Friday, February 25, 2022

Shqipja, gjuha që e flisnim si turqit dhe po e flasim si anglezët


Nga Leonard Veizi
 
Ku jemi sot me gjuhën shqipe?
Për ca të tjerë kjo temë nuk ka kurrfarë rëndësi, se pse ata flasin o anglisht, o gjermanisht, o italisht, ose greqisht. Mirëpo ka dhe nga ata që u dhimbset gjuha e nënës, e thonë se në këtë drejtim, - ashtu si dhe në shumë fusha të tjera të jetës, - jemi mysybet. Domethënë, si han pa porta, ku futen e dalin fjalë që jo vetëm s’kanë të bëjnë me shqipen, por si parazitët ia kanë hipur në kurriz e zor t’i zbresin më.
Natyrisht, nëse ingranazhi i instituteve që merren me gjuhën është ndryshkur se është lënë pa grasatuar, do të presim që secili ta zgjidhë vetë mënyrën për të komunikuar me tjetrin, qoftë dhe me gishta, mjaft të merren vesh.
Në kushtet ku jemi, vështirë që fjalët e reja shqipe të zëvendësojnë ato që na kanë mbetur ose nga greqishtja e vjetër, ose nga gjuhët latine. Fjala vjen “dyrrotak” duket si utopi që tanimë ta zëvendësojë fjalën “biçikletë”. Madje kohët e fundit edhe “biçikletë” e ka humbur rëndësinë sepse me shpejtësi është futur nga gjuha anglo-saksone fjala “mautinbajk” që ne e përkthejmë si një “biçikletë malore”. Edhe “nënkresë” e ka të vështirë ta mundi në përditshmërinë e saj fjalën “jastëk”, me përjashtim të rasteve letrare. Ndërkohë ndodhi që u zhduk nga qarkullimi fjala “penxhere” sepse fjala shqipe “dritare” ishte ku e ku më e bukur e tingëlluese. Dhe bëhet fjalë për vitet ’80 të shekullit të kaluar kur Instituti i Gjuhësisë hidhte në vazhdimësi fjalë të përdorimit të përditshëm që ne i quanim të reja pasi nuk na ishte mësuar veshi, por që ishin fjalë të kulluara të shqipes.
Imagjino në ditët e sotme të zallamahisë e tallavasë të mendosh se do të mund të zëvendësosh fjalën “copy-paste” me “kopjo-vendos”.
Në fakt, për gjuhën shqipe dhe problemet e saj, në vazhdimësi të punës time si gazetar, kam shkruar dhe herë të tjera e kam botuar intervista me gjuhëtarë të nderuar, të cilët kanë dëshmuar problematikat. Por këtë herë u motivova mëngjesin e 21 shkurtit ku informacioni i parë me të cilën u përballa që në mëngjes, nuk kishte të bënte me luftën në Ukrainë, por me gjuhën amtare. Në rastin konkret me gjuhën shqipe. Dhe gjuhëtarë profesionistë e mësimdhënës gjuhësie kishin zënë ekranet e po flisnin rreth problemeve si për gjuhën e folur ashtu dhe për atë të shkruar. Sepse, - për të gjithë ata që s’e dinë, -  21 shkurti na qenka Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare. Dhe si e tillë është një ditë ceremoniale e shpallur nga UNESCO me një rezolutë të veçantë që prej vitit 1999.
Duket se është UNESCO ajo që përpiqet më shumë për të mirën tonë, sidomos kur ne e kemi të zorshme të merremi me veten. Kjo me sa duket dhe për shkak të traumës që na ka mbetur me kohë kur fqinjët na akuzojnë o si narcistë, o si patriotë të çartur, ose si shqiptaromëdhenj. Gjithmonë kur lëvdojmë gjuhën tonë, kur mburremi se ajo është nga më të vjetrat në Europë e pastaj kur themi se e flasin nja 10 milion shqiptarë, të shpërndarë nëpër botë.
-Gjuha jonë sa e mirë, / Sa e ëmbël, sa e gjerë, / Sa e lehtë, sa e lirë, / Sa e bukur, sa e vlerë.
Dhe megjithëse nga viti 1908, - kohë kur u zhvillua Kongresi i Manastirit për çështjen e alfabetit, deri para viteve 2000, - për gjuhën shqipe u punua që ajo të pastrohej nga mbetjet e huaja e të pasurohej me prurje të reja, të paktën 20 vitet e fundit tabloja flet krejt ndryshe. Shekulli i ri nuk hyri i mbarë në këtë pjesë të globit, për ca e ca gjëra.
Gjuha po shkatërrohet... Ja ashtu pak nga pak, por me këmbëngulje. Në ballë të punës për shkatërrimin e saj janë politikanët, të dytët që po i vënë shkelmin sa të mundin vijnë gazetarët, dhe pastaj pjesa rinore që duke përdorur “haj tekun” nuk dinë më ku mbaron shqipja e ku fillon anglishtja. Sepse këto dy gjuhë po gërshetohen kaq fort me njëra-tjetrën sa nuk është vështirë që pas disa vitesh të kemi një hibrid.
-Ej, bi, si, di...
Historia përsëritet, sepse edhe nën ndikimin e administratës osmane, nuk dihej ku fillonte shqipja e ku përfundonte turqishtja.
-Na bëj kabull një rixha jurusun efendi, - janë fjalët e Hito Lekdushit para se të ekzekutonte bimbashin e Gjirokastrës sipas vendimit të marrë nga Komiteti për Lirinë e Shqipërisë. Shprehja është e huazuar nga filmi artistik “Liri a Vdekje” me skenar të Vath Koreshit e regji të Ibrahim Muçës e Kristaq Mitros. Brenda fjalisë ka shtatë fjalë ku tre janë shqip e katër osmanisht. Por që në përfundim, sipas zhargonit të kohës quhet një e folur shqip.
Po asokohe të paktën kishim justifikimin, se administrata osmane nuk e pranonte shqipen si gjuhë zyrtare, ndaj në zyrat e sulltanatit flitej turqisht, në shtëpi shqip e në rrugë shqipo-turqisht.
-Elif, be, se, xhim, jazi, hemze... – do t’i recitonte alfabetin komandanti turk i xhandarëve mësonjëse Dafinës, e cila tek filmi “Mësonjëtorja” donte t’ua mësonte vashave gjuhën shqipe.
Sot është edhe më keq...
Duke ndjekur emisionin televiziv “Shqipja e rrezikuar” një prodhim nga “Top Story”, më shumë nga gjithçka më ra në vesh fjalia e një zyrtareje të lartë të shtetit e cila teksa raporton në një komision kuvendor u shpreh tekstualisht:
-...nuk kishte treguesin e likuiditetit, aty si definijshën.., çfarë është për projektin e fërst.., të inshurëns që kemi ne aty...
Besoj u morëm vesh, se kaq rëndë nuk ka qenë as Fatos Nano i cili i kishte pa doganë fjalët e huaja në shqipen e tij.
Pas zyrtarëve e politikanëve - që dalin kohë e pa kohë në televizor e na dhunojnë me fjalorin e tyre, ku mund të dëgjosh si breshëri mitralozi fjalët “abrogoj”,” kontinuitet” “dilit”, “risërç”, “afirmoj”, “evitoj”, “avangardë”, “definitiv” e të tjera pa fund, - vijnë gazetarët. Të lexosh shkrimet e tyre sot është një tmerr i vërtetë. Dhe më së shumti bëhet fjalë për ata të sistemit online që janë krejt të lirë e pa filtra, e bëjnë çfarë t’u dojë qejfi, se nuk u kërkon kush llogari. Sepse gazetarët e gazetave, të mësuar ndër vite me njëfarë disipline, ku redaksitë kanë pasur funksionalë redaktor e korrektor, dhe mundësia për gabime trashanike, por dhe ortografike ka qenë në kufijtë e ulët të saj.
Vetë ky shkrim, i cili ka në thelb të tij mbrojtjen e shqipes, ka një turli fjalësh të huaja, të cilat janë në përdorimin e përditshëm dhe duke qenë se më duhet të mendohem pak për të gjetur përshtatësit, e kam më të lehtë të përdor një mbivendosje të huaj, por që ka marrë qytetarinë.
Por probleme të mëdha ka dhe aty ku në fakt nuk duhet të ketë as dhe një germë gabim. Ato janë aktet zyrtare e të protokolluara. Po të lexosh disa prej tyre, kupton përfundimisht se administrata është e mbushur me injorantë të cilët nuk marrin guximin as të blejnë një fjalor drejtshkrimor për të qenë të saktë në hartimin e teksteve.
Dhe kaq duhet për ta “varrosur” gjuhën tënde me duart e tua. Se në këtë rast nuk na i kanë fajin as armiqtë e as pushtuesit.
Ndaj pa qenë shumë vonë, duhen marrë masa ndaj një gjuhe për të cilën pretendohet sot e gjithë ditën se u ka dhënë të tjerave e nuk ka shumë nevojë të marrë me qëllim që të plotësojë boshllëqet e saj.  Sepse nuk është ndonjë çudi e madhe që për shkak të vjetërsisë së saj shqipja t’u ketë dhënë nga vetja edhe shumë gjuhëve të tjera. Nuk besoj që nga kjo të mbetet me gojëhapur ndokush, për të nisur nga akuzat se: i doli koka muhabetit.
Nga një gjuhë që sot konsiderohet e vdekur, latinishtja, ka dalë italishtja, frëngjishtja, spanjishtja madje dhe rumanishtja.
Kush e njeh historinë e di mirë se si është formuar anglishtja. E që t’i bie shkurt, anglishtja e sotme ka ardhur si produkt i gjuhës britanike të vjetër, gjermanishtes që e sollën anglo-saksonët, danishtes e suedishtes që e sollën vikingët dhe sidomos e frëngjishtes. Gjithçka ndodhi pas tërheqjes së trupave romake nga ishulli dhe vendi u popullua nga fiset e tjera të Evropës veriore.
Po shqipja?
Pa u mbështetur mbi baza shkencore, sepse ky shkrim nuk merr përsipër një gjë të tillë, por me një deduksion të thjeshtë: padyshim, edhe ajo ka dhënë nga vetja e saj, ashtu siç vazhdon të marrë sa nuk i mban kandari.

Thursday, February 24, 2022

Në Zvërnecin e ishullit me pasarelë dhe Kishës së Hyjëlindëses


 
Shënime udhëtimi
 
Nga Leonard Veizi
 
Një ditë të butë dimri e për më tepër me diell mund ta kalosh edhe në Zvërnec. Vendi është një atraksion turistik ku mund të relaksohesh në ditët e pushimit fundjavor. Veshi nuk të vritet nga zhurmat, veç atyre që bëjnë shpendët mbi det, ndërsa ndotja e ajrit është gati inekzistente...
 
...E gjithë zona është një perlë natyrore të cilës i ka ardhur në ndihmë me ca modifikime dhe dora e njeriut. Fjala vjen: me kishën në ishullin e vogël mes lagunës dhe pasarelën e drurit që lidh dy brigjet, nuk ka punë natyra. Por sa për mënyrën e funksionimit të habitatit, mes gjelbërimit të pemëve, kaltërsisë së detit dhe shpendëve gjithfarësh, - apo thënë ndryshe florës dhe faunës, -këtu padyshim ka qenë dora e nënës natyrë, për ca e ca, ndërsa për pjesën tjetër është vetë Perëndia.
 
Rrugëtimi
Guida të tregon se nga qendra e kryeqytetit deri në Zvërnec Qendër janë gjithsej 162 kilometra asfalt, të cilat me një shpejtësi mesatare udhëtimi prej 80 kilometrash në orë të bëjnë të mbërrish në destinacion për 2 orë e 11 minuta.
Ndërsa nga qendra e Vlorës qytet për në qendër të fshatit Zvërnec janë 11.5 kilometra rrugë, që përshkohen për rreth 20 minuta. Që të mbërrish në Zvërnec duhet të kalosh mes përmes pyllit të vjetër të Sodës, dhe pranë fshatit të Nartës.
Tek rrethrrotullimi i parë i madh në hyrje të Vlorës, një tabelë në të djathtë të orienton se destinacioni mban emrin Zvërnec, ndaj mund ta kthesh timonin e të mos futesh në qytet. Por nëse të pret puna dhe ke pirë një kafe andej nga Lungomare, mundësia e dytë është më e drejtpërdrejtë, sepse tek rrethrrotullimi i Sheshit Pavarësia, një tjetër tabelë të orienton po drejt Nartës dhe Zvërnecit, ku fillimisht duhet të vozitësh përmes rrugës Kosova. Po e njëjta guidë të informon se deri në ishull janë 13.4 kilometra. Si ke kaluar rrugën Kosova do të marrësh rrugën e quajtur “Sazani”, e cila kalon nëpër pyllin e Sodës, për t’u lidhur me rrugën e Pishave, që në segmentin e fundit cilësohet “Rruga e Zvërnecit”. Pra është një rrugë por me katër emra të ndryshëm, sipas segmenteve. Dhe kështu ke mbërritur në destinacion.
 
Ishulli
Pamja që të shfaqet përballë është mbresëlënëse.
Për njohuri të përgjithshme, bazuar mbi faqen zyrtare, na duhet të themi se Zvërneci, së bashku me Nartën aty pranë, është një zonë në Shqipërinë, jugore apo në veri të Vlorës. E gjithë zona me lagunën dhe detin, përbëjnë një ekosistem shumë interesant dhe tërheqës për turistët. Dhe turistë aty mund të gjesh në vazhdimësi e sidomos fundjavave.
Makinën mund ta parkosh në anë të rrugës dhe të nisësh turin tënd turistik, që nuk është se të ha shumë kohë. Përballë gjendet ishulli i Zvërnecit. Manastiri dhe kisha dallohen lehtësisht prej bregut. I mbuluar nga pishat e larta, në ishullin e vogël arrin përmes një ure druri, apo pasarelë, e cila nuk është më ajo e vjetra që ishte e drejtë si vizore, por një më e re e që gjarpëron në 270 metra gjatësi. Mbi këtë pasarelë mund të bësh një set fotosh të papara, sepse po këtë objekt zgjedhin dhe plot çifte që martohen, të cilët kanë dëshirë të bëjnë dhe videoklipe me dron.
Kodra e ishullit kap kuotën e rreth 30 metrave mbi nivelin e detit. Ndërsa vetë ishulli ka një sipërfaqe rreth 9 hektarësh.
 
Manastiri
Që pa bërë hapin e parë mbi pasarelë, një tabelë që mban vulën e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Vlorës të informon se je në territorin e Manastirit dhe Kishës së Shën Mërisë Hyjëlindëse. Ndërsa një tjetër tabelë, por këtë herë në fund të pasarelës, shkruan se je në territorin e shenjtë “Fjetja e Hyjëlindëses”. Ky vend përveçse i shenjtë është i certifikuar zyrtarisht edhe si një monument kulture.
Manastiri padyshim që është një prej objekteve të kultit më të njohur bizantinë të krejt rajonit duke qenë në këtë mënyrë dhe një nga veprat më mbresëlënëse të trashëgimisë kulturore e fetare. Në enciklopedi thuhet se ndërtimi i tij mendohet të ketë ndodhur mes shekujve të XII-XIII. Në manastirin që mban emrin e Shën Mërisë, çdo 15 gusht kremtohet sipas kalendarit liturgjik si dita e gruas që lindi Krishtin.
Në varrezat e manastirit të Zvërnecit që prej vitit 1932 ndodhet dhe varri i Marigo Pozios, gruas që qëndisi flamurin me të cilin u shpall Pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912.
 
Epilogu
Dhe pasi ke bërë këtë guidë të shkurtër çlodhëse dhe shumë interesante, në një fundjavë të butë dimri dhe plot diell, mund të vazhdosh me rendin e ditës: Të shkosh në Vlorë ku mund të flesh në një prej hoteleve bregdetarë, apo të kthehesh në Tiranë e të shtrihesh në krevatin tënd.
 

Tuesday, February 22, 2022

Garcia Lorka, poeti gjenial i avangardës evropiane


Nga 
Leonard Veizi
 
Kryengritës dhe interbrigadistët e ardhur për ndihmë nga e gjithë Evropa shkëmbenin zjarr të vazhdueshëm me trupat e ushtrisë mbretërore që udhëhiqeshin nga gjenerali Franko. Mes krerëve të së majtës qëndronte Dolores Ibaruri, një grua e fortë që më së shumti njihej si “La Pasionaria”. Spanja qe mbërthyer nga ethet e luftës cilvile. Ishte koha kur lindi shprehja “Katër kolona marshojnë mbi Madrid, e pesta na pret atje për të na brohoritur.” E mbetur edhe sot e gjithë ditën pa autor, meqë i atribuohet herë gjeneralit fashist Kueipo de Lano, herë kolegut të tij Ernesto Mola e jo pak herë vetë Frankos, mori dhenë. Prej saj proverbial u bë togfjalëshi kolona e pestë, i cili në çdo gjuhë të Evropës shënon pikërisht tradhtarët. Për djall, në ditët e një lufte të nxehtë pakkush mendon me mendje të ftohtë. E nëse je kontingjent te kundërshtarët, ushtar i thjeshtë këmbësorie apo një gjeni gjithfarë, në qofsh, mbetesh në shënjestrën e armës. Spanja e vitit 1936 po përjetonte ditë të tilla. Në Granada, këtë qytet simbol, kapet prej ushtarëve të gjeneralit Franko, njëri prej poetëve më të mëdhenj që ka njohur bota moderne. Ishte në krahun e republikanëve, por të qenët i pashembullt në atë çfarë kishte prodhur si intelektual, nuk ia kurseu dot jetën. Federiko Garcia Lorka u ekzekutua në mënyrë mizore dhe pakkush i dinte qartësisht rrethanat e vrasjes së tij. Sepse pas kësaj e gjithë ngjarja e mbulua me një vel misteri...
 
...“Vajza e vogël e Bernarda Albës, vdiq e ndershme.... E ndershme...” Këto fjalë drithëruese do të mbyllnin aktin e fundit të dramës. Dhe pas kësaj, mes të qarave mbytëse të katër vajzave të mbetura, duke dhënë urdhër për qetësi, Bernarda Alba, kjo grua e sertë, do të lëshonte vellon e zezë mbi fytyrë.
Kjo ishte zgjidhja në epilogun e dramës që Federiko Garcia shkroi në të gjallë të tij. Dikush e kishte cilësuar si “Lorka i përbotshëm”. Dhe nuk kishte gabuar aspak në këtë cilësim. Ishte poet, dramaturg, aktor, recitues, piktor, muzikant... madje dhe drejtor teatri, atje në Gadishullin Iberik.
Por Lorka kishte pushtuar edhe skenën shqiptare.
Në vitin 1985, studentët e kursit IV të dramës në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, nën regjinë e të mirënjohurit Gëzim Kame, vunë në skenë për punë diplome, një nga kryeveprat e Lorkës “Shtëpa e Bernarda Albës”. Drama u regjistrua nga Televizioni Shqiptar, ku në pultin e regjisë do të ishte një tjetër regjisor, po aq i mirënjohur, Mevlan Shanaj. Ndërsa në skenë, nën një interpretim të papërsëritshëm, Justina Aliaj, në rolin e Bernardës, do të rivinte pas një mungese të gjatë, por të justifikueshme, gjithsesi. Rreth saj pesë protagoniste të së njëjtës dramë lëviznin në mizanskenë dhe ishin: Gjenovefa Rredhi, Flutura Godo, Rajmonda Bulku, Zamira Kita dhe më e “vogla prej tyre” Elvira Diamanti, në rolin e Adelës. Ishte një dramë pa asnjë rol mashkullor. Sepse do të interpretonin gjithashtu dhe Rita Gjeka, Suela Konjari e me një rol episodik edhe Luljeta Hoxha.
Por Lorka njihej dhe më parë në skenën e teatrit dhe publikun shqiptar. Në vitin 1963 regjisorja ukrainase, Zinaida Andrejenko, e martuar në Shqipëri me regjisorin Andon Pano, ia pati besuar personazhin e Bernardës, të madhes Marie Logoreci. Dhe, gjithashtu, do të interpretonin përkrah saj të tjera yje të skenës: Violeta Manushi, Behije Çela, Marika Kallamata e Liza Vorfi.
Duke ardhur edhe në skenën teatrore të Shqipërisë së vogël, pa dyshim Federiko Garcia do të përmbushte sentencën profetike “Lorka i përbotshëm”
 
Poet e dramaturg
U lind më 5 qershor 1898 në Fuente Vaqueros, një fshat në Granada të Spanjës. Ndoqi studimet në Universitetin “Sacred Heart”. Studioi artin dhe letërsinë, ku dhe botoi veprat e para poetike. Në Madridin e fillimviteve ‘20 ai është i afërt me artistë të famshëm, si Bunuel e Jimenez, por dhe piktorin Salvador Dali, i cili ishte një nga surealistët më të njohur të shekullit XX. Pas diplomimit jeta e tij vazhdoi plot krijimtari dhe aktivitete, por dhe lidhje në miqësi të reja, të cilat shkonin nga Pablo Neruda tek Ignacio Sançez Mejias. Në agjendën e tij ishin dhe udhëtimet e shumta, sidomos në Shtetet e Bashkuara e Amerikën Latine, ku u përball me kontrastet e shoqërive në zhvillim, gjëra që u bënë dhe subjekte të poezive të tij. Krijoi grupe teatrale të pavarura dhe iu kushtua jetës kulturore spanjolle, duke shkruar një seri dramash.
Një nga dramat shumë të njohura të Lorkës është “Mariana Pineda”. Ajo bazohet në jetën e Mariana de Pineda Munoz, kundërshtimi i së cilës ndaj Ferdinandit VII dhe ekzekutimi i mëpasshëm publik, më 1831, për tradhti, ishte bërë pjesë e folklorit të Granadës. Shfaqja u shkrua midis 1923 dhe 1925 dhe u interpretua për herë të parë në qershor 1927, në Teatrin “Goya”, në Barcelonë. Prodhimi u drejtua nga García Lorka, me dizajn skenik e kostume nga Salvador Dalí.
Kritika e kohës thotë se si poet, Lorka do ta pasuronte poezinë me përvoja moderne e, sidomos, me ndjeshmërinë e hollë për ritmin dhe ngjyrat. Ishte promovues i avangardës evropiane midis dy luftërave botërore, por edhe poet i lidhur ngushtë me traditën e poezisë kombëtare. Veprat e tij poetike kryesore janë: "Këngë", "Romanca cigane", "Poeme e kanto kondos", "Vajtim për Injacio Sances Mehijas" e "Poeti në Nju-Jork".
 
Lufta Civile
Pas krizës së madhe ekonomike, në prill të vitit 1931, forcat majtiste në Spanjë fituan zgjedhjet. Pas kësaj, Spanja u shpall Republikë. Mbreti Alfons XIII u largua. Në vitin 1936, koalicioni “Fronti Popullor” i përbërë prej socialistëve, komunistëve dhe republikanëve përsëri fitoi zgjedhjet. Një grup djathtistësh i quajtur “Falanga spanjolle”, me në krye gjeneralin Franko, u nis nga Afrika Veriore me shumë ushtarë, për të përmbysur qeverinë majtiste në Spanjë.
Më 1936, pak para shpërthimit të luftës civile, Garcia Lorka përpiloi dhe firmosi, bashkë me Rafael Albertin, - një tjetër poet i shquar - edhe 300 intektualë të tjerë spanjollë, një manifest në mbështetje të “Frontit Popullor”, i cili botohet në gazetën komuniste “Mundo Obrero” më 15 shkurt, një ditë para zgjedhjeve. Më 17 korrik 1936 shpërthen kryengritja e armatosur kundër Republikës. Nis kështu lufta civile spanjolle. Konflikti i përgjakshëm zgjati deri në vitin 1939.
“Para agimit në 17 gusht 1936, një burrë i veshur me pizhama të bardha dhe xhaketë doli nga një veturë në rrugën që lidh qytetet Víznar dhe Alfacar në fushat e Granadës, Spanjë. Ai, bashkë me tre të burgosur të tjerë, shoqërohej nga pesë ushtarë që mbanin pistoleta gjysmautomatike “Astra 900” dhe pushkë gjermane “Mauser”. Burri në pizhama ishte poeti 38-vjeçar Federiko García Lorka”, përshkruan Aron Shulman në librin e tij “Epoka e mosmarrëveshjeve”.
Lorka ndodhej i fshehur në shtëpinë e Luis Rosales, një poet 26-vjeçar, i cili pretendohet se e dorëzoi mikun e tij të vjetër, edhe pse ai vetë i ishte bashkuar kryengritjes. Të paktën 100 ushtarë morën pjesë në arrestimin e tij, duke supozuar se poeti në fjalë ishte një “bandit legjendar”.
Më 19 gusht 1936 Federiko García Lorka, pak hapa larg një burimi të njohur si “Burimi i Lotëve” në Viznar, ekzekutohet brutalisht pa asnjë proces nga një skuadër prej pesë vetash, kreu i së cilës gjatë arrestimit ishte shprehur: "Ai ka bërë më shumë dëme me një stilolaps, sesa të tjerët kanë bërë me një pistoletë".
Dhe kështu do të mbyllej kapitulli i tij jetësor, për t’u hapur një tjetër kapitull, ai i përjetësisë së paraprirë nga sentenca aq magjike “Lorka i përbotshëm”. 

Stefan Cvajg, në botën magjepsëse të tregimeve çmendurake


Nga 
Leonard Veizi
 
Isha i magjepsur prej tij, dhe vazhdoj ende të jem... Kohët kanë rrjedhur por ai mbetet i njëjtë. Sepse vetëm ai dinte të përshkruante thellësisht, deri në ekstrem botën që dridhej në brendësinë e një njeriu dhe muskujt që e tradhtonin sadopak së jashtmi...
Në një moshë shumë të re e në një kohë kur leximi i letërsisë artistike kishte nisur të ishte ndër prioritetet e mija, një shok lagjeje, besoj vetëm dy vjet më i madh se unë, më rrëfeu për një tregim a roman të paparë që i kishte mbetur në mendje, ku flitej për një lojtar periferik shahu që kishte mundur kë i kishte dalë para madje dhe vetë kampionin e botës. Por shoku edhe pse e tregoi historinë me zell të madh, nuk tha asnjë fjalë për autorin e tij. Sepse tek e fundit çdo histori, aq më tepër e shkruar, e ka një autor. Normalisht as unë nuk mbaj mend ta kem pyetur rreth emrit të tij. Veçse historia m’u duk shumë intriguese.
Ca vite më pas më ra në dorë një libërth i hollë, e meqë ishte një gjë që lexohej shpejt iu përvesha ta mbaroja “me normë” dhe ta vendosja mbi divan si trofe, duke menduar se edhe një titull tjetër i ishte shtuar leximeve të mija. U zhyta menjëherë në të dhe... pasi përfundova edhe rreshtin e fundit kuptova se koha duhej të kishte mbetur pa lëvizur, ose ndoshta kishte lëvizur me një shpejtësi marramendëse, por që unë nuk e kisha ndjerë aspak. Dhe ndihesha i shokuar. Ktheva balloren e librin me qëllim që të mos e harroja kurrë titullin dhe autorin e tij. Libri mbante titullin “Amok”, autori mbi krye: Stefan Cvajg. Një histori e pabesueshme, ndoshta i lexuar në një moshë jo fort të përshtatshme, ku më së shumti vlenin librat me aventura, si ato të Tom Sojerit, Hekelbert Finit, Aventurat e Gozhdës apo ato të Çipolinos...
Nga ai çast do të kuptoja se dashuria ime për një shkrimtar që më kishte përfshirë të gjithin, siç ishte Honore de Balzak, pati një krisje serioze. Ajo do të ndahej në dy pjesë kur pak më vonë në shqip do të vinte një botim më i plotë i novelave të Cvajg, në përbërje të së cilit ishte edhe “Novela e Shahut” me shahistin e famshëm që nuk ishte tretur si imazh në kujtesën time. Po aq do të shpërfytyrohesha nga rrëfimet magjike të tij si “Letra e një të panjohure”, apo “Njëzet e katër orë nga jeta e një gruaje”. Drama tronditëse.
Por ndihesha gjithsesi i lumtur, që në botë për veç yllësisë së Balzakut të pamposhtur ekzistonte edhe një shkrimtar tjetër i cili ma kishte turbulluar krejtësisht konceptin tim për jetën.
Dhe pas kësaj do të mundohesha të lexoja gjithçka të shkruar prej tij ku po aq impresion më dhanë dhe monografitë. Si diamant mbi kurorë mund të ishte çdonjëra nga monografitë e shkruara prej tij ajo për Dostojevskin, për Frojdin, për Mari Antuanetën, Niçen apo për Zhoze Fushenë.
I shkruajta të gjitha këto impresione vetjake sepse në kalendarin e përditshëm lexova se në 22 shkurtin e vitit 1942 ishte ndarë nga jeta Stefan Cvajk. Ndaj ai duhej përkujtuar, qoftë dhe me pak reshta. Dhe megjithëse ishte austriak, - kishte lindur në 28 nëntor të vitit 1881 në Vjenë, dhe në vitin 1938 kishte marrë shtetësinë britanike, - kishte preferuar që ditët e fundit të jetës t’i kalonte në Petropolis afër Rio de Zhaneiro, Brazil. Në të vërtetë ai kishte emigruar në Amerikën Latine në ditët e errëta të Luftës së Dytë Botërore ku hebrejtë po masakroheshin nga forcat naziste. I tronditur nga fitoret e vazhdueshme të Hitlerit dhe duke menduar se ushtria e tij do të arrinte të pushtonin gjithë botën, ai kreu vetëvrasje duke marrë pas vetes edhe gruan e tij të dytë, Sharlotë Altman, me të cilën kishte një diferencë moshe prej 27 vitesh. Ishte pikërisht kjo vuajtje shpirtërore e cila e çoi shkrimtarin e madh në aktin e fundit fatal.
Ata që merren me statistika, numërimin e shitjeve të kopjeve dhe detaje intime nga jeta e njerëzve të mëdhenj, e kanë klasifikuar Stefan Cvajgun si një ndër shkrimtarët më të shquar austriakë por dhe një nga shkrimtarët më të njohur në botën e viteve ‘20-’30 të shekullit XX.
Vinte nga një familje e pasur me origjinë hebreje. Studioi ne Austri, Francë dhe Gjermani. Ndërsa mori doktoratën për filozofi dhe arte të bukura nga Universiteti i Vienës. Njëkohësisht ai njihej dhe si njeri që kishte udhëtuar nëpër shumë vende të botës.
Gjenialiteti i tij krijues do të bëhej i njohur që kur ai ishte 20 vjeç, sepse pikërisht në vitin 1901 botoi përmbledhjen e tij të parë poetike “Litarë të argjendtë”. Në këtë mënyrë fillimisht do të bëhej i njohur si poet e më pas dhe përkthyes, pasi zotëronte 5 gjuhë të huaja. Por do të shkëlqente dhe si biograf, tregimtar dhe novelist. Ndërkohë prej penës së tij kanë dalë edhe disa drama të cilat janë ngjitur në skenat teatrore.
Një ditë para vetëvrasjes së tij, Stefan Cvajg dërgoi në shtyp librin tone autobiografike “Bota e së djeshmes”, i cili u botua pak muaj pas vdekjes së tij.
Kjo do të ishte vepra e tij e fundit, dhe askush nuk e di më se çfarë prodhimtarie do të kishte Cvajg, nëse nuk do t’i kishte prerë rrugën vetes. 
Biografët kanë shkruar se Cvajg ishte përqendrua në mësimet e Sigmund Frojdit, ndikimi i të cilit ndihet në gjithë krijimtarinë e tij, sidomos në analizat e tij biografike për njerëzit më të shquar të të gjitha kohërave. Madje ai njihet si intelektuali i parë që hodhi idenë e një Evrope të Bashkuar, qysh në vitin 1908.
Duke ia larguar historisë së jetës së tij, dhe meqenëse ky shkrim filloi me një impresion vetiak, mund të hëm padyshim se Stefan Cvajg me krijimtarinë e tij ishte një nga autorët më ndikues në formimin tim të drejtpërdrejtë letrar. Cvajg mbetet shkrimtari që u dha aq shumë jetë personazheve të tij duke i bërë ato të paharrueshme. Gjenialiteti i tij krijues padyshim e rendit ndër shkrimtarët më të mëdhenj botëror, por dhe pa këtë statistikë kjo krijimtari gjithsesi është e jashtëzakonshme dhe fort domethënëse.
Prej shkurtit të vitit 1942 Stefan Cvajg nuk mungon më. Ai është në bibliotekat tona... ose në librari ende i pablerë, në rastin më të keq. 

Monday, February 21, 2022

Universi Balzakian brenda “Komedisë njerëzore”


Nga 
Leonard Veizi
 
Sot e gjithë ditën ai vazhdon të mbetet shkrimtar i adhuruar, jo vetëm në Francën e tij, por në krejt botën. Përfaqësuesi më i madh i realizmit në Evropën perëndimore, me letërsinë e tij ai dominoi gjithë shekullin e XIX...
 
Në bibliotekën familiare, ku rrëmoja çdo ditë për të gjetur libra interesantë që mund t’i lexoja pas mësimeve, mes titujve të tjerë gjendej dhe “Xha Gorioi”, të cilin si ende i parritur hezitoja ta lexoja. Por kur saga e bibliotekës po shkonte drejt fundit, edhe mundësia e përzgjidhjes ishte në limitet e saj, vendosa të merrja në dorë veprën e shkrimtarit francez, për të cilin realisht nuk kisha asnjë rekomandim e për më tepër as që kisha kërkuar të dija qoftë dhe diçka të përciptë mbi të. I bindur që libri do të ishte i mërzitshëm, - sepse kështu më pat thënë një e afërmja ime teksa më pa me “Xha Gorionë” nëpër duar, - vendosa t’i shkoja kapriços time deri në fund. Pavarësisht të gjithave, duhet të mësohesha me një letërsi për të rritur, qoftë dhe duke gabuar në përzgjedhje.
Vetëm pasi kisha lexuar 30 apo 40 faqe nga romani, dhe isha zhytur e fantazoja mbi një botë të paimagjinueshme, krejt e ndryshme nga ajo që jetonim, nuk e kuptoja se si një letërsi e tillë mund të quhej “e mërzitshme”. Dhe meqenëse regjistrat e leximit janë të ndryshme dhe vlerësimi për një vepër është i ndryshëm, padyshim.
Në përfundim të leximit, edhe pse në një moshë relativisht të vogël, besova po aq sa një burrë në moshë që kishte lexuar pafund, se autori i librit, Honore De Balzak, ishte një shkrimtar i jashtëzakonshëm apo gjenial. I këtij mendimi kam qenë në mënyrë konstante edhe kur pak vite më vonë, i vetmi që do të thyente mitin e tij ishte një tjetër shkrimtar europian, por këtë herë britanik: Shekspir. Nga ai çast, kur De Rastinjaku i pensionit të zonjës Voker, ishte bërë si shok a udhëheqës për mua, kërkova që biblioteka e familjes të pasurohej me të tjerë libra në shqip të këtij autori francez. Balzak, ishte autori i pikës së kthesës, për atë çfarë unë kërkoja nga letërsia, dhe që padyshim e gjeta.
Ky ishte prologu i njohjes time me këtë shkrimtar të përmasave botërore. Ndërsa epilog ende nuk ka, sepse gama e botimeve nga i njëjti emër, apo qoftë dhe me pseudonim, është kaq e madhe sa do të duhej një bibliotekë e dytë fizike, dhe një kohë e dytë leximi, këtë herë vetëm për të.
Materialet enciklopedike që flasin për jetën e tij thonë se Honoré de Balzak lindi në Tours më 20 maj 1799. Ndërsa vdiq në 18 gusht 1850 në Paris. Edhe pse ishte regjistruar në fakultetin e jurisprudencës duke punuar njëkohësisht në një zyrë noterie, në moshën 20 vjeçare zbuloi dhuntinë e tij për të shkruar. Thuhet se në një dhomë të vogël në lagjen Bastija, nga 1821 deri 1829, shkroi vepra duke i firmosur si Horas dë Sent-Obë. Për 20 vjet ai arriti të realizonte 90 krijime mes te cilave kishte romanca e tregime, të gjitha këto të bashkuara në një vepër të vetme me titull “La comédie humaine” apo thënë në shqip “Komedia njerëzore”. Bëhet fjalë për një analizë të jetës shoqërore dhe private në një Francë në zhvillim e sipër, epoka e "monarkisë borgjeze". E para është një romancë historikë, “Le Shuons” botuar në vitin 1829, për të cilën është frymëzuar nga revolta e Vande-se; megjithatë do të jenë veprat e tjera të tij që do t'i sigurojnë sukses dhe admirim nga ana e publikut. Ato janë: “Lëkura e shagrenit”, “Evgjeni Grande”, “Mjeku i fshatit”, “Iluzione të humbura”, “Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve”.
Në vitin 1834 Balzak mendoi t'i shkrinte të gjitha krijimet e tij në një vepër të vetme, një monument i vërtete mbi shoqërinë franceze të asaj kohe. Kështu publikoi të famshmen “Komedia njerëzore”. Fillimisht vepra duhet të përmbante 150 romanca të ndara në tre boshte kryesorë: - Studim zakonesh, - Studim filozofik, - Studime analitike. Grupi i parë përbëhej nga vepra të përfunduara prej kohësh dhe ishte i ndarë në 6 skena të cilat përfaqësonin: jetën private, atë të provincës, jetën parisiene, politike, ushtarake dhe atë të fshatit. Romancat duhet të përmbanin rreth 2000 personazhe, sepse dëshira e tij ishte të krijonte një rrjet ngatërresash mes vëllimeve të ndryshme. Vetëm 2/3 e projektit u realizua. Episodet më të famshme janë: “Xha Gorio”, “Evgjéni Grande”, “Kushërira Betë”, “Iluzione të humbura”. Në 1937 realizoi "La vielle fille" që u bë romani i parë i publikuar në një gazetë.
Balzaku ia doli mbanë pas të tridhjetave. Nisi të frekuentojë sallonet aristokratike. Pati të dashur një markezë, de Castri. Reputacioni i tij si njohës shumë i mirë i botës femërore do t'i vlente. Në 1832 merr një letër të nënshkruar nga një konteshë polake, Eva Hanska. Ky do të ishte fillimi i një historie romantike që zgjati deri në vdekjen e tij. Aso kohe Balzak po jetonte mes të luksit dhe shpenzonte paradhëniet për vepra ende të pashkruara, të cilat shpresonte t'i përfundonte brenda afatit. Ai rend pas kohës pas iluzioneve. Punonte nga 10-12 orë në ditë duke pirë kafe njëra pas tjetrës dhe gati preku fundin në qershorin e vitit 1832. Romani i tij “Lui Lambert” duket si një autobiografi. Aty paraqitet një djalosh intelektual i ekzaltuar, romantik që vdes në fund nga çmenduria.
Honore de Balzak njihej se një burrë aventurash, dëshirash e në të njëjtën kohë edhe ëndërrimtar, i plagosur nga kontradiktat e jetës moderne.
Në 1838 Balzak u dallua në luftën e tij për të drejtën e autorit. Ai kishte një vullnet shumë të madh për të punuar megjithëse shëndeti kishte filluar të bëhej një pengesë e madh për të.
Në 1822 Balzak u njoh me L'or de Bernit, një grua e pjekur e cila i qëndroi gjithnjë pranë deri në ditën e vdekjes së saj më 1836.
Në 1839 u bë anëtar i shoqërisë së shkrimtareve dhe po atë vit u zgjodh kryetar i saj.
Në 1850, disa muaj pasi ishte martuar me baroneshën Hanska, Balzak u nda nga jeta.
Dhe kaq për jetën e këtij gjeniu që na ka dhuruar vepra kaq të mëdha.


Sunday, February 20, 2022

Ikën Bardhyl Londo, vargjet treten në eter


Nga 
Leonard Veizi
 
I cilësuar nga shumëkush si “poet brilant” e ca të tjerë si “mjeshtër i poezisë”, ai  vazhdonte të shkruante plot forcë e ritëm. Por nga fundi e ndjeu veten të dobët. E shtyu pak kallamarin e bojës që mbante mbi skrivani dhe penda i ra mbi letër, e lëshoi dhe vendin në poltron për të ikur nga bota e të gjallëve, diku larg... Atje e presin të tjerë njerëz të tij të afërt, dhe të panjohur një pafundësi.
Tanimë ai do të thurë vargje të reja, për t’ua kënduar të vdekurve të përjetshëm, shpirtra që sillen në hapësirën e pamat të lirë e të çliruar nga mundet e shpirtit dhe të qenies fizike.
 
Ai vizatoi hartën e botës,
Mbi të
një qiell të pastër, të pastër.
Pastaj qau me lot të kaltër...
 
Bardhyl Londo do të mungojë mes miqve në një tavolinë kafeje me vargje të reja krijuar nga nata apo mëngjesi i vagëlluar. Por ai do të  vazhdojë të jetë poet dhe në të ardhmen e pakufishme, sepse dhe ishte i tillë dhe në të shkuarën e shkurtër.
U cilësua si një nga figurat më interesante të letërsisë shqipe të pas viteve ‘80. Spikaste për ndjeshmërinë e vargut. Po aq njihej dhe për ndikimin jo të vogël në historinë e poezisë shqipe.
Shkroi me mijëra vargje, por një nga poezitë domethënëse të tij është ajo që poeti ia kushton poetit, e në këtë rast Bardhyl Londo shkruante për Lasgush Poradecin:
 
 
Vdekja e kish harruar. E mahnitur
kish humbur rrugën në vargun e tij
erëmirë.
 
Atë ditë që mbylli sytë
gjoli i Poradecit nga habia
si një lot i madh kish ngrirë...
 
Në jetëshkrimin e shkurtër të Bardhyl Londos, që qarkullon rëndom të faqe interneti e rrjete sociale, në fund të paragrafit thuhet se ka fituar çmimin “Migjeni”. Megjithatë vëllimi poetik "Prill i hidhur" pasi u vlerësua me çmim të parë në Panairin e Librit në Fier mori në Tiranë çmimin e parë kombëtar për poezinë.
Gjithsesi kjo është vetëm njëra anë e medaljes, ajo administrative. Sepse për juritë gjithfarësh, - çuditërisht në fakt, - vlen më shumë ai që vlen më pak.
Bardhyl Londo, poezia e tij, vlen më shumë se çmimet që mbesin nëpër sirtarë.
 
Nata jeton me pasionin e agimit,
e sotmja ëndërron të nesërmen.
Vetë hapi i njeriut mbi tokën time –
trajektore e pasioneve të ndershme.
Nga pasione të bukura, njerëzore,
lindin, vdesin, rilindin miliona dashuri.
 
Do të vdes nga pasioni për të qenë njeri.
 
Bardhyl Londo njihej si poet e prozator njëkohësisht edhe pse dukshëm balanca anonte nga vargu. Por njihej gjithashtu edhe si autor i teksteve për këngë. Kishte studiuar për gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Tiranës. Pas mbarimit të fakultetit punoi për disa vite mësues në Përmet dhe më pas kaloi në gazetën letrare “Drita”. Për disa kohë ka qenë kryetar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” (LSHA). Krijimtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si edhe disa romane.
“Krisma dhe trëndafila” ishte librit të parë me poezi të cilin e botoi në vitin 1975. Në vitin 1981 ai boton librin “Hapa në rrugë”. Ndërsa në vitin 1984, “Emrin e ka dashuri”...
E kështu me radhë saga e botimeve do të vazhdonte... deri në fund.
 
-Një prej miqve të ngushtë të tij, shkrimtari dhe gazetari Ilir Kadia, për vdekjen e Bardhyl Londos do të shprehej: “...më i miri mik imi, Njeriu i butë si reja e bardhë në qiellin e Përmetit, Bardhyl Londo ynë... u shua! Lamtumirë mik!”
 
-Ermir Nika gjithashtu shkrimtar e mik i poetit do të shkruante në statusin e tij: “E kam të pamundur të ndjek nëpër media nekrologjinë tënde... U prehsh në paqe miku im i pazëvendësueshëm, poeti dhe shpirtërori Bardhyl Londo”.
 
-Ndërsa akademiku Vaso Tole do të thoshte: “Me hidhërim mësuam se zemra e mikut dhe shkrimtarit të shquar Bardhyl Londo sapo ndali. Një kaba përmetare po vajton për të!”
 
Nga kjo ditë shkurti, e ngrohtë dhe plot diell, Bardhyl Londo nuk do të jetë mes nesh. Ai iku vërtet, pas na librat e tij në prozë, dhe shumë vargje.
 
...ne do vazhdojmë t’i lexojmë...

Friday, February 18, 2022

Artistët e mëdhenj, dje në fund të radhës për qumësht, sot për pensionet


Nga 
Leonard Veizi
 
-Është shumë vonë doktor...
Kjo shprehje e thënë nga një aktore e njohur e teatrit “Migjeni” ka bërë xhiron e rrjetit. Dhe shprehja, - e hequr nga konteksti, - i drejtohej doktor Berishës që kishte shkuar në Shkodër për të kërkuar vota me qëllim që kandidati demokrat që garon në zgjedhjet lokale, të ketë mundësi e të zërë kolltukun e kreun e bashkisë.
Mirëpo edhe militantizmi ka një kufi e njerëzit nuk janë më dele, që mund t’ua kërkosh votën badihava e ata të hedhin goglën për “kandidatin e Frontit Demokratik”. Për më tepër artistët, të cilët kanë dhe emancipimin e duhur por dhe shpirtin e revoltës për t’i thënë hapur ca gjëra. Ndaj gjuha gjithmonë vete ku dhemb dhëmbi.
Bëhet fjalë për rrogat e artistëve, që si gjithmonë janë në fund të rendit të ditës. Dhe zakonisht, politikanët kujtohen për ta kur kërkojnë që dikush prej tyre, - për shkak të ndikimit publik, - t’u dalë në krah e makineria e propagandës të grasatohet e të punojë pa pengesa. Si në rastin e Llazar Koritës, personazhit tek filmi “Ne dhe Lenini” të regjisorit Saimir Kumbaro e skenar të Ruzhdi Pulahës. Se Llazarit, komunistët i dhanë rolin e Leninit, por ata që erdhën pas tyre, e nxorën edhe nga azili, sepse Adil Kakavija po merrej thellësisht me rikonceptimin e qytetit duke hapur themele të reja pallatesh mbi prona me dokumente të falsifikuara.
Gjithmonë, meqenëse jemi në kuadrin e artistëve. Edhe shembujt do t'i marrim me rolet e tyre.
Por ky është një realitet shqiptar, gjithsesi.
Aktorja në fjalë, - me shprehjen e së cilës u hapën të gjitha portalet, - është Rita Gjeka, dhe për ata që e ndjekin rregullisht teatrin, besoj se e mbajnë mend me një nga rolet emblematike të saj, atë të Poncias, në dramën e jashtëzakonshme të Federiko Garcia Lorkës “Shtëpia e Bernarda Albës”. Por le të themi që revolta e aktores këtë herë erdhi dhe si shkak i peshës që ajo mban mbi supe duke qenë drejtoreshë e një prej teatrove simbol të Shqipërisë, “Migjenit”. Situata në fjalë, edhe pse aspak rozë e me humor më kujton batutat e shkruara nga Teodor Laço tek romani “Përballimi” por që në ekranizimin kinematografik vijnë të interpretuara nga aktorja plot klas e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës, Dhimitra Plasari.
-Seferi: Jaaa, po unë ç'bëkam sipas teje?
-Besimja: Ti,... ti vjen e na bën qyfyre atëherë kur s’ta kemi ngenë.
Plas e qeshura.
Aktorët dhe artistët në përgjithësi i ka zënë belaja. Sepse për të rregulluar ndopak rrogat e pensionet qesharake, se s’bën u duhet të marrin titullin “Mjeshtër i madh” ose “Nder i Kombit”. Përndryshe duhet të rrinë pas derës së ndonjë televizioni, se kohët e fundit vetëm disa prej tyre po mund të prodhojnë seriale, ku ka vend edhe për aktorët me përvojë. Por shyqyr që edhe presidentit, - si institucion, - i shkon në mendje kështu që herë pas here e “gradon” ndonjërin. Dhe ca e kanë marrë në të gjallë të tyre, disa të tjerë e kanë "gëzuar" pas vdekjes.
Mirëpo jo të gjithë e kanë atë fat. Sidomos ata të brezit të vjetër, të cilët janë drejt mbylljes së karrierës.
Nderi i aktorëve të mëdhenj është nëpërkëmbur tashmë.
-Zonja ministre, teatrot nëpër Bashki kanë vdekur. Zonja ministre, tunduni se s’jeni në rregull”, - do t’i drejtohej Bujar Asqeriu ministres së dikurshme të kulturës Mirela Kumbaro, duke dhënë një tufë argumentesh të tjerë rreth fatit të nëpërkëmbur të artistëve, të cilët punonin në shekullin e atomit e të internetit, po ashtu si në ditët e teatrit partizan të Luftës së Dytë.
Në ligjin për pensionin e posaçëm shtetëror thuhet se “e përfitojnë ata persona që kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës.”
Po cili artist, - apo aktor në rastin konkret, - nuk e ka arritur këtë?
Ne jetojmë çdo ditë me artin e tyre. Dhe në mos i shohim në skenën teatrore, se na dhimbset të presim ndonjë biletë, ata na shfaqen në ekranin e shtëpisë, që tanimë çdonjëri prej nesh, nuk e ka më të vogël si “Iliria”-t e dikurshme, por LED 52 polsh, sa të duket vetja sikur je në kinema “Republika”.
Mirëpo aktorët janë në hall. Dhe rrogat e tyre janë katandisur si “kokoshi një thelë”. Ndaj dhe ua shfrehin dufin politikbërësve, që prej vitesh jo vetëm nuk i kanë indeksuar rrogat dhe pensionet në bazë të rritjes së çmimeve, por i fusin një fadromë godinës teatrore duke i lënë pa gjë fare...
Do thoni ju: Kemi Turbinën.
Po e kemi. Shyqyr se na pa Zoti.
Mirëpo të jetosh me art, si dje, si sot, paska qenë vërtet e vështirë. Se edhe dje aktorit, - po aq sa dhe inxhinierit, mësuesit, apo punëtorit të rafinerisë, - i duhej të ngrihej në 4 të mëngjesit për të marrë shishen e qumështit, dhe mishin me tollon. Sot nuk ka nevojë të paraqesin tollonin se me shumë gjasa nuk i bie rruga nga dyqani i “Çelo kasapit” pasi do turpërohej nëse do të kërkonte ca mish me gramë, se aq para mban me vete, apo dhe... veresie.
Artistët janë në fund të rreshtit, për rroga dhe pensione qofshin. Dhe për shyqyr që shqiptarët sot e kanë nga një njeri për familje në emigracion, me paratë e të cilëve mund ta pinë ndonjë kafe mëngjesi në fashën orare kur çmimi zbret nga 90 lekë në 50 lekë.
 
 
 

Thursday, February 17, 2022

Frederik Rreshpja, jeta e trishtuar mes vargjesh homerike

 17 shkurt 2006 – Vdekja e poetit
 

Nga 
Leonard Veizi

Me një jetë bohemi, në vitet e lirisë, pasi më parë se kaq kishte përjetuar tmerret e burgut komunist, ai vazhdonte të shkruante poezitë e tij mahnitëse në copa letrash pa vlerë, dhe pas kësaj t’i hidhte vend e pa vend, pa menduar fare për gjurmën e lënë pas.
 
Noton në përrua me gjethet mbështjellë
Një ditë e vdekur vjeshte...
 
Ai ishte Frederik Rreshpja.
Dhe po t’i referohemi asaj çka thotë Kadareja duhet të besojmë se: “...Frederik Rreshpja është ndër poetët më të mirë të Shqipërisë”.
Po t’i besojmë asaj që mendon Gazmend Krasniqit: “Rreshpja është poeti shqiptar më i lakuar sot për sot...”.
Dhe po t’i besojmë asaj që shkruan Shpëtim Kelmendi: “Ai nuk e ndiqte poezinë, por poezia e ndiqte atë”.
Padyshim...

Rrëzohet nga drurët trishtimi i borës
Lugina me hënë e lyer...
 
Gjithçka reflektohet në vargje të jashtëzakonshme. Në metafora të pakrahasueshme. Në kapërcime marramendëse.
Është një frymëzimi hyjnor.
 
Pash fëmijët në rrugë. Të qeshur,
të bukur dhe delikatë si vazot e çmuara,
ku nënat fshehin ëndrrat e tyre.
 
“Është një poet modern, brenda klasikes dhe duke avancuar më tej...” do të shprehej për të një tjetër shkrimtar, Petrit Palushi.
 
Flenë fluturimet mbi drurë,
flenë rrufetë në thellësi të reve;
Fusha ul supin tek era.
 
Por në vitin e largët 1975 vepra e tij hiqet nga qarkullimi me urdhrin e një qarkoreje të ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Akuzohet për agjitacion e propagandë “si një person që paraqet rrezikshmëri shoqërore”. Dënohet dhe ridënohet... bën 17 vjet e 3 muaj burg.
 
Dhe kemi qenë tmerrësisht të persekutuar.
Dhe jemi biblikë me biografi të mirë.
Mjerë ju që po i besuat çdo të kryqëzuari!
 
E çfarë rëndësia ka se Rreshpja më pas, veç poezisë, eseistikes e publicistikës, u kthye dhe në një botues, u bë pronar shtypshkronje, madje kandidoi dhe për deputet. Por asnjë prej tyre nuk ishte kostumi i tij. Dhe ai kishte vetëm një kostum, laj e thaj dhe i duhet të vishte po atë,... të poetit. Masë universale. Ekstremisht.
 
Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç'hënë barisnje vallë?
Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd,
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?
 
Frederik Rreshpja u lind në Shkodër, në një familje me origjinë nga Dukagjini, më 19 korrik 1940. Vdiq po në Shkodër më 17 shkurt 2006. Ishte 66 vjeç dhe vitet e fundit të jetës së tij prej bohemi i kaloi në varfëri të plotë.
 
Të vdekurve u veshin këpucë të reja,
se duhet të shkelin në udhë pa krye,
mirazh shkretëtire në rendje pa fund...
 
Në ditën post mortit të tij, një mik i ngushtë si Moikom Zeqo do ta cilësonte poetin si “i vdekuri i madh që duhet nderuar”.
 
Unë për fatin tim pikëllohem vetë,
S'dua të pikëllohet kush për fatin tim...
 

Wednesday, February 16, 2022

Plazhi i Durrësit, makthi i një masakre urbane


Shënime udhëtimi

Nga Leonard Veizi
 
Një fundjavë shkurti me diell, bëri që destinacioni për një kafe të mundshme, të mos ishte më si zakonisht në 15 vitet e fundit, diku pas Shkëmbit të Kavajës e në vazhdim, por të ndalesha në afërsi të vendit ku ndodhet pista Iliria, aty ku ndërtesa e dikurshme e hotelerisë njihej me emërtimin “Kampi i Punëtorëve”...
 
 ...E gjithë struktura e Plazhit të Durrësit ekziston në kujtesën time vetëm sipas formatit të vjetër, për shkak se pas viteve 2000, në makth e sipër kam preferuar të shpërngulem prej vendit fort mbresëlënës të rinisë time, për të shkuar më larg se kaq.
Ishte koha kur në tokat e këtij plazhi, ato krejt të lira dhe ato me pronar, nisën të hapeshin themele e të ndërtoheshin pallate shumëkatëshe, gjë që e ktheu të gjithë zonën me jetë sezonale në zonë urbane. Tanimë, plazhi i dikurshëm, - që nëse do të udhëtoje me tren do të zbrisje tek stacioni i Shkozetit, - është një shtojcë kaotike e Durrësit. Dhomat e dikurshme që jepeshin me qira, - ku futeshin për përdorim dyjavor çadra me copën e dalë boje, fshesa dhe një legen plastik, - nuk administroheshin më nga ndërmarrja komunale, e për më tepër mbi territori “free” të rërës ishin vendosur shezlongët për të cilat kishte një tarifë të lëvizshme.
Plazhi i Durrësit tanimë është kthyer në një masakër urbane
 
Prologu
Në Durrësin-plazh prej vitesh janë zhdukur gjurmët e së kaluarës së varfër. Nuk gjen më as për muze, një kabinë nga ato që kanë mbetur në kujtesë nga komedia e Teodor Laços “Shi në plazh”.
-Aaaa, të lutem shumë presor, se jemi në plazh ta marrë e mira ta marrë. Një kompensatë na ndan. Veç të zëmë veshët me pambuk.
Nisem të dal nga rruga kryesore për të gjetur pistën e madhe Iliria. Sepse në fakt ekziston edhe një pistë tjetër, po me të njëjtin emër, por më e vogël dhe vetëm pak metra nga bregu, e ndërtuar disa vite më parë se e madhja, e cila futet në thellësi të detit të paktën 250 metra nga bregu.
E vështirë për të dalë deri tek rëra, pasi e gjithë hapësira dikur bosh, - me lulishte dhe ambiente të tjera të shitoreve mbushur me orendi plazhi, - tanimë ishin kthyer në truall ndërtimi me pallate shumëkatëshe, e ca të tjera në ndërtim e sipër.
Kjo donte të thoshte se veç ngarkesës së madhe që ka marrë e gjithë zona, ajo do të vazhdojë të mbipopullohet, me apartamente të reja fillimisht e më pas me më shumë pushues, apo dhe qytetarë të tjerë që preferojnë të jetojnë aty si rezidentë të përhershëm.
 
Reminishenca
Nëse do të duash të shijosh një ditë pushimi, në fakt plazhi i Durrësit nuk është më vend i duhur.
Parë nga bregu, padyshim nuk do të gjesh asnjë hapësirë boshe, gjë që do të bëjë të mundur komunikimin me pjesën tjetër të vendbanimit. Në këtë mënyrë dashur-padashur, është vënë në zbatim ajo çfarë kërkonte të bënte Enver Hoxha 50 vite më parë, ta kthente bregdetin në një fortifikatë të pakalueshme nga Flota e 6-të amerikane që vërtitej nëpër Mesdhe dhe që syrin e kishte nga Shqipëria, apo dhe flota sovjetike e Detit të Zi, - ku vërtitej dhe aeroplanmbajtësja "Admiral Kuznetsov", - luftanijet e së cilës herë pas here ankoroheshin në portet e ish-Jugosllavisë për t’u furnizuar me ndonjë pikë nafte në hambarët e karburantit.
Por duket se bunkerët betonarme të Enverit vendosur gjatë bregut të detit nuk do mund t’i bënin ballë fuqisë së Flotës së Gjashtë me në krye aeroplanmbajtësen “USS Dwight D. Eisenhower” në përbërje të së cilës ishin nja 40 anije të formateve të ndryshme, të paktën 175 avionë si dhe më shumë se 20 mijë njerëz me uniformë ushtarake.
Ndërsa në kushtet aktuale, ëndrra e Enver Hoxhës është bërë realitet. Mes ndërtesave të plazhit, jo gjyle topi por as një plumb pistolete nuk e gjen dot hapësirën për të shkuar përtej. Kështu që vendi mbetet i mbrojtur dhe i pakalueshëm.
Me këtë rast ndërtesat shumëkatëshe të vijës “Durrësi” ua kaluan bunkerëve dhe trasheve të vijës “Mazhino” ndërtuar nga francezët për të përballuar trupat gjermane në Luftën e Parë Botërore, vija “Monerheim” ndërtuar në kufirin Ruso-Finlandez, apo vija “Zigfrid” e ndërtuar nga gjermanet në malet Karpatë të Rumanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në fakt këto të dhëna taktiko-teknike zor se i hyjnë në punë njeriu, përderisa në kushtet e sotme, lufta për të marrë një brez të fortifikuar, ka rënë kryekëput e nuk vlen dy lek.
 
Aktualitet
Po t’i referohesh Enciklopedisë ajo të mëson se Plazhi i Durrësit shtrihet përgjatë gjithë bregut të Gjirit të Durrësit, nga Ura e Dajlanit në Veri e deri te gryka e përroit të Darçit (Karpen) në Jug. E gjithë vija bregdetare ka një gjatësi prej rreth 12 km, e gjerësi diku 100 e diku 200 metra nga buza e detit.
Struktura e plazhit në Durrës ka ndryshuar rrënjësisht. Vërtet nuk ka më kabina dërrase, por betonizimi i plazhit mbetet një plagë më e madhe. Për më tepër që ndërtesat janë afruar më pranë bregut duke lënë më pak metra në dispozicion të rripit të rërës.
Nëse ke parkuar në anësore të rrugës kryesore që të nxjerr në plepa, që të dalësh në plazh do të të duhet të bësh shumë zigzage. Përballja me plazhin, nuk është se të surprizon, përkundrazi të zhgënjen. Sepse në tërësinë e tij plazhi i Durrësit e ka humbur rëndësinë që ka pasur në vitet ’80-të të shekullit të kaluar.
Në ndërtesat e plazhit të Durrësit ende vihen re dëmtimet e tërmetit të nëntorit 2019.
Dal në zonën e rërës. E pandryshuar ka mbetur panorama përballë, ku në sfondin e largët disa anije transporti qëndrojnë në rade me spirancë të hedhur, në pritje për t’u futur në port e për të shkarkuar mallin e kontraktuar.
Pistat Iliria janë në të majtë dhe në të djathtën time.
Sepse janë dy pista që mbajnë emrin “Iliria”, ajo e vogël, funksionale dhe atraktive dhe pista e madhe “Iliria” e lënë pas dore, e mbushur me goma makinash dhe e amortizuar deri ne thyerrjen e kunjave prej betoni që mbanin të varura gadinat prej hekuri.
 
***
Çfarë na kujton kjo pistë?
Dikur zihej radhë për të zënë një tavolinë tek pista e madhe Iliria. Ata që arrinin ta zinin këtë tavolinë nuk e lëshonin për qamet derisa të mbyllej lokali, rreth mesnatës.
Tek filmi “Të mos heshtësh”, një prodhim i vitit 1985. Me regji të Spartak Pecanit e skenar të Nexhati Tafës, xhirimet e filmit përkojnë me ndërtimin e pistës. Aty ka një skenë mes Matilda Makoçit në rolin e Silvit dhe Ndriçim Xhepës në rolin e Ardit.
-Ardi, erdha të të marr... Kam konstatuar një gjë shumë shqetësuese në dokumentat e borderove të disa viteve të kaluara.
-Eja ulemi diku, pimë një kafe pastaj bisedojmë.
-Po lëre kafen se është e rëndësishme kjo që po të them.
Ndërsa punëtorët me materiale në duar lëviznin në mizanskenë.
Ndërsa filmi “Zëvendësi i Grave”, i regjisorit Fehmi Oshafi, një prodhim i vitit 1987, pista ishte funksionale dhe aty ka një sekuencë filmike mes Karafil Shenës në rolin e kamerierit me emrin Met dhe Mirush Kabashit si Maku që piu 12 shishe birre, 5 i kishte tek këmbët, e 7-të tjerat mbi tavolinë, e kishte shkundur një me verë të kuqe si dhe raki nga ajo e Kombinatit Ushqimor të shoqëruara me 4 pjata mezesh nga të Ushqimit Social.
-Limonatë?
-Jo. Një dopio raki.
-Ouuu, që kur kështu ti Maku.
Në sfond orkestra luan muzikën e një kënge festivali të kënduar nga Ema Qazimi.
Por pista Iliria është përdorur për një bisedë babë e bijë mes aktorëve Sheri Mita dhe Anila Karaj tek filmi “Familja ime” të regjisorit Albert Xholi.
 
Nostalgji
Gjithsesi plazhi i Durrësit mbetet nostalgjik për shumëkënd. Me gjithë kufizimet e mëdha që kishte sërish ishte një vend argëtimi e pushimi, madje dhe kur ato bëheshin në kushtet tepër modeste të kabinave të dërrasës. Ai shtrihej në një gjatësi prej 3,4 kilometrash nga stacioni “Teuta” deri në “Iliria”.
Sektori “Iliria” njihej më së shumti për restorant “Breshka”, vendtakimin e rinisë së kryeqytetit. Ishte nga vendet e rralla ku mund të hyje me rroba banje. Iliria njihej si sektori që kishte një mori kabinash dërrase kryesisht për klasën punëtore, pasi kuadrot ishin të shpërndara në tre sektorët e tjerë ku ishin ndërtuar kabina, por diçka më cilësore, pasi ato ishin prej tulle e betoni. Ndërsa për njerëzit më me pozitë, për 15-ditëshin e pushimeve verore viheshin në dispozicion vilat e dikurshme të borgjezëve, të cilat ishin shtetëzuar që pas instalimit të sistemit të ri komunist në vend.
Por ndërtesa që binte më shumë në sy ishte ndërtesa e hotel Adriatikut, ekskluzivisht për turistët e huaj dhe diplomatët që ishin atashuar në Tiranë. “Adriatiku” i projektuar nga arkitekti Gani Strazimiri u ndërtua në vitin 1957. Por Adriatiku ishte i shoqëruar dhe nga disa hotele të tjerë të degës së Turizmit si "Durrësi", "Apolonia", "Kruja" dhe "Butrinti".
Dikur sektorët e plazhit të Durrësit ndaheshin në “Teuta” që ishte dhe sektori i parë që vinte pas Urës së Dajlanit , “Apolonia” e “Hekurudha”, e me një emër mitik, i katërti në radhë vinte “Iliria”. Por për nga rëndësia Iliria mbetej i pari, sepse aty ndodhej restorant “Breshka”, emri më i përdorur në këtë plazh e që kish mbetur si simbol nga ndërtuesi i saj Rexhep Çakrri, i cili njihej dhe si Rexhep Breshka.
Dhe në fund të sektorit “Iliria” kishte një gardh telash me gjemba që ndante Popullin e Thjeshtë nga pjesa tjetër e nomenklaturës së lartë të Partisë së Punës që e bënin plazhin në sektorin Very Important Person.
Me plazhin e udhëheqjes kufizohej ai i Ministrisë së Brendshme. Pas tij vinte kampi i Pionierëve “Qemal Stafa” dhe e mbyllte plazhin konvaleshenca ushtarake. Një përrua që sillte ujëra të bardha e të zeza bashkë ndante plazhin e Durrësit me atë të Golemit që niste me vendin e quajtur Shkëmbi i Kavajës, një vend i mbushur me pisha që përdorej më së shumti nga pushuesit ditorë.
 
Epilogu
Plazhi i Durrësit e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm. Po kjo nuk do të thotë në mënyrë kategorike se ky shkëlqim nuk do ketë asnjë shans për të ardhur sërish. Sepse propabiliteti ekziston, qoftë edhe një në njëqindmijë. Ndaj në mend më vijnë edhe më shpesh fjalët e një mikut tim arkitekt e urbanist: Të gjitha godinat e këtij plazhi duhen shembur krejt, dhe mbi hapësirën e krijuar të ketë një koncept të ri e të mirëorganizuar.
Por ndoshta një gjë e tillë do të ndodhë shumë kohë më vonë... sepse nuk mund të themi që: nuk ka për të ndodhur kurrë!