Friday, February 18, 2022

Artistët e mëdhenj, dje në fund të radhës për qumësht, sot për pensionet


Nga 
Leonard Veizi
 
-Është shumë vonë doktor...
Kjo shprehje e thënë nga një aktore e njohur e teatrit “Migjeni” ka bërë xhiron e rrjetit. Dhe shprehja, - e hequr nga konteksti, - i drejtohej doktor Berishës që kishte shkuar në Shkodër për të kërkuar vota me qëllim që kandidati demokrat që garon në zgjedhjet lokale, të ketë mundësi e të zërë kolltukun e kreun e bashkisë.
Mirëpo edhe militantizmi ka një kufi e njerëzit nuk janë më dele, që mund t’ua kërkosh votën badihava e ata të hedhin goglën për “kandidatin e Frontit Demokratik”. Për më tepër artistët, të cilët kanë dhe emancipimin e duhur por dhe shpirtin e revoltës për t’i thënë hapur ca gjëra. Ndaj gjuha gjithmonë vete ku dhemb dhëmbi.
Bëhet fjalë për rrogat e artistëve, që si gjithmonë janë në fund të rendit të ditës. Dhe zakonisht, politikanët kujtohen për ta kur kërkojnë që dikush prej tyre, - për shkak të ndikimit publik, - t’u dalë në krah e makineria e propagandës të grasatohet e të punojë pa pengesa. Si në rastin e Llazar Koritës, personazhit tek filmi “Ne dhe Lenini” të regjisorit Saimir Kumbaro e skenar të Ruzhdi Pulahës. Se Llazarit, komunistët i dhanë rolin e Leninit, por ata që erdhën pas tyre, e nxorën edhe nga azili, sepse Adil Kakavija po merrej thellësisht me rikonceptimin e qytetit duke hapur themele të reja pallatesh mbi prona me dokumente të falsifikuara.
Gjithmonë, meqenëse jemi në kuadrin e artistëve. Edhe shembujt do t'i marrim me rolet e tyre.
Por ky është një realitet shqiptar, gjithsesi.
Aktorja në fjalë, - me shprehjen e së cilës u hapën të gjitha portalet, - është Rita Gjeka, dhe për ata që e ndjekin rregullisht teatrin, besoj se e mbajnë mend me një nga rolet emblematike të saj, atë të Poncias, në dramën e jashtëzakonshme të Federiko Garcia Lorkës “Shtëpia e Bernarda Albës”. Por le të themi që revolta e aktores këtë herë erdhi dhe si shkak i peshës që ajo mban mbi supe duke qenë drejtoreshë e një prej teatrove simbol të Shqipërisë, “Migjenit”. Situata në fjalë, edhe pse aspak rozë e me humor më kujton batutat e shkruara nga Teodor Laço tek romani “Përballimi” por që në ekranizimin kinematografik vijnë të interpretuara nga aktorja plot klas e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës, Dhimitra Plasari.
-Seferi: Jaaa, po unë ç'bëkam sipas teje?
-Besimja: Ti,... ti vjen e na bën qyfyre atëherë kur s’ta kemi ngenë.
Plas e qeshura.
Aktorët dhe artistët në përgjithësi i ka zënë belaja. Sepse për të rregulluar ndopak rrogat e pensionet qesharake, se s’bën u duhet të marrin titullin “Mjeshtër i madh” ose “Nder i Kombit”. Përndryshe duhet të rrinë pas derës së ndonjë televizioni, se kohët e fundit vetëm disa prej tyre po mund të prodhojnë seriale, ku ka vend edhe për aktorët me përvojë. Por shyqyr që edhe presidentit, - si institucion, - i shkon në mendje kështu që herë pas here e “gradon” ndonjërin. Dhe ca e kanë marrë në të gjallë të tyre, disa të tjerë e kanë "gëzuar" pas vdekjes.
Mirëpo jo të gjithë e kanë atë fat. Sidomos ata të brezit të vjetër, të cilët janë drejt mbylljes së karrierës.
Nderi i aktorëve të mëdhenj është nëpërkëmbur tashmë.
-Zonja ministre, teatrot nëpër Bashki kanë vdekur. Zonja ministre, tunduni se s’jeni në rregull”, - do t’i drejtohej Bujar Asqeriu ministres së dikurshme të kulturës Mirela Kumbaro, duke dhënë një tufë argumentesh të tjerë rreth fatit të nëpërkëmbur të artistëve, të cilët punonin në shekullin e atomit e të internetit, po ashtu si në ditët e teatrit partizan të Luftës së Dytë.
Në ligjin për pensionin e posaçëm shtetëror thuhet se “e përfitojnë ata persona që kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës.”
Po cili artist, - apo aktor në rastin konkret, - nuk e ka arritur këtë?
Ne jetojmë çdo ditë me artin e tyre. Dhe në mos i shohim në skenën teatrore, se na dhimbset të presim ndonjë biletë, ata na shfaqen në ekranin e shtëpisë, që tanimë çdonjëri prej nesh, nuk e ka më të vogël si “Iliria”-t e dikurshme, por LED 52 polsh, sa të duket vetja sikur je në kinema “Republika”.
Mirëpo aktorët janë në hall. Dhe rrogat e tyre janë katandisur si “kokoshi një thelë”. Ndaj dhe ua shfrehin dufin politikbërësve, që prej vitesh jo vetëm nuk i kanë indeksuar rrogat dhe pensionet në bazë të rritjes së çmimeve, por i fusin një fadromë godinës teatrore duke i lënë pa gjë fare...
Do thoni ju: Kemi Turbinën.
Po e kemi. Shyqyr se na pa Zoti.
Mirëpo të jetosh me art, si dje, si sot, paska qenë vërtet e vështirë. Se edhe dje aktorit, - po aq sa dhe inxhinierit, mësuesit, apo punëtorit të rafinerisë, - i duhej të ngrihej në 4 të mëngjesit për të marrë shishen e qumështit, dhe mishin me tollon. Sot nuk ka nevojë të paraqesin tollonin se me shumë gjasa nuk i bie rruga nga dyqani i “Çelo kasapit” pasi do turpërohej nëse do të kërkonte ca mish me gramë, se aq para mban me vete, apo dhe... veresie.
Artistët janë në fund të rreshtit, për rroga dhe pensione qofshin. Dhe për shyqyr që shqiptarët sot e kanë nga një njeri për familje në emigracion, me paratë e të cilëve mund ta pinë ndonjë kafe mëngjesi në fashën orare kur çmimi zbret nga 90 lekë në 50 lekë.
 
 
 

No comments:

Post a Comment