Tuesday, November 22, 2022

Në Elbasanin e Ditës së Verës, më ballakume, aheng e xhiro tek kalaja


Nga Leonard Veizi
 
Nëse do të festosh Ditën e Verës këtë mund ta bësh vetëm në Elbasan. Sepse vetëm në këtë trevë janë ruajtur me fanatizëm të gjitha terbjetet e një feste, që cilësohet pagane, e që krahina të ndryshme të Shqipërisë festohet në ditë të ndryshme. Por asnjëra prej tyre nuk krahasohet me 14 marsin e Elbasanit. Dhe hijeshia e festës mbulon krejt qytetin, por dhe zonën përreth, të cilin Sami Frashëri e cilëson si “kërthiza e Shqipërisë”...
 
...Për Tiranën, që i përket bashkësisë së rretheve të Shqipërisë së Mesme, 14 marsi është një festë demokracie. Sepse vite më parë, 14 marsi as që konsiderohej si ditë feste, pararësisht se njihej për procedurë. Dhe një tirons që donte të festonte, merrte turravrap rrugën e Kërrabës për të mbërritur në Elbasan.
 
Festa
Gjithsesi, në Elbasan, Dita e Verës ka një ritual të veçantë. Madje as nata e ndërrimit të viteve, që jemi mësuar ta quajmë “Viti i Ri”, nuk e ka peshën e kësaj ngjarjeje. Dhe në historinë e Elbasanit nuk mbahej mend që kjo ditë të mos ishte festuar sipas të gjitha terbjeteve, përveç 14 marsit të vitit 2020, e cila nga një datë me rreth të kuq është kthyer me rreth të zi. Sepse në këtë 14 mars, u shfaq Covidi, dhe vendin e popullit që shëtiste në bulevard e zuri ushtria e forcat speciale të policisë, që trembnin njerëzinë të mos dilnin kuturu nga shtëpitë se shpërndanin virusin agresiv.
14 marsi i vitit 2022 ishte krejt ndryshe. Vërtet rusi ia ka nisur luftës, por Ukraina është larg gjithsesi. Ndërsa shqiptarët tanimë janë të lirë e pa orë policore. Po ashtu dhe elbasanasit iu rikthyen traditës së vjetër, e ta presin Ditën e bekuar të Verës sipas zakonit.
 
Gostia
Mëngjesi i Ditës së Verës edhe këtë herë gdhiu si ditë vere. Elbasanasit ishin sajdisur enkas për këtë festë, dhe një pjesë e atyre që bënin xhiro poshtë e lart mureve të kalasë, kishin dalë me mëngë zhapone, si për ta bërë fakt të kryer që dimrin e kemi lënë pas tashmë, dhe ditët e ngrohta na presin.
Në Elbasan festa fillon që mbrëmjen e 13 marsit. Me një darkë festive në shtëpi. Se terminologjinë vendase kjo është një “gosti”. Shtrohet tryeza më se e plotë. Nuk mungojnë aty gjeli i detit, qulli me ara, tava me pestil, tava e kosit, palat e fikut, për të vazhduar tek vera e rakia me bollëk. Natyrisht, në përmbyllje të të gjitha të ngrënave nuk mungojnë ballakumja e revania, të cilat amvisat i kanë gatuar që më parë. Dhe po të ngrihesh nga tavolina pas një darke a dreke të tillë, me siguri do të kesh shtuar 5 kile njëherazi e tensioni do të ketë shkuar,... sa për spital.
Shkurt: mund të të bjerë damllaja.
 
Sekreti
Për ditë vere tanimë është bërë zakon që ballakume gjen në çdo markatë e dyqan lagjeje. Por po t’i krahasosh ato me atë që prodhojnë elbasanasit e vjetër, do të të duken si biskota 5-lekëshe, nga ato që prodhonte kombinati.
-Eh, sa do zanati!
Sepse ballakumet e Elbasanit mund t’i prodhojnë vetëm elbasanllinjtë. Dhe kjo punë, përveç elegancës, ka disa sekrete.
Të jemi të qartë: sekretet nuk janë nga ato të kyçurat në arkiva e katakombe. Ato janë të hapura për çdo amvisë.
"Sekreti" i vërtetë është tek përbërësit, tek koha e punimit dhe tek enët, tek të cilat kryhet i gjithë procesi.
Dhe ka nga ato që ta japin formulën, duke e ditur mirë që sado të përpiqesh, përsëri nuk do të mund të bësh një ballakume, fjala vlen në Laçin e veriut apo në Patosin e jugut, të njëjtë me atë të Elbasanit.
Fillimisht merren enë bakri. Dhe flitet për enë të cilat janë të ruajtura në familje brez pas brezi. Pastaj do të merret miell misri i situr ose siç quhet ndryshe maja e miellit të misrit. Sheqeri duhet pluhur, dhe nëse ai është pak më i ashpër, gratë e punojnë fort me një nga enët e bakrit, për ta bërë sa më të imët. Preferohet gjalpi i freskët lope, i cili në fillim tretet në zjarr, - cilësia e tij ndihet nga aroma karakteristike që mbush ambientin, - dhe rrihet me sheqerin për të paktën nja dy orë të mira.
Shumë nga praktikantët heqin dorë se nuk ia dalin dot me këtë praktikë gjimnastikore. Por elbasanasit ia kanë marrë dorën.
Meqenëse procesi është i gjatë e i lodhshëm, ena e madhe e bakrit kalon dorë pas dore te gratë e shtëpisë, të cilat e rrahin për nga 20 minuta secila. Vezët, të verdhat e të bardhat bashkë hidhen një e nga një në enën e bakrit, duke u përzierë me sheqerin pluhur e gjalpin e tretur më parë. Mbi to, së fundi, hidhet maja e miellit të misrit. Nuk rrihet me forcë, por trazohet derisa lidhet dhe bëhet homogjene, gjithmonë në enën e bakrit. Me një lugë të madhe druri, përbërësi ndahet në forma topi dhe piqen me zjarr të ngadaltë.
-Hej shyqyr që ia dolëm!
Ky është i gjithë procesi i bërjes së ballakumes. Duket i thjeshtë në sqarimin me shkrim, por fakti është që askush nuk e arrin dot magjinë e një elbasanaseje të vjetër e me shumë përvojë në këtë drejtim. Edhe revanija, si ëmbëlsira tjetër e barasvlefshme e Ditës së Verës, pak a shumë ka të njëjtën praktikë pune. Por në këtë gatim special përdoret edhe finja, që del nga hiri i drurit të djegur mirë që hidhet në ujë e më pas kullohet. Ajo që percepiton nga kjo formulë përdoret për ëmbëlsirën e revanisë.
 
Rituali 
Festa ka zakonet e vjetra, një pjesë e të cilave janë trashëguar brez pas brezi, dhe ca të tjera janë produkt i epokës moderne që po jetojmë.
Që ta festosh Ditën e Verës duket pak a shumë të ndjekësh këtë itinerar: Në mëngjes çohesh pa zbardhur dita. Dhe vishesh me rroba të reja. Hapet dera e rrugës për të hyrë e mira e për të dalë së andejmi e keqja.
Pas kësaj vihen për t’u zjerë vezë fshati për të gjithë personat e familjes. Me ujin e tyre shpëlahet fytyra. Është ky një veprim që bëhet për të uruar fat, mirësi e shëndet, i cili duhet të jetë i bardhë si lëvozhga e vezës.
Ky është prologu i ritualit.
Pastaj këputet një fije që vendoset tek guri i zallit pranë derës, e që nënkupton mbarësi dhe gjelbërim në oborrin e shtëpisë.
Itinerari vazhdon me vendosjen e veroreve në kyçin e njërës dorë. Veroret janë fije pambuku dyngjyrëshe, e kuqe dhe e bardhë, që do të thotë dashuri dhe paqe. Ndërsa fëmijët e vegjël bëjnë ‘kam” ose këmbë, tek të afërmit e tyre në shenjë mbarësie. Sepse ata konsiderohen si engjëj. Dhe është më e vlerësuar nëse këtë hap të parë e bën një fëmijë i gjinisë mashkullore. Për këtë veprim mbarësie fëmijëve u dhurohen pako me ëmbëlsirat tradicionale.
Pastaj nis xhiroja në bulevardin kryesor të qytetit, i cili mban emrin “Qemal Stafa” një segment i së cilit kalon përbri mureve të kalasë mesjetare të  qytetit dhe që është vendi më atraktiv në pjesë urbane, pasi aty pranë janë gjetur dhe gjurmë të një qytetërimi të vjetër mbi 2000-vjeçar, pjesë e qytetit të vjetër, i cili quhej Skampa.
Në orën 10 tradicionalisht mbahen karnavalet, me numra të ndryshëm argëtues.
Por hapet dhe një një panair me produkte artizanale, që vitet e fundit është kthyer në një trend. Dhe pasi je lodhur duke bërë disa kilometra xhiro, ke pirë kafe dhe ndonjë gotë rakie, je i uritur për të nisur drekën. Dreka në këtë eveniment është një veprimtari e cila bëhet në shtëpi vetëm në rast të një kohe me shi. Sepse riti thotë së ajo duhet konsumuar me familjarët, për të ndarë sa më shumë gëzim mes njëri-tjetrit, në një ambient të hapur.
Para viteve ’90 të shekullit të kaluar, askush nuk drekonte në shtëpi por festohej në Parkun Rinia dhe në kodrat e Krastës.
Sot kanë ndryshuar kohët, paguan lekët dhe prenoton një lokal, ku ke në dispozicion këngëtar live, apo një dixhej, e ku këndohet kënga “Më mirë në pyll se në qytet”.
 
Epilogu
Ç’është e vërteta, sipas shkencës, pranvera nis të paktën në 22 mars. Kjo pasi në hemisferën e veriut, baraznata e marsit, që ndodh më 20 apo 21 mars, është baraznata e pranverës dhe që quhet: ekuinoksi i pranverës.
Terma shkencorë.
Pikërisht në 21, data, dita dhe nata janë të barabarta, secila nga 12 orë.
U kuptuam më në fund.
Por 14 marsi nuk ka punë me shkencën pasi është një rit i ardhur nga qindra vite më parë. Ndoshta mijëra. Me hamendje e kemi. Por meqë thuhet se është pagane, duhet të jetë të paktën 2000-vjeçare.
Por, kjo festa e 14 marsit e ka bishtin prapa, se andej nga fundi i muajit janë “plakat” që të kujtojnë edhe një herë ditët e shkurtit, të ftohta por dhe me borë ndonjëherë.
Në shkurtin e vitit 2021 edhe Elbasani u mbulua nga dëbora.
Duhet me ba kujdes mer bab e me i hap sytë katër, se atë që nuk ta bën Covidi ta bëjnë “plakat”.
 

No comments:

Post a Comment