Leonard Veizi
I
cilësuar nga shumëkush si “poet brilant” e ca të tjerë si “mjeshtër i poezisë”,
ai vazhdonte të shkruante plot forcë e
ritëm. Por nga fundi e ndjeu veten të dobët. E shtyu pak kallamarin e bojës që
mbante mbi skrivani dhe penda i ra mbi letër, e lëshoi dhe vendin në poltron
për të ikur nga bota e të gjallëve, diku larg... Atje e presin të tjerë njerëz
të tij të afërt, dhe të panjohur një pafundësi.
Tanimë
ai do të thurë vargje të reja, për t’ua kënduar të vdekurve të përjetshëm,
shpirtra që sillen në hapësirën e pamat të lirë e të çliruar nga mundet e
shpirtit dhe të qenies fizike.
Ai vizatoi hartën e botës,
Mbi të
një qiell të pastër, të pastër.
Pastaj qau me lot të kaltër...
Bardhyl
Londo do të mungojë mes miqve në një tavolinë kafeje me vargje të reja krijuar
nga nata apo mëngjesi i vagëlluar. Por ai do të
vazhdojë të jetë poet dhe në të ardhmen e pakufishme, sepse dhe ishte i
tillë dhe në të shkuarën e shkurtër.
U
cilësua si një nga figurat më interesante të letërsisë shqipe të pas viteve
‘80. Spikaste për ndjeshmërinë e vargut. Po aq njihej dhe për ndikimin jo të
vogël në historinë e poezisë shqipe.
Shkroi
me mijëra vargje, por një nga poezitë domethënëse të tij është ajo që poeti ia
kushton poetit, e në këtë rast Bardhyl Londo shkruante për Lasgush Poradecin:
Vdekja e kish harruar. E mahnitur
kish humbur rrugën në vargun e tij
erëmirë.
Atë ditë që mbylli sytë
gjoli i Poradecit nga habia
si një lot i madh kish ngrirë...
Në
jetëshkrimin e shkurtër të Bardhyl Londos, që qarkullon rëndom të faqe
interneti e rrjete sociale, në fund të paragrafit thuhet se ka fituar çmimin
“Migjeni”. Megjithatë vëllimi poetik "Prill i hidhur" pasi u vlerësua
me çmim të parë në Panairin e Librit në Fier mori në Tiranë çmimin e parë
kombëtar për poezinë.
Gjithsesi
kjo është vetëm njëra anë e medaljes, ajo administrative. Sepse për juritë
gjithfarësh, - çuditërisht në fakt, - vlen më shumë ai që vlen më pak.
Bardhyl
Londo, poezia e tij, vlen më shumë se çmimet që mbesin nëpër sirtarë.
Nata jeton me pasionin e agimit,
e sotmja ëndërron të nesërmen.
Vetë hapi i njeriut mbi tokën time –
trajektore e pasioneve të ndershme.
Nga pasione të bukura, njerëzore,
lindin, vdesin, rilindin miliona dashuri.
Do të vdes nga pasioni për të qenë njeri.
Bardhyl
Londo njihej si poet e prozator njëkohësisht edhe pse dukshëm balanca anonte
nga vargu. Por njihej gjithashtu edhe si autor i teksteve për këngë. Kishte
studiuar për gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Tiranës. Pas mbarimit të
fakultetit punoi për disa vite mësues në Përmet dhe më pas kaloi në gazetën
letrare “Drita”. Për disa kohë ka qenë kryetar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe
Artistëve” (LSHA). Krijimtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si
edhe disa romane.
“Krisma
dhe trëndafila” ishte librit të parë me poezi të cilin e botoi në vitin 1975.
Në vitin 1981 ai boton librin “Hapa në rrugë”. Ndërsa në vitin 1984, “Emrin e
ka dashuri”...
E
kështu me radhë saga e botimeve do të vazhdonte... deri në fund.
-Një
prej miqve të ngushtë të tij, shkrimtari dhe gazetari Ilir Kadia, për vdekjen e
Bardhyl Londos do të shprehej: “...më i miri mik imi, Njeriu i butë si reja e
bardhë në qiellin e Përmetit, Bardhyl Londo ynë... u shua! Lamtumirë mik!”
-Ermir
Nika gjithashtu shkrimtar e mik i poetit do të shkruante në statusin e tij: “E
kam të pamundur të ndjek nëpër media nekrologjinë tënde... U prehsh në paqe
miku im i pazëvendësueshëm, poeti dhe shpirtërori Bardhyl Londo”.
-Ndërsa
akademiku Vaso Tole do të thoshte: “Me hidhërim mësuam se zemra e mikut dhe
shkrimtarit të shquar Bardhyl Londo sapo ndali. Një kaba përmetare po vajton
për të!”
Nga
kjo ditë shkurti, e ngrohtë dhe plot diell, Bardhyl Londo nuk do të jetë mes
nesh. Ai iku vërtet, pas na librat e tij në prozë, dhe shumë vargje.
...ne
do vazhdojmë t’i lexojmë...
No comments:
Post a Comment