Shënime udhëtimi
Nga
Leonard Veizi
Italia
sot është një destinacion i afërt, po aq sa dhe Greqia. Edhe pse në mes ndahemi
nga deti Adriatik, në çdo aeroport të Italisë do të mbërrish pas një udhëtimi
të shkurtër me avion, jo më shumë se 90 minuta. Duke qenë se nuk ka shqiptar që
të mos ketë njerëz në Itali, një destinacion i tillë është shumë i favorshëm
për të kaluar ditë festash por dhe një fundjavë. Jo vetëm për këto arsye,
padyshim, linjat e avionëve me destinacion nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë
Tereza” në drejtim të aeroporteve italiane, janë të mbushura “full”...
...Për
shumë shqiptarë gjithçka italiane është bërë shumë familjare tashmë, ndërsa për
udhëtarët e thjeshtë që shkojnë sipas rastit e mundësive, gjithçka italiane
është vazhdon të ketë kureshti të shumta. Për më tepër që i gjithë gadishulli
Apenin bashkë me ishujt, Siçilia dhe Sardenja, janë të mbushura me histori dhe
art nga periudha etruske, për të vazhduar më atë romake e për të kapur një
kulminacion të ri në periudhën e Rilindjes.
Aeroporti
i Rinasit
Distanca
mes Rinasit dhe aeroportit të Veronës është 850 kilometra të cilat një Airbus
A320 i cili mban në bord 180 persona si dhe 6-7 anëtarë të ekuipazhit, e
përshkon për rreth 1 orë e 20 minuta.
Në
Rinas duhet të bësh procedurat standarde. Fillimisht bën check in dhe pret biletën. Vendos bar kodin në platformën
elektronike dhe drejt e tek salla ku skanohesh fizikisht, ti si person dhe
bagazhet e dorës. Lëngjet nuk lejohen absolutisht dhe as shkrepëset e çakmakët.
Aeroporti
vazhdon të jetë në rikonstruksion pasi koncensionari po e zgjeron dukshëm atë.
Nga 6 Gate që kanë qenë deri para një viti, sot janë bërë 14 Gate. Dhe padyshim
janë shtuar Duty Free Shop. Çdo gjë është biznes. Madje dhe në avion, që
këtë herë dukej sikur ishte kthyer në një kioskë, sepse përveç kafesë, pijeve
të gazuara dhe sanduiçeve në shitje kishin dalë dhe parfume e kozmetikë për
femra.
Lëre-lëre
se ç’vete.
Megjithatë
instruksioni se si duhet vepruar në rast rreziku nuk mungon asnjëherë nga
stjuartët, edhe pse udhëtimi mund të jetë i shkurtër.
Aeroporti
i Veronës
Ai
mban emrin Valerio Catullo dhe është një aeroport ndërkombëtar në Italinë
veriore. Emërtuar për nder të poetit romak Gaius Valerius Catullus. Poeti
njihet për intensitetin e pasioneve dashurore të shprehura, për herë të parë në
letërsinë latine.
Aeroporti
ndodhet 10 km në jugperëndim të qendrës së Veronës. E ndërtuar si një aeroport
ushtarak gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka funksionuar si një aeroport civil që
nga vitet 1960. Në fund të viteve 1970, u ndërtua infrastruktura e një
aeroporti civil modern.
Në
aeroportin e Veronës mbërrijmë natën. Sepse udhëtimi ynë u shty me 40 minuta.
Ç'është e vërteta kjo puna e shtyrjes së udhëtimeve në aeroporte është kthyer
në modë. Dhe të gjithë thonë se pas pandemisë, edhe oraret e nisjes së avionëve
që dikur kanë qenë të përpiktë, nuk e kanë më atë shans.
Breshia
Nuk
kemi kohë të mjaftueshme për të parë gjithë mrekullinë që të ofron qyteti. Dhe
as për të bërë një vizitë tek kisha e Shën Faustinit, që në njëfarë mënyre
është e aplikuar edhe në kisha të tjera të ngjashme në Lombardi. Veç turistët e
shumtë shihen që gëlojnë rrugëve të këtij qyteti.
Breshia
është një qytet rrëzë Alpeve, disa kilometra larg liqeneve Garda dhe Iseo. Me
një popullsi prej më shumë se 200,000 banorë është qyteti i dytë më i madh në
rajonin administrativ dhe i katërti më i madhi në Italinë veriperëndimore.
Në
pamundësi për të parë disa nga objektet më me vlerë të këtij qyteti, mjaftohemi
duke u ngjitur në Kalanë e tij e cila është ndërtuar në një pikë dominuese.
Prej atje shihet i gjithë qyteti. E veçanta është se në Breshia nuk sheh kulla
betoni e qiellgërvishtës prej xhami.
E
vendosur në majën e kodrës Cidneo, Kalaja është një nga komplekset e
fortifikuara më magjepsëse në Itali dhe e dyta më e madhe në Evropë, duke
mbajtur ende gjurmët e dominimeve të ndryshme të së shkuarës.
Mastio,
streha e fortifikuar në majë të kodrës, me “Torre dei Prigionieri” apo Kullën e
të Burgosurve, urën lëvizëse dhe Kulla Mirabella, gjurma e fundit e kishës së
Santo Stefano në Arce me pamje nga qyteti, - dëshmojnë periudhën e dominimit
nga Viscontët. Bastionet mbresëlënëse, me portën e tyre monumentale, janë
dëshmi e fuqisë së Republikës së Venecias, - apo të Venedikut, - që sundoi qytetin për
rreth katër shekuj.
Në
shesh-punimin para Kështjellës është vendosur një lokomotivë e vjetër me avull tip
SNFT e cila mban numrin “1”. Lokomotiva 1 është futur në shërbim në vitin 1907.
Pasi ka bërë 2.500,000 kilometra “Numri 1” doli në pension më 1 korrik 1961.
Borgo
San Giacomo
Ndalemi
në Borgo San Giacomo. Ai është një qytet me 5550 banorë në provincën e Breshias
në Lombardi. Deri në vitin 1863 mbante emrin Gabiano, prandaj banorët e saj
quhen Gabianesi.
Në
zemër të qytezës ndodhet Kulla e Gabianos dhe Kisha Famullitare e San Giacomo.
Ndërtesa daton në vitin 1700 dhe arrin 55 metra lartësi.
Kisha
është e ndërtuar midis viteve 1594 dhe 1609, ndërsa u shenjtërua më 8 qershor
1625.
Borgo
San Giacomo është një qytezë e cila ka 7 kisha të vjetra në territorin e saj. Të
gjitha duken sa të përafërta aq edhe të veçanta.
Por
edhe në Borgo San Giacomo ashtu si dhe në shumë qytete të tjera të cilat i
ndesha nga afër, rrugët mbanin ose emra shkrimtarësh të shquar ose emra shenjtorësh.
Verolanuova
Në
portat e Breshias, jo shumë larg brigjeve të lumit Oglio, ndodhet një qytet që
mban një thesar veprash arti për të cilat pakkush është i vetëdijshëm: është
Verolanuova, një qytet me karakter të fortë mesjetar dhe rilindës që për të
paktën katër shekuj, duke filluar nga dekadat e para të shekullit të
pesëmbëdhjetë, ajo qeverisej nga një prej linjave fisnike më të rëndësishme dhe
me ndikim të Breshias: familja Gambara.
Verolanuova
është një qytet me 8000 banorë.
Kisha
e San Lorenzo në Verolanuova është një nga kishat më të mëdha famullitare në
Lombardi. E shenjtëruar në vitin 1647, kisha bazilikane paraqet zgjidhje unike
arkitekturore për kohën dhe një koleksion të pasur dekorativ nga artistë të
njohur. Në kapelën e Sakramentit të Bekuar mbahen dy telajo spektakolare me
përmasa 10×5.5 metra të punuara nga Giovani Battista Tiepolo, një mjeshtër
piktor nga rajoni Veneto, i njohur për përdorimin e ngjyrave.
Ndërkohë,
nëse ke shkuar në Verolanuova nuk mund të lësh pa shëtitur dhe parkun lokal
“Fiume Strone”, ku në një basen do të mund të shohësh peshqit dhe breshkat që
notojnë të patrazuara në ujë.
Orzinuovi
Orzinuovi
është një qytet me 12.400 banorë në provincën e Breshias. Kufizohet me
provincën e Bergamos dhe atë të Kremonës. Ai u themelua në vitin 1193, si një
kështjellë kufitare me emrin "Orci Novi". Në qendër të qytetit
ndodhet Piazza Vittorio Emanuele II. Dhe pak më tej kisha kushtuar Santa Maria
Assunta dhe dega e famullisë së Bigolio e cila është ndërtuar në vitin 1191. Kisha
u rindërtua në vitin 1341 dhe u shenjtërua më 19 tetor 1383. Kisha aktuale e
famullisë është rezultat i një rinovimi të kryer në shekullin e 17-të. Fasada u
modifikua midis viteve 1914 dhe 1915. Më në fund, nga fundi i shekullit të
njëzetë, ndërtesa u rinovua plotësisht.
Gjatë
rrugës të bie në sy një avion i vendosur në “Via Verolanuova”, në vendin e
quajtur “Piazza Dell'aereo”. Është një Thunderflash historik RF-84F, me numër
serial M.M. 52-7379 dhe shenjat 3-13, të prodhuara në SHBA, të projektuara në
vitet 1950 për misione foto-zbulimi. U prodhuan gjithsej 406, shumë prej tyre
arritën edhe tek aleatët evropianë: Italia mori 78, të cilat operuan nga viti
1956 deri në 1974 dhe u përdorën nga departamentet e “Stormo Recognitori” që
kishte bazën në aeroportin Verona-Villafranca. Avioni është përdorur në Itali
në raste të ndryshme fatkeqësish kombëtare. Kushtuar aviacionit ky monumenti u
përurua më 22 qershor 1975.
Lago
di Garda
Nuk
mund të shëtisësh në rajonin e Lombardisë e të mos shohësh një çast dhe një nga
atraksionet më të mëdha turistike të Italisë: Liqenin Garda. Për të mbërritur
në një nga segmentet e këtij liqeni të madh, duhet të kalosh përmes qytetit të
Desenzanos. Makinën mund ta parkosh në një vend “free”.
Liqeni
Garda është liqeni më i madh italian, me një sipërfaqe prej rreth 370 km², 50
km i gjatë nga veriu në jug dhe me një gjerësi maksimale prej 17 km. Ndahet
midis tre rajoneve: Veneto, Lombardia, Trentino dhe tre provinca: Verona,
Brescia, Trento. Liqeni Garda është ndër destinacionet më të rëndësishme
turistike italiane dhe evropiane dhe vizitohet nga miliona njerëz çdo vit.
Kthimi
Fundjava
kalon shpejt dhe do të duhet sërish të paraqitesh në dyert e aeroportit të
Veronës. Procedurat janë thjeshtëzuar, përveç sistemit të kontrollit që nuk të
lë mundësinë as të marrësh ujë me vete. Aeroporti i Veronës po ashtu si dhe ai
Rinasit ishte në zgjerim e sipër ku po punohej për një terminal shtesë.
Fluturimi në një kohë të mirë e pa turbulenca u bë në orarin e caktuar.
Nga
lartësia dukeshin provincat e Italisë të rregulluara si me dorë.
Por
ndërsa futeshe në territorin shqiptar, nuk kuptohej se përse gjithkund në fusha
kishte ndërtime. Me leje apo pa leje, kjo tani nuk ka kurrfarë rëndësie. Sepse
sot gjithçka është e deformuar dhe e shëmtuar. Përveç faktit që një tokë
bujqësore e destinuar për prodhim, është detyruar të qëndrojë ose djerrë, ose
nën ujë, për shkak të ndërtimeve aty-këtu e pa kriter. Dukej sikur e gjithë
Shqipëria është një ndërtim pa leje. Dhe nuk ka kadastër që mund t’i bëjë
derman.
No comments:
Post a Comment