Leonard
Veizi
Ca e ca më thonë
se bëj mirë që godas veset e shqiptarëve, duke i evidentuar ato në shkrime të
herë pas hershme. E ca të tjerë më thonë se nuk duhet t’i shaj shqiptarët në
shkrimet e mia. Por unë u them se nuk i shaj ata, përderisa gjithë ditën e
ditës rri me shqiptarët duke qenë 100 përqind shqiptar. Pra ç'kam bërë unë?
Vetëm kam analizuar veset e tyre.
Mirë me
zgjedhimin.
Dhe veset e
shqiptarëve janë të tyret dhe të mijat bashkë. Dhe ne nuk është se kemi pak
vese. Ndaj me një ide abstrakte e fort absurde se ndoshta kështu kontribuoj në
troshitjen e shoqërisë pasi i vë në dukje një të metë, duket se kërkoj të bëj
gjumin e qetë duke menduar se e kam kryer detyrën time ndaj shoqërisë.
Por shoqëria as që
pyet më për komente e pamflete.
Po a kemi mundësi
të përmirësohemi realisht, larg absurdit dhe abstraksionit? Në kushtet aktuale,
mua më duket se vetëm po keqësohemi. Kjo është një optikë aspak optimiste.
Po çfarë vesesh
kemi ne si shoqëri. Ja të marrim një prej tyre pa dashur ta analizojmë aspak,
por thjesht ta vëmë në dukje.
Sapo kthen kokën
të vazhdosh me punët e tua, ti do marrësh vesh se çfarë nuk është thënë për ty
në mospraninë tënde. Tre shok a miq, ndonjëherë thjesht të njohur e ndonjëherë
të panjohur fare, të gjithë shqiptarë, do të të shajnë e s’do lënë gjë pa thënë
për ty. Ndërsa njëri prej tyre do vijë të të thotë se ata dy të tjerët të kanë
sharë para e mbrapa, por nga mbrapa krahëve. Ndërkohë që askush nuk ta ka thënë
në sy deri në atë kohë. Përkundrazi.
Burrëri është kjo?
Në fakt, këtë herë
mora shkas nga mbyllja e një spektakli humori. Të them të drejtën, më erdhi
vërtet keq për këtë humbje. Spektakël i mirë, moderatorë të mirë, aktorë të
mirë. Dhe tek e fundit më bënin të qesh, atë që kishte si prioritet vetë
spektakli. Dhe ndërsa lexoja nëpër rrjete sociale, lajmin mbi mbylljen e
spektaklit në fjalë, - me jo pak peshë në botën artistike e mediatike, - shihja
dhe një lumë komentesh negative. Fërkova sytë, se ndonjëherë qëllon te jesh në
ëndërr e të duket gjithçka si e vërtetë. Nuk isha në ëndërr. Pickova veten për
ta vërtetuar katërcipërisht. U hodha përpjetë e shava nëpër dhëmbë. Kjo donte
të thoshte se isha duke lexuar lajmet e komentet. Fyerjet nuk mbaronin. Thuhej
se ishte një spektakël i dobët. Por shkruhej me shqipe rruge e frazat kishin të
bënin me zhargon rruge. Më tej thuhej se kishte aktorë të dobët. Madje thuhet
se spektakli ishte marrë më shumë me politikë se sa me art. Dhe këtë nuk e
thoshin kritikët e artit, e thoshin “artistët” e rrugës. E si përfundim thuhej
se gjëja më e mirë ishte që spektaklit i kishin vënë drynin, dhe që aktorët i
kishin hedhur në rrugë.
Hajde negativitet
hajde. Të keqen e mendjes.
Po pse burrëri ju
duket kjo?
Për sa spektakli
ishte në modë, dëgjoja gjithfarë gjërash të tjera. Që ishte dhe i këndshëm, dhe
humoristik, madje dhe që ia bënte mirë fodullëve të politikës kur i vinte në
lojë. Por jo..., ndryshoi kursi. Spektakli u mbyll, nisi ofensiva.
Burrëri është kjo?
Po nuk është puna
vetëm tek spektakli. Ai iku e vate. Puna është se kjo mënyrë të menduari është
futur si shtojcë në shtyllën kurrizore të kombit, që prej kohësh ka filluar të
na shtrembërohet. Spektakli ishte një prej elementëve ku shpërtheu dufi i
papërmbajtshëm njerëzor. Por mllefet e mbledhura shpërthejnë kudo.
Një herë e një
kohë për fjalë pas krahëve, apo fjalë të pavërteta kriste pushka. Sot jo. I
dëgjon me vëmendje dhe pastaj bëhesh vetë pjesë e lojës.
Po kjo me kë ka të
bëjë, me burrërinë apo me shtyllën kurrizore? Se asnjë nga të dyja nuk shoh në
horizont.
Mllefe, mllefe,
mllefe... O po nga t’i kemi mbledhur gjithë këto mllefe, vetëm nga fakti që
kemi jetuar në varfëri dhe nuk po e kapim dot veten si ca e ca.
Se nuk guxon të
evidentohet një talent i ri në ekran, se nisin komentet:
-U bo ky,... Ky që
deri dje nuk dinte të fshinte as qurrat e veta.
Del një biznesmen
që mbulon ndonjë faturë për ndonjë nevojtar në hall dhe vazhdojnë të tjera
komente:
-Hë mo se pare të
vjedhura po jep. Prandaj si dhimbsen.
Po doli ndonjë
investitor bëhemi dhe më keq. Në këto raste formula është e gatshme:
-Lek droge i ka.
Dhe nuk ka në
shoqërinë tonë as të talentuar e as njerëz të mirë. Jemi ne ata që shajmë
njëri-tjetrin sa mundemi. Dhe pastaj na vjen keq kur dëgjojmë që na shajnë.
Në llumin e
komenteve ku shumica dërmuese janë me pseudonime e foto falso, natyrisht do
gjesh fyerje e sharje për të cilat të vjen keq por do të të vijë dhe turp.
-Në këtë derexhe
të jetë katandisur dhe Shabani ynë?
Po ore po, në këtë
derexhe!
Dhe kjo nuk është
burrëri, por paburrëri. Sepse nuk mundet një i paburrë të cilësojë të tjerët si
burrecë.
Ndryshe është kur
argumenton, dhe krejt ndryshe kur inatet e paaftësisë tënde ia faturon të
tjerëve.
No comments:
Post a Comment