I thellë dhe
kërkues deri në limite ndaj personazhit të tij. Ka interpretuar karaktere të
vështira e plot temperament. E për më tepër ka drejtuar trupën për të marrë një
maksimale në skene apo në mizanskenë.
E kush nuk e mban
mend rolin e tij emblematik, nën lëkurën e Robert Çamçakëzit, një mekaniku që
vinte vërdallë nëpër port me një uniformë disi ekstravagante për kohën, duke
dredhur zinxhirin e duke ngacmuar vajzat e bukura.
-Zog, sa
reçipeta najloni shkarkove/ A... Interkllub. Interkllub atje, por dama niks/
Bindem unanimisht. Ain moment sa të laj pak duart.
Pastaj vjen roli
tjetër, si Valeta i filmit “Gjeneral Gramafoni” që luante rolin e italianit
Marjo në bashkëpunim me shqiptarin Llambi Koli, i veshur me një kostum me
katrore dhe që vallëzonte me një damë imagjinare, në mesin e rrugës së
zejtarëve.
-Sinjor
Valeta.
-Pronto
giovanoti.
-Si është
danci?
-O,
danci... Permeso. Me leje dama. Pastaj... tira ram, tira ram... - E më pas vazhdonte me nje italishte
perfekte - O benvenuto signorina. Di prego. Che deseterate
vuoi? Con piacere. Pronto fancciulla. Noi abbiamo cartoline piu belle del
mondo.
Dhe po aq një rol
specifik është ai i merceolog Samiut tek filmi “Ëndërr për një karrige”, që
merrej me xhonglime mallrash e që dinte ti bënte qefin shefit:
-Po ne për
fundin e tremujorit kemi artilerinë e rëndë shoku Koli, kush pyet për këto
xhingla. Gjynah, do t’i shkonte shumë një nga këto gjerdanet Agathisë tënde. –
Do ta pimë tani një gotë birrë. Birrë me bërxollë se na lodhi Meçja duke shtyrë
veturën.
Tek filmi i
“Radiostacioni” realizuar në vitin 1979, Shpëtim Shmili ka luajtur rolin e
Maqo Harallambit, një punonjës i radiostacionit të cilin shkon ta marrë në
shtëpi një patrullë partizane. Dhe ndërsa nëna e tij në rol ia jep të qarit
duke menduar se djali do t’i pushkatohej si kolaboracionist, ai u flet me një
ton të rëndë e dramatik njerëzve që kishin dalë për të parë spektaklin e për ta
përcjellë nga dera:
-Gra, sido
që të ndodhë unë ndërgjegjen e kam të pastër.
-Kulmi...
Ai ka interpretuar
me nivel të lartë, të ftohtë e të ashpër, rolin e një oficeri gjerman tek filmi
“Këshilltarët”. Dhe po aq ka interpretuar rolin e togerit Shniker tek filmi
“Dëshmorët e monumenteve”, një arkeologu austriak që gërmonte në tokën
shqiptarë për të gjetur vepra të lashta arti.
-Oh, po
kjo është e mrekullueshme Volf. E pra, le të jetë për sonte kjo bukuroshe
antike, mike e kapitenit tonë. Ndërsa nesër me postën sekrete ia nisni
Perandorit si dhuratë nga vetë e shqiptarët.
Por një rol tjetër
fort i realizuar është dhe ai i gazetarit Vurko tek filmi “Pas vdekjes” që mes
të tjerash shkruante dhe kronikat e vdekjes së njerëzve më të njohur të
qytezës.
-Mos u
shty më tutje. Doktor Adhamudhi. Kërkon i vdekuri të dijë çdo të thonë për të
pas vdekjes. Do të dijë në është apo jo dordolec. Ti kurdisim një lodër këtij
sharlatani që ta mësojë mirë të vërtetën.
Ndërsa tek filmi
“Fushë e blertë, fushë e kuqe” ka realizuar rolin e trajnerit Filipi i cili
donte që ekipi modest i të rinjve shqiptarë të ndeshej me futbollistët e Fashos
pushtuese:
-E
mrekullueshme djem, e papërfytyrueshme. Të luani futboll me Juventisin, me
Romën, me Lacion. Ah sikur të isha edhe unë i ri.
Dhe më pas vjen si
tregtar Qaniu tek filmi: “Një jetë më shumë”, që nën maskën e një bamirësi
kërkonte të përfitonte nga puna e djemve jetim të pasluftës të cilët i nxirrte
të shisnin me tezga në qafë gjithfarë vogëlsirash.
-Ti je
Caku, ëëë. Do të punosh këtu tek ne domethënë. Çomja do të mësojë ta njohësh
mirë zanatin.
Tek filmi “Një natë nëntori”
realizuar në vitin 1979, Shpëtim Shmili ka luajtur rolin e kriminelit Suat. Por
tek filmi “Tre vetë kapërcejnë malin” ai do të luante rolin e kontrabandistit
Xhezap.
-Do të presim sa të kthehet edhe Engjëlli
e t’i shohim të gjitha me radhë. Ama po qe se na i ke hedhur të mori lumi ty me
gjithë dyqan.
Dhe së fundit tek filmi “Melodi e pandërprerë” luajti rolin e
kryellogaritarit te kooperativës që më shumë e kishte endjen të pinte raki e të
hante mish nga bagëtitë e therura si dëm kolateral;
-Dëgjo, në qoftë se nuk arrini ta shpëtoni dhinë e helmuar thereni.
Të mos verë dëm mishi… Ja gëzuar
Në jetëshkrimin
zyrtar thuhet se Shpëtim Shmili u lind në në Tiranë 15 maj të vitit 1941.
Mbaroi shkollën e mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan. Më pas ka
punuar si arsimtar për afro tre vjet në Shtërmen e Cërrik të Elbasanit. Në
vitin 1960 konkurroi dhe fitoi te drejtën për të vazhduar studimet e larta për
aktor në institutin “Aleksandër Moisiu”. Në vitin 1964 diplomohet dhe emërohet
aktor pranë teatrit profesionist “Skampa” të Elbasanit.
Shpëtim Shmili iu
përkushtua tërësisht teatrit e skenës dhe deri në çastet e fundit të jetës ai
realizoi me dhjetëra figura artistike e personazhe, të cilët kanë mbetur në
mendjen e spektatorëve shqiptarë.
Përgjatë karrierës
së tij artistike ai ka qenë një nga figurat kryesore të teatrit “Skampa” në
Elbasan, si aktor, dramaturg, regjisor dhe drejtues. Ka interpretuar të
paktën 45 role në këtë teatër si në dramë ashtu edhe në komedi. Ndërsa në
pelikulën e filmit i kanë mbetur të fiksuara 12 role.
Por Shpëtim Shmili ka qenë dhe një
dramaturg, i cili ka shkruar dhe pjesët: “Fundi i një intrige”, “Zemër e
shqetësuar”, “Telashet e një ndeshjeje”, si dhe komedinë me tre akte “Ah kjo
traktoristja”.
Shpëtim Shmili ka
pasur një jetë të gjatë artistike e mbushur me çmime, urdhra, medalje të
ndryshme. Në vitin 1982, pas 17 vjet pune në skenën e teatrit “Skampa”,
nderohet me medaljen “Naim Frashëri”. Ndërsa në vitin 1990 merr urdhrin “Naim
Frashëri”, si dhe me disa çmime në aktivitetet e konkurrimit kombëtar të
teatrove. Është nderuar edhe me medaljen e 45 vjetorit të Çlirimit dhe në vitin
1992 me titullin “Artist i Merituar”, me motivacionin “Për krijimin me nivel të
lartë artistik të roleve e figurave në teatër e kinematografi”. Në 14 shtator
1999, në përkujtim të 5-vjetorit të vdekjes së tij, Këshilli Bashkiak i
Bashkisë së Qytetit Elbasan i dha titullin “Qytetar Nderi i Elbasanit”.
Shpëtim Shmili u
nda nga jeta në datë 17 shtator 1994 pas një goditje cerebrale. Ishte në moshën 53
vjeçare duke qenë gjithashtu në kulmin e prodhimtarisë artistike. Dhe pati një
karrierë 30 vjeçare në skenë.
No comments:
Post a Comment