Thursday, February 17, 2022

Frederik Rreshpja, jeta e trishtuar mes vargjesh homerike

 17 shkurt 2006 – Vdekja e poetit
 

Nga 
Leonard Veizi

Me një jetë bohemi, në vitet e lirisë, pasi më parë se kaq kishte përjetuar tmerret e burgut komunist, ai vazhdonte të shkruante poezitë e tij mahnitëse në copa letrash pa vlerë, dhe pas kësaj t’i hidhte vend e pa vend, pa menduar fare për gjurmën e lënë pas.
 
Noton në përrua me gjethet mbështjellë
Një ditë e vdekur vjeshte...
 
Ai ishte Frederik Rreshpja.
Dhe po t’i referohemi asaj çka thotë Kadareja duhet të besojmë se: “...Frederik Rreshpja është ndër poetët më të mirë të Shqipërisë”.
Po t’i besojmë asaj që mendon Gazmend Krasniqit: “Rreshpja është poeti shqiptar më i lakuar sot për sot...”.
Dhe po t’i besojmë asaj që shkruan Shpëtim Kelmendi: “Ai nuk e ndiqte poezinë, por poezia e ndiqte atë”.
Padyshim...

Rrëzohet nga drurët trishtimi i borës
Lugina me hënë e lyer...
 
Gjithçka reflektohet në vargje të jashtëzakonshme. Në metafora të pakrahasueshme. Në kapërcime marramendëse.
Është një frymëzimi hyjnor.
 
Pash fëmijët në rrugë. Të qeshur,
të bukur dhe delikatë si vazot e çmuara,
ku nënat fshehin ëndrrat e tyre.
 
“Është një poet modern, brenda klasikes dhe duke avancuar më tej...” do të shprehej për të një tjetër shkrimtar, Petrit Palushi.
 
Flenë fluturimet mbi drurë,
flenë rrufetë në thellësi të reve;
Fusha ul supin tek era.
 
Por në vitin e largët 1975 vepra e tij hiqet nga qarkullimi me urdhrin e një qarkoreje të ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Akuzohet për agjitacion e propagandë “si një person që paraqet rrezikshmëri shoqërore”. Dënohet dhe ridënohet... bën 17 vjet e 3 muaj burg.
 
Dhe kemi qenë tmerrësisht të persekutuar.
Dhe jemi biblikë me biografi të mirë.
Mjerë ju që po i besuat çdo të kryqëzuari!
 
E çfarë rëndësia ka se Rreshpja më pas, veç poezisë, eseistikes e publicistikës, u kthye dhe në një botues, u bë pronar shtypshkronje, madje kandidoi dhe për deputet. Por asnjë prej tyre nuk ishte kostumi i tij. Dhe ai kishte vetëm një kostum, laj e thaj dhe i duhet të vishte po atë,... të poetit. Masë universale. Ekstremisht.
 
Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç'hënë barisnje vallë?
Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd,
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?
 
Frederik Rreshpja u lind në Shkodër, në një familje me origjinë nga Dukagjini, më 19 korrik 1940. Vdiq po në Shkodër më 17 shkurt 2006. Ishte 66 vjeç dhe vitet e fundit të jetës së tij prej bohemi i kaloi në varfëri të plotë.
 
Të vdekurve u veshin këpucë të reja,
se duhet të shkelin në udhë pa krye,
mirazh shkretëtire në rendje pa fund...
 
Në ditën post mortit të tij, një mik i ngushtë si Moikom Zeqo do ta cilësonte poetin si “i vdekuri i madh që duhet nderuar”.
 
Unë për fatin tim pikëllohem vetë,
S'dua të pikëllohet kush për fatin tim...
 

No comments:

Post a Comment