Leonard Veizi
Sot
e gjithë ditën ai vazhdon të mbetet shkrimtar i adhuruar, jo vetëm në Francën e
tij, por në krejt botën. Përfaqësuesi më i madh i realizmit në Evropën
perëndimore, me letërsinë e tij ai dominoi gjithë shekullin e XIX...
Në
bibliotekën familiare, ku rrëmoja çdo ditë për të gjetur libra interesantë që
mund t’i lexoja pas mësimeve, mes titujve të tjerë gjendej dhe “Xha Gorioi”, të
cilin si ende i parritur hezitoja ta lexoja. Por kur saga e bibliotekës po
shkonte drejt fundit, edhe mundësia e përzgjidhjes ishte në limitet e saj, vendosa
të merrja në dorë veprën e shkrimtarit francez, për të cilin realisht nuk kisha
asnjë rekomandim e për më tepër as që kisha kërkuar të dija qoftë dhe diçka të
përciptë mbi të. I bindur që libri do të ishte i mërzitshëm, - sepse kështu më
pat thënë një e afërmja ime teksa më pa me “Xha Gorionë” nëpër duar, - vendosa
t’i shkoja kapriços time deri në fund. Pavarësisht të gjithave, duhet të mësohesha
me një letërsi për të rritur, qoftë dhe duke gabuar në përzgjedhje.
Vetëm
pasi kisha lexuar 30 apo 40 faqe nga romani, dhe isha zhytur e fantazoja mbi një
botë të paimagjinueshme, krejt e ndryshme nga ajo që jetonim, nuk e kuptoja se
si një letërsi e tillë mund të quhej “e mërzitshme”. Dhe meqenëse regjistrat e
leximit janë të ndryshme dhe vlerësimi për një vepër është i ndryshëm,
padyshim.
Në
përfundim të leximit, edhe pse në një moshë relativisht të vogël, besova po aq
sa një burrë në moshë që kishte lexuar pafund, se autori i librit, Honore De
Balzak, ishte një shkrimtar i jashtëzakonshëm apo gjenial. I këtij mendimi kam qenë në mënyrë konstante edhe kur pak vite më vonë, i vetmi që do të thyente mitin e
tij ishte një tjetër shkrimtar europian, por këtë herë britanik: Shekspir. Nga
ai çast, kur De Rastinjaku i pensionit të zonjës Voker, ishte bërë si shok a
udhëheqës për mua, kërkova që biblioteka e familjes të pasurohej me të tjerë
libra në shqip të këtij autori francez. Balzak, ishte autori i pikës së
kthesës, për atë çfarë unë kërkoja nga letërsia, dhe që padyshim e gjeta.
Ky
ishte prologu i njohjes time me këtë shkrimtar të përmasave botërore. Ndërsa epilog
ende nuk ka, sepse gama e botimeve nga i njëjti emër, apo qoftë dhe me
pseudonim, është kaq e madhe sa do të duhej një bibliotekë e dytë fizike, dhe
një kohë e dytë leximi, këtë herë vetëm për të.
Materialet
enciklopedike që flasin për jetën e tij thonë se Honoré de Balzak lindi në
Tours më 20 maj 1799. Ndërsa vdiq në 18 gusht 1850 në Paris. Edhe pse ishte
regjistruar në fakultetin e jurisprudencës duke punuar njëkohësisht në një zyrë
noterie, në moshën 20 vjeçare zbuloi dhuntinë e tij për të shkruar. Thuhet se në
një dhomë të vogël në lagjen Bastija, nga 1821 deri 1829, shkroi vepra duke i
firmosur si Horas dë Sent-Obë. Për
20 vjet ai arriti të realizonte 90 krijime mes te cilave kishte romanca e
tregime, të gjitha këto të bashkuara në një vepër të vetme me titull “La
comédie humaine” apo thënë në shqip “Komedia njerëzore”. Bëhet fjalë për një
analizë të jetës shoqërore dhe private në një Francë në zhvillim e sipër, epoka
e "monarkisë borgjeze". E para është një romancë historikë, “Le
Shuons” botuar në vitin 1829, për të cilën është frymëzuar nga revolta e
Vande-se; megjithatë do të jenë veprat e tjera të tij që do t'i sigurojnë
sukses dhe admirim nga ana e publikut. Ato janë: “Lëkura e shagrenit”, “Evgjeni
Grande”, “Mjeku i fshatit”, “Iluzione të humbura”, “Shkëlqimi dhe mjerimi i
kurtizaneve”.
Në vitin 1834 Balzak mendoi t'i shkrinte të gjitha krijimet e tij në një vepër të
vetme, një monument i vërtete mbi shoqërinë franceze të asaj kohe. Kështu publikoi të famshmen “Komedia
njerëzore”. Fillimisht vepra duhet të përmbante 150 romanca të ndara në tre
boshte kryesorë: - Studim zakonesh, - Studim filozofik, - Studime analitike. Grupi i
parë përbëhej nga vepra të përfunduara prej kohësh dhe ishte i ndarë në 6 skena
të cilat përfaqësonin: jetën private, atë të provincës, jetën parisiene, politike, ushtarake
dhe atë të fshatit. Romancat duhet të përmbanin rreth 2000 personazhe, sepse dëshira e
tij ishte të krijonte një rrjet ngatërresash mes vëllimeve të ndryshme. Vetëm
2/3 e projektit u realizua. Episodet më të famshme janë: “Xha Gorio”, “Evgjéni
Grande”, “Kushërira Betë”, “Iluzione të humbura”. Në
1937 realizoi "La vielle fille" që u bë romani i parë i publikuar në një gazetë.
Balzaku
ia doli mbanë pas të tridhjetave. Nisi të frekuentojë sallonet aristokratike. Pati të dashur një markezë, de Castri. Reputacioni i tij si njohës shumë i
mirë i botës femërore do t'i vlente. Në 1832 merr një letër të nënshkruar nga një konteshë polake, Eva Hanska. Ky do të
ishte fillimi i një historie romantike që zgjati deri në vdekjen e tij. Aso kohe Balzak po jetonte mes të luksit dhe shpenzonte paradhëniet për vepra
ende të pashkruara, të cilat shpresonte t'i përfundonte brenda afatit. Ai rend pas
kohës pas iluzioneve. Punonte nga 10-12 orë në ditë duke pirë kafe
njëra pas tjetrës dhe gati preku fundin në qershorin e vitit 1832. Romani i tij
“Lui Lambert” duket si një autobiografi. Aty paraqitet një djalosh intelektual
i ekzaltuar, romantik që vdes në fund nga çmenduria.
Honore
de Balzak njihej se një burrë aventurash, dëshirash e në të njëjtën kohë edhe
ëndërrimtar, i plagosur nga kontradiktat e jetës moderne.
Në
1838 Balzak u dallua në luftën e tij për të drejtën e autorit. Ai kishte një
vullnet shumë të madh për të punuar megjithëse shëndeti kishte filluar të bëhej
një pengesë e madh për të.
Në
1822 Balzak u njoh me L'or de Bernit, një grua e pjekur e cila i qëndroi
gjithnjë pranë deri në ditën e vdekjes së saj më 1836.
Në
1839 u bë anëtar i shoqërisë së shkrimtareve dhe po atë vit u zgjodh kryetar
i saj.
Në
1850, disa muaj pasi ishte martuar me baroneshën Hanska, Balzak u nda nga jeta.
Dhe kaq për jetën e këtij gjeniu që na ka dhuruar vepra kaq të mëdha.
No comments:
Post a Comment