Sunday, June 4, 2023

Parazitet shqiptarë, llogje në floktore, kafene e... bilardo


Nga 
Leonard Veizi
 
Jemi shoqëri konsumi. Por kjo e jona, shoqëria shqiptare, është edhe më konsumiste. Që do të thotë, hamë më shumë se prodhojmë. Nuk ka sens ekonomik dhe as matematika nuk e zgjidh dot, por në praktikë është më e thjeshtë. Hamë ato që prodhojmë vetë dhe po ashtu ato që na vijnë nga jashtë e që në gjuhën teknike quhen remitanca.
Dhe ja, të bëjmë një llogari të thjeshtë e pa u futur shumë në të thella. E ta tregojmë në formë përralle:
Një ditë si u rehatova mirë në kafenenë më të afërt me apartamentin, - ku për të thënë të drejtën që në pikë të mëngjesit mezi e gjeta një vend, -  s’di si më shkrepi në kokë e nisa të bëj llogaritë se sa e çfarë biznesesh kryenin aktivitetin, pikërisht në bllokun e pallateve ku banoj prej më shumë se 20 vitesh.
Kompleksi ka katër pallate me nga katër hyrje, pra 16 gjithsej, dhe me  një mesatare prej 12 katesh, sipas shtesave. Dhe 4 apartamente për çdo kat. Katet “0” janë kthyer në aktivitete biznesi.
Janë të paktën 700 familje për 3 veta, të paktën 2100 banorë. Shifra është relative, por e përafërt gjithsesi.
Nga vendi ku isha pozicionuar, rrija dhe shihja kafet e mbushura plot. Në byrektoren e vetme, gjithmonë ka radhë në mëngjes, si për vajguri në kohën e Xhaxhit. Parukeritë kishin nisur punën me manikyr e pedikyrë, krehje e llangosje. Ndërsa nëpër markata blihej qumësht e cigare.
Dhe ky është mëngjesi. Deri në orën 10.00 maksimumi. Nis e bëj një llogaritë, pa ndihmën e kalkulatorit elektronik.
Më rezultojnë se në kompleks janë 6 parukeri për femra dhe 2 floktore burrash. Por 6 parukeri s’kishte gjithë Tirana para viteve ’90. Nejse... Iku e para.
Janë 7 kafe dhe 5 bar-restorante si dhe një vetëshërbim. Epo nuk gatuan njeri në shtëpi më. Kohë e humbur. Se koha është flori në vetvete. Nejse mo... Kjo ishte e dyta.
Janë 2 bilardo, që edhe ato shoqërohen me banak bar-kafeje dhe 1 sallë ping-pongu. Hollë-hollë bëhen nja 10-të vende me aparat ekspresi ku pihet kafe me filxhanë e gota plastike.
-Apapapa... si shikuaka ky me këto syzet...
Nejse... iku dhe e treta. Vazhdojmë numërimin:
Kemi 4 minimarkata, por nuk kemi një supermarkatë. Dy të tilla me emra të ndryshëm i kemi në dy komplekset që na rrethojnë. Pra vetëm një kalim rruge.
Epo do furnizohemi: vaj, makarona, sheqer, oriz, fasule... Të mbesim pa ngrënë. Të gjithë nëpër restorante nuk do hamë. Nuk kemi takat tek e fundit, se qejfi na e ka.
Kjo ishte e katërta... apo e pesta. Ta lëmë fare këtë punën e numërimit. Vazhdojmë me normë:
Por kemi dhe 2 këpucarë, 3 rrobaqepëse, 2 kancelari, 1 furrë buke, 1 materiale ndërtimi, 2 zyra kontabiliteti, 1 orëndreqës, 1 klinikë dentare, 1 farmaci, 1 filial banke, 1 çelësabërës, 1 dyqan veshjesh, 1 servis makinash, 1 dyqan pajisje elektronike, 1 byrektore, 1 pastrim kimik, 1 metrazhe por dhe 1 shtypshkronjë e falimentuar tanimë me pajisjet që i kanë mbetur stok.
Janë gjithashtu dhe nja 3 dyqane me qepena të ulur që më së shumti përdoren si magazina.
Pra ky është mikrokozmosi ynë. Kjo përbën shumatoren e përgjithshme. Domethënë gjen në një hapësirë të vogël qytetase, gjithçka që mund të gjeje në Tiranën e viteve ’80.
Në të gjitha baret dhe sidomos në bilardo, ka gjatë gjithë kohës klientë. Njerëz të pasionuar pas lojës me bila dhe pas thashethemeve rreth filxhanit të kafesë.
Fjala vjen: merr 8-tën me spond dhe kthen gotën e rakisë me fund.
Gjak e dhjam.
Sipas logjikës së thjeshtë këta njerëz që kanë zaptuar lokalet o janë pensionistë, ose janë pa punë. Thënë shkurt me të ardhura minimale. Nga ata që qahen tërë ditën se rroga apo pensioni nuk u del as për dhjetëditëshin e parë të muajit. Por  çokun dhe stekën nuk e ndajnë nga dora. Duke e shoqëruar me kafe e duhan, por dhe ndonjë gotë raki. Nuk ua dimë menunë e drekës, por përderisa gëzojnë shëndet të plotë dhe kanë aq vuxhut sa të luajnë dhe ping-pong, me siguri kaloritë bazë i marrin. Përndryshe do të mbesnin “dëshmorë” mbi tavolinën me tapet jeshil.
Meqenëse për pensionistët thuhet se nuk u del llogaria as për ilaçe, atëherë me siguri paratë e tjera të konsumit, vijnë nga “përtej detit” që do të thotë nga emigracioni. Dhe kështu jeta mes shqiptarësh vazhdon po ashtu si dhe 100 vite më parë.
-Ç’bën kështu, je në vete?, - i thosh Eleni Jankollari shofer Qemalit tek filmi “Koncert në Vitin 1936”.
-Ehu, më erdhi në majë të hundës, – ia ktheu Qemali e nisi të shpjegohej: - Më tepër bëra fjalë me nja dy afendikonj. Është popull dembel shqiptari, thoshin, prandaj ka fukarallëk. E shoh, e shoh nga duar tuaja zotërinj, u thashë, i keni më të buta se të zonjave. E ja, kjo i nxehu më tepër gjakrat.
Si në ‘36-tën edhe në ‘26-shtën të një shekulli më pas, situata nuk ndryshon. Ndryshon vetëm planimetria e qytetit, urbanistika dhe infrastruktura. Por kur vjen puna për ta vrarë kohën: shefi i policisë sërish do hedhë fall me letra në zyrë, kryetari i bashkisë do lexojë në gazetë rubrikën rozë me lajme nga bota dhe nënprefekti do vrasë mizat duke kënduar nën zë “Triste domenica”.
Gjithsesi, realitet rozë. Tek e fundit kjo nuk i prish punë njeriu. Mjafton të mos kërcasë kallashi dhe dita të nxihet.
Nisur nga numri i madh i parukerive, dhe të grave që gjen në to, duket sikur të gjitha janë të prera për jetë mondale, apo do shkojnë në ballo bamirësie... Tek e fundit mirë bëjnë. Gratë duhet ta mbajnë veten. Por dhe në parukeri, ku nuk është se paguajnë qindarka, gratë po si gratë, flasin për shtrëngesat e tyre të jetës, por që kur vjen puna për të bërë hesapet e fqinjëve e kanë lapsin në dorë.
-E mo, punë shqiptarësh, - do thoshte gjithkush. Unë gjithashtu bashkohem me të njëjtin mendim. Se ne ia dimë kleçkat njëri-tjetrit.
Jemi mësuar ta trajtojmë veten si të tillë, e vështirë të zhbëhemi.

 

 

 

 

 

 

No comments:

Post a Comment