Nga
Leonard Veizi
Një
fundjavë shkurti me diell, bëri që destinacioni për një kafe të mundshme, të
mos ishte më si zakonisht në 15 vitet e fundit, diku pas Shkëmbit të Kavajës e
në vazhdim, por të ndalesha në afërsi të vendit ku ndodhet pista Iliria, aty ku
ndërtesa e dikurshme e hotelerisë njihej me emërtimin “Kampi i Punëtorëve”...
...E gjithë struktura e Plazhit të Durrësit
ekziston në kujtesën time vetëm sipas formatit të vjetër, për shkak se pas
viteve 2000, në makth e sipër kam preferuar të shpërngulem prej vendit fort
mbresëlënës të rinisë time, për të shkuar më larg se kaq.
Ishte
koha kur në tokat e këtij plazhi, ato krejt të lira dhe ato me pronar, nisën të
hapeshin themele e të ndërtoheshin pallate shumëkatëshe, gjë që e ktheu të
gjithë zonën me jetë sezonale në zonë urbane. Tanimë, plazhi i dikurshëm, - që
nëse do të udhëtoje me tren do të zbrisje tek stacioni i Shkozetit, - është një
shtojcë kaotike e Durrësit. Dhomat e dikurshme që jepeshin me qira, - ku
futeshin për përdorim dyjavor çadra me copën e dalë boje, fshesa dhe një legen
plastik, - nuk administroheshin më nga ndërmarrja komunale, e për më tepër mbi
territori “free” të rërës ishin vendosur shezlongët për të cilat kishte një
tarifë të lëvizshme.
Plazhi
i Durrësit tanimë është kthyer në një masakër urbane
Prologu
Në
Durrësin-plazh prej vitesh janë zhdukur gjurmët e së kaluarës së varfër. Nuk
gjen më as për muze, një kabinë nga ato që kanë mbetur në kujtesë nga komedia e
Teodor Laços “Shi në plazh”.
-Aaaa,
të lutem shumë presor, se jemi në plazh ta marrë e mira ta marrë. Një
kompensatë na ndan. Veç të zëmë veshët me pambuk.
Nisem
të dal nga rruga kryesore për të gjetur pistën e madhe Iliria. Sepse në fakt
ekziston edhe një pistë tjetër, po me të njëjtin emër, por më e vogël dhe vetëm
pak metra nga bregu, e ndërtuar disa vite më parë se e madhja, e cila futet në
thellësi të detit të paktën 250 metra nga bregu.
E
vështirë për të dalë deri tek rëra, pasi e gjithë hapësira dikur bosh, - me
lulishte dhe ambiente të tjera të shitoreve mbushur me orendi plazhi, - tanimë
ishin kthyer në truall ndërtimi me pallate shumëkatëshe, e ca të tjera në
ndërtim e sipër.
Kjo
donte të thoshte se veç ngarkesës së madhe që ka marrë e gjithë zona, ajo do të
vazhdojë të mbipopullohet, me apartamente të reja fillimisht e më pas me më
shumë pushues, apo dhe qytetarë të tjerë që preferojnë të jetojnë aty si
rezidentë të përhershëm.
Reminishenca
Nëse
do të duash të shijosh një ditë pushimi, në fakt plazhi i Durrësit nuk është më
vend i duhur.
Parë
nga bregu, padyshim nuk do të gjesh asnjë hapësirë boshe, gjë që do të bëjë të
mundur komunikimin me pjesën tjetër të vendbanimit. Në këtë mënyrë dashur-padashur,
është vënë në zbatim ajo çfarë kërkonte të bënte Enver Hoxha 50 vite më parë,
ta kthente bregdetin në një fortifikatë të pakalueshme nga Flota e 6-të
amerikane që vërtitej nëpër Mesdhe dhe që syrin e kishte nga Shqipëria, apo dhe
flota sovjetike e Detit të Zi, - ku vërtitej dhe aeroplanmbajtësja "Admiral
Kuznetsov", - luftanijet e së cilës herë pas here ankoroheshin në portet e
ish-Jugosllavisë për t’u furnizuar me ndonjë pikë nafte në hambarët e
karburantit.
Por
duket se bunkerët betonarme të Enverit vendosur gjatë bregut të detit nuk do
mund t’i bënin ballë fuqisë së Flotës së Gjashtë me në krye aeroplanmbajtësen
“USS Dwight D. Eisenhower” në përbërje të së cilës ishin nja 40 anije të
formateve të ndryshme, të paktën 175 avionë si dhe më shumë se 20 mijë njerëz
me uniformë ushtarake.
Ndërsa
në kushtet aktuale, ëndrra e Enver Hoxhës është bërë realitet. Mes ndërtesave
të plazhit, jo gjyle topi por as një plumb pistolete nuk e gjen dot hapësirën
për të shkuar përtej. Kështu që vendi mbetet i mbrojtur dhe i pakalueshëm.
Me
këtë rast ndërtesat shumëkatëshe të vijës “Durrësi” ua kaluan bunkerëve dhe
trasheve të vijës “Mazhino” ndërtuar nga francezët për të përballuar trupat
gjermane në Luftën e Parë Botërore, vija “Monerheim” ndërtuar në kufirin
Ruso-Finlandez, apo vija “Zigfrid” e ndërtuar nga gjermanet në malet Karpatë të
Rumanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në
fakt këto të dhëna taktiko-teknike zor se i hyjnë në punë njeriu, përderisa në
kushtet e sotme, lufta për të marrë një brez të fortifikuar, ka rënë kryekëput
e nuk vlen dy lek.
Aktualitet
Po
t’i referohesh Enciklopedisë ajo të mëson se Plazhi i Durrësit shtrihet
përgjatë gjithë bregut të Gjirit të Durrësit, nga Ura e Dajlanit në Veri e deri
te gryka e përroit të Darçit (Karpen) në Jug. E gjithë vija bregdetare ka një
gjatësi prej rreth 12 km, e gjerësi diku 100 e diku 200 metra nga buza e detit.
Struktura
e plazhit në Durrës ka ndryshuar rrënjësisht. Vërtet nuk ka më kabina dërrase,
por betonizimi i plazhit mbetet një plagë më e madhe. Për më tepër që ndërtesat
janë afruar më pranë bregut duke lënë më pak metra në dispozicion të rripit të
rërës.
Nëse
ke parkuar në anësore të rrugës kryesore që të nxjerr në plepa, që të dalësh në
plazh do të të duhet të bësh shumë zigzage. Përballja me plazhin, nuk është se
të surprizon, përkundrazi të zhgënjen. Sepse në tërësinë e tij plazhi i
Durrësit e ka humbur rëndësinë që ka pasur në vitet ’80-të të shekullit të
kaluar.
Në
ndërtesat e plazhit të Durrësit ende vihen re dëmtimet e tërmetit të nëntorit
2019.
Dal
në zonën e rërës. E pandryshuar ka mbetur panorama përballë, ku në sfondin e
largët disa anije transporti qëndrojnë në rade me spirancë të hedhur, në pritje
për t’u futur në port e për të shkarkuar mallin e kontraktuar.
Pistat
Iliria janë në të majtë dhe në të djathtën time.
Sepse
janë dy pista që mbajnë emrin “Iliria”, ajo e vogël, funksionale dhe atraktive
dhe pista e madhe “Iliria” e lënë pas dore, e mbushur me goma makinash dhe e
amortizuar deri ne thyerrjen e kunjave prej betoni që mbanin të varura gadinat
prej hekuri.
***
Çfarë
na kujton kjo pistë?
Dikur
zihej radhë për të zënë një tavolinë tek pista e madhe Iliria. Ata që arrinin
ta zinin këtë tavolinë nuk e lëshonin për qamet derisa të mbyllej lokali, rreth
mesnatës.
Tek
filmi “Të mos heshtësh”, një prodhim i vitit 1985. Me regji të Spartak Pecanit
e skenar të Nexhati Tafës, xhirimet e filmit përkojnë me ndërtimin e pistës.
Aty ka një skenë mes Matilda Makoçit në rolin e Silvit dhe Ndriçim Xhepës në
rolin e Ardit.
-Ardi,
erdha të të marr... Kam konstatuar një gjë shumë shqetësuese në dokumentat e
borderove të disa viteve të kaluara.
-Eja
ulemi diku, pimë një kafe pastaj bisedojmë.
-Po
lëre kafen se është e rëndësishme kjo që po të them.
Ndërsa
punëtorët me materiale në duar lëviznin në mizanskenë.
Ndërsa
filmi “Zëvendësi i Grave”, i regjisorit Fehmi Oshafi, një prodhim i vitit 1987,
pista ishte funksionale dhe aty ka një sekuencë filmike mes Karafil Shenës në
rolin e kamerierit me emrin Met dhe Mirush Kabashit si Maku që piu 12 shishe
birre, 5 i kishte tek këmbët, e 7-të tjerat mbi tavolinë, e kishte shkundur një
me verë të kuqe si dhe raki nga ajo e Kombinatit Ushqimor të shoqëruara me 4
pjata mezesh nga të Ushqimit Social.
-Limonatë?
-Jo.
Një dopio raki.
-Ouuu,
që kur kështu ti Maku.
Në
sfond orkestra luan muzikën e një kënge festivali të kënduar nga Ema Qazimi.
Por
pista Iliria është përdorur për një bisedë babë e bijë mes aktorëve Sheri Mita
dhe Anila Karaj tek filmi “Familja ime” të regjisorit Albert Xholi.
Nostalgji
Gjithsesi
plazhi i Durrësit mbetet nostalgjik për shumëkënd. Me gjithë kufizimet e mëdha
që kishte sërish ishte një vend argëtimi e pushimi, madje dhe kur ato bëheshin
në kushtet tepër modeste të kabinave të dërrasës. Ai shtrihej në një gjatësi
prej 3,4 kilometrash nga stacioni “Teuta” deri në “Iliria”.
Sektori
“Iliria” njihej më së shumti për restorant “Breshka”, vendtakimin e rinisë së
kryeqytetit. Ishte nga vendet e rralla ku mund të hyje me rroba banje. Iliria
njihej si sektori që kishte një mori kabinash dërrase kryesisht për klasën
punëtore, pasi kuadrot ishin të shpërndara në tre sektorët e tjerë ku ishin
ndërtuar kabina, por diçka më cilësore, pasi ato ishin prej tulle e betoni.
Ndërsa për njerëzit më me pozitë, për 15-ditëshin e pushimeve verore viheshin
në dispozicion vilat e dikurshme të borgjezëve, të cilat ishin shtetëzuar që
pas instalimit të sistemit të ri komunist në vend.
Por
ndërtesa që binte më shumë në sy ishte ndërtesa e hotel Adriatikut, ekskluzivisht
për turistët e huaj dhe diplomatët që ishin atashuar në Tiranë. “Adriatiku” i
projektuar nga arkitekti Gani Strazimiri u ndërtua në vitin 1957. Por Adriatiku
ishte i shoqëruar dhe nga disa hotele të tjerë të degës së Turizmit si
"Durrësi", "Apolonia", "Kruja" dhe
"Butrinti".
Dikur
sektorët e plazhit të Durrësit ndaheshin në “Teuta” që ishte dhe sektori i parë
që vinte pas Urës së Dajlanit , “Apolonia” e “Hekurudha”, e me një emër mitik,
i katërti në radhë vinte “Iliria”. Por për nga rëndësia Iliria mbetej i pari,
sepse aty ndodhej restorant “Breshka”, emri më i përdorur në këtë plazh e që
kish mbetur si simbol nga ndërtuesi i saj Rexhep Çakrri, i cili njihej dhe si
Rexhep Breshka.
Dhe
në fund të sektorit “Iliria” kishte një gardh telash me gjemba që ndante
Popullin e Thjeshtë nga pjesa tjetër e nomenklaturës së lartë të Partisë së
Punës që e bënin plazhin në sektorin Very
Important Person.
Me
plazhin e udhëheqjes kufizohej ai i Ministrisë së Brendshme. Pas tij vinte
kampi i Pionierëve “Qemal Stafa” dhe e mbyllte plazhin konvaleshenca ushtarake.
Një përrua që sillte ujëra të bardha e të zeza bashkë ndante plazhin e Durrësit
me atë të Golemit që niste me vendin e quajtur Shkëmbi i Kavajës, një vend i
mbushur me pisha që përdorej më së shumti nga pushuesit ditorë.
Epilogu
Plazhi
i Durrësit e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm. Po kjo nuk do të thotë në mënyrë
kategorike se ky shkëlqim nuk do ketë asnjë shans për të ardhur sërish. Sepse propabiliteti
ekziston, qoftë edhe një në njëqindmijë. Ndaj në mend më vijnë edhe më shpesh
fjalët e një mikut tim arkitekt e urbanist: Të gjitha godinat e këtij plazhi
duhen shembur krejt, dhe mbi hapësirën e krijuar të ketë një koncept të ri e të
mirëorganizuar.
Por
ndoshta një gjë e tillë do të ndodhë shumë kohë më vonë... sepse nuk mund të themi
që: nuk ka për të ndodhur kurrë!
No comments:
Post a Comment