Friday, June 30, 2023

Kur të paburrët shajnë pas krahëve e të thonë: burrec


Nga 
Leonard Veizi
 
Ca e ca më thonë se bëj mirë që godas veset e shqiptarëve, duke i evidentuar ato në shkrime të herë pas hershme. E ca të tjerë më thonë se nuk duhet t’i shaj shqiptarët në shkrimet e mia. Por unë u them se nuk i shaj ata, përderisa gjithë ditën e ditës rri me shqiptarët duke qenë 100 përqind shqiptar. Pra ç'kam bërë unë? Vetëm kam analizuar veset e tyre.
Mirë me zgjedhimin.
Dhe veset e shqiptarëve janë të tyret dhe të mijat bashkë. Dhe ne nuk është se kemi pak vese. Ndaj me një ide abstrakte e fort absurde se ndoshta kështu kontribuoj në troshitjen e shoqërisë pasi i vë në dukje një të metë, duket se kërkoj të bëj gjumin e qetë duke menduar se e kam kryer detyrën time ndaj shoqërisë.
Por shoqëria as që pyet më për komente e pamflete.
Po a kemi mundësi të përmirësohemi realisht, larg absurdit dhe abstraksionit? Në kushtet aktuale, mua më duket se vetëm po keqësohemi. Kjo është një optikë aspak optimiste.
Po çfarë vesesh kemi ne si shoqëri. Ja të marrim një prej tyre pa dashur ta analizojmë aspak, por thjesht ta vëmë në dukje.
Sapo kthen kokën të vazhdosh me punët e tua, ti do marrësh vesh se çfarë nuk është thënë për ty në mospraninë tënde. Tre shok a miq, ndonjëherë thjesht të njohur e ndonjëherë të panjohur fare, të gjithë shqiptarë, do të të shajnë e s’do lënë gjë pa thënë për ty. Ndërsa njëri prej tyre do vijë të të thotë se ata dy të tjerët të kanë sharë para e mbrapa, por nga mbrapa krahëve. Ndërkohë që askush nuk ta ka thënë në sy deri në atë kohë. Përkundrazi.
Burrëri është kjo?
Në fakt, këtë herë mora shkas nga mbyllja e një spektakli humori. Të them të drejtën, më erdhi vërtet keq për këtë humbje. Spektakël i mirë, moderatorë të mirë, aktorë të mirë. Dhe tek e fundit më bënin të qesh, atë që kishte si prioritet vetë spektakli. Dhe ndërsa lexoja nëpër rrjete sociale, lajmin mbi mbylljen e spektaklit në fjalë, - me jo pak peshë në botën artistike e mediatike, - shihja dhe një lumë komentesh negative. Fërkova sytë, se ndonjëherë qëllon te jesh në ëndërr e të duket gjithçka si e vërtetë. Nuk isha në ëndërr. Pickova veten për ta vërtetuar katërcipërisht. U hodha përpjetë e shava nëpër dhëmbë. Kjo donte të thoshte se isha duke lexuar lajmet e komentet. Fyerjet nuk mbaronin. Thuhej se ishte një spektakël i dobët. Por shkruhej me shqipe rruge e frazat kishin të bënin me zhargon rruge. Më tej thuhej se kishte aktorë të dobët. Madje thuhet se spektakli ishte marrë më shumë me politikë se sa me art. Dhe këtë nuk e thoshin kritikët e artit, e thoshin “artistët” e rrugës. E si përfundim thuhej se gjëja më e mirë ishte që spektaklit i kishin vënë drynin, dhe që aktorët i kishin hedhur në rrugë.
Hajde negativitet hajde. Të keqen e mendjes.
Po pse burrëri ju duket kjo?
Për sa spektakli ishte në modë, dëgjoja gjithfarë gjërash të tjera. Që ishte dhe i këndshëm, dhe humoristik, madje dhe që ia bënte mirë fodullëve të politikës kur i vinte në lojë. Por jo..., ndryshoi kursi. Spektakli u mbyll, nisi ofensiva.
Burrëri është kjo?
Po nuk është puna vetëm tek spektakli. Ai iku e vate. Puna është se kjo mënyrë të menduari është futur si shtojcë në shtyllën kurrizore të kombit, që prej kohësh ka filluar të na shtrembërohet. Spektakli ishte një prej elementëve ku shpërtheu dufi i papërmbajtshëm njerëzor. Por mllefet e mbledhura shpërthejnë kudo.
Një herë e një kohë për fjalë pas krahëve, apo fjalë të pavërteta kriste pushka. Sot jo. I dëgjon me vëmendje dhe pastaj bëhesh vetë pjesë e lojës.
Po kjo me kë ka të bëjë, me burrërinë apo me shtyllën kurrizore? Se asnjë nga të dyja nuk shoh në horizont.
Mllefe, mllefe, mllefe... O po nga t’i kemi mbledhur gjithë këto mllefe, vetëm nga fakti që kemi jetuar në varfëri dhe nuk po e kapim dot veten si ca e ca.
Se nuk guxon të evidentohet një talent i ri në ekran, se nisin komentet:
-U bo ky,... Ky që deri dje nuk dinte të fshinte as qurrat e veta.
Del një biznesmen që mbulon ndonjë faturë për ndonjë nevojtar në hall dhe vazhdojnë të tjera komente:
-Hë mo se pare të vjedhura po jep. Prandaj si dhimbsen.
Po doli ndonjë investitor bëhemi dhe më keq. Në këto raste formula është e gatshme:
-Lek droge i ka.
Dhe nuk ka në shoqërinë tonë as të talentuar e as njerëz të mirë. Jemi ne ata që shajmë njëri-tjetrin sa mundemi. Dhe pastaj na vjen keq kur dëgjojmë që na shajnë.
Në llumin e komenteve ku shumica dërmuese janë me pseudonime e foto falso, natyrisht do gjesh fyerje e sharje për të cilat të vjen keq por do të të vijë dhe turp.
-Në këtë derexhe të jetë katandisur dhe Shabani ynë?
Po ore po, në këtë derexhe!
Dhe kjo nuk është burrëri, por paburrëri. Sepse nuk mundet një i paburrë të cilësojë të tjerët si burrecë.
Ndryshe është kur argumenton, dhe krejt ndryshe kur inatet e paaftësisë tënde ia faturon të tjerëve.

Wednesday, June 28, 2023

Shpëtim Shmili, aktori i karaktereve të vështira


Nga Leonard Veizi
 
I thellë dhe kërkues deri në limite ndaj personazhit të tij. Ka interpretuar karaktere të vështira e plot temperament. E për më tepër ka drejtuar trupën për të marrë një maksimale në skene apo në mizanskenë.
E kush nuk e mban mend rolin e tij emblematik, nën lëkurën e Robert Çamçakëzit, një mekaniku që vinte vërdallë nëpër port me një uniformë disi ekstravagante për kohën, duke dredhur zinxhirin e duke ngacmuar vajzat e bukura.
-Zog, sa reçipeta najloni shkarkove/ A... Interkllub. Interkllub atje, por dama niks/ Bindem unanimisht. Ain moment sa të laj pak duart.
Pastaj vjen roli tjetër, si Valeta i filmit “Gjeneral Gramafoni” që luante rolin e italianit Marjo në bashkëpunim me shqiptarin Llambi Koli, i veshur me një kostum me katrore dhe që vallëzonte me një damë imagjinare, në mesin e rrugës së zejtarëve.
-Sinjor Valeta.
-Pronto giovanoti.
-Si është danci?
-O, danci... Permeso. Me leje dama. Pastaj... tira ram, tira ram... - E më pas vazhdonte me nje italishte perfekte -  O benvenuto signorina. Di prego. Che deseterate vuoi? Con piacere. Pronto fancciulla. Noi abbiamo cartoline piu belle del mondo.
Dhe po aq një rol specifik është ai i merceolog Samiut tek filmi “Ëndërr për një karrige”, që merrej me xhonglime mallrash e që dinte ti bënte qefin shefit:
-Po ne për fundin e tremujorit kemi artilerinë e rëndë shoku Koli, kush pyet për këto xhingla. Gjynah, do t’i shkonte shumë një nga këto gjerdanet Agathisë tënde. – Do ta pimë tani një gotë birrë. Birrë me bërxollë se na lodhi Meçja duke shtyrë veturën.
Tek filmi i “Radiostacioni” realizuar në vitin 1979, Shpëtim Shmili ka luajtur rolin e Maqo Harallambit, një punonjës i radiostacionit të cilin shkon ta marrë në shtëpi një patrullë partizane. Dhe ndërsa nëna e tij në rol ia jep të qarit duke menduar se djali do t’i pushkatohej si kolaboracionist, ai u flet me një ton të rëndë e dramatik njerëzve që kishin dalë për të parë spektaklin e për ta përcjellë nga dera:
-Gra, sido që  të ndodhë unë ndërgjegjen e kam të pastër.
-Kulmi...
Ai ka interpretuar me nivel të lartë, të ftohtë e të ashpër, rolin e një oficeri gjerman tek filmi “Këshilltarët”. Dhe po aq ka interpretuar rolin e togerit Shniker tek filmi “Dëshmorët e monumenteve”, një arkeologu austriak që gërmonte në tokën shqiptarë për të gjetur vepra të lashta arti.
-Oh, po kjo është e mrekullueshme Volf. E pra, le të jetë për sonte kjo bukuroshe antike, mike e kapitenit tonë. Ndërsa nesër me postën sekrete ia nisni Perandorit si dhuratë nga vetë e shqiptarët.
Por një rol tjetër fort i realizuar është dhe ai i gazetarit Vurko tek filmi “Pas vdekjes” që mes të tjerash shkruante dhe kronikat e vdekjes së njerëzve më të njohur të qytezës.
-Mos u shty më tutje. Doktor Adhamudhi. Kërkon i vdekuri të dijë çdo të thonë për të pas vdekjes. Do të dijë në është apo jo dordolec. Ti kurdisim një lodër këtij sharlatani që ta mësojë mirë të vërtetën.
Ndërsa tek filmi “Fushë e blertë, fushë e kuqe” ka realizuar rolin e trajnerit Filipi i cili donte që ekipi modest i të rinjve shqiptarë të ndeshej me futbollistët e Fashos pushtuese:
-E mrekullueshme djem, e papërfytyrueshme. Të luani futboll me Juventisin, me Romën, me Lacion. Ah sikur të isha edhe unë i ri.
Dhe më pas vjen si tregtar Qaniu tek filmi: “Një jetë më shumë”, që nën maskën e një bamirësi kërkonte të përfitonte nga puna e djemve jetim të pasluftës të cilët i nxirrte të shisnin me tezga në qafë gjithfarë vogëlsirash.
-Ti je Caku, ëëë. Do të punosh këtu tek ne domethënë. Çomja do të mësojë ta njohësh mirë zanatin.
Tek filmi “Një natë nëntori” realizuar në vitin 1979, Shpëtim Shmili ka luajtur rolin e kriminelit Suat. Por tek filmi “Tre vetë kapërcejnë malin” ai do të luante rolin e kontrabandistit Xhezap.
-Do të presim sa të kthehet edhe Engjëlli e t’i shohim të gjitha me radhë. Ama po qe se na i ke hedhur të mori lumi ty me gjithë dyqan.
Dhe së fundit tek filmi “Melodi e pandërprerë” luajti rolin e kryellogaritarit te kooperativës që më shumë e kishte endjen të pinte raki e të hante mish nga bagëtitë e therura si dëm kolateral;
-Dëgjo, në qoftë se nuk arrini ta shpëtoni dhinë e helmuar thereni. Të mos verë dëm mishi… Ja gëzuar
Në jetëshkrimin zyrtar thuhet se Shpëtim Shmili u lind në në Tiranë 15 maj të vitit 1941. Mbaroi shkollën e mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan. Më pas ka punuar si arsimtar për afro tre vjet në Shtërmen e Cërrik të Elbasanit. Në vitin 1960 konkurroi dhe fitoi te drejtën për të vazhduar studimet e larta për aktor në institutin “Aleksandër Moisiu”. Në vitin 1964 diplomohet dhe emërohet aktor pranë teatrit profesionist “Skampa” të Elbasanit.
Shpëtim Shmili iu përkushtua tërësisht teatrit e skenës dhe deri në çastet e fundit të jetës ai realizoi me dhjetëra figura artistike e personazhe, të cilët kanë mbetur në mendjen e spektatorëve shqiptarë.
Përgjatë karrierës së tij artistike ai ka qenë një nga figurat kryesore të teatrit “Skampa” në Elbasan, si aktor, dramaturg, regjisor dhe drejtues. Ka interpretuar të paktën 45 role në këtë teatër si në dramë ashtu edhe në komedi. Ndërsa në pelikulën e filmit i kanë mbetur të fiksuara 12 role.
Por Shpëtim Shmili ka qenë dhe një dramaturg, i cili ka shkruar dhe pjesët: “Fundi i një intrige”, “Zemër e shqetësuar”, “Telashet e një ndeshjeje”, si dhe komedinë me tre akte “Ah kjo traktoristja”.
Shpëtim Shmili ka pasur një jetë të gjatë artistike e mbushur me çmime, urdhra, medalje të ndryshme. Në vitin 1982, pas 17 vjet pune në skenën e teatrit “Skampa”, nderohet me medaljen “Naim Frashëri”. Ndërsa në vitin 1990 merr urdhrin “Naim Frashëri”, si dhe me disa çmime në aktivitetet e konkurrimit kombëtar të teatrove. Është nderuar edhe me medaljen e 45 vjetorit të Çlirimit dhe në vitin 1992 me titullin “Artist i Merituar”, me motivacionin “Për krijimin me nivel të lartë artistik të roleve e figurave në teatër e kinematografi”. Në 14 shtator 1999, në përkujtim të 5-vjetorit të vdekjes së tij, Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Qytetit Elbasan i dha titullin “Qytetar Nderi i Elbasanit”.
Shpëtim Shmili u nda nga jeta në datë 17 shtator 1994 pas një goditje cerebrale. Ishte në moshën 53 vjeçare duke qenë gjithashtu në kulmin e prodhimtarisë artistike. Dhe pati një karrierë 30 vjeçare në skenë.
 
 
 
 

Friday, June 23, 2023

Shqiptarët, si konet që rendin pas kockës


Nga 
Leonard Veizi
 
Shqiptarët janë turrur të ngopen duke parë një video porno. Nuk ishte një video dosido e doçkado. Sepse një zyrtar i lartë shteti dhe një çupëlinë në moshë të mesme që ofronte tërë asetet, dolën në ekran të gjerë e me ngjyra. Lajmi mori dhenë. Por komentet ishin ku e ku më lart se vetë aktiviteti. Anatemim masiv. Domethënë, shanin e mallkonin të gjithë ata që objektivi i kamerës nuk ka arritur t’i kapë. E ia kanë hedhur paq. Por do vijë dhe radha e tyre.
-Kini mendjen, se shakatë e rënda mbarojnë keq, - i këshillonte zoti Ali të ftuarit në dasmën e djalit të Safa Ymerit. Ishte ai, Aliu, që e pyeste me nënkuptim Safain nën zë: A s’më thua të kam rixha ç’kërkon fëmra në mal? Dhe ishte po ai vetë që i jepte përgjigje pyetjes së tij: Të ta them unë, punë të liga bëjnë.
Po në zyrat e shtetit... kur nuk janë pjesë e administratës...?
Por kjo është tjetër çështje. E kishim fjalën për një çast pornografik magjepsës.
Eh, çfarë bën qejfi. Thonë që ha dhe kumbulla të tharta. Natyrisht, ata që e kanë provuar thonë.
Po faqe pornoje ka sa të duash. Pse gjithë kjo tallava vetëm për njërën prej tyre? Mund të ngresh këmbët mbi tavolinë e të shohësh sa të shqepesh. Megjithëse ekspertët e fushës të shpjegojnë se edhe gjuha është pjesë e rëndësishme e erosit. Se kur video është në gjuhë të huaj sikur nuk shkon. Të lezeton shumë kur e ke në gjuhën e nënës. Shqip domethënë. Dhe videot porno shqip kanë filluar të shpeshtohen ca si shumë kohët e fundit. Ndërsa diskursi rreth tyre bëhet edhe më i nxehtë. Zjarr e flakë. Ndaj i vihet dhe një pullë e kuqe. Si paralajmërim që të mos digjesh.
Pasi është shijuar pjesa e seksit, nis analiza në gjerësi e thellësi të saj: Jo kush është ajo, jo kush është, si. Jo po favore, jo po disfavore.
Pas shpërthimit të videos dhe shpërndarjes së saj në rrjete, me shpejtësinë e energjisë elektrike, ditët po kalojnë mirë. Shqiptarët u zunë me punë. Sepse ata vazhdimisht kërkojnë punë. Dhe kur nuk gjejnë në Shqipëri ia mbathin në Gjermani ose në Angli. Dhe merren me punë. Ata që mbesin në vend, u duhet gjetur një punë. Se papunësia është modeli më i keq për shoqërinë.
Plazhi nuk ka filluar mirë ende. Big Bradhëri e mbylli siparin. Dhe Big-u ishte një alamet fronti pune. Dy herë në javë me kohë të plotë, e ditët që mbeteshin me kohë të pjesshme. Mirëpo çdo fillim e ka një fund. Kështu dhe Big-u. Shqiptarët mbeten pa punë.
Por ka nga ata që mendojnë dhe për këtë shtresë. Se me çfarë do të merren shqiptarët që të largojnë vëmendjen edhe nga lufta në Ukrainë, edhe nga incidentet në Tajvan, por edhe nga përplasjet në Mitrovicë?! Ndaj doli një video. Ja, u hodh një kockë dhe ata, si qentë u turrën pas saj. Kap ça të kapësh.
Kështu harrohen edhe krimet e shpeshta, edhe aksidentet e përditshme, madje edhe rritja e çmimeve bie nga rendi i ditës. Sepse në vend të parë është pornografia.
Doli ushqimi. Thashethemet. Se shqiptarët nuk qëndrojnë dot në kafe pa pak muhabet erosi e bari që ngre tymin përpjetë. Po pse për çfarë do të bisedojnë, për Artur Shopenhauerin dhe Emanuel Kant. O pikaaaa.... Jeta është e thjeshtë për t’u marrë me gjëra të përbëra. Ndaj më mirë me ndonjë kockë, sa për t’u lëpirë.
Ne duam gjëra të thjeshta. Fjala vjen: Si bëhet një “punëdore” për dy minuta. Si fitohet një tender për 13 minuta. Si fitohen milionat për 3 muaj.
-Të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka! – do të shkruante në vargjet e tij Ali Asllani.
Na duhet një ngjarje ku të flitet për të futme e të nxjerrme. Ndryshe nuk ka kripë muhabeti. Dhe kafeja nuk shtyhet poshtë gurmazit. Le rakia.
-Xha Safa, mos na lër në errësirë se nuk na shkon as buka e as rakia. Ç’ka bërë vaki?
Po që çmimet rriten përditë nuk ka reagim. Këtë e përballojmë ne. Me trimëri. Jemi apo nuk jemi popull heroik. Që shumë nga ushqimet që konsumojmë janë jashtë standardit, edhe kjo nuk na bën fort përshtypje. Që shumë nga aparaturat diagnostikuese nëpër spitalet shtetërore nuk punojnë, edhe këtë e marrim me zbritje, madje me optimizëm.
Ditë më të mira do të vijnë.
Ore... çështja është tek kocka. Aty merr vlerë dhe Leva e Arkimedit. Do lëvizur bota.
Video ka sa të duash vëllezër, varet kush hidhet në treg e kush digjet. Por do kemi dhe kocka të tjera. Tregu po lëviz. Rrjeti gjithashtu. Do plasin skandale të tjera në themel të të cilave do të ketë me se s’bën një aferë seksuale.
Hajde ç’vete hajde!
-Tani do bëhet ahengu tamam. Hë ç’do të pimë, jo. Do të kërcasë dollia me dhallë... – u thosh xha Shahini shoqeve të Valit që do shkonte me punë në Komitetin e Rinisë së rrethit.
Por dhe kocka do ketë. Do hamë e do lëpihemi pas tyre. Kështu do harrojmë “fukarallëkun që po na mbyt, e malarien që po na pi të gjallë”.
Lepe zotrote...
-Por qeveria po shet kinina si për mushkonjat anafele që trazojnë në shtrat, ashtu dhe për ato të llojit koleks. Mirëpo mileti nuk do t’i blejë. Ç’faj ka pastaj qeveria?
Unë them ta mbyllim...
Dhe së fundi: gjithmonë e më shumë vlerë ka kocka.

Wednesday, June 21, 2023

Bep Shiroka, sensi komik i një aktori dramatik


Nga 
Leonard Veizi
 
Padyshim që mbetet një ndër personalitetet artistike më të dashura për publikun. Ishte një aktor dramatik, por që i dha aq shumë personazheve  me sens komik. Dhe kjo padyshim e bënte një artist universal. Sepse përveç kësaj, ai ishte edhe një piktor.
Në skenën e teatrit ka interpretuar thuajse 160 role, ndërsa në kinema i numërohen 12 të tilla. Një galeri e pafund karakteresh e personazhesh.
Ishte në gjendje të përtypte gjithfarë rolesh që i ofronte skena... si dhe vetë regjisori. Mjaft të futej në lëkurën e atij që do të interpretonte. Dhe sa komik ishte në rolin e Bushit tek komedia “Luani i shtëpisë” së Fadil Krajës, po aq dramatik ishte tek në rolin e inspektorit Gull tek drama “Vizita e inspektorit”shkruar nga Xhon Pristlit.
Në kinema do të fillonte me rolin e Ram Sokolit tek filmi “Lugina e pushkatarëve”, një shënjestruesi me nam për syrin e tij, por që ishte dhe babai i pionierit Met, i cili ndihmonte Forcat e Ndjekjes në kapjen e diversantëve.
-Mos u ban merak Met! Nuk kam gjë, jo. Shikoni shokë se ngado që të shkojnë ata, nga shtegu i shkëmbinjve do mundohen me ik.
Po një tjetër natyrë do të kishte tek roli i bajraktarit te filmi “Besa e kuqe”.
-Qeveritë shkojnë e vijnë zotni Pjetër e kanuni nuk lun. Kam frikë se gjakun e miqve të prem kan me na e lyp ne. Të vijë Ndoci një herë, ma merr mendja se nuk ka me i marr në besë si komunista që janë?!
E megjithatë do të shkëlqente si babai fanatik tek filmi “Çifti i Lumtur”, një film i cili dallohet për batutat e rralla e të njëpasnjëshme:
-A ja u merr mendja ju se deri unë mund të kem tek-tuk, aty-këtu ndonjë mbeturinë? Unë kam pastruar mjaft dhe vazhdoj të pastrohem derisa ta bëj ndërgjegjen tepsi.
Shumë më tepër do të ishte si xhandari, Veseli, tek filmi “Koncert në Vitin ‘36”, i cili me siguri është dhe një nga rolet më emblematik si karakter në të gjithë kinemanë shqiptare.
-Ndalni mor ku shkoni? Prap për tokën ju? Përdit me ju ky avaz mor lal. Po ç’qef keni të fusni hundët në punët e qeverisë? Shikoni or punën tuj se vallahi do të gjeni belanë. Ju e dini që qeveria ka halle e telashe të tjera. Apo s’e dini? Shkoni nëpër shtëpia se ka më keq se ju. Hajd, shkoni dëgjoni ato ahengxhijet që kanë ardhur për të englendisur qytetin e Lushnjës!
Dhe po i njëjti regjisor, Sajmir Kumbaro, i cili i besoi rolin e një xhandari, do ta merrte sërish në kastin e aktorëve të filmit “Historiani dhe kameleoni” por kësaj radhe si nënprefekt Maksuti, që donte të bënte karrierë diplomatike duke u bërë dhëndër në derën e Ministrit të Jashtëm.
-Daja ju çmon shumë... Maks, pse s’je martuar?
-Akoma nuk më ka dalë fati zonjushe. Po ju a keni mendu për martesën? Si lum ai që do ta ketë këtë fat.
Tek filmi “Kur hapen dyert e jetës” Bep Shiroka do të ishte në rolin e berberit, babai i Bardhylit, që sapo ishte diplomuar si mjek i përgjithshëm.
-Që nesër unë do jem babai i doktorit, ti do të jesh motra e doktorit, ndërsa kjo do të jetë nëna e doktorit. Ndërsa kjo do të jetë shtëpia e doktorit. Ku është parë moj që në xhinsin tonë të berberëve të dali një doktor. Më rrove të rrova prap brisku i imi mbetet.
Por ai do të shfaqej dhe në rolin e Xhevatit tek filmi “Fushë e blertë fushë e kuqe”.
 -Ne duhet të mbledhim mendjen si të fitojmë mbi ta. Pse të mos krijojmë një ekip të ri, të fortë. Ne i rrahim italianët. Por ama duhet të jemi të bashkuar.
Tek filmi ‘Kërcënimi” Bep Shiroka do të luante rolin e Aleksandër Zvetko, një diplomati të huaj në Shqipëri, i cili merrej me punë agjenturore.
-Plani “Poseidon” do të përfundojë me sukses vetëm kur të kemi shtënë në dorë “poetin”. Vetëm atëherë mund të themi se kemi hyrë m’u në zemër të bazës ushtarako-detare. Pikësynimi ynë kryesor është remonti i nëndetëses.
Tek filmi “Si gjithë të tjerët”, ai është babai i Jetës, i cili kishte kundërshtime parimore me bashkëshorten përsa i përket origjinës së djalit që donte vajza e tij.
-Epo mjaft de se na plase! Oj. Edhe ai si gjithë të tjerët është. Dhe nuk është rritur rrugëve, por shkollave, konvikteve. Dhe ndoshta mund të jetë 100 herë më i mirë se ata që të pëlqejnë ty... Merr zjarr ngandonjëherë kjo gruaja ime o Nasho. Rrallë ndodh, por aman kur merr digjet e tërë mëhalla.
“Në pyjet me dëborë ka jetë” ai është në rolin e një banakieri dhe hotelieri në një qendër të vogël ku gjeologët bënin shpime. I thoshin farmacist, megjithëse shumicën e kohës ishte duke blojtur kafe me mulli dore.
-A ke qef të dalim për gjah? Tani lëvizin lepurat, kam një çifte të mirë.
Ndërsa tek filmi “Një natë pa dritë” ai luan rolin e një kryeplaku që debatonte me Migjenin për punën e shkollës.
-Ka fukarallëk mor zoti msus. E ku ka fukarallëk nuk i bie në mend njeriu për shkollë. Katundarët ma parë duan me çu fëmijët me kullot ndonjë dhi a ndonjë dele... Zotni Millosh, ti je ortodoks njësoj si na e nuk të ka hije me fol kështu. Çfarë hyn kisha në këtë pazar?
Dhe rolet e tij në kinema nuk mbarojnë këtu, sepse ai ishte dhe tekniku Dane që në kërkim të një djali kishte rreshtuar 4 vajza, pikërisht si personazh i filmit “Gjurmë në kaltërsi” po me regjisor Sajmir Kumbaron.
-Dane, do vësh gjë në plan këtë vit apo jo? Për djalë e kam fjalën.
-E di, e di. Po në qoftë se doktori ka lexuar ndonjë revistë të re fillova unë. Po jo si ajo që më tregoi për çupën e fundit.
Në jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se në Teatrin Migjeni, Bep Shiroka luajti rolin e parë në vitin 1960, kur ishte 27 vjeç në dramën “Nora” të Andrea Skanjetit. Ndërsa roli i fundit u luajt në vitin 2008, në moshën 75-vjeçare, kur u ngjit në skenë me “Putargat e thata” të Stefan Çapalikut.
I pasionuar pas pikturës Bep Shiroka do ta zhvillonte ambicien e tij dhe si skenograf në Teatrin “Migjeni” e, duke realizuar për skenën e këtij teatri mbi 30 skenografi që shërbyen për shfaqje të ndryshme.
Në 40 vitet e jetës së tij skenike dhe për merita artistike Bep Shiroka është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”.
I lindur në 25 shtator të vitit 1933 në Shkodër, ai do të ndahej nga jeta në 1 korrik të vitit 2010.
 

Friday, June 16, 2023

Kur të pyesin “ç’punë bën” dhe përgjigjesh krenar: Në administratë!


Nga 
Leonard Veizi
 
Më çudit pa fund realiteti shqiptar dhe nuk jam në gjendje të kuptoj: jemi ne të përveçmit në këtë botë, apo e gjithë bota është kështu dhe jemi ne që kemi një perceptim të gabuar?
Po ju tregoj rastin e fundit. Sepse edhe shkrimet e mija po i ngre mbi baza dëshmish të padeklaruara, por që ngrenë fenomenin e një problemi shoqëror.
Kërkova nëpër rrjetet sociale, jetëshkrimin, apo “cv”-në e dikujt që kishte marrë një pozicion jo pa rëndësi në administratë, por si me thënë: me kohë të pjesshme. Dhe këtu ngeci grepi.
Sapo isha ndarë nga një mik, me të cilin para do kohësh kisha punuar në të njëjtin front. Bashkëbisedimi ynë ishte i thjeshtë. Unë kisha kohë sa të duash, por ai shpejtonte. “Bëji të fala drejtorit”, i them para se të ndaheshim, meqenëse drejtorin e tij e kisha mik të vjetër dhe ai vetë kishte marrëdhënie shoqërore me të. “Nuk e ke marrë vesh”, m’u kthye. Unë shqeva sytë. Thashë mos ka ngarkuar mushkat e na kishte lënë triskat. Se që pas kovidit po dëgjojmë qametin e zi. Të keqen e periudhës së pandemisë. “Drejtorin na e shkarkuan, por na kanë sjellë një drejtoreshë”. U lehtësova. E mo, punë administrate, thashë me vete. “Ç’është kjo?”, e pyeta për inerci dhe jo se kisha ndonjë interes vërtet të dija se si një burrë u zëvendësua nga një grua. Tjetri ngriti supet. “Femër”. Unë gjithashtu u ç’orientova ca. Se që ishte femër e mora vesh, po ç’të keqe kish???. “Rob i grindur?”, pyeta për të thelluar interesin tim të painteresuar. “S’di të ta them, - ma ktheu tjetri duke ngritur supet. – S’e njoh dhe s’e kam parë asnjëherë”. Ouuuu... Punonjës që nuk njohin drejtorin dhe drejtor që nuk njeh punonjësit... Çështje administrate, vazhdova me vete. “Epo ka nja tre drejtori në vartësi. E komanduar. Sa të zgjidhen drejtorët e vërtetë”, u dha shpjegim miku im pyetjeve të pabëra nga unë.
Ja dhe një qyfyr tjetër. “Qyfyre nga regjimi qyfyr” ka qenë një rubrikë në revistën satirike “Hosteni”, ku shpesh vihej në lojë administrata e Qeverisë së Mbretërisë së dikurshme shqiptare. Duket se rubrika duhet kthyer sërish, edhe pse “Hosteni” mungon si revistë periodike.
Demek drejton tre institucione?
-Po qenka e zonja o pse s’thua!
-E, është ca, kështu thonë.
S’di pse atë çast mu fanitën para syve ca imazhe të njohura të një filmi.
-Vitin e parë bëra tri kurse: një për fizarmonikë, një për mundje dhe një tjetër për balet.
-Balet??? Ti më atë trup?
-Po u thash a derëbardhë po u mbushet mendja atyre. Dhe Kiu fiu nga një kurs në kursin tjatër.
Pyetjes time se si ka mundësi që një njeri drejton 3 drejtori të ndryshme, sugjeruesi im më tha: “Po deshe të dish më tepër kërkoje online se aty e njeh më mirë”. Dhe iku.
Kureshtja nuk më la. Të gjithë jemi bërë nga pak vuajaristë. Deri dje shihnim nga vrima e çelësit. Sot s’ka nevojë se çelësin e ke në dorë mjafton të hapësh derën dhe i sheh të tëra. Meqë kafen po e pija e vetëm e po rrija si pasha, hapa celularin. E gjeta tak-fak. Personi në fjalë kishte një kurrikulum qëëëëëë, ç’të të them. Kishte 12 vende pune, të gjitha në administratë. Në të gjitha lëmet. Mo po drejtoreshë, këshilltare... e ku ta di unë.
-Bukur shoqja Shegë, bukur! Talente të reja.
Eh sa si Kiu-fiu ka administrata jonë, që marrin detyra të mëdha e s’bëjnë asgjë.
Dhe pas kësaj m’u mbush mendja që vërtet jam i paaftë. Domethënë që punoja në sektorin privat, dhe jo në administratë ku të bëja kokrrën e qejfit. Madje mund të bëja dhe karrierë.
Nga një drejtori në tjetrën, ky model i shoqërisë sonë nuk kishte lënë ministri e drejtori pa shëtitur. Dhe t’i kish rreshtuar të gjitha një e më një. Demek si partizanët qëmoti:
-Kam marrë pjesë në betejën e Mushqetasë, në atë të Mezhgoranit, në luftën e Tiranës, në atentatin e...
E jo a derëzi se rrëzë mullarit me bar ke qenë.
Shkurt, nga ndërzimi artificial tek amerikanët në Vietnam. Dhe Kiu sa mbaronte një kurs fiu në një kurs tjatër.
-Do jesh ndonjë kokërr dembeli ti Kiu?!
-Jo ore, për nder! Po vet o më çojnë. Ik ti Kiu se na prish më pak punë. Tani, ndonjë punëtor i madh nuk jam, po dhe ndonjë punë e bëj.
Ca vite më parë doli një batutë që qarkullonte rëndom e që thumbonte administratën: Ku punon? Në kryeministri. Çfarë pune bën? Vlonjat.
Herën e dytë kur e dëgjova sërish të njëjtën batutë i kishin bërë një revizionim andej nga fundit, se kishin rrjedhur ca ujëra: Ku punon? Në kryeministri. Çfarë pune bën? Skraparlli.
Çudi, si është harruar Tepelena në këtë mes. Veç në qoftë se e mbulon Vlora si qark.
Tek e fundit nuk është ndonjë gjë për t’u marrë shumë parasysh. Sa drejtorira ka administrata. Dhe për më tepër ka drejtori që nuk ia var kërkush e nuk i prish punë askujt.

Friday, June 9, 2023

Romani “Orgji në famullinë e at Ludovikut” i Leonard Veizit, një fiksion befasues


Nga Kastriot Kotoni
 
Të lexuarit në kohë pranvere është ndoshta pika më e lartë e leximit në vendin tonë. Shumë thjeshtë, kohë më e freskët për t’u ngjeshur me shikim e mendim pas librave, qofshin shkollor apo shkencor e mbi të gjitha artistik. E kaluam ditën e librit 21 prillin si pa kuptuar dhe ndërsa kisha në dorë disa libra, libri i shkrimtarit Leonard Veizi, me titull: “Orgji në famullinë e at Ludovikut” më shtyu ta lexoj. Në fillim hezitova sepse titulli do të më impononte ndonjë ngjarje kushedi se ku në kohë të largëta e me shumë çështje albanologjike, për të cilën do të më duhej një kohë tejet e gjatë për ta asimiluar.
Surprizë guxim ekspresion ndjenjash, sinteza e semantikave dhe dikotomive të ndryshme, por me shumë fenomene njerëzore, në një toponimi tepër të vogël të një qyteti askund në Shqipëri. E ndërkalla veten t’i bëja krahasimin se me kë më ngjan ky autor, por ishte e pamundur ta fiksoja midis Shekspirit, Dostojevskit, Singerit, Kafkës e Kamysë, Hemingueit, Dan Braun, Cohelios dhe Markezit e shumë të tjerë.
Të duket një roman triller në cili e gjen në të gjithë botën, por edhe e zbulon vetëdijen e literalitetit shqiptar që ka ecur si në ligjërim edhe në epërsinë ideoemocionale, për faktin që ka një prerje modern, jo për t’i ngelur peng ngjarjes, por për t’i zhbiruar anën psikologjike personazheve, gjë që përbën të renë e këtij romancieri. “Një qytezë e vogël rrëfen ngjarje të mëdha”. Ta thurësh narrativën sikur të jesh kriminel e here viktimë e tij, herë hetues e herë prokuror e gjykatës i shpirtit njerëzor, nuk është e lehtë kërkon mjeshtri, sepse edhe sikur kronologjikisht të jesh tepër i saktë, të hidhesh në humnerat e pavetëdijes të shpirtit njerëzor janë të rrallë shkrimtarët e suksesshëm.
Apriori duket sikur qyteti mbikëqyret nga rrëfimi tek famullia e at Ludovikut, njeriu të Zotit. Këtu shkrimtari na hap një portë të re në lëvrimin e një letërsie, ku përfshihet edhe teologjia dhe psikanaliza dhe kriminologjia e herë e herë mistifikimi i historisë.
Të zhytur në rrëfimin e mëkateve nuk janë vetëm rrëfimtarët, por edhe at Ludoviku një djalë i ri i mirëarsimuar për punët e zotit. Sentenca shumë e famshme –“Se tek i gjalli gjendet edhe engjëlli edhe djalli” e përshkruan të gjithë lajtmotivin e këtij romani. Perpjekjet e at Ludovikut për të qenë shërbëtor i njerëzve si njeri i zotit janë titanike, e jepen plotë dinamikë dhe me shumë emocion nga Veizi. Presioni psikologjik që duhet të përballoj at Ludoviku përballë rrëfimeve krejt të paimagjinueshme të rrëfimtarëve, asnjëherë nuk e dekurajojnë këtë bari të shpirtit njerëzor.
Koha e shkëputjes nga feja në Shqipëri duket ka bërë të vetën. Lidhjet e brezave të klerikëve dhe tronditjet e thella shoqërore që kanë pësuar njerëzit e këtij qyteti padyshim kanë lënë pasoja. Ka shumë personazhe që të kujtojnë letërsinë e Hygoit, Balzakut, Gëtes e Çehovit, Kalvinos, e kushedi sa të tjerë?
Në një qytet që ka vetëm një rrugë për hyrje e dalje, një supermarket, e patjetër një stacion policie dhe një qendër administrative. Të duket sikur famullia përfaqëson qytetin dhe qyteti zmadhohet nga rrëfimet. Krijohet një simbiozë komunikimi që ndoshta ia kalon edhe varësisë nga internet. Rivaliteti i të vërtetës arrin majat. Njerëzit kanë nevojë të shfryjnë të zbrazen në kufijtë e të pabesueshmes, duke besuar edhe gjërat më intime të jetës private, dashuri të papërfunduara, krime, vrasje, përdhunime, inceste, lidhje jashtëmartesore tek at Ludoviku që për shkak të betimit të tij është kasaforta shpirtërore e qytetit. Në anën tjetër në antipod me at Ludovikun janë një punonjës policie dhe një punonjës i Shërbimit sekret, janë pjesë e të njëjtës trase në kërkim të së vërtetës me prova e në mënyrë ligjore. Diagrama e qëllimeve për të shkuar tek e vërteta përshkruhet nga kurba që ngrihen lart në ekstrem, teksa fiton rrëfimi tek famullitari i të gjithë personazheve dhe vjen duke u ulur deri afër pikës së vdekjes, tek njerëzit e shtetit. Kjo tablo na jepet falë penës së shkrimtarit Leonard Veizi. Kanë qëllime të kundërta shpesh personazhet në kundërvëniet që na ka dhënë me përshkrimin e tij narratori. Veizi shpesh i dredhon përshkrimit direkt për çdo personazh dhe e rimerr atë në kohë e situate të tjera, ndoshta kjo teknikë hermenautike që të lexohet deri në faqen e fundit të librit përbën edhe sekretin e tij. Ai ka ditur që ta ngrejë një qytet të vogël në magjinë e një ngjarjeje të madhe botërore, kur fut në lojë një piktor dhe një arkeolog e një historian, deri dhe Vatikanin të cilët peshojnë shumë në legjendat urbane të kohës, por njëkohësisht shkrimtari trazon ujërat për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe rritet pesha e së vërtetës në nivel shpirtëror e material. Kohezioni shpirtëror nuk ka kuptim pa idetë filozofike dhe shkrimtari është treguar racional në orientimin e përplasjeve dhe përçimin e tyre. Besoj sinqerisht që kjo është thembra e Akilit që vetëm një shkrimtar me përvojë jetësore dhe erudicion të mjaftueshëm, mund ta kryejë këtë sipërmarrje. Duket që këto atribute i ka Veizi, sepse ka shkruar tetë romane, me tema të ndryshme e me ide emocionale të larmishme. Padyshim dhe përvoja mbi 30 vjeçare në gazetari e ndihmon për të prekur realitete jo të stisura. Ka ditur që në këtë roman të përfshijë një galeri personazhesh që përfaqësojnë shtresa të ndryshme shoqërore, kjo kërkon që për çdo personazh të kesh një regjistër të caktuar fjalësh dhe teknikash letrare që krijojnë një imazh sa më përfaqësues.
Tjetër fenomen është konkurrenca e dukshme dhe e padukshme e dy institucioneve, atij të policisë të përfaqësuar nga oficeri i policisë kriminale dhe atij të shërbimeve sekrete të përfaqësuar nga oficeri i shërbimit të fshehtë, në kërkim të së vërtetës. Tjetër fenomeni i antropologjisë së krimit tek personazhi i Vikit me shokë. Ka shumë “pse” në këtë roman dhe Leonardi si shkrimtar ka zgjedhur që lexuesi të lexoj e të perceptoi në mënyrën e tij. Dilema e dyshime krijojnë pikën e vlimit në çdo rresht ku shfaqen personazhet dhe ti si lexues bën pyetjen? Ku pse, a duhej kjo ngjarje apo ky motiv, nëse duhej a mos vallë duhej një roman me disa vëllime? Ka intensitet psikologjik që hera herës mungesa e vëmendjes të pështjellon ujdhesën e ngjarjeve dhe emocioneve. Një detaj të të humbas duhet t’i rikthehesh sërish leximit, si psh “Ditari i at Ludovikut” një enigmë që nuk u zgjidh kurrë.
Diateza kishtare “Në emër të atit dhe të birit e të shpirtit shenjtë” ka metaforën e fundit tragjik të famullisë, rri si një plumb i rëndë. Romane të tilla kanë riskun o të shfaqen njëherë në 20 a 30 vjet, ose t’u vërsulesh në emër të klikimeve dhe bujës - dmth debatit ose reklamës negative për të korrur sukses.

Kur lypësi që kërkon “dy lek” të grabit peshkun e pjatës

 
Nga 
Leonard Veizi
 
Kur një mik më tregoi se si dëshmitar i një ngjarjeje që e kishte lënë të shokuar, sepse një lyps ordiner që kishte arritur të hynte në ambientet e një restorant luksi i kishte rrëmbyer peshkun nga pjata një turisti spanjoll, reagimi im i parë ishte një qeshje shpërthyese. Tek e fundit nuk kisha si të mos qeshja. Se nuk flitej për një tragjedi, po për një komedi të zezë. Të të marrin peshkun nga pjata është për të qarë e për të qeshur bashkë. Jo se mbeti pa ngrënë i shkreti turist, por me siguri do t'i këtë mbetur dhe ndonjë halë në fyt. Dhe me trafikun që kemi ne, ec e të të vijë ndihma e shpejtë ambulatore.
Pastaj i thirra mendjes dhe në të qeshur e sipër i thashë dëshmitarit rrëfyes: e tmerrshme. Por pak më vonë më kapi inati.
Si ore i pakan marrë turistit spanjoll peshkun nga pjata?! Është njëlloj si të të thotë tjetri që i morën bukën nga goja.
Nisa të bëj një lloj analize me veten:
Një lyps arrin dhe i merr peshkun nga pjata një turisti spanjoll. Bravo! Edhe trim, edhe guximtar, edhe... i shpejtë si era, aq sa s’pati burrë ta kapte.
Nuk po na ecën hiç me këta spanjollët. Ca vite më parë, një tjetër familje spanjolle në Himarë, në vend të hante peshkun desh i hëngri peshku ata, për më tepër kur bossi i restorantit ku kishin drekuar i ndiqte turistët me thikë në dorë, e u hipi mbi kofanon e makinës. Dhe pse? Se i kishin refuzuar peshkun e pjekur në zgarë.
Kjo do të thotë se sa do që mundohemi të sjellim turistë, e të sillemi mirë me ta, sërish na dalin probleme. Ndonjëherë me dashje, ndonjëherë edhe krejt pa dashje.
-Unë dua të bëhem i mirë si ty o babi, por ja që gabimet bëhen edhe pa dashje, - u ngrit rrëmbimthi Miri nga sedilja e Skodës së shoferit Stefi Petro tek filmi: “Në shtëpinë tonë”. Dhe Stefi që s’kish zemër ta rrihte, ia kthen: Po mirë, për gabimet pa dashje nuk e kemi fjalën.
Domethënë, e paskemi të vështirë që turistëve që thyejnë këmbën e vijnë në Shqipëri, t’u marrim paratë urtë e butë. Njëri prej tyre do na e lërë dopio-gjashtën në dorë se s'bën. Dhe pastaj do fillojë përsëri ahengu i reklamës negative: Po çfarë kërkoni në Shqipëri a derëbardhë? S'ka turist që ha peshk nga ajo anë.
Po pse i duhet peshku një lypësi? Kjo është dhe çudia më e madhe.
Në logjikën e asaj që shohim përditë, një lyps fatkeq e me probleme fizike, nuk shkon të grabisë. Ai thjesht lyp, për të nxjerrë aq pak gjë sa të shtyjë ditën. Por kur mendja të ka shkuar për peshk, këtu ndryshon muhabeti. Se fjala vjen: përse nuk të shkoi mendja për qofte, aq sa për të mbushur zorrën? Por drejt e te peshku.
Unë e kam një përgjigje për pyetjen, por nuk e di sa i bie në kokë. Dhe sipas meje: Pa diskutim, endacaku që lyp e grabit, fillimisht ka siguruar paratë e rakisë për babain që e pret te Bregu i Lumit, mirëpo i duhet dhe mezja. Se babai përtac e pijedashës vet jeton si pasha, por kalamajtë i  ka hequr nga shkolla dhe i ka nxjerrë në rrugë që t’i sigurojë një jetë të bollshme e të shëndetshme. Me raki edhe me meze.
-Vathe... Vathe mi dreq.  Po fol mi budallaqe fol se po hongra ploncin dul dhe risku jot, - ia pat Fadil Hasa në rolin e Borzilokut tek një skeç i estradës së Durrësit.
Ja kështu bëhet hesapi. Dëndesh me raki, merr dhe ca proteina dhe... dhe pastaj rreshtohen kalamajtë: Falkao, Garinxha, Tajsoni, Romario, Izaura, Bebeto...
-A ka mo?
-Është dhe babi, - thotë Met Bega si babai i 7 fëmijëve tek filmi “Dhe ashtu dhe kështu”, duke zbrit i fundit shkallët me karrocën nëpër duar.
A po fajet babai i ka, padyshim! Se nuk i mjafton konserva e peshkut, por do dhe peshk të egër nga thellësia e detit, që të pijë dhe ca më shumë raki, sa mezi të çohet të nesërmen në mëngjes.
Kështu është kur rritet mirëqenia. Rritet dhe niveli i kërkesës.
Këta lypsa po terrorizojnë Tiranën sot por dhe qytetet e tjera, sidomos ato bregdetare. Ata të dalin përpara kudo, te hotelet me 5 yje, por dhe te varrezat, te restorantet e luksit por dhe nëpër spitale. Ulesh në lokal, më përpara se kamerieri për të të marrë porosinë të vjen lypësi me të kërku bakshishin. Duhet me e mbush xhepin plot me monedha që të kënaqësh oreksin e gjithë lypsave që të dalin çdo ditë përpara. Dhe nuk është se qëndrojnë tek cepi i rrugës me ndonjë karton të varur në qafë, ata të ngatërrohen nëpër këmbë dhe po s’e pate mendjen apo bën sikur nuk e ke, të tërheqin për mënge që ti tek e fundit të reagosh, ose t’i shash, ose... t’i dorovitësh.
Ata e njohin mirë një shqiptar nga një të huaj. Kanë instinkte të papara. Ndaj shqiptarëve u kërkojnë lek, turistëve të huaj euro e dollarë.
Deri këtu mban muhabeti, se nga këta gjen kudo në botë. Por kur vjen puna te grabitja... se rasti i peshkut nuk është i pari, sigurisht. E kështu siç e kanë nisur do na lënë pa turistë fare. Se nuk të vjen njeri në një vend ku në çdo hap që hedh të fanepset një lyps që të kërkon një “dhjeçkë”.
Kështu që u duhet thënë: kërkoni ndonjë lek se nuk u ndalon njeri, por mos grabisni. Se do na braktisin edhe ata pak turistë që nga reklama u është mbushur mendja se Shqipëria është parajsë. Dhe po ikën ata jo vetëm do qajnë peshkun, por do qajnë dhe qoftet, se do përfundojnë tek korja e bukës me gjizë e kripë të pajodizuar.


Tuesday, June 6, 2023

Fundjavë italiane mes kishave madhështore e pikturave të Rilindjes

Shënime udhëtimi

 

Nga Leonard Veizi
 
Italia sot është një destinacion i afërt, po aq sa dhe Greqia. Edhe pse në mes ndahemi nga deti Adriatik, në çdo aeroport të Italisë do të mbërrish pas një udhëtimi të shkurtër me avion, jo më shumë se 90 minuta. Duke qenë se nuk ka shqiptar që të mos ketë njerëz në Itali, një destinacion i tillë është shumë i favorshëm për të kaluar ditë festash por dhe një fundjavë. Jo vetëm për këto arsye, padyshim, linjat e avionëve me destinacion nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” në drejtim të aeroporteve italiane, janë të mbushura “full”...
 
...Për shumë shqiptarë gjithçka italiane është bërë shumë familjare tashmë, ndërsa për udhëtarët e thjeshtë që shkojnë sipas rastit e mundësive, gjithçka italiane është vazhdon të ketë kureshti të shumta. Për më tepër që i gjithë gadishulli Apenin bashkë me ishujt, Siçilia dhe Sardenja, janë të mbushura me histori dhe art nga periudha etruske, për të vazhduar më atë romake e për të kapur një kulminacion të ri në periudhën e Rilindjes.
 
Aeroporti i Rinasit
Distanca mes Rinasit dhe aeroportit të Veronës është 850 kilometra të cilat një Airbus A320 i cili mban në bord 180 persona si dhe 6-7 anëtarë të ekuipazhit, e përshkon për rreth 1 orë e 20 minuta.
Në Rinas duhet të bësh procedurat standarde. Fillimisht bën check in dhe pret biletën. Vendos bar kodin në platformën elektronike dhe drejt e tek salla ku skanohesh fizikisht, ti si person dhe bagazhet e dorës. Lëngjet nuk lejohen absolutisht dhe as shkrepëset e çakmakët.
Aeroporti vazhdon të jetë në rikonstruksion pasi koncensionari po e zgjeron dukshëm atë. Nga 6 Gate që kanë qenë deri para një viti, sot janë bërë 14 Gate. Dhe padyshim janë shtuar Duty Free Shop. Çdo gjë është biznes. Madje dhe në avion, që këtë herë dukej sikur ishte kthyer në një kioskë, sepse përveç kafesë, pijeve të gazuara dhe sanduiçeve në shitje kishin dalë dhe parfume e kozmetikë për femra.
Lëre-lëre se ç’vete.
Megjithatë instruksioni se si duhet vepruar në rast rreziku nuk mungon asnjëherë nga stjuartët, edhe pse udhëtimi mund të jetë i shkurtër.
 
Aeroporti i Veronës
Ai mban emrin Valerio Catullo dhe është një aeroport ndërkombëtar në Italinë veriore. Emërtuar për nder të poetit romak Gaius Valerius Catullus. Poeti njihet për intensitetin e pasioneve dashurore të shprehura, për herë të parë në letërsinë latine.
Aeroporti ndodhet 10 km në jugperëndim të qendrës së Veronës. E ndërtuar si një aeroport ushtarak gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka funksionuar si një aeroport civil që nga vitet 1960. Në fund të viteve 1970, u ndërtua infrastruktura e një aeroporti civil modern.
Në aeroportin e Veronës mbërrijmë natën. Sepse udhëtimi ynë u shty me 40 minuta. Ç'është e vërteta kjo puna e shtyrjes së udhëtimeve në aeroporte është kthyer në modë. Dhe të gjithë thonë se pas pandemisë, edhe oraret e nisjes së avionëve që dikur kanë qenë të përpiktë, nuk e kanë më atë shans.
 
Breshia
Nuk kemi kohë të mjaftueshme për të parë gjithë mrekullinë që të ofron qyteti. Dhe as për të bërë një vizitë tek kisha e Shën Faustinit, që në njëfarë mënyre është e aplikuar edhe në kisha të tjera të ngjashme në Lombardi. Veç turistët e shumtë shihen që gëlojnë rrugëve të këtij qyteti.
Breshia është një qytet rrëzë Alpeve, disa kilometra larg liqeneve Garda dhe Iseo. Me një popullsi prej më shumë se 200,000 banorë është qyteti i dytë më i madh në rajonin administrativ dhe i katërti më i madhi në Italinë veriperëndimore.
Në pamundësi për të parë disa nga objektet më me vlerë të këtij qyteti, mjaftohemi duke u ngjitur në Kalanë e tij e cila është ndërtuar në një pikë dominuese. Prej atje shihet i gjithë qyteti. E veçanta është se në Breshia nuk sheh kulla betoni e qiellgërvishtës prej xhami.
E vendosur në majën e kodrës Cidneo, Kalaja është një nga komplekset e fortifikuara më magjepsëse në Itali dhe e dyta më e madhe në Evropë, duke mbajtur ende gjurmët e dominimeve të ndryshme të së shkuarës.
Mastio, streha e fortifikuar në majë të kodrës, me “Torre dei Prigionieri” apo Kullën e të Burgosurve, urën lëvizëse dhe Kulla Mirabella, gjurma e fundit e kishës së Santo Stefano në Arce me pamje nga qyteti, - dëshmojnë periudhën e dominimit nga Viscontët. Bastionet mbresëlënëse, me portën e tyre monumentale, janë dëshmi e fuqisë së Republikës së Venecias, -  apo të Venedikut, - që sundoi qytetin për rreth katër shekuj.
Në shesh-punimin para Kështjellës është vendosur një lokomotivë e vjetër me avull tip SNFT e cila mban numrin “1”. Lokomotiva 1 është futur në shërbim në vitin 1907. Pasi ka bërë 2.500,000 kilometra “Numri 1” doli në pension më 1 korrik 1961.
 
Borgo San Giacomo
Ndalemi në Borgo San Giacomo. Ai është një qytet me 5550 banorë në provincën e Breshias në Lombardi. Deri në vitin 1863 mbante emrin Gabiano, prandaj banorët e saj quhen Gabianesi.
Në zemër të qytezës ndodhet Kulla e Gabianos dhe Kisha Famullitare e San Giacomo. Ndërtesa daton në vitin 1700 dhe arrin 55 metra lartësi.
Kisha është e ndërtuar midis viteve 1594 dhe 1609, ndërsa u shenjtërua më 8 qershor 1625.
Borgo San Giacomo është një qytezë e cila ka 7 kisha të vjetra në territorin e saj. Të gjitha duken sa të përafërta aq edhe të veçanta.
Por edhe në Borgo San Giacomo ashtu si dhe në shumë qytete të tjera të cilat i ndesha nga afër, rrugët mbanin ose emra shkrimtarësh të shquar ose emra shenjtorësh.
 
Verolanuova
Në portat e Breshias, jo shumë larg brigjeve të lumit Oglio, ndodhet një qytet që mban një thesar veprash arti për të cilat pakkush është i vetëdijshëm: është Verolanuova, një qytet me karakter të fortë mesjetar dhe rilindës që për të paktën katër shekuj, duke filluar nga dekadat e para të shekullit të pesëmbëdhjetë, ajo qeverisej nga një prej linjave fisnike më të rëndësishme dhe me ndikim të Breshias: familja Gambara.
Verolanuova është një qytet me 8000 banorë.
Kisha e San Lorenzo në Verolanuova është një nga kishat më të mëdha famullitare në Lombardi. E shenjtëruar në vitin 1647, kisha bazilikane paraqet zgjidhje unike arkitekturore për kohën dhe një koleksion të pasur dekorativ nga artistë të njohur. Në kapelën e Sakramentit të Bekuar mbahen dy telajo spektakolare me përmasa 10×5.5 metra të punuara nga Giovani Battista Tiepolo, një mjeshtër piktor nga rajoni Veneto, i njohur për përdorimin e ngjyrave.
Ndërkohë, nëse ke shkuar në Verolanuova nuk mund të lësh pa shëtitur dhe parkun lokal “Fiume Strone”, ku në një basen do të mund të shohësh peshqit dhe breshkat që notojnë të patrazuara në ujë.
 
Orzinuovi
Orzinuovi është një qytet me 12.400 banorë në provincën e Breshias. Kufizohet me provincën e Bergamos dhe atë të Kremonës. Ai u themelua në vitin 1193, si një kështjellë kufitare me emrin "Orci Novi". Në qendër të qytetit ndodhet Piazza Vittorio Emanuele II. Dhe pak më tej kisha kushtuar Santa Maria Assunta dhe dega e famullisë së Bigolio e cila është ndërtuar në vitin 1191. Kisha u rindërtua në vitin 1341 dhe u shenjtërua më 19 tetor 1383. Kisha aktuale e famullisë është rezultat i një rinovimi të kryer në shekullin e 17-të. Fasada u modifikua midis viteve 1914 dhe 1915. Më në fund, nga fundi i shekullit të njëzetë, ndërtesa u rinovua plotësisht.
Gjatë rrugës të bie në sy një avion i vendosur në “Via Verolanuova”, në vendin e quajtur “Piazza Dell'aereo”. Është një Thunderflash historik RF-84F, me numër serial M.M. 52-7379 dhe shenjat 3-13, të prodhuara në SHBA, të projektuara në vitet 1950 për misione foto-zbulimi. U prodhuan gjithsej 406, shumë prej tyre arritën edhe tek aleatët evropianë: Italia mori 78, të cilat operuan nga viti 1956 deri në 1974 dhe u përdorën nga departamentet e “Stormo Recognitori” që kishte bazën në aeroportin Verona-Villafranca. Avioni është përdorur në Itali në raste të ndryshme fatkeqësish kombëtare. Kushtuar aviacionit ky monumenti u përurua më 22 qershor 1975.
 
Lago di Garda
Nuk mund të shëtisësh në rajonin e Lombardisë e të mos shohësh një çast dhe një nga atraksionet më të mëdha turistike të Italisë: Liqenin Garda. Për të mbërritur në një nga segmentet e këtij liqeni të madh, duhet të kalosh përmes qytetit të Desenzanos. Makinën mund ta parkosh në një vend “free”.
Liqeni Garda është liqeni më i madh italian, me një sipërfaqe prej rreth 370 km², 50 km i gjatë nga veriu në jug dhe me një gjerësi maksimale prej 17 km. Ndahet midis tre rajoneve: Veneto, Lombardia, Trentino dhe tre provinca: Verona, Brescia, Trento. Liqeni Garda është ndër destinacionet më të rëndësishme turistike italiane dhe evropiane dhe vizitohet nga miliona njerëz çdo vit.
 
Kthimi
Fundjava kalon shpejt dhe do të duhet sërish të paraqitesh në dyert e aeroportit të Veronës. Procedurat janë thjeshtëzuar, përveç sistemit të kontrollit që nuk të lë mundësinë as të marrësh ujë me vete. Aeroporti i Veronës po ashtu si dhe ai Rinasit ishte në zgjerim e sipër ku po punohej për një terminal shtesë. Fluturimi në një kohë të mirë e pa turbulenca u bë në orarin e caktuar.
Nga lartësia dukeshin provincat e Italisë të rregulluara si me dorë.
Por ndërsa futeshe në territorin shqiptar, nuk kuptohej se përse gjithkund në fusha kishte ndërtime. Me leje apo pa leje, kjo tani nuk ka kurrfarë rëndësie. Sepse sot gjithçka është e deformuar dhe e shëmtuar. Përveç faktit që një tokë bujqësore e destinuar për prodhim, është detyruar të qëndrojë ose djerrë, ose nën ujë, për shkak të ndërtimeve aty-këtu e pa kriter. Dukej sikur e gjithë Shqipëria është një ndërtim pa leje. Dhe nuk ka kadastër që mund t’i bëjë derman.


Sunday, June 4, 2023

Parazitet shqiptarë, llogje në floktore, kafene e... bilardo


Nga 
Leonard Veizi
 
Jemi shoqëri konsumi. Por kjo e jona, shoqëria shqiptare, është edhe më konsumiste. Që do të thotë, hamë më shumë se prodhojmë. Nuk ka sens ekonomik dhe as matematika nuk e zgjidh dot, por në praktikë është më e thjeshtë. Hamë ato që prodhojmë vetë dhe po ashtu ato që na vijnë nga jashtë e që në gjuhën teknike quhen remitanca.
Dhe ja, të bëjmë një llogari të thjeshtë e pa u futur shumë në të thella. E ta tregojmë në formë përralle:
Një ditë si u rehatova mirë në kafenenë më të afërt me apartamentin, - ku për të thënë të drejtën që në pikë të mëngjesit mezi e gjeta një vend, -  s’di si më shkrepi në kokë e nisa të bëj llogaritë se sa e çfarë biznesesh kryenin aktivitetin, pikërisht në bllokun e pallateve ku banoj prej më shumë se 20 vitesh.
Kompleksi ka katër pallate me nga katër hyrje, pra 16 gjithsej, dhe me  një mesatare prej 12 katesh, sipas shtesave. Dhe 4 apartamente për çdo kat. Katet “0” janë kthyer në aktivitete biznesi.
Janë të paktën 700 familje për 3 veta, të paktën 2100 banorë. Shifra është relative, por e përafërt gjithsesi.
Nga vendi ku isha pozicionuar, rrija dhe shihja kafet e mbushura plot. Në byrektoren e vetme, gjithmonë ka radhë në mëngjes, si për vajguri në kohën e Xhaxhit. Parukeritë kishin nisur punën me manikyr e pedikyrë, krehje e llangosje. Ndërsa nëpër markata blihej qumësht e cigare.
Dhe ky është mëngjesi. Deri në orën 10.00 maksimumi. Nis e bëj një llogaritë, pa ndihmën e kalkulatorit elektronik.
Më rezultojnë se në kompleks janë 6 parukeri për femra dhe 2 floktore burrash. Por 6 parukeri s’kishte gjithë Tirana para viteve ’90. Nejse... Iku e para.
Janë 7 kafe dhe 5 bar-restorante si dhe një vetëshërbim. Epo nuk gatuan njeri në shtëpi më. Kohë e humbur. Se koha është flori në vetvete. Nejse mo... Kjo ishte e dyta.
Janë 2 bilardo, që edhe ato shoqërohen me banak bar-kafeje dhe 1 sallë ping-pongu. Hollë-hollë bëhen nja 10-të vende me aparat ekspresi ku pihet kafe me filxhanë e gota plastike.
-Apapapa... si shikuaka ky me këto syzet...
Nejse... iku dhe e treta. Vazhdojmë numërimin:
Kemi 4 minimarkata, por nuk kemi një supermarkatë. Dy të tilla me emra të ndryshëm i kemi në dy komplekset që na rrethojnë. Pra vetëm një kalim rruge.
Epo do furnizohemi: vaj, makarona, sheqer, oriz, fasule... Të mbesim pa ngrënë. Të gjithë nëpër restorante nuk do hamë. Nuk kemi takat tek e fundit, se qejfi na e ka.
Kjo ishte e katërta... apo e pesta. Ta lëmë fare këtë punën e numërimit. Vazhdojmë me normë:
Por kemi dhe 2 këpucarë, 3 rrobaqepëse, 2 kancelari, 1 furrë buke, 1 materiale ndërtimi, 2 zyra kontabiliteti, 1 orëndreqës, 1 klinikë dentare, 1 farmaci, 1 filial banke, 1 çelësabërës, 1 dyqan veshjesh, 1 servis makinash, 1 dyqan pajisje elektronike, 1 byrektore, 1 pastrim kimik, 1 metrazhe por dhe 1 shtypshkronjë e falimentuar tanimë me pajisjet që i kanë mbetur stok.
Janë gjithashtu dhe nja 3 dyqane me qepena të ulur që më së shumti përdoren si magazina.
Pra ky është mikrokozmosi ynë. Kjo përbën shumatoren e përgjithshme. Domethënë gjen në një hapësirë të vogël qytetase, gjithçka që mund të gjeje në Tiranën e viteve ’80.
Në të gjitha baret dhe sidomos në bilardo, ka gjatë gjithë kohës klientë. Njerëz të pasionuar pas lojës me bila dhe pas thashethemeve rreth filxhanit të kafesë.
Fjala vjen: merr 8-tën me spond dhe kthen gotën e rakisë me fund.
Gjak e dhjam.
Sipas logjikës së thjeshtë këta njerëz që kanë zaptuar lokalet o janë pensionistë, ose janë pa punë. Thënë shkurt me të ardhura minimale. Nga ata që qahen tërë ditën se rroga apo pensioni nuk u del as për dhjetëditëshin e parë të muajit. Por  çokun dhe stekën nuk e ndajnë nga dora. Duke e shoqëruar me kafe e duhan, por dhe ndonjë gotë raki. Nuk ua dimë menunë e drekës, por përderisa gëzojnë shëndet të plotë dhe kanë aq vuxhut sa të luajnë dhe ping-pong, me siguri kaloritë bazë i marrin. Përndryshe do të mbesnin “dëshmorë” mbi tavolinën me tapet jeshil.
Meqenëse për pensionistët thuhet se nuk u del llogaria as për ilaçe, atëherë me siguri paratë e tjera të konsumit, vijnë nga “përtej detit” që do të thotë nga emigracioni. Dhe kështu jeta mes shqiptarësh vazhdon po ashtu si dhe 100 vite më parë.
-Ç’bën kështu, je në vete?, - i thosh Eleni Jankollari shofer Qemalit tek filmi “Koncert në Vitin 1936”.
-Ehu, më erdhi në majë të hundës, – ia ktheu Qemali e nisi të shpjegohej: - Më tepër bëra fjalë me nja dy afendikonj. Është popull dembel shqiptari, thoshin, prandaj ka fukarallëk. E shoh, e shoh nga duar tuaja zotërinj, u thashë, i keni më të buta se të zonjave. E ja, kjo i nxehu më tepër gjakrat.
Si në ‘36-tën edhe në ‘26-shtën të një shekulli më pas, situata nuk ndryshon. Ndryshon vetëm planimetria e qytetit, urbanistika dhe infrastruktura. Por kur vjen puna për ta vrarë kohën: shefi i policisë sërish do hedhë fall me letra në zyrë, kryetari i bashkisë do lexojë në gazetë rubrikën rozë me lajme nga bota dhe nënprefekti do vrasë mizat duke kënduar nën zë “Triste domenica”.
Gjithsesi, realitet rozë. Tek e fundit kjo nuk i prish punë njeriu. Mjafton të mos kërcasë kallashi dhe dita të nxihet.
Nisur nga numri i madh i parukerive, dhe të grave që gjen në to, duket sikur të gjitha janë të prera për jetë mondale, apo do shkojnë në ballo bamirësie... Tek e fundit mirë bëjnë. Gratë duhet ta mbajnë veten. Por dhe në parukeri, ku nuk është se paguajnë qindarka, gratë po si gratë, flasin për shtrëngesat e tyre të jetës, por që kur vjen puna për të bërë hesapet e fqinjëve e kanë lapsin në dorë.
-E mo, punë shqiptarësh, - do thoshte gjithkush. Unë gjithashtu bashkohem me të njëjtin mendim. Se ne ia dimë kleçkat njëri-tjetrit.
Jemi mësuar ta trajtojmë veten si të tillë, e vështirë të zhbëhemi.