faktin se ishte dhëndër i tij. Ai ishte i ngarkuar të mbulonte dhe Shqipërinë. Ishull Lezha ishte vendi më i preferuar i tij.
Në korrikun e vitit 1940 territori lagunor në perëndim të fshatit Ishull-Lezhë deri në Detin Adriatik u shpall rezervat gjuetie. Pas çlirimit të vendit, Vila e Konti Çiano u emërtua Hoteli i Gjuetisë. E kaluara dhe tradita, vazhdon të ruhet në pjesën funksionale të rezidencës. Vendasit thonë se Hoteli i Gjuetisë është një ndërtesë historike shumë e bukur, gjithmonë e vlefshme për t’u vizituar.
Sot laguna së bashku me disa territore, nën emërtimin “Kune-Vain-Tale”, sipas VKM nr. 432, dt. 28.04.2010, ka statusin e kategorisë IV: Rezervat Natyror i Menaxhuar/ Park Natyror.
Në dokumentet historike turko-veneciane të shek. XV përmendet shpesh Ishulli i Lezhës. Pasi qyteti i Lezhës u pushtua nga turqit me 1478 dhe qyteti u dogj, banorët e tij u zhvendosen në një zonë, jo shumë larg në ishullin e formuar në grykëderdhjen e lumit të Drinit. Ishulli i Lezhës u bë një vendbanim kryesor për lezhjanet.
Informacionet historike bëjnë me dije se në vitet 1478-1501, për 23 vjet, Ishulli i Lezhës, ishte i vetmi vend në bregdetin e Shqipërisë së Veriut, që qëndroi i lirë, i pavarur dhe i vetëadministrueshëm.
 
Nocioni absurd
Quhet “Laguna e Vainit”, por ky emër nuk ka lidhje me terminologjinë tradicionale. Ajo ka një histori qesharake, por që tanimë çuditërisht ka marrë një qytetari të pakthyeshme. Në vitit 1947, në këtë zonë u instalua një repart ushtarak, i koduar si: VAIN. Katër gërmat janë inicialet e: Vrojtim Ajror, Informacion, Ndërlidhje. Ky emërtim, për shkak edhe të qëndrimit për gati 50 vjet të repartit ushtarak, fitoi të drejtë e një emërtimi zyrtar ngaqë u fut në përdorim masiv.
 
Fauna dhe flora
Deri tek Hoteli i Gjuetisë ka asfalt, dhe po punohet për restaurimin e rrugëve dhe trotuareve. Por më pas rruga është me çakull dhe më tej akoma një rrugë natyrale ku makinat që kalojnë për të vizituar lagunën kanë lënë vijëzimet e tyre. Atu ndesh pa vështirësi edhe një tufë delesh pa çoban, të cilat nuk i tremben as makinës...
Akoma më tej, natyra duket mrekulluese. Zogj pa fund që ulen e ngrihen mbi ligatinë. Gjithçka është mahnitëse. Mund të ulesh dhe të kundrosh fluturimin e shpendëve, ose të pozicionohesh për të bërë fotografi.
Aty në fushë të hapur ndodhet një kullë prej elementësh metalikë e cila lëviz sa majtas-djathtas dhe nuk është fort e përshtatshme për të soditur, pasi është dhe fort e vështirë që të përqendrohesh për të regjistruar me kamera, sepse mungon bazamenti dhe nuk ke as ku të mbahesh. Por tek e fundit kjo nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë.
Laguna ka qenë një zonë e veçantë apo rezervë gjuetie ndër më të pasurat në vend, me rosa të egra, fazanë, disa lloje kafshësh, dhe shumë lloje peshqish. Në materialet e sugjeruara enciklopedike thuhet se në Vain, ka vegjetuar fuqishëm flora dhe është rritur një faunë shumë e pasur. Veçohen grumbujt pyjorë me vidh, frashër, rrënjë, etj. Ndër kafshët veçohen vjedulla, dhelpra, lepuri, disa brejtës, lundërza, etj. Po ashtu, laguna ka qenë e rëndësishme për peshkim.
 
Në Shëngjin
Shëngjini përbën një nga resurset më të veçanta turistike detare, jo vetëm të Lezhës por edhe të Shqipërisë. Nga Hoteli i Gjuetisë për në Shëngjin do të duhen dhe 10.3 kilometra rrugë e cila në një rrugë përshkohet për të paktën 17 minuta. Relievi fushor, i rrethuar nga lumi Drin, laguna e Vainit, plazhi i Vainit dhe nga qyteti i Lezhës, e bëjnë një zonë të bukur dhe shumë interesante.
Vite më parë, në vitin 1924, Qeveria e Nolit qytetit të Shëngjinit i vuri emrin Qyteti Uillson në nder të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Uidrou Uillson. Emërtimi u mbajt deri në vitin 1945 kohë kur në pushtet erdhën komunistët.
Por vitet e fundit qyteti ka pësuar një evolucion të thellë, veçanërisht përmes zhvillimit të industrisë së ndërtimeve. Shëngjini është ai që nuk ka qenë.
Shëngjini ndodhet rreth 7 km në perëndim të Lezhës dhe ka një popullsi prej 4,000 banorë. Padyshim, në verën e nxehtë numri i banorëve që akomodohen për turizëm shumëfishohet. Por në vjeshtë e dimër shihet qartë se një shumicë dërmuese lokalesh, sidomos me emërtime që i përkasin zonës së Kosovës, janë të mbyllura e nuk shërbejnë.
Edhe pse ditë vjeshte. Në plazhin e Shëngjinit gjerësitë njerëzit e pasionuar pas plazhit marrin rreze dielli dhe lahen në det. Vendet që mund të eksplorosh në zonë janë të shumta. Udhëtimet me anije janë në dispozicion gjatë muajve të verës, duke marrë turistë për t’u prezantuar Ranën e Hedhun, Rrjodhin dhe Kepin e Rodonit. Bukuria e saj me malin pranë e bën Shëngjinin një vend interesant.
Qyteti dallohet për portin e tij dhe për plazhin e gjerë, por dhe për bazën ushtarako-detare që ka funksionuar gjatë periudhës së regjimit komunist.
 
Në lagunën e Patokut
Përndryshe njihet dhe si “Kompleksi Ligatinor i Patokut”. Nga plazhi i Shëngjinit për në lagunën e Patokut janë rreth 30 kilometra rrugë, e cila përshkohet për 36 minuta.
Padyshim që Laguna e Patokut është një nga mrekullitë e natyrës në vendin tonë. Kjo lagunë e vogël, e cila është mes dy lumenjve, Matit dhe Ishmit, qëndron disi fshehur nga autostrada Tiranë-Kurbin, por mjafton të zhvendosesh gjashtë kilometra, për të gjetur këtë mrekulli të jashtëzakonshme. Zona është një parajsë e veçuar nga rrëmuja urbane, ku më së shumti ndihen zhurma e flatrave të shpendëve.
Përgjatë vijës bregdetare 8-kilometërshe të Patokut, gjen qetësinë e pakrahasueshme, që prishet hera-herës nga zhurmat e motorëve të varkave, të cilat nisen për peshkim, dhe tufave të pulëbardhave, që më së shumti sillen rrotull qiellit.
Falë pozicionimit vetëm 57 km larg Tiranës, peizazhin e zbukurojnë akoma më tepër kasollet e vogla prej druri të ndërtuara mbi lagunë, ku mund të shijohet gatimi tradicional i restoranteve. Ngjyrat e qiellit që reflektohen në lagunë e bëjnë këtë të fundit një pasqyrë të rrallë natyrore që dhuron emocione të shumta.
Mbi 358 specie bimësh të larta e deri në 179 lloje shpendësh popullojnë të gjithë zonën, duke e kthyer në një parajsë të vërtetë për të pasionuarit mbas biodiversitetit. Flora dhe fauna e Lagunës së Patokut tërheqin çdo vit me mijëra vizitorë.
Dhe kaq për një ditë fundjave, ku mund të argëtohesh jo duke u shtruar në një tavolinë restoranti e cila gati sa nuk thyhet nga pesha e pjatave, por më së shumti duke u afruar më pranë natyrës bio, të cilat tanimë e kemi kaq të kufizuar.


 


No comments:

Post a Comment